Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Të ndjekim ato gjëra që i hapin rrugë paqes»

«Të ndjekim ato gjëra që i hapin rrugë paqes»

«Të ndjekim ato gjëra që i hapin rrugë paqes»

NJË rrugë e saposhtruar duket e fortë dhe e paprishshme. Por, me kalimin e kohës, mund të pësojë plasaritje dhe të bëhet gropa-gropa. Kështu që, për sigurinë e udhëtarëve dhe për ta mirëmbajtur, është e nevojshme që rruga të riparohet.

Në mënyrë të ngjashme, edhe marrëdhënia jonë me të tjerët herë pas here mund të tendoset, e madje të pësojë plasaritje ose krisje. Apostulli Pavël e pranoi që midis të krishterëve në Romë kishte mosmarrëveshje lidhur me pikëpamje të ndryshme. Ai i këshilloi të bashkëkrishterët: «Le të ndjekim ato gjëra që i hapin rrugë paqes dhe që ndërtojnë njëri-tjetrin.» (Rom. 14:13, 19) Pse është e nevojshme «të ndjekim ato gjëra që i hapin rrugë paqes»? Si mund të ndjekim paqen me kurajë dhe efektshmëri?

Pse të ndjekim paqen?

Nëse shpërfillen, plasaritjet e vogla në rrugë mund të kthehen në gropa të rrezikshme. Po kështu, edhe mosmarrëveshjet e pasheshuara mund të bëhen të rrezikshme. Apostulli Gjon shkroi: «Nëse ndokush thotë: ‘Unë e dua Perëndinë’, mirëpo urren vëllanë e tij, ai është gënjeshtar. Sepse ai që nuk do vëllanë e tij, të cilin e sheh, nuk mund të dojë as Perëndinë, të cilin nuk e sheh.» (1 Gjon. 4:20) Për shkak të një mosmarrëveshjeje të pazgjidhur, një i krishterë mund të arrijë deri aty sa të urrejë vëllanë e vet.

Jezu Krishti tregoi se adhurimi ynë është i papranueshëm për Jehovain, nëse nuk kemi bërë paqe me të tjerët. Jezui i udhëzoi dishepujt: «Nëse ti po sjell flinë tënde në altar, dhe atje kujtohesh se vëllai yt ka diçka kundër teje, lëre flinë atje, para altarit, dhe ik. Bëj më parë paqe me vëllanë tënd, dhe pastaj, kur të jesh kthyer, paraqit flinë tënde.» (Mat. 5:23, 24) Po, një arsye kryesore pse duhet të ndjekim paqen, është sepse duam t’i pëlqejmë Perëndisë Jehova. *

Një arsye tjetër pse duhet të ndjekim paqen del në pah nga një situatë e krijuar në kongregacionin e Filipisë. Një problem i papërmendur që ekzistonte midis dy motrave të krishtere, Evodisë dhe Sintikisë, me sa duket kërcënonte paqen e një kongregacioni të tërë. (Filip. 4:2, 3) Mosmarrëveshjet personale të pazgjidhura shumë shpejt mund të bëhen publike. Dëshira për të ruajtur dashurinë dhe unitetin e kongregacionit na shtyn të ndjekim paqen me të bashkëkrishterët.

«Lum paqebërësit»,​—tha Jezui. (Mat. 5:9) Kur ndjekim paqen, provojmë veç gëzim e kënaqësi. Përveç kësaj, paqja sjell një shëndet të mirë, pasi «zemra e qetë është jetë për trupin». (Prov. 14:30) Nga ana tjetër, mbajtja e mërisë mund të rritë rrezikun që të sëmuremi.

Edhe pse shumica e të krishterëve e pranojnë se është e nevojshme të ndjekim paqen, ndoshta pyesni veten se si mund ta zgjidhni një mosmarrëveshje. Le të shqyrtojmë parimet biblike që mund të na drejtojnë.

