Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të çmojmë rolin unik të Jezuit në qëllimin e Perëndisë

Të çmojmë rolin unik të Jezuit në qëllimin e Perëndisë

Të çmojmë rolin unik të Jezuit në qëllimin e Perëndisë

«Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.»—GJONI 14:6.

1, 2. Pse duhet të na interesojë shqyrtimi i rolit unik të Jezuit në qëllimin e Perëndisë?

GJATË shekujve, shumë janë përpjekur të bien në sy si të ndryshëm nga të tjerët përreth, por pak ia kanë dalë mbanë. Akoma më pak njerëz mund të thonë me të drejtë se janë unikë në mënyrë domethënëse. Megjithatë, Jezu Krishti, Biri i Perëndisë, është unik në shumë mënyra.

2 Pse duhet të na interesojë roli unik i Jezuit? Sepse përfshihet vetë marrëdhënia jonë me Atin tonë qiellor, Jehovain! Jezui tha: «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.» (Gjoni 14:6; 17:3) Le të shqyrtojmë disa arsye pse Jezui është unik. Ky shqyrtim do të na rritë çmueshmërinë për rolin e tij në qëllimin e Perëndisë.

‘Biri i vetëmlindur’

3, 4. (a) Pse mund të themi se Jezui është unik në rolin e tij si Biri i vetëmlindur? (b) Në ç’kuptim ishte unik roli i Jezuit gjatë krijimit?

3 Jezui nuk është thjesht një bir i Perëndisë. Ai është ‘Biri i vetëmlindur i Perëndisë’. (Gjoni 3:16, 18) Fjala greke e përkthyer ‘i vetëmlindur’ është përkufizuar si «i vetmi i llojit të tij» ose «unik». Jehovai ka qindra milionë bij frymorë. Atëherë, në ç’kuptim Jezui është i vetmi «i llojit të tij»?

4 Jezui është unik sepse është i vetmi që është krijuar drejtpërdrejt nga Ati i tij. Ai është Biri i parëlindur. Në të vërtetë, ai është «i parëlinduri i gjithë krijimit». (Kolos. 1:15) Ai është «fillimi i krijimit të Perëndisë». (Zbul. 3:14) Edhe roli i Birit të vetëmlindur gjatë krijimit është gjithashtu unik. Ai nuk ishte Krijuesi ose Nismëtari i krijimit. Por Jehovai e përdori si mjetin për të krijuar të gjitha gjërat. (Lexo Gjonin 1:3.) Apostulli Pavël shkroi: «Në të vërtetë për ne ka një Perëndi të vetëm, Ati, nga i cili janë të gjitha gjërat, dhe ne për të. Gjithashtu, ka një Zotëri të vetëm, Jezu Krishti, nëpërmjet të cilit janë të gjitha gjërat, dhe ne nëpërmjet tij.»—1 Kor. 8:6.

5. Si e theksojnë Shkrimet se Jezui është unik?

5 Megjithatë, Jezui është unik edhe për shumë arsye të tjera. Shkrimet i referohen atij me shumë tituj ose emra që theksojnë rolin e tij unik në qëllimin e Perëndisë. Le të shqyrtojmë edhe pesë prej këtyre që përdoren për Jezuin në Shkrimet e Krishtere Greke. *

«Fjala»

6. Pse është e përshtatshme që Jezui quhet «Fjala»?

6 Lexo Gjonin 1:14. Pse Jezui quhet «Fjala» ose Logosi? Ky titull identifikon funksionin që ka kryer ai që kur erdhën në ekzistencë krijesat e tjera me aftësi për të arsyetuar. Jehovai përdori Birin e tij për t’u përcjellë informacione dhe udhëzime bijve të tij frymorë e po ashtu e përdori këtë Bir për t’u dhënë mesazhin e Tij njerëzve në tokë. Fakti që Jezui është Fjala ose Zëdhënësi i Perëndisë, pasqyrohet në atë që u tha Krishti dëgjuesve të tij judenj: «Ajo që mësoj, nuk është imja, por i përket atij që më dërgoi. Nëse dikush dëshiron të bëjë vullnetin e Tij, ai do ta kuptojë nëse mësimi është nga Perëndia apo nëse unë flas nga vetja ime.» (Gjoni 7:16, 17) Jezui vazhdon të mbajë titullin «Fjala e Perëndisë», edhe pas kthimit në lavdinë qiellore.—Zbul. 19:11, 13, 16.

