‘Sytë rrezatues’ të Jehovait hetojnë gjithçka
‘Sytë rrezatues’ të Jehovait hetojnë gjithçka
‘Me sytë e tij rrezatues, Jehovai heton bijtë e njerëzve.’—PSAL. 11:4.
1. Cilët lloj personash na hyjnë në zemër?
SI NDIHESH ndaj njerëzve që interesohen vërtet për ty? Kur u kërkon një mendim, ta thonë me sinqeritet. Kur ke nevojë për ndihmë, janë të gatshëm të të ndihmojnë. Kur ke nevojë për një këshillë, ta japin me dashuri. (Psal. 141:5; Gal. 6:1) A nuk të hyjnë në zemër njerëz të tillë? Jehovai dhe Biri i tij janë pikërisht kështu. Në fakt, interesimi i tyre për ty ia tejkalon interesimit të çdo njeriu dhe motivet e tyre nuk janë aspak egoiste; ata duan të të ndihmojnë që ‘të rrokësh jetën e vërtetë’.—1 Tim. 6:19; Zbul. 3:19.
2. Deri në ç’masë interesohet Jehovai për shërbëtorët e tij?
2 Psalmisti David shprehu interesimin e thellë që tregon Jehovai ndaj nesh, kur tha: «Syri [i Jehovait] sheh bijtë e njerëzve, me sytë e tij rrezatues i heton.» (Psal. 11:4) Po, Perëndia jo vetëm na sheh, por edhe na heton. Davidi shkroi gjithashtu: «Ti e ke shqyrtuar zemrën time, natën më ke hetuar . . . Kështu, zbulove se nuk kurdis asnjë të keqe.» (Psal. 17:3) Qartë, Davidi ishte i vetëdijshëm për interesimin e thellë të Jehovait ndaj tij. Ai e dinte se do të lëndonte Jehovain dhe nuk do të kishte miratimin e tij, nëse do të ushqente mendime mëkatare ose do të kurdiste të këqija në zemër. A është Jehovai për ty po aq real sa ishte për Davidin?
Jehovai sheh zemrën
3. Si tregon Jehovai një qëndrim të drejtpeshuar ndaj papërsosmërive tona?
3 Jehovai interesohet në radhë të parë për njeriun e brendshëm, domethënë për atë që kemi vërtet në zemër. (Psal. 19:14; 26:2) Nga dashuria, ai nuk ndalet te fajet e vogla. Për shembull, kur Sara, gruaja e Abrahamit, nuk i tha tamam të vërtetën një engjëlli të materializuar, me sa duket engjëlli e kuptoi se ajo ishte e frikësuar e në siklet, prandaj ai vetëm sa e qortoi me butësi. (Zan. 18:12-15) Edhe pse patriarku Job e shpalli «veten më të drejtë se Perëndia», prapëseprapë Jehovai e bekoi, pasi e dinte se Jobi kishte hequr shumë vuajtje nga Satanai. (Jobi 32:2; 42:12) Po ashtu, Jehovai nuk u fye kur vejusha nga Zarefati i foli hapur profetit Elija. Perëndia e kuptonte se ajo ishte e pikëlluar nga vdekja e birit të saj të vetëm.—1 Mbret. 17:8-24.
4, 5. Si tregoi dashamirësi Jehovai në mënyrën se si veproi me Abimelekun?
4 Ngaqë Jehovai heton zemrën, ai ka treguar se merr parasysh shumë gjëra edhe në lidhje me jobesimtarët. Shqyrto se si veproi me Abimelekun, mbretin e qytetit filistin të Gerarit. Ngaqë nuk e dinte se Abrahami dhe Sara ishin të martuar, Abimeleku e mori Sarën për ta bërë gruan e tij. Por para se Abimeleku ta prekte Sarën, Jehovai i tha në ëndërr: «Unë e di se këtë e ke bërë me zemër të ndershme, dhe po të ndaloja që të mos mëkatoje kundër meje. Ja përse nuk të lejova ta prekje. Por tani ktheja gruan atij burri, sepse ai është një profet dhe do të bëjë përgjërime për ty. Dhe vazhdo të jetosh.»—Zan. 20:1-7.