Kur bisedojmë me qetësi, rivendoset paqja

Plasaritjet e vogla mbi asfalt shpesh mund të riparohen duke mbuluar pjesët e dëmtuara. A mund t’i falim apo mbulojmë gabimet e vogla të vëllezërve tanë? Ka të ngjarë që kjo të jetë zgjidhja për shumicën e mosmarrëveshjeve, pasi apostulli Pjetër shkroi se «dashuria mbulon një shumicë mëkatesh».​—1 Pjet. 4:8.

Por, ndonjëherë, problemi mund të jetë aq i rëndë sa nuk mund ta kapërcejmë pa i kushtuar rëndësi. Shikoni se çfarë u ndodhi izraelitëve pak pasi shtinë në dorë Tokën e Premtuar. Para se «bijtë e Rubenit, bijtë e Gadit dhe gjysma e fisit të Manaseut» të zhvendoseshin përtej lumit Jordan, ngritën «një altar që binte shumë në sy». Fiset e tjera të Izraelit menduan se e përdornin këtë altar për adhurimin idhujtar dhe nuk mund ta shpërfillnin si problem. Kështu u bënë gati për t’i sulmuar.​—Jos. 22:9-12.

Disa Izraelitë mund të kenë menduar se tashmë kishte prova të mjaftueshme që ishte kryer një keqbërje dhe se një sulm i befasishëm do të shkaktonte më pak të vrarë. Por, që të mos bënin diçka të nxituar, fiset në perëndim të Jordanit dërguan përfaqësues për të diskutuar me vëllezërit e tyre për këtë problem. Ata pyetën: «Ç’është kjo pabesi që bëtë sot kundër Perëndisë së Izraelit, duke i kthyer shpinën Jehovait e duke mos e ndjekur më?» Në të vërtetë, fiset që kishin ndërtuar altarin nuk po vepronin me pabesi. Por si do të reagonin ata ndaj një akuze të tillë? Do t’u kundërviheshin me fjalë akuzuesve apo do të refuzonin të flisnin me ta? Fiset e akuzuara u përgjigjën me butësi, duke shprehur qartë se gjithçka e kishin bërë nga dëshira për t’i shërbyer Jehovait. Përgjigjja që dhanë, ruajti marrëdhënien e tyre me Perëndinë dhe shpëtoi jetë. Duke biseduar me qetësi, u sqaruan dhe rivendosën paqen.​—Jos. 22:13-34.

Para se të merrnin vendime serioze, me mençuri, izraelitët e tjerë biseduan rreth problemit me fiset e Rubenit, Gadit dhe gjysmën e fisit të Manaseut. Fjala e Perëndisë thotë: «Mos u fyej shpejt, sepse fyerja prehet në gji të budallenjve.» (Ekl. 7:9) Sipas Biblës, mënyra më e mirë për të zgjidhur mosmarrëveshjet serioze, është duke biseduar me qetësi dhe sinqeritet. A mund të presim në të vërtetë bekimin e Jehovait nëse mbajmë mëri dhe nuk shkojmë për të folur me atë që mendojmë se ka gabuar ndaj nesh?

Nga ana tjetër, po nëse një i bashkëkrishterë vjen të sqarohet me ne për një problem, ndoshta edhe duke na akuzuar pa të drejtë? «Përgjigjja e butë e largon tërbimin»,​—thotë Bibla. (Prov. 15:1) Fiset izraelite të akuzuara, me butësi, por qartë, shpjeguan pozicionin e tyre, duke ulur kështu gjakrat në momentin kur u takuan me vëllezërit e tyre. Pavarësisht nëse jemi ne që marrim iniciativën për të folur me vëllanë ose vjen ai për të folur me ne, duhet të pyesim veten: «Çfarë fjalësh, ç’ton zëri ose ç’qëndrim mund të ndihmojnë për të nxitur paqen?»

