Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ndihmojini të kthehen pa vonesë!

Ndihmojini të kthehen pa vonesë!

Ndihmojini të kthehen pa vonesë!

«Zotëri, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përhershme.»​—GJONI 6:68.

1. Çfarë tha Pjetri kur shumë dishepuj e braktisën Jezuin?

NË NJË rast, shumë dishepuj e braktisën Jezu Krishtin, pasi nuk donin të pranonin një nga mësimet e tij. «Mos doni të shkoni edhe ju?»​—i pyeti ai apostujt. Pjetri iu përgjigj: «Zotëri, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përhershme.» (Gjoni 6:51-69) S’kishin ku të shkonin tjetër. Judaizmi i asaj kohe nuk kishte «fjalë jete të përhershme» dhe, sigurisht, as sot nuk mund të gjenden fjalë të tilla në Babiloninë e Madhe, perandorinë botërore të fesë së rreme. Kushdo që ka humbur rrugën dhe nuk është më në kopenë e Perëndisë, por do që t’i pëlqejë Jehovait, ‘duhet të zgjohet urgjentisht’ dhe të kthehet në kope.​—Rom. 13:11, King James Version.

2. Çfarë duhet pasur parasysh lidhur me çështjet konfidenciale ose gjyqësore?

2 Jehovai tregoi se interesohej për delet e humbura të Izraelit. (Lexo Ezekielin 34:15, 16.) Po kështu, pleqtë e krishterë dëshirojnë dhe kanë përgjegjësinë t’i ndihmojnë delet që kanë humbur rrugën. Nëse ata caktojnë një lajmëtar të studiojë me një joaktiv që dëshiron ndihmë, çfarë duhet bërë në rast se drejtuesi i studimit merr vesh se ai ka kryer një mëkat të rëndë? Në vend që të japë këshilla për çështjet gjyqësore ose konfidenciale, lajmëtari duhet t’i sugjerojë që të flasë me pleqtë. Nëse ai nuk e bën, atëherë lajmëtari duhet të njoftojë pleqtë.​—Lev. 5:1; Gal. 6:1.

3. Si reagoi njeriu që kishte 100 dele, kur gjeti njërën që i kishte humbur?

3 Në artikullin e mëparshëm u përmend ilustrimi i Jezuit për një njeri që kishte 100 dele. Kur i humbi njëra, ai i la 99 delet e tjera dhe shkoi të kërkonte atë që kishte humbur. Sa u gëzua kur e gjeti! (Luka 15:4-7) Edhe ne gëzohemi po njësoj kur një dele e Perëndisë kthehet në kope. Të nxitur nga dashuria, pleqtë dhe pjesëtarët e tjerë të kongregacionit ka të ngjarë ta kenë vizituar joaktivin. Edhe këta duan ta shohin të kthehet në vathë dhe të gëzojë mbështetjen, mbrojtjen dhe bekimin e Perëndisë. (Ligj. 33:27; Psal. 91:14; Prov. 10:22) Çfarë mund të bëjnë, nëse u jepet mundësia të jenë të dobishëm në këtë drejtim?

4. Çfarë kuptojmë nga Galatasve 6:2, 5?

4 Ndoshta ata mund ta inkurajojnë dikë që të kthehet në kongregacion duke i treguar me dashamirësi se Jehovai i do delet e Tij dhe kërkon prej nesh vetëm gjëra që mund të bëjmë. Në to përfshihen studimi i Shkrimeve, ndjekja e mbledhjeve të krishtere dhe predikimi i lajmit të mirë për Mbretërinë. Mund të jetë e përshtatshme të lexohet Galatasve 6:2, 5 dhe të përmendet se të krishterët mund të ndihmojnë për të mbajtur barrët e njëri-tjetrit, por «secili do të mbajë ngarkesën e vet» të përgjegjësisë frymore. Askush nuk mund t’i qëndrojë besnik Perëndisë për ne.

Mos kanë ndikuar «ankthet e jetës»?

5, 6. (a) Pse është e rëndësishme të dëgjojmë me vëmendje teksa bashkëbesimtarët joaktivë shprehen? (b) Si mund t’i ndihmoni joaktivët të kuptojnë se mosshoqërimi me popullin e Perëndisë ka qenë i dëmshëm për ta?

5 Për të kuptuar si të ndihmojnë bashkëbesimtarët joaktivë, pleqtë dhe lajmëtarët e tjerë të pjekur duhet t’i dëgjojnë me vëmendje teksa shprehen nga zemra. Ta zëmë se je një plak që po viziton një çift që nuk shoqërohet me kongregacionin për shkak të ‘anktheve të jetës’. (Luka 21:34) Ndoshta për shkak të problemeve financiare ose shtimit të përgjegjësive familjare, kanë rënë në gjendje joaktive nga ana frymore. Ata mund të ndiejnë nevojën për lehtësim, por mund t’u tregosh se zgjidhja nuk është veçimi. (Lexo Proverbat 18:1.) Mund t’i pyetësh me takt: «A ndiheni më të lumtur që kur nuk keni ardhur më në mbledhje? A bëni një jetë familjare më të lumtur? A e ndieni akoma atë gëzim që vjen kur ke besim te Jehovai?»​—Neh. 8:10.

