Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A je ‘kujdestar i dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë’?

A je ‘kujdestar i dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë’?

A je ‘kujdestar i dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë’?

«Kini për njëri-tjetrin përzemërsi të butë me dashuri vëllazërore. Jini të parët për t’i treguar nderim njëri-tjetrit.»—ROM. 12:10.

1. Për çfarë na siguron Fjala e Perëndisë?

FJALA E PERËNDISË na siguron vazhdimisht se Jehovai do të na vijë në ndihmë kur të jemi të shkurajuar ose zemërvrarë. Për shembull, shih sa ngushëlluese janë këto fjalë: «Jehovai i mbështet të gjithë ata që po bien, dhe ngre të gjithë ata që janë kërrusur.» «Ai shëron zemërvrarët dhe lidh plagët e tyre të dhembshme.» (Psal. 145:14; 147:3) Për më tepër, vetë Ati ynë qiellor thotë: «Unë Jehovai, Perëndia yt, të kap nga dora e djathtë dhe të them: ‘Mos ki frikë, se unë do të të ndihmoj.’»—Isa. 41:13.

2. Si i mbështet Jehovai shërbëtorët e tij?

2 Por si ‘na kap nga dora’ Jehovai që banon në qiejt e padukshëm? Si ‘na ngre kur jemi të kërrusur’ nga dëshpërimi? Perëndia Jehova na mbështet në mënyra të ndryshme. Për shembull, ai i jep popullit të tij ‘fuqi përtej asaj që është normale’ me anë të frymës së shenjtë. (2 Kor. 4:7; Gjoni 14:16, 17) Shërbëtorët e Perëndisë ndiejnë edhe fuqinë përtëritëse që jep mesazhi i Fjalës së Tij të frymëzuar, Biblës. (Hebr. 4:12) A na forcon në ndonjë mënyrë tjetër Jehovai? Një përgjigje e gjejmë te letra e parë e Pjetrit.

‘Dashamirësia e pamerituar e Perëndisë e shprehur në mënyra të ndryshme’

3. (a) Çfarë thotë apostulli Pjetër për sprovat? (b) Për çfarë flitet te pjesa e fundit e letrës së parë të Pjetrit?

3 Duke iu drejtuar besimtarëve të mirosur nga fryma, apostulli Pjetër shkruan se kanë arsye të vlefshme për t’u gëzuar pasi i pret një shpërblim i madh. Pastaj shton: «Ndonëse për pak kohë tani për tani, në u dashtë, jeni hidhëruar nga sprova të ndryshme.» (1 Pjet. 1:1-6) Vër re fjalën «të ndryshme». Ajo tregon se sprovat do të jenë të shumëllojshme. Megjithatë, Pjetri nuk mbaron me kaq duke i lënë vëllezërit të vrasin mendjen nëse do të jenë në gjendje të përballojnë këtë shumëllojshmëri sprovash. Përkundrazi, Pjetri thekson se të krishterët mund të jenë të sigurt se Jehovai do t’i ndihmojë të përballojnë çdo sprovë që do të hasin, pavarësisht nga lloji i sprovës. Kjo siguri jepet te pjesa e fundit e letrës së Pjetrit, ku apostulli flet për çështje që lidhen me ‘fundin e të gjitha gjërave’.—1 Pjet. 4:7.

4. Pse na ngushëllojnë fjalët e 1 Pjetrit 4:10?

Pjetri thotë: «Secili nga ju ta përdorë dhuratën e vet në atë masë që ka marrë, që t’i bëni shërbim njëri-tjetrit si kujdestarë të shkëlqyer të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë, të shprehur në mënyra të ndryshme.» (1 Pjet. 4:10) Pjetri e përdor sërish fjalën «të ndryshme». Në fakt ai po thotë se ‘vërtet sprovat vijnë në shumë forma të ndryshme, por edhe shprehjet e dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë vijnë në shumë forma të ndryshme’. Pse na ngushëllojnë këto fjalë? Sepse tregojnë se, pavarësisht nga lloji i sprovës që mund të hasim, do të ketë gjithmonë një shprehje të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë që do të na ndihmojë ta përballojmë. Por, a e vure re te fjalët e Pjetrit se si shprehet ndaj nesh dashamirësia e pamerituar e Jehovait? Me anë të të bashkëkrishterëve.

‘T’i bëjmë shërbim njëri-tjetrit’

5. (a) Ç’duhet të bëjë çdo i krishterë? (b) Cilat pyetje lindin?