Ta përdorim gjuhën me mençuri

Jehovai e kupton se kemi nevojë t’i shprehim shqetësimet tona. Por, nëse nuk arrijmë të zgjidhim një mosmarrëveshje, ka të ngjarë që të tundohemi të flasim me të tjerët. Mbajtja e mërisë mund të çojë lehtë në një të folur kritik. Në lidhje me përdorimin e papërshtatshëm të gjuhës, te Proverbat 11:11 thuhet: «Nga goja e të ligjve [qyteti] rrafshohet.» Po kështu, të folurit e pakontrolluar për një të bashkëkrishterë, mund të trazojë paqen e një kongregacioni të tërë.

Megjithatë, të ndjekësh paqen nuk do të thotë të mos flasësh fare për vëllezërit dhe motrat. Apostulli Pavël i këshilloi bashkëbesimtarët: «Nga buzët tuaja të mos dalë asnjë fjalë e ligë.» Dhe shtoi: «Thoni vetëm gjërat e mira që njerëzit kanë nevojë të dëgjojnë, gjëra që vërtet do t’i ndihmojnë. . . . Jini të mirë me njëri-tjetrin, të dhembshur dhe falni njëri-tjetrin.» (Efes. 4:29-32, The New American Bible) Në qoftë se vjen të flasë me ty një vëlla që është fyer nga fjalët ose nga sjellja jote, a nuk do të ishte më e lehtë të kërkoje falje e të bëje paqe nëse më parë ai do t’u kishte folur mirë të tjerëve për ty? Pra, nëse njihemi si njerëz që themi fjalë ndërtuese për të bashkëkrishterët, do të jetë më e lehtë të rivendosim paqen kur lindin mosmarrëveshje.​—Luka 6:31.

T’i shërbejmë Perëndisë «sup më sup»

Prirja jonë mëkatare është të shmangim ata që na kanë fyer dhe të veçohemi. Por kjo nuk është e mençur. (Prov. 18:1) Si një popull i bashkuar që thërret emrin e Jehovait, jemi të vendosur ‘t’i shërbejmë atij sup më sup’.​—Sof. 3:9.

Fjalët dhe sjellja e papërshtatshme e të tjerëve nuk duhet të na venitin kurrë zellin për adhurimin e pastër. Pak ditë para se sakrifica e Jezuit të zëvendësonte blatimet në tempull dhe pak pasi Jezui kishte dënuar hapur skribët, ai vuri re një vejushë të varfër që hodhi si kontribut në arkën e thesarit të tempullit «gjithçka që kishte për të jetuar». A u përpoq Jezui ta ndalonte? Përkundrazi, ai foli mirë për mbështetjen që ajo i dha me besnikëri kongregacionit të Jehovait në atë kohë. (Luka 21:1-4) Veprat e padrejta të të tjerëve nuk e shkarkuan atë nga përgjegjësia për të mbështetur adhurimin e Jehovait.

Si do të reagojmë në rast se mendojmë që një motër ose vëlla i krishterë ka vepruar në mënyrë të papërshtatshme, madje të padrejtë? A do të lejojmë që kjo të ndikojë në shërbimin me gjithë shpirt që i bëjmë Jehovait? Apo do të marrim kurajë për të sheshuar çdo mosmarrëveshje që të ruajmë paqen e çmuar të kongregacionit të sotëm të Perëndisë?

«Nëse është e mundur,​—na këshillojnë Shkrimet​—dhe aq sa varet nga ju, jini paqësorë me të gjithë.» (Rom. 12:18) Qofshim të vendosur ta bëjmë këtë dhe të vazhdojmë kështu të sigurt në rrugën e jetës!

[Shënimi]

^ par. 6 Në lidhje me këshillën e Jezuit te Mateu 18:15-17, shih Kullën e Rojës të 15 tetorit 1999, faqet 17-22.

[Figura në faqen 17]

Evodia dhe Sintikia duhej të ndiqnin paqen

[Figura në faqen 18]

Çfarë fjalësh, ç’ton zëri ose ç’qëndrim mund të ndihmojnë për të nxitur paqen?