5 Sigurisht, Jehovai mund të kishte vepruar ashpër me Abimelekun, i cili ishte adhurues i perëndive të rreme. Por Perëndia pa se ai njeri veproi me ndershmëri në atë rast. Nga dashamirësia, Jehovai e mori parasysh këtë gjë dhe i tregoi mbretit se si të fitonte faljen e Tij e ‘të
vazhdonte të jetonte’. A nuk është ky Perëndia që dëshiron të adhurosh?6. Në cilat mënyra e imitoi Jezui Atin e tij?
6 Jezui e imitoi në mënyrë të përsosur Atin e tij, duke u përqendruar tek anët e mira të dishepujve dhe duke i falur me gatishmëri gabimet e tyre. (Mar. 10:35-45; 14:66-72; Luka 22:31, 32; Gjoni 15:15) Qëndrimi i Jezuit ishte në harmoni me fjalët që gjenden te Gjoni 3:17: «Perëndia nuk e dërgoi Birin e tij në botë që ta gjykojë botën, por që nëpërmjet tij bota të shpëtojë.» Po, dashuria që Jehovai e Jezui kanë për ne është e thellë dhe e pandryshueshme. Ajo kuptohet nga dëshira e tyre që ne të fitojmë jetën. (Jobi 14:15) Kjo dashuri shpjegon pse na heton Jehovai, pse sheh anët e mira te ne dhe pse përpiqet të na ndreqë në bazë të asaj që sheh.—Lexo 1 Gjonit 4:8, 19.
Na heton me sytë e dashurisë
7. Me cilin motiv na heton Jehovai?
7 Sa e gabuar është pra, ta mendosh Jehovain si një polic që përgjon nga qielli për të na kapur duke mëkatuar! Faktikisht është Satanai që na ndjek me sy paditës e mosbesues. (Zbul. 12:10) Ai madje na vesh motive të këqija edhe atëherë kur nuk kemi asnjë! (Jobi 1:9-11; 2:4, 5) Psalmisti shkroi për Perëndinë: «Po t’i mbaje sytë te fajet, o Jah, o Jehova, kush do të mbetej në këmbë?» (Psal. 130:3) Përgjigja që nënkuptohet është: askush! (Ekl. 7:20) Përkundrazi, Jehovai na vëzhgon me sytë e mëshirshëm dhe mirëdashës të një prindi të kujdesshëm që dëshiron t’i mbrojë fëmijët e tij të dashur. Shpesh ai na paralajmëron për papërsosmëritë dhe dobësitë tona që të mos i bëjmë dëm vetes.—Psal. 103:10-14; Mat. 26:41.
8. Si i mëson dhe i disiplinon Jehovai shërbëtorët e tij?
8 Dashuria e Perëndisë shprehet nëpërmjet udhëzimeve dhe disiplinës që na jep në Shkrime dhe në ushqimin frymor që siguron «skllavi i besueshëm dhe i matur». (Mat. 24:45; Hebr. 12:5, 6) Gjithashtu, Jehovai na ofron ndihmë me anë të kongregacionit të krishterë dhe ‘dhuratave në njerëz’. (Efes. 4:8) Për më tepër, Jehovai na vëzhgon për të kuptuar se si reagojmë ndaj stërvitjes së tij atërore dhe përpiqet të na ndihmojë edhe më tej. Psalmi 32:8 thotë: «Unë do të të jap gjykim të thellë dhe do të të mësoj udhën që duhet të ndjekësh. Do të të këshilloj duke i mbajtur sytë mbi ty.» Sa e rëndësishme është pra, që ta dëgjojmë gjithnjë Jehovain! Duhet të vazhdojmë të jemi të përulur para tij, duke pranuar se ai është Mësuesi dhe Ati ynë i dashur.—Lexo Mateun 18:4.