7. Si mund të imitojmë përulësinë që tregon Jezui në rolin e tij si «Fjala»?

7 Le të mendojmë pak se çfarë nënkupton ky titull. Megjithëse Jezui është më i mençuri ndër gjithë krijesat e Jehovait, ai nuk mbështetet në mençurinë e vet. Ai flet ashtu siç e udhëzon Ati. Gjithnjë e drejton vëmendjen te Jehovai e jo te vetja. (Gjoni 12:50) Çfarë shembulli i mrekullueshëm për ne! Edhe neve na është besuar privilegji i çmuar që ‘të shpallim lajmin e mirë për gjëra të mira’. (Rom. 10:15) Çmueshmëria për shembullin e përulësisë që na lë Jezui, duhet të na nxitë të mos flasim nga vetja. Kur bëhet fjalë për të përçuar mesazhin jetëshpëtues që gjendet në Shkrime, nuk duhet të shkojmë «përtej gjërave të shkruara».—1 Kor. 4:6.

«Amini»

8, 9. (a) Ç’kuptim ka fjala ‘amin’ dhe pse Jezui quhet «Amini»? (b) Si e përmbushi Jezui rolin e tij si «Amini»?

8 Lexo Zbulesën 3:14. Pse Jezui quhet «Amini»? Fjala e përkthyer ‘amin’ është transliterim i një fjale hebraike që ka kuptimin «ashtu qoftë» ose «me siguri». Rrënja hebraike nga e cila rrjedh, ka kuptimin «të jesh besnik» ose «i besueshëm». Po kjo fjalë përdoret për të përshkruar besueshmërinë e Jehovait. (Ligj. 7:9; Isa. 49:7) Atëherë, në ç’kuptim është unik Jezui kur quhet «Amini»? Vëreni se si përgjigjet 2 Korintasve 1:19, 20: «Biri i Perëndisë, Krishti Jezu, që ju predikuam ne, . . . nuk u bë një herë ‘po’ e pastaj ‘jo’, por në rastin e tij ‘po-ja’ u bë ‘po’. Pavarësisht se sa shumë janë premtimet e Perëndisë, ato janë bërë ‘po’ me anë të tij. Prandaj, me anë të tij, Perëndisë i thuhet ‘Amin!’ për lavdi nëpërmjet nesh.»

9 Jezui është «Amini» për të gjitha premtimet e Perëndisë. Jeta e tij e patëmetë në tokë, përfshirë edhe vdekja e tij flijuese, vërtetoi dhe bëri të mundur përmbushjen e të gjitha premtimeve të Perëndisë Jehova. Gjithashtu, duke qëndruar besnik, Jezui e nxori të rremë pohimin e Satanait, të shkruar te libri i Jobit, se nën skamje, vuajtje dhe sprova, shërbëtorët e Perëndisë do ta mohonin Atë. (Jobi 1:6-12; 2:2-7) Nga të gjitha krijesat e Perëndisë, Biri i parëlindur mundi të jepte përgjigjen përfundimtare për këtë akuzë. Përveç kësaj, Jezui siguroi dëshminë më të shkëlqyer, duke marrë anën e Atit të tij në çështjen më të madhe të së drejtës së Jehovait për të qenë sovrani universal.

10. Si mund ta imitojmë Jezuin në rolin e tij unik si «Amini»?

10 Si mund ta imitojmë Jezuin në rolin e tij unik si «Amini»? Duke i qëndruar besnikë Jehovait dhe duke mbështetur sovranitetin e tij universal. Kështu, i përgjigjemi në mënyrë pozitive kërkesës së shkruar te Proverbat 27:11: «Ji i mençur, biri im, dhe gëzoma zemrën, që të kem se ç’t’i përgjigjem atij që më sfidon.»