6 Meditimi rreth këtyre pyetjeve mund t’i ndihmojë joaktivët të kuptojnë se, ngaqë nuk janë shoqëruar me kongregacionin, kanë rënë nga ana frymore dhe nuk janë të lumtur si më parë. (Mat. 5:3; Hebr. 10:24, 25) Ndoshta mund t’i ndihmojmë të kuptojnë se kanë humbur gëzimin që vjen kur predikojmë lajmin e mirë. (Mat. 28:19, 20) Atëherë, ç’gjë të mençur duhet të bëjnë?

7. Për çfarë mund t’i nxitim delet e kopesë që kanë humbur rrugën?

7 Jezui tha: «Kushtojini vëmendje vetes, që të mos ju rëndohen zemrat nga të ngrënët e tepërt, nga pirja e tepërt dhe nga ankthet e jetës. . . . Rrini zgjuar dhe bëni përgjërime gjithë kohën, që t’ia dilni mbanë të shpëtoni nga të gjitha këto gjëra që do të ndodhin.» (Luka 21:34-36) Delet që kanë humbur rrugën, por që duan të gëzojnë lumturinë e dikurshme, mund t’i nxitim që të luten për frymën e shenjtë dhe për ndihmën e Perëndisë, e që të veprojnë në përputhje me lutjet e tyre.​—Luka 11:13.

Mos i ka penguar dikush?

8, 9. Si mund të arsyetojë një plak me dikë që është penguar?

8 Ngaqë njerëzit janë të papërsosur, ndodhin përplasje të personalitetit dhe kjo mund të pengojë dikë. Disa janë penguar kur një person i respektuar në kongregacion nuk ka vepruar në përputhje me parimet biblike. Nëse një joaktiv është ndikuar nga kjo gjë, plaku që po e viziton mund t’i tregojë se Jehovai nuk pengon askënd. Atëherë, pse duhet të ndërpresim marrëdhënien me Perëndinë dhe me popullin e Tij? A nuk duhet, përkundrazi, të vazhdojmë t’i shërbejmë Perëndisë, të sigurt se «Gjykatësi i gjithë tokës» e di se çfarë ka ndodhur dhe do t’i zgjidhë gjërat në mënyrën e duhur? (Zan. 18:25; Kolos. 3:23-25) Nëse dikush do të pengohej dhe rrëzohej, nuk do të qëndronte me dashje në atë pozicion pa u përpjekur fare për t’u ngritur.

9 Në përpjekje për ta ndihmuar frymësisht, një plak mund të përmendë se, me kalimin e kohës, disa vërejnë se ajo që i kishte penguar dikur, nuk duket më aq e rëndësishme. Në fakt, ai gur pengese ndoshta nuk ekziston më. Nëse dikush pengohet sepse është disiplinuar, meditimi me ndihmën e lutjeve mund ta ndihmojë të arrijë në përfundimin se vetë ai kishte të paktën një pjesë të fajit dhe nuk duhej të kishte lejuar të pengohej nga disiplina.​—Psal. 119:165; Hebr. 12:5-13.

Mos ishte problemi ndonjë mësim biblik?

10, 11. Cili arsyetim mund të jetë i efektshëm për të ndihmuar dikë që e kupton ndryshe ndonjë mësim biblik?

10 Disa mund të jenë larguar nga kopeja e Perëndisë sepse nuk ishin dakord me ndonjë mësim biblik. Izraelitët e çliruar nga robëria egjiptiane «harruan . . . ato që bëri» Perëndia për ta dhe «këshillën e tij nuk e pritën mirë». (Psal. 106:13) Mund të jetë e dobishme t’i kujtohet një joaktivi se «skllavi i besueshëm dhe i matur» po shpërndan ushqim frymor të shkëlqyer. (Mat. 24:45) Kështu e mësoi në fillim të vërtetën. Prandaj, pse të mos jetë i vendosur të ecë përsëri në të vërtetën?​—2 Gjon. 4.

11 Kur përpiqet të ndihmojë delet që kanë humbur rrugën, plaku mund të përmendë dishepujt që e braktisën Jezuin ngaqë nuk pranuan një nga mësimet e tij. (Gjoni 6:53, 66) Duke mos u shoqëruar më me Krishtin dhe dishepujt e tij besnikë, ata humbën çmueshmërinë për gjërat frymore dhe gëzimin e tyre. Mos vallë ata që nuk shoqërohen më me kongregacionin e krishterë, kanë gjetur një vend tjetër ku ka ushqim frymor me bollëk? Jo, sepse nuk ka!

