Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kam parë rritjen në Kore

Kam parë rritjen në Kore

Kam parë rritjen në Kore

Treguar nga Milton Hamiltoni

«Me keqardhje ju njoftojmë se qeveria e Republikës së Koresë i ka anuluar vizat për të gjithë ju misionarët dhe ka lënë të kuptohet se nuk jeni të mirëpritur në vendin e tyre. . . . Për shkak të kësaj, jeni caktuar përkohësisht në Japoni.»

KËSHTU thoshte letra që më erdhi mua dhe gruas sime në fund të vitit 1954, nga Bruklini, Nju-Jork, SHBA. Muaj më parë, po atë vit, ishim diplomuar në klasën e 23-të të Shkollës së Galaadit, në veri të Nju-Jorkut. Kur morëm letrën, po shërbenim përkohësisht në Indianapolis të Indianës.

Unë dhe ime shoqe, Lizi (më parë Liz Semoku), ishim shokë klase në shkollën e mesme. Pastaj, u martuam në vitin 1948. Asaj i pëlqente shumë shërbimi i plotkohor, por ngurronte të largohej nga Shtetet e Bashkuara për të shërbyer në një vend të huaj. Si ndryshoi mendje?

Lizi pranoi të vinte me mua në një mbledhje për ata që donin të bënin shkollën e Galaadit. Kjo mbledhje u mbajt gjatë kongresit ndërkombëtar në stadiumin «Jenki» të Nju-Jorkut, verën e vitit 1953. Pas kësaj mbledhjeje inkurajuese, plotësuam kërkesën për në Galaad. Për habinë tonë, na ftuan të ndiqnim klasën tjetër, që do të fillonte në shkurt të vitit 1954.

U caktuam në Kore, megjithëse në verën e vitit 1953 sapo kishte mbaruar lufta trevjeçare, e cila e kishte lënë vendin të shkatërruar. Siç na kishin udhëzuar në letër, fillimisht shkuam në Japoni. Pas një udhëtimi prej 20 ditësh përmes oqeanit, mbërritëm atje në janar të vitit 1955, së bashku me gjashtë misionarë të tjerë, që po ashtu ishin caktuar në Kore. Në orën 6 të mëngjesit na priste në liman Llojd Berri, në atë kohë mbikëqyrësi i degës së Japonisë. Menjëherë u nisëm për në shtëpinë misionare në Jokohamë. Më pas, po atë ditë, dolëm në shërbim.

Më në fund hyjmë në Kore!

Pas njëfarë kohe, morëm vizën për në Republikën e Koresë. Më 7 mars 1955, aeroplani u ngrit nga aeroporti ndërkombëtar «Haneda» në Tokio dhe pas tri orë e gjysmë fluturimi, zbriti në aeroportin «Joido» në Seul. Na mirëpritën mbi 200 Dëshmitarë koreanë dhe kjo na bëri të derdhnim lot gëzimi. Në atë kohë, në Kore kishte vetëm 1.000 Dëshmitarë. Si shumë perëndimorë të tjerë, edhe ne mendonim se pavarësisht nga ç’vend vinin, të gjithë popujt e Lindjes dukeshin dhe silleshin njësoj. S’na u desh shumë të rrëzonim këtë mendim. Koreanët jo vetëm që kanë gjuhën dhe alfabetin e tyre, por edhe kuzhinën, tiparet fizike dhe veshjet e tyre tradicionale, si dhe gjëra të tjera tipike, për shembull strukturën e ndërtesave.

Në fillim, sfida kryesore ishte gjuha. S’kishte libra për të mësuar gjuhën koreane. Shpejt e kuptuam se ishte e pamundur t’i shqiptonim saktë tingujt e fjalëve koreane duke përdorur thjesht tingujt e anglishtes. Shqiptimi i saktë mund të mësohej vetëm duke mësuar alfabetin korean.