9. Çfarë cilësish duhet të shmangim dhe pse?
9 Por, nga ana tjetër, kurrë të mos ngurtësohemi nga krenaria, nga mungesa e besimit ose nga «fuqia mashtruese e mëkatit». (Hebr. 3:13; Jak. 4:6) Shpesh këto cilësi fillojnë të shfaqen kur dikush ushqen mendime dhe dëshira të papërshtatshme. Ai madje mund të arrijë deri në atë pikë sa të hedhë poshtë këshillat e përshtatshme biblike. Më keq akoma, mund të ngulmojë kaq shumë në qëndrimin dhe sjelljen e tij të keqe, sa të bëhet armik i Perëndisë—një situatë vërtet e frikshme! (Prov. 1:22-31) Shqyrto shembullin e Kainit, të parëlindurit të Adamit e të Evës.
Jehovai sheh gjithçka dhe vepron sipas asaj që sheh
10. Pse Jehovai nuk e miratoi blatimin e Kainit dhe si reagoi Kaini?
10 Kur Kaini dhe Abeli sollën nga një blatim për Jehovain, Ai nuk u interesua vetëm për dhuratën, por edhe për motivin e tyre. Si rrjedhim, Perëndia shprehu miratimin për blatimin e Abelit, të bërë me besim, por shprehu mospëlqimin për blatimin e Kainit, që në ndonjë mënyrë pasqyronte mungesë besimi. (Zan. 4:4, 5; Hebr. 11:4) Në vend që të mësonte nga ky rast e të ndryshonte qëndrim, Kaini u nxeh me të vëllanë.—Zan. 4:6.
11. Si tregoi Kaini një zemër të pabesë dhe ç’mësim nxjerrim?
11 Jehovai e vërejti këtë qëndrim të rrezikshëm dhe i foli me dashamirësi Kainit duke i thënë që, po të vepronte mirë, do të kishte pëlqimin e Tij. Mjerisht, Kaini e shpërfilli këshillën e Krijuesit dhe e vrau të vëllanë. Qëndrimi i keq i Kainit u pasqyrua më tej në përgjigjen pa respekt ndaj pyetjes së Perëndisë: «Ku është Abeli, yt vëlla?» Kaini ia ktheu me zemërim: «Nuk e di. Mos jam gjë roja i tim vëllai?» (Zan. 4:7-9) Sa e pabesë mund të jetë zemra—madje, deri aty sa të shpërfillë këshillën e drejtpërdrejtë të Perëndisë. (Jer. 17:9) Prandaj, le të mësojmë nga këto tregime dhe të jemi të shpejtë për t’i hedhur tej mendimet dhe dëshirat e gabuara. (Lexo Jakovin 1:14, 15.) Nëse marrim këshilla nga Shkrimet, le t’i çmojmë e t’i shohim ato si një dëshmi të dashurisë së Jehovait.
S’ka mëkat që të mbahet i fshehtë
12. Si i përgjigjet Jehovai keqbërjes?
12 Disa mund të mendojnë që, nëse askush nuk i sheh duke kryer një gjë të gabuar, do t’ia hedhin paq. (Psal. 19:12) Në njëfarë kuptimi, s’ka mëkat që të mbahet i fshehtë. «Të gjitha gjërat janë lakuriq dhe fare sheshit në sytë e atij, të cilit do t’i japim llogari.» (Hebr. 4:13) Jehovai është një Gjykatës që heton motivet tona më të thella dhe i përgjigjet keqbërjes në një mënyrë që pasqyron drejtësi të përsosur. Ai është «një Perëndi i mëshirshëm dhe hirmadh, që nuk zemërohet shpejt, që është plot dashamirësi e të vërtetë». Megjithatë, ‘në asnjë mënyrë nuk do t’i lërë pa ndëshkuar’ individët e papenduar, ata që ‘praktikojnë me dashje mëkatin’ ose ata që janë hileqarë e kurdisin intriga. (Dal. 34:6, 7; Hebr. 10:26) Ky fakt u pasqyrua në mënyrën si veproi Jehovai me Akanin dhe me Ananinë e Safirën.