Mos ishte sjellja e papërshtatshme?

12, 13. Si mund të ndihmohet një dele që ka humbur rrugën, nëse pranon se ka kryer një mëkat të rëndë?

12 Disa nuk predikojnë më dhe nuk i ndjekin më mbledhjet sepse kanë kryer një mëkat të rëndë. Ata mund të mendojnë se, po t’ua rrëfejnë keqbërjen pleqve, do të përjashtohen. Por nëse nuk e vazhdojnë më atë praktikë jobiblike dhe janë penduar vërtet, nuk do të përjashtohen nga kongregacioni. (2 Kor. 7:10, 11) Përkundrazi, ata do të jenë të mirëpritur dhe pleqtë do t’u japin ndihmën e nevojshme frymore.

13 Nëse je një lajmëtar i pjekur që je caktuar të ndihmosh një joaktiv, çfarë duhet të bësh nëse ai të thotë se ka kryer një mëkat të rëndë? Siç u tha më parë, në vend që të përfshihesh më tej në këtë situatë, sugjeroji që të flasë me pleqtë. Në qoftë se ai nuk do që të flasë me ta, do të tregosh shqetësimin tënd për emrin e Jehovait dhe mirëqenien frymore të kongregacionit nëse vepron në përputhje me drejtimin e Perëndisë për këto çështje. (Lexo Levitikun 5:1.) Pleqtë do të dinë si të ndihmojnë këdo që dëshiron të kthehet e të jetojë në përputhje me vullnetin e Perëndisë. Mund të jetë e nevojshme që t’i jepet disiplinë me dashuri. (Hebr. 12:7-11) Nëse personi pranon se ka mëkatuar kundër Perëndisë, nuk kryen më keqbërje e është penduar vërtet, pleqtë do ta ndihmojnë dhe ai mund të fitojë faljen e Jehovait.​—Isa. 1:18; 55:7; Jak. 5:13-16.

Kthimi i një biri sjell gëzim

14. Tregoni me fjalët tuaja ilustrimin e Jezuit për djalin plëngprishës.

14 Kur përpiqet të ndihmojë një dele që ka humbur rrugën, ai që është caktuar të japë ndihmën mund të përmendë ilustrimin e Jezuit te Luka 15:11-24. Në atë shëmbëlltyrë, një i ri e harxhon kot trashëgiminë duke bërë një jetë të shthurur. Por në fund e urren jetën e shfrenuar që ka bërë. E ka barkun bosh dhe ka mall për shtëpinë, prandaj e ka mbledhur mendjen: do të kthehet në shtëpi. Kur e sheh nga larg, i ati vrapon e i hidhet në qafë duke e puthur me butësi, dhe është shumë i lumtur. Meditimi rreth këtij ilustrimi mund ta nxitë atë që e ka marrë rryma, të kthehet në vathë. Meqë ky sistem së shpejti do të shkatërrohet, ai ‘duhet të kthehet në shtëpi’ pa vonesë.

15. Pse disa i merr rryma e largohen nga kongregacioni?

15 Shumica e atyre që i merr rryma dhe largohen nga kongregacioni, nuk janë tamam si djali plëngprishës. Disa i ka marrë rryma dalëngadalë, ashtu si një varkë e zgjidhur që largohet nga bregu pak nga pak. Të tjerë rëndohen kaq shumë me ankthe, saqë lënë pas dore marrëdhënien me Jehovain. Ndërsa disa të tjerë lejojnë të pengohen nga ndonjë pjesëtar i kongregacionit ose largohen ngaqë nuk janë dakord me ndonjë mësim biblik. Pak prej tyre përfshihen në ndonjë sjellje jobiblike. Megjithatë, pikat e paraqitura në lidhje me këto raste, mund t’ju shërbejnë për të ndihmuar ata që kanë lënë vathën për këto a për arsye të tjera, që të kthehen para se të jetë tepër vonë.

«Mirë se erdhe në shtëpi, bir!»

16-18. (a) Si e ndihmoi një plak një vëlla që kishte qenë joaktiv prej vitesh? (b) Pse ishte bërë joaktiv ky vëlla, si u ndihmua dhe si e priti kongregacioni?

16 Një plak i krishterë thotë: «Trupi ynë i pleqve interesohet shumë për të vizituar ata që janë joaktivë. Mendova për një vëlla që i kisha bërë studimin dhe e kisha ndihmuar të merrte njohuri për të vërtetën. Ai kishte qenë joaktiv për rreth 25 vjet dhe po kalonte një situatë shumë të vështirë, prandaj i shpjegova se si zbatimi i parimeve biblike mund ta ndihmonte. Pas ca kohësh, filloi të vinte në Sallën e Mbretërisë dhe pranoi një studim biblik që të forconte vendosmërinë për t’u kthyer në kope.»