Bënim edhe gabime. Për shembull, Lizi pyeti një zonjë shtëpie nëse kishte Bibël. Ajo e pa e çuditur, hyri brenda dhe solli një kuti shkrepësesh. Lizi i kishte kërkuar sungnjang (shkrepëse), jo sungkjung (Bibël).

Pas disa muajsh, na caktuan të hapnim një shtëpi misionare në Pusan, një qytet-port në jug të vendit. Arritëm të gjenim tri dhoma të vogla me qira për ne të dy dhe për dy motrat që u caktuan me ne. Në dhoma, s’kishte ujë të rrjedhshëm dhe as WC me shkarkues. Vetëm natën presioni i ujit ishte aq i fortë, sa për ta ngjitur me zorrë deri në katin e dytë. Prandaj, me radhë ngriheshim herët në mëngjes për të mbushur ujë. Ujin që pinim duhej ta zienim ose t’i hidhnim klor.

Kishte edhe vështirësi të tjera. Rryma elektrike ishte kaq e dobët, saqë nuk përdornim dot lavatriçen ose hekurin. Si kuzhinë kishim korridorin dhe e vetmja pajisje në të ishte një sobë me vajguri. Shumë shpejt, çdonjëri prej nesh arrinte të përgatiste një vakt në ditën e caktuar të gatimit. Tre vjet pas mbërritjes sonë, unë dhe Lizi u sëmurëm me hepatit. Shumica e misionarëve në ato vite u infektuan me këtë sëmundje. U deshën muaj para se ta merrnim veten e përveç kësaj kaluam edhe probleme të tjera shëndetësore.

Ndihmë për të kapërcyer pengesat

Për 55 vitet e shkuara, gadishulli korean ka qenë një nga pikat e nxehta të politikës në Azi. Gadishulli ndahet nga zona e çmilitarizuar. Ajo shtrihet 55 kilometra në veri të Seulit, kryeqytetit të Republikës së Koresë. Në vitin 1971, erdhi për vizitë Frederik Franci nga selia e Bruklinit. E shoqërova në zonën e çmilitarizuar, kufiri më i fortifikuar në tokë. Gjatë viteve, zyrtarët e Kombeve të Bashkuara shpesh takoheshin atje me përfaqësues të dy qeverive.

Natyrisht ne qëndrojmë asnjanës ndaj politikave të kësaj bote, përfshirë edhe ndaj situatës në gadishullin e Koresë. (Gjoni 17:14) Ngaqë nuk pranojnë të përfshihen në luftë, më tepër se 13.000 Dëshmitarë koreanë kanë bërë gjithsej 26.000 vjet burg. (2 Kor. 10:3, 4) Të gjithë vëllezërit e rinj në këtë vend janë të vetëdijshëm se do të përballen me këtë çështje, por nuk kanë frikë. Të vjen keq që qeveria i etiketon si «kriminelë» këta shërbëtorë të krishterë, «krimi» i vetëm i të cilëve është se nuk pranojnë të bëjnë kompromis me asnjanësinë e tyre të krishterë.

Në vitin 1944, gjatë Luftës së Dytë Botërore, edhe unë nuk pranova të bëja shërbimin ushtarak, prandaj më dënuan me dy vjet e gjysmë në burgun e Luisburgut, në Pensilvani të SHBA-së. Kështu, megjithëse vëllezërit koreanë kanë përballuar një situatë më të vështirë në burg, e kuptoj mirë se ç’kanë kaluar këta të rinj Dëshmitarë. Shumë vëllezër inkurajoheshin kur merrnin vesh që disa nga misionarët në Kore kishin përjetuar një përvojë të ngjashme.—Isa. 2:4.

Përballojmë një vështirësi

Për shkak të qëndrimit tonë asnjanës, edhe ne u përfshimë në një çështje që lindi në vitin 1977. Zyrtarët mendonin se kishim ndikuar te të rinjtë koreanë që të mos pranonin shërbimin ushtarak e të mos merrnin armët. Prandaj, qeveria vendosi të mos lejonte të hynin përsëri në Kore misionarët që, për ndonjë arsye, largoheshin nga vendi. Ky kufizim zgjati nga viti 1977 deri në vitin 1987. Po të ishim larguar nga Koreja gjatë atyre viteve, nuk do të na linin të riktheheshim. Prandaj, në ato vite nuk shkuam asnjëherë në shtëpi, madje as për një vizitë të shkurtër.