‘Ndërmjetësi i një besëlidhjeje të re’

11, 12. Në ç’kuptim është unik roli i Jezuit si Ndërmjetës?

11 Lexo 1 Timoteut 2:5, 6. Jezui është ‘ndërmjetësi mes Perëndisë dhe njerëzve’. Ai është ‘ndërmjetësi i një besëlidhjeje të re’. (Hebr. 9:15; 12:24) Megjithatë, edhe për Moisiun thuhet se është një ndërmjetës—ndërmjetësi i besëlidhjes së Ligjit. (Gal. 3:19) Atëherë, në ç’kuptim është unik roli i Jezuit si Ndërmjetës?

12 Fjala në gjuhën origjinale e përkthyer «ndërmjetës» është një term ligjor. Ajo i referohet Jezuit si një Ndërmjetës ligjor i besëlidhjes së re që bëri të mundur lindjen e një kombi të ri, ‘Izraelit të Perëndisë’. (Gal. 6:16) Ky komb përbëhet nga të krishterë të mirosur nga fryma, të cilët formojnë një «priftëri mbretërore» qiellore. (1 Pjet. 2:9; Dal. 19:6) Nga besëlidhja e Ligjit, me Moisiun si ndërmjetës, nuk mund të lindte një komb i tillë.

13. Çfarë përfshihet në rolin e Jezuit si Ndërmjetës?

13 Çfarë përfshihet në rolin e Jezuit si Ndërmjetës? Mund ta shpjegojmë kështu: Jehovai e zbaton vlerën e gjakut të Jezuit për ata që po përfshihen në besëlidhjen e re. Në këtë mënyrë, Jehovai i shpall ata të drejtë. (Rom. 3:24; Hebr. 9:15) Më pas, Perëndia mund t’i përfshijë në besëlidhjen e re me mundësinë që të bëhen mbretër dhe priftërinj qiellorë. Si Ndërmjetësi i tyre, Jezui i ndihmon të mbajnë një qëndrim të pastër para Perëndisë.—Hebr. 2:16.

14. Pse të gjithë të krishterët, pavarësisht nga shpresa që kanë, duhet ta çmojnë vërtet rolin e Jezuit si Ndërmjetës?

14 Po ata që nuk janë në besëlidhjen e re, pra, që kanë shpresën të jetojnë përgjithmonë në tokë, e jo në qiell? Edhe pse nuk janë pjesëmarrës në besëlidhjen e re, ata nxjerrin dobi prej saj. U falen mëkatet dhe shpallen të drejtë si miq të Perëndisë. (Jak. 2:23; 1 Gjon. 2:1, 2) Pavarësisht nëse kemi shpresë qiellore ose tokësore, secili prej nesh ka arsye të vlefshme për ta çmuar rolin e Jezuit si Ndërmjetësi i besëlidhjes së re.

«Kryeprift»

15. Si ndryshon roli i Jezuit si Kryeprift nga ai i të gjithë njerëzve të tjerë që kanë shërbyer si kryepriftërinj?

15 Shumë njerëz kanë shërbyer si kryepriftërinj në të kaluarën, por roli i Jezuit si Kryeprift është vërtet unik. Pse? Pavli shpjegon: «Ai nuk ka nevojë, si ata kryepriftërinj, të bëjë përditë flijime, së pari për mëkatet e veta dhe pastaj për ato të popullit (sepse këtë ai e bëri një herë e mirë kur paraqiti veten si flijim). Sepse Ligji emëron kryepriftërinj njerëz që kanë dobësi, kurse fjala e përbetimit, që erdhi pas Ligjit, emëron një Bir, që është i përsosur përgjithmonë.»—Hebr. 7:27, 28. *