5 Duke iu drejtuar të gjithë pjesëtarëve të kongregacionit të krishterë, Pjetri thotë: «Mbi të gjitha, kini dashuri të zjarrtë për njëri-tjetrin.» Pastaj vazhdon: «Secili nga ju ta përdorë dhuratën e vet në atë masë që ka marrë, që t’i bëni shërbim njëri-tjetrit.» (1 Pjet. 4:8, 10) Pra, secili në kongregacion duhet të bëjë pjesën e tij për të forcuar të bashkëkrishterët. Na është lënë në ngarkim diçka me vlerë që i përket Jehovait, dhe kemi përgjegjësinë t’ua japim edhe të tjerëve. Po çfarë na është besuar? Pjetri thotë se është një ‘dhuratë’. Ç’është kjo dhuratë? Dhe si ‘e përdorim për t’i bërë shërbim njëri-tjetrit’?

6. Cilat janë disa nga dhuratat që u janë besuar të krishterëve?

6 Fjala e Perëndisë thotë: «Çdo dhuratë e mirë dhe çdo gjë e përsosur që na jepet, është nga lart.» (Jak. 1:17) Vërtet, të gjitha dhuratat që Jehovai ia beson popullit të tij, janë shprehje të dashamirësisë së tij të pamerituar. Një dhuratë e jashtëzakonshme që Jehovai na jep, është fryma e shenjtë. Kjo dhuratë na ndihmon të kultivojmë cilësi që i pëlqejnë Perëndisë, si dashuria, mirësia dhe butësia. Këto cilësi në vetvete na shtyjnë t’u tregojmë të bashkëkrishterëve dashuri të përzemërt dhe të jemi të gatshëm t’i ndihmojmë. Edhe mençuria dhe njohuria e vërtetë bëjnë pjesë në dhuratat e mira që fitojmë me ndihmën e frymës së shenjtë. (1 Kor. 2:10-16; Gal. 5:22, 23) Në të vërtetë, gjithë energjitë, aftësitë dhe talentet tona mund të konsiderohen si dhurata për t’i përdorur që të lëvdojmë dhe nderojmë Atin tonë qiellor. Perëndia na ka dhënë përgjegjësinë për t’i përdorur aftësitë dhe cilësitë tona që të përçojmë te bashkëbesimtarët shprehjet e dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë.

‘Ta përdorim për t’i bërë shërbim njëri-tjetrit’—Si?

7. (a) Çfarë tregon shprehja «në atë masë»? (b) Cilat pyetje duhet t’i bëjmë vetes dhe pse?

7 Lidhur me dhuratat që kemi marrë, Pjetri thotë edhe: «Secili nga ju ta përdorë dhuratën e vet në atë masë që ka marrë.» Shprehja «në atë masë» tregon se cilësitë dhe aftësitë mund të ndryshojnë jo vetëm në lloj, por edhe në masë. Sidoqoftë, të gjithë nxiten ‘ta përdorin dhuratën e vet për t’i bërë shërbim njëri-tjetrit’. Për më tepër, shprehja ‘ta përdorë si kujdestar i shkëlqyer’, është një urdhër. Pra, duhet të pyesim veten: «Dhuratat që më janë besuar, a i përdor vërtet për të forcuar bashkëbesimtarët?» (Krahaso 1 Timoteut 5:9, 10.) «A i përdor aftësitë që kam marrë nga Jehovai kryesisht për interesat e mia—ndoshta për t’u pasuruar ose për të arritur një pozitë të lartë shoqërore?» (1 Kor. 4:7) Nëse i përdorim dhuratat tona ‘për t’i bërë shërbim njëri-tjetrit’, Jehovai do të kënaqet.—Prov. 19:17; lexo Hebrenjve 13:16.

8, 9. (a) Cilat janë disa mënyra se si u shërbejnë bashkëbesimtarëve të krishterët në mbarë botën? (b) Si e ndihmojnë njëri-tjetrin vëllezërit e motrat në kongregacionin tënd?

8 Në Fjalën e Perëndisë përmenden mënyra të ndryshme se si të krishterët e shekullit të parë i bënin shërbim njëri-tjetrit. (Lexo Romakëve 15:25, 26; 2 Timoteut 1:16-18.) Po kështu edhe sot, të krishterët e vërtetë i binden me gjithë zemër urdhrit për të përdorur dhuratat e tyre në dobi të bashkëbesimtarëve. Le të shohim disa nga mënyrat si po e bëjnë këtë.