13. Në ç’mënyrë mendimet e gabuara me sa duket ndikuan në sjelljen e keqe të Akanit?
13 Duke shkelur drejtpërdrejt urdhrin e Perëndisë, Akani mori plaçkë nga qyteti i Jerikosë dhe e fshehu në tendën e tij, ndoshta me bashkëpunimin e familjes. Kur mëkati i tij u zbulua, Akani tregoi se e kuptonte seriozitetin e asaj që kishte bërë, sepse tha: «Kam mëkatuar kundër Jehovait.» (Jos. 7:20) Ashtu si Kaini, edhe Akani kishte zhvilluar një prirje të keqe në zemër. Në rastin e Akanit, faktori kryesor ishte lakmia dhe ajo ndikoi që të bëhej mashtrues. Meqë plaçka nga Jerikoja i përkiste Jehovait, në të vërtetë Akani ia vodhi Perëndisë dhe kjo i kushtoi shtrenjtë atij dhe familjes së tij.—Jos. 7:25.
14, 15. Pse Anania dhe Safira merituan mospëlqimin e Perëndisë dhe ç’mësim nxjerrim edhe ne?
14 Anania dhe e shoqja, Safira, bënin pjesë në kongregacionin e të krishterëve të hershëm në Jerusalem. Pas festës së Ditës së Pesëdhjetë të Vep. 5:1-11.
vitit 33 të e.s., u krijua një fond i përbashkët për t’u kujdesur për nevojat fizike të besimtarëve të rinj nga vendet e largëta, të cilët ishin ende në Jerusalem. Fondi përkrahej nga kontributet vullnetare. Anania shiti një arë dhe dhuroi një pjesë të parave për fondin. Mirëpo, me dijeninë e plotë të gruas, ai u hoq sikur kishte dhuruar të gjithë shumën. Pa dyshim, ky çift donte të merrte nderim të veçantë brenda kongregacionit. Por ajo që bënë ishte mashtrim. Në mënyrë të mrekullueshme Jehovai ia zbuloi mashtrimin apostullit Pjetër, i cili e pyeti drejtpërdrejt Ananinë për fajin e tij. Menjëherë Anania ra përtokë dhe dha frymë. Pak kohë më pas, vdiq edhe Safira.—15 Anania dhe Safira nuk ranë pre e një dobësie të çastit. Ata thurën një plan dhe gënjyen me qëllim që t’i mashtronin apostujt. Më keq akoma, ata ‘u orvatën të mashtronin frymën e shenjtë dhe Perëndinë’. Përgjigjja e Jehovait tregon qartë se ai është gati ta mbrojë kongregacionin nga hipokritët. Vërtet, «është e frikshme të biesh në duart e Perëndisë së gjallë»!—Hebr. 10:31.
Të ruajmë integritetin në çdo kohë
16. (a) Si po përpiqet Satanai të korruptojë popullin e Perëndisë? (b) Çfarë metodash përdor Djalli për t’i korruptuar njerëzit në zonën tuaj?
16 Satanai po bën çmos të na korruptojë dhe të humbim miratimin e Perëndisë. (Zbul. 12:12, 17) Qëllimet e liga të Djallit pasqyrohen qartë në botë, e cila është e fiksuar pas seksit të pamoralshëm dhe dhunës. Tani pornografia mund të shihet lehtë në kompjuterë ose në pajisje të tjera elektronike. Mos u dorëzofshim kurrë para sulmeve të Satanait! Përkundrazi, qofshin ndjenjat tona si ato të psalmistit David, i cili shkroi: «Do të veproj me maturi dhe në mënyrë të patëmetë. . . . Në shtëpinë time do të eci me një zemër me integritet.»—Psal. 101:2.
17. (a) Pse në kohën e duhur Jehovai i nxjerr sheshit mëkatet e fshehura? (b) Çfarë vendosmërie duhet të kemi?