16. Pse flijimi i Jezuit është vërtet unik?

16 Jezui ishte njeri i përsosur, barasvlerësi i saktë i Adamit para se ky të mëkatonte. (1 Kor. 15:45) Si i tillë, Jezui ishte i vetmi njeri që mund të ofronte një flijim të përsosur dhe të plotë, pra, atë lloj flijimi që s’kishte nevojë të përsëritej. Nën Ligjin e Moisiut, flijimet ofroheshin çdo ditë. Por tërë këto flijime dhe shërbime priftërore ishin thjesht një hije e asaj që do të kryente Jezui. (Hebr. 8:5; 10:1) Prandaj, për shkak të dobive që sjell dhe ngaqë do të shërbejë në këtë pozitë një herë e përgjithmonë, pozita e Jezuit si Kryeprift është unike.

17. Pse duhet të çmojmë rolin e Jezuit si Kryeprifti ynë dhe si mund ta bëjmë këtë?

17 Kemi nevojë për shërbimet e Jezuit si Kryeprift që të na ndihmojë të kemi një qëndrim të drejtë para Perëndisë. Dhe çfarë Kryeprifti të mrekullueshëm kemi! Pavli shkroi: «Ne nuk kemi si kryeprift një njeri që nuk bashkohet dot me ndjenjat tona në dobësitë që kemi, por dikë që është sprovuar në çdo aspekt si ne, por pa mëkat.» (Hebr. 4:15) Vërtet, çmueshmëria për këtë fakt duhet të na nxitë që ‘të mos jetojmë më për vete, por për atë që vdiq për ne’.—2 Kor. 5:14, 15; Luka 9:23.

‘Fara’ e parathënë

18. Cila profeci u tha pasi Adami mëkatoi dhe çfarë u bë e qartë më vonë lidhur me këtë profeci?

18 Kohë më parë, në Eden, kur u duk sikur njerëzimi kishte humbur gjithçka—qëndrimin e pastër para Perëndisë, jetën e përhershme, lumturinë dhe Parajsën—Perëndia Jehova paratha ardhjen e një Çlirimtari. Ky u quajt ‘fara’. (Zan. 3:15) Kjo Farë e paidentifikuar u bë tema e shumë profecive biblike gjatë shekujve. Fara do të ishte pasardhës i Abrahamit, Isakut dhe Jakobit. Gjithashtu, do të ishte nga linja e mbretit David.—Zan. 21:12; 22:16-18; 28:14; 2 Sam. 7:12-16.

19, 20. (a) Kush është Fara e premtuar? (b) Pse mund të thuhet se fara e parathënë nuk përfshin vetëm Jezuin?

19 Kush ishte Fara e premtuar? Përgjigjja e kësaj pyetjeje mund të gjendet te Galatasve 3:16. (Lexoje.) Megjithatë, në të njëjtin kapitull, apostulli Pavël u thotë më tej të krishterëve të mirosur: «Prandaj, nëse i përkitni Krishtit, jeni vërtet fara e Abrahamit, trashëgimtarë sipas një premtimi.» (Gal. 3:29) Si është e mundur që Krishti është Fara e premtuar e megjithatë përfshihen edhe të tjerë?

20 Miliona pretendojnë se e kanë prejardhjen nga Abrahami dhe madje disa prej këtyre sillen si profetë. Disa fe pohojnë se profetët e tyre e kanë prejardhjen nga Abrahami dhe i japin shumë rëndësi kësaj. Por, a janë të gjithë këta Fara e premtuar? Jo. Siç e qartëson Pavli nën frymëzim, jo të gjithë pasardhësit e Abrahamit mund të pretendojnë se janë Fara e premtuar. Pasardhësit e bijve të tjerë të Abrahamit nuk u përdorën për t’i sjellë bekime njerëzimit. Fara e bekimit do të vinte vetëm përmes Isakut. (Hebr. 11:18) Përfundimisht, vetëm një njeri, Jezu Krishti, që sipas Biblës e ka prejardhjen nga Abrahami, është pjesa kryesore e asaj fare të parathënë. * Të gjithë të tjerët që më vonë u bënë pjesa dytësore e farës së Abrahamit, janë të tillë sepse ‘i përkasin Krishtit’. Po, roli i Jezuit në përmbushjen e kësaj profecie është vërtet unik.