17 Pse u bë joaktiv vëllai? Ai pranon: «Fillova t’u kushtoja më shumë vëmendje gjërave të botës, sesa gjërave frymore. Pastaj nuk studioja më, nuk dilja në shërbim dhe nuk shkoja në mbledhje. Papritur e pa kujtuar, s’isha më pjesë e kongregacionit të krishterë. Por, interesimi personal e i sinqertë i plakut më ndihmoi të kthehesha.» Problemet e këtij vëllai nisën të pakësoheshin pasi pranoi një studim biblik. Ai thotë: «Kuptova se ajo që më mungonte në jetë ishte dashuria dhe udhëheqja e Jehovait, si dhe organizata e tij.»

18 Si e pritën këtë vëlla në kongregacion? Ai shprehet: «Ndihem si djali plëngprishës për të cilin foli Jezu Krishti. Në fakt, një motër e moshuar, e cila shërbente në atë kongregacion 30 vjet më parë dhe ende shërben me besnikëri, më tha: ‘Mirë se erdhe në shtëpi, bir!’ Këto fjalë më prekën në zemër. Kjo ishte vërtet shtëpia ime. Do të doja të shprehja mirënjohjen time të sinqertë për dashurinë, ngrohtësinë, durimin dhe interesimin e atij plaku dhe të të gjithë kongregacionit. Dashuria e tyre për Jehovain dhe për të afërmin, më ndihmoi vërtet të kthehesha në kope.»

Nxitini të veprojnë menjëherë!

19, 20. Si mund t’i inkurajoni joaktivët të kthehen në kope pa vonuar dhe si mund t’u tregoni se Perëndia nuk pret tepër nga ne?

19 Jetojmë në ditët e fundit dhe fundi i këtij sistemi është shumë afër. Prandaj, inkurajojini joaktivët të vijnë në mbledhjet e krishtere. Nxitini të vijnë pa vonuar. Kujtojuni se Satanai po përpiqet t’ua prishë marrëdhënien me Perëndinë dhe t’i bëjë të mendojnë se lehtësimi nga barrët e jetës mund të vijë duke braktisur adhurimin e vërtetë. Mund t’i siguroni se vetëm duke qenë dishepuj besnikë të Jezuit mund të gjejnë freskim të vërtetë.​—Lexo Mateun 11:28-30.

20 Kujtojuni joaktivëve se Perëndia pret nga ne të bëjmë atë që mundemi. Kur motrën e Lazarit, Marinë, e kritikuan ngaqë e leu Jezuin me vaj aromatik të shtrenjtë pak kohë para vdekjes së tij, Jezui tha: «Lëreni rehat. . . . Ajo bëri atë që mundi.» (Mar. 14:6-8) Jezui e lavdëroi vejushën nevojtare që hodhi një kontribut shumë të vogël në tempull. Edhe ajo bëri atë që mundi. (Luka 21:1-4) Shumica prej nesh mund t’i ndjekë mbledhjet e krishtere dhe të marrë pjesë në veprën e predikimit për Mbretërinë. Me ndihmën e Jehovait, shumë prej atyre që tani janë joaktivë, do të jenë në gjendje t’i bëjnë këto gjëra.

21, 22. Për çfarë mund t’i siguroni ata që kthehen te Jehovai?

21 Nëse një dele që ka humbur rrugën ngurron të takojë përsëri vëllezërit, mund t’i kujtoni gëzimin që solli kthimi i djalit plëngprishës në shtëpi. Edhe ata që kthehen në kongregacion janë po kështu shkak për gëzim. Nxitini të veprojnë tani që t’i kundërvihen Djallit dhe t’i afrohen Perëndisë.​—Jak. 4:7, 8.

22 Një mirëseardhje e ngrohtë i pret ata që kthehen te Jehovai. (Vajt. 3:40) Pa dyshim, përvojat e tyre në shërbim të Jehovait në të kaluarën u sillnin mjaft gëzim. Bekime të panumërta i presin në të ardhmen ata që kthehen në kope pa vonesë!

Si do të përgjigjeshit?

• Si mund ta ndihmoni një të krishterë që është penguar dhe është bërë joaktiv?

• Cili arsyetim mund ta ndihmojë dikë që është larguar nga kopeja e Perëndisë, ngaqë e kuptonte ndryshe një mësim biblik?

• Si mund të ndihmohet dikush që ngurron të kthehet në kongregacion?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 13]

Dëgjoni me vëmendje teksa një bashkëbesimtar joaktiv shprehet

[Figura në faqen 15]

Meditimi rreth ilustrimit të Jezuit për djalin plëngprishës, mund t’i nxitë disa që të kthehen në kope