Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
Te Nehemia 8:10, judenjve iu tha ‘të hanin gjëra të yndyrshme’, ndonëse Ligji te Levitiku 3:17 thoshte: «Mos hani kurrsesi asnjë lloj dhjami.» Si t’i kuptojmë këto dy shkrime?
Në gjuhën origjinale, fjalët e përkthyera «gjëra të yndyrshme» te Nehemia 8:10 dhe ‘dhjamë’ te Levitiku 3:17, janë dy fjalë të ndryshme. Fjala hebraike kelev, e përkthyer ‘dhjamë’ te Levitiku 3:17, i referohet dhjamit të kafshëve ose të njeriut. (Lev. 3:3; Gjyk. 3:22) Konteksti i vargut 17 tregon se izraelitët s’duhej të hanin dhjamin përreth zorrëve, veshkave dhe ijëve të kafshëve për flijim, sepse «tërë dhjami i takon Jehovait». (Lev. 3:14-16) Pra, nuk duhej konsumuar dhjami i kafshëve që do t’i flijoheshin Jehovait.
Nga ana tjetër, fjala që përkthehet «gjëra të yndyrshme» te Nehemia 8:10, është mashmanim dhe del vetëm një herë në Shkrimet Hebraike. Rrjedh nga folja shamen, që do të thotë «të jesh i dhjamur, të majmesh». Koncepti bazë i grupit të fjalëve që rrjedhin nga kjo folje, duket se ka të bëjë me begatinë dhe mirëqenien. (Krahaso Isainë 25:6.) Një nga fjalët më të përdorura që rrjedhin nga kjo folje, është emri shemen, i cili shpesh përkthehet «vaj», përfshirë edhe në shprehjen ‘vaj ulliri’. (Ligj. 8:8; Lev. 24:2) Te Nehemia 8:10, mashmanim me sa duket i referohet ushqimit të përgatitur me shumë vaj, e ndoshta përfshihej edhe mishi me pak dhjamë, por jo me shtresa dhjami të mirëfilltë kafshësh.
Edhe pse u ndalohej të konsumonin shtresat e dhjamit të kafshëve, izraelitët mund të hanin ushqime të yndyrshme e të shijshme. Disa gjëra, si për shembull kuleçtë me drithë, nuk gatuheshin në yndyrë shtazore, por në vaj vegjetal, shpesh në vaj ulliri. (Lev. 2:7) Kështu, libri Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, shpjegon se ‘gjërat e yndyrshme’ në këtë rast «u referohen racioneve të bollshme, jo me pak mish ose të thata, por tërë lëng, ku përfshihen gatime të shijshme të përgatitura me vajra vegjetale».
Natyrisht, të krishterët mbajnë parasysh se ishte Ligji i Moisiut që ndalonte ngrënien e dhjamit. Ata nuk janë nën Ligj, pra s’kanë pse t’u përmbahen kërkesave për flijimet në kafshë.—Rom. 3:20; 7:4, 6; 10:4; Kolos. 2:16, 17.