21. Çfarë ju bën përshtypje në mënyrën se si Jezui ka përmbushur rolin e tij unik në qëllimin e Jehovait?

21 Çfarë kemi mësuar nga ky shqyrtim i shkurtër i rolit unik të Jezuit në qëllimin e Jehovait? Që nga koha e krijimit të tij e më tej, Biri i vetëmlindur i Perëndisë ka qenë vërtet unik, i vetmi i llojit të tij. Megjithatë, ky Bir unik i Perëndisë, që u bë Jezui, ka shërbyer gjithnjë me përulësi në përputhje me vullnetin e Atit, duke mos kërkuar kurrë lavdi për veten. (Gjoni 5:41; 8:50) Ç’shembull i jashtëzakonshëm për ne sot! Ashtu si Jezui, paçim si synim që ‘gjithçka ta bëjmë për lavdi të Perëndisë’!—1 Kor. 10:31.

[Shënimet]

^ par. 5 Disa nga këta tituj shfaqen bashkë me nyjën shquese greke, dhe sipas një studiuesi, kjo tregon se titulli «në njëfarë kuptimi s’ka të ngjashëm».

^ par. 15 Sipas një studiuesi biblik, fjala e përkthyer «një herë e mirë» shpreh një koncept të rëndësishëm biblik që «nënkupton se vdekja e Krishtit ishte . . . unike ose e veçantë».

^ par. 20 Megjithëse judenjtë në shekullin e parë të e.s. mendonin se ata, si pasardhës të mirëfilltë të Abrahamit, do të ishin populli i favorizuar, prapëseprapë pritnin të vinte një person si Mesia ose Krishti.—Gjoni 1:25; 7:41, 42; 8:39-41.

A ju kujtohet?

• Çfarë keni mësuar për rolin unik të Jezuit nga titujt ose emrat e tij? (Shih kutinë.)

• Si mund ta imitoni shembullin e Birit unik të Jehovait?

[Pyetjet]

[Kutia dhe figura në faqen 15]

Disa tituj që pasqyrojnë rolin unik të Jezuit në qëllimin e Perëndisë

Biri i vetëmlindur. (Gjoni 1:3) Jezui është krijuar drejtpërdrejt nga Ati i tij.

Fjala. (Gjoni 1:14) Jehovai përdor Birin e tij si Zëdhënës për t’u përcjellë informacione dhe udhëzime krijesave të tjera.

Amini. (Zbul. 3:14) Jeta e patëmetë e Jezuit në tokë, përfshirë edhe vdekja e tij flijuese, vërtetuan se premtimet e Perëndisë Jehova janë të vërteta dhe bënë të mundur përmbushjen e këtyre premtimeve.

Ndërmjetësi i një besëlidhjeje të re. (1 Tim. 2:5, 6) Si një Ndërmjetës ligjor, Jezui ka bërë të mundur lindjen e një kombi të ri, ‘Izraelit të Perëndisë’, që përbëhet nga të krishterë të cilët formojnë një «priftëri mbretërore» qiellore.—Gal. 6:16; 1 Pjet. 2:9.

Kryeprift. (Hebr. 7:27, 28) Jezui ishte i vetmi njeri që mund të ofronte një flijim të përsosur, pra, atë lloj flijimi që s’kishte nevojë të përsëritej. Ai mund të na pastrojë nga mëkati dhe të na çlirojë nga pasojat e tij vdekjeprurëse.

Fara e premtuar. (Zan. 3:15) Vetëm një njeri, Jezu Krishti, është pjesa kryesore e asaj fare të parathënë. Të gjithë të tjerët që më vonë u bënë pjesa dytësore e farës së Abrahamit janë të tillë sepse ‘i përkasin Krishtit’.—Gal. 3:29.