17 Sot, Jehovai nuk i zbulon me ndonjë mrekulli mëkatet e rënda dhe sjelljet mashtruese, ashtu siç ka bërë disa herë në të kaluarën. Megjithatë, ai sheh gjithçka dhe, në kohën e në mënyrën e duhur sipas tij, i nxjerr sheshit gjërat e fshehura. Pavli tha: «Mëkatet e disa njerëzve duken sheshit dhe çojnë drejt e në gjykim, kurse mëkatet e disa të tjerëve dalin sheshit më vonë.» (1 Tim. 5:24) Arsyeja kryesore pse Jehovai i nxjerr në dritë veprat e këqija, është dashuria. Ai e do kongregacionin dhe dëshiron të mbrojë pastërtinë e tij frymore. Për më tepër, u tregon mëshirë atyre që i kishte vënë përposh mëkati, por që tani janë penduar vërtet. (Prov. 28:13) Prandaj, le të përpiqemi të ruajmë një zemër të pastër para Perëndisë dhe të hedhim poshtë tërë ndikimet korruptuese.
T’i shërbejmë Jehovait me gjithë zemër
18. Çfarë donte mbreti David që të ndiente i biri kundrejt Perëndisë?
18 Mbreti David i tha të birit, Solomonit: «Njihe Perëndinë e atit tënd dhe shërbeji atij me gjithë zemër e me shpirt plotësisht të kënaqur, sepse Jehovai heton gjithë zemrat dhe dallon çdo prirje të mendimeve.» (1 Kron. 28:9) Davidi donte që i biri të mos mjaftohej vetëm duke besuar te Perëndia. Ai donte që Solomoni ta çmonte interesimin e thellë të Jehovait për shërbëtorët e Tij. Po ti, a e ke këtë çmueshmëri?
19, 20. Sipas Psalmit 19:7-11, çfarë e ndihmoi Davidin t’i afrohej Perëndisë dhe si mund ta imitojmë Davidin?
19 Jehovai e di se do t’u hyjë në zemër njerëzve që kanë qëndrimin e duhur dhe se njohuria për cilësitë e tij të bukura do t’ua ngrohë zemrën. Pra, Jehovai do që ta njohim atë dhe personalitetin e tij të mrekullueshëm. Si ta arrijmë këtë? Duke studiuar Fjalën e tij dhe duke përjetuar bekimin e tij në jetën tonë.—Prov. 10:22; Gjoni 14:9.
20 A e lexon çdo ditë Fjalën e Perëndisë me çmueshmëri dhe duke iu lutur për ndihmë që ta zbatosh? A e kupton vlerën e të jetuarit sipas parimeve biblike? (Lexo Psalmin 19:7-11.) Nëse po, besimi dhe dashuria jote për Jehovain do të vazhdojnë të rriten. Dhe, si rrjedhim, ai do të të afrohet gjithnjë e më shumë, duke ecur, si të thuash, dorë për dorë me ty. (Isa. 42:6; Jak. 4:8) Po, Jehovai do ta tregojë dashurinë e tij për ty duke të bekuar dhe mbrojtur nga ana frymore, teksa ecën përgjatë rrugës së ngushtë që të çon në jetë.—Psal. 91:1, 2; Mat. 7:13, 14.
Si do të përgjigjeshe?
• Pse na heton Jehovai?
• Çfarë i shtyu disa të bëheshin armiq të Perëndisë?
• Si mund të tregojmë se Jehovai është real për ne?
• Si mund t’i shërbejmë Perëndisë me gjithë zemër?
[Pyetjet]
[Figura në faqen 4]
Në ç’kuptim Jehovai na vëzhgon si një prind i kujdesshëm?
[Figura në faqen 5]
Çfarë mësimi nxjerrim nga shembulli i Ananisë?
[Figura në faqen 6]
Çfarë do të na ndihmojë që të vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait me gjithë zemër?