U takuam shumë herë me zyrtarë të qeverisë dhe u shpjeguam qëndrimin tonë asnjanës si dishepuj të Krishtit. Me kalimin e kohës, ata e kuptuan se ne nuk do të dorëzoheshim, prandaj, më në fund, kufizimi u hoq—pas dhjetë vjetësh. Gjatë atyre viteve, disa misionarëve iu desh të largoheshin nga vendi për arsye të tilla si problemet shëndetësore, por ne të tjerët qëndruam, dhe jemi të lumtur për këtë.

Nga mesi i viteve 80, ata që kundërshtonin shërbimin tonë, ngritën akuza të rreme ndaj drejtuesve të korporatës sonë ligjore se i mësonin të rinjtë të mos shkonin ushtar. Sakaq, qeveria thirri secilin prej nesh për ta marrë në pyetje. Më 22 janar 1987, zyra e prokurorisë deklaroi se akuzat ishin të pabaza. Kjo ndihmoi të sqarohej çdo keqkuptim i mundshëm në të ardhmen.

Perëndia bekon veprën

Në Kore, kundërshtimi ndaj veprës së predikimit ishte rritur gjatë viteve për shkak të asnjanësisë sonë. Prandaj, u bë edhe më e vështirë të gjenim vende të përshtatshme për asambletë tona gjithnjë e më të mëdha. Kështu, Dëshmitarët nuk ndenjën duarkryq, por ndërtuan një Sallë Asamblesh në Pusan, e para në Lindje. Pata privilegjin të mbaja fjalimin e kushtimit më 5 prill 1976, para një auditori prej 1.300 vetash.

Që nga viti 1950, dhjetëra mijë ushtarakë nga Shtetet e Bashkuara kanë ardhur me shërbim në Kore. Pasi janë kthyer në Shtetet e Bashkuara, shumë janë bërë Dëshmitarë të zellshëm. Shpesh marrim letra prej tyre dhe e konsiderojmë një bekim që i kemi ndihmuar të njohin Jehovain.

Mjerisht, më 26 shtator 2006, humba shoqen time të dashur, Lizin. Më mungon jashtë mase. Gjatë 51 vjetëve këtu në Kore, ajo pranoi me gëzim çdo caktim dhe nuk u ankua kurrë. Asnjëherë nuk tha, madje as la të nënkuptohej, se donte të kthehej në Shtetet e Bashkuara, vendi nga i cili dikur nuk kishte dashur të largohej kurrë.

Tani shërbej si pjesëtar i familjes Bethel në Kore. Familja Bethel, dikur një grusht njerëzish, sot është rritur në rreth 250 veta. Kam privilegjin të jem një prej shtatë pjesëtarëve të Komitetit të Degës që mbikëqyr veprën këtu.

Kur mbërrita, Koreja ishte shumë e varfër, por tani është një nga kombet më të zhvilluara të botës. Në Kore ka më tepër se 95.000 Dëshmitarë dhe gati 40 për qind e tyre shërbejnë si pionierë të rregullt ose ndihmës. Kjo është edhe një nga arsyet pse e çmoj mundësinë që kam pasur t’i shërbej Perëndisë këtu dhe të shoh rritjen e kopesë së Perëndisë.

[Figura në faqen 24]

Mbërrijmë në Kore me misionarët e tjerë

[Figura në faqet 24, 25]

Në shërbim në Pusan

[Figura në faqen 25]

Me vëlla Francin në zonën e çmilitarizuar, në vitin 1971

[Figura në faqen 26]

Me Lizin, pak para se të vdiste

[Figura në faqen 26]

Dega e Koresë ku shërbej si pjesëtar i familjes Bethel