9 Shumë vëllezër kalojnë orë të tëra çdo muaj duke u përgatitur për pjesët që kanë në mbledhje. Kur u transmetojnë të tjerëve në mbledhje disa nga margaritarët frymorë që kanë zbuluar gjatë studimit të Biblës, fjalët e tyre plot kuptueshmëri i nxitin të gjithë në kongregacion të qëndrojnë besnikë. (1 Tim. 5:17) Shumë vëllezër e motra njihen për ngrohtësinë dhe dhembshurinë e tyre ndaj bashkëbesimtarëve. (Rom. 12:15) Disa vizitojnë rregullisht ata që janë të dëshpëruar dhe luten me ta. (1 Sel. 5:14) Të tjerë, nga zemra u shkruajnë fjalë inkurajuese e të menduara mirë të bashkëkrishterëve që po kalojnë një sprovë. Kurse disa ndihmojnë me dashuri ata me kufizime fizike që të vijnë në mbledhjet e kongregacionit. Mijëra Dëshmitarë ndihmojnë bashkëbesimtarët që të rindërtojnë shtëpitë e shkatërruara nga katastrofat. Dashuria e butë dhe ndihma praktike që japin këta vëllezër e motra të dashura, janë të gjitha shfaqje «të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë, të shprehur në mënyra të ndryshme».—Lexo 1 Pjetrit 4:11.

Cila është më e rëndësishme?

10. (a) Cilat ishin dy aspekte të shërbimit ndaj Perëndisë ku u përqendrua Pavli? (b) Si e imitojmë sot Pavlin?

10 Shërbëtorëve të Perëndisë u është besuar jo vetëm një dhuratë për ta përdorur për bashkëbesimtarët, por edhe një mesazh për t’ua dhënë njerëzve të tjerë. Apostulli Pavël i kuptoi këto dy aspekte të shërbimit të tij ndaj Jehovait. Ai u shkroi pjesëtarëve të kongregacionit të Efesit në lidhje me «kujdestarinë e dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë» që i ishte dhënë në dobi të tyre. (Efes. 3:2) Megjithatë, ai shtoi: «Perëndia na provoi dhe na quajti të denjë të na besohej lajmi i mirë.» (1 Sel. 2:4) Ashtu si Pavli, edhe ne e kuptojmë se na është besuar caktimi që të shërbejmë si predikues të Mbretërisë së Perëndisë. Duke marrë pjesë me zell në veprën e predikimit, përpiqemi të imitojmë shembullin që la Pavli si shpallës i palodhur i lajmit të mirë. (Vep. 20:20, 21; 1 Kor. 11:1) E dimë se predikimi i mesazhit për Mbretërinë mund të shpëtojë jetë. Por, njëkohësisht, ne përpiqemi të imitojmë shembullin e Pavlit edhe duke kërkuar mundësi ‘për t’u dhënë ndonjë dhuratë frymore’ bashkëbesimtarëve.—Lexo Romakëve 1:11, 12; 10:13-15.

11. Si duhet t’i konsiderojmë caktimet për të predikuar lajmin e mirë dhe për të forcuar vëllezërit tanë?

11 Cila nga këto dy veprimtari të krishtere është më e rëndësishme? Të bësh një pyetje si kjo është si të pyesësh se cili nga krahët e zogut është më i rëndësishëm. Përgjigjja është e qartë. Zogut i duhen të dy krahët që të fluturojë. Edhe ne, duhet të marrim pjesë në të dyja aspektet e shërbimit ndaj Perëndisë që të jemi të krishterë në kuptimin e plotë të fjalës. Prandaj, nuk i konsiderojmë si pa lidhje me njëri-tjetrin caktimet për të predikuar lajmin e mirë dhe për të forcuar bashkëbesimtarët, por i konsiderojmë ashtu si apostulli Pjetër dhe Pavël—si përgjegjësi që plotësojnë njëra-tjetrën. Në ç’mënyrë e bëjmë këtë?

12. Në ç’mënyrë shërbejmë si mjet në duart e Jehovait?

12 Si ungjillëzues, ne përdorim çfarëdolloj zotësie që kemi në mësimdhënie ndërsa përpiqemi t’u prekim zemrat njerëzve me anë të mesazhit inkurajues për Mbretërinë e Perëndisë. Në këtë mënyrë, shpresojmë t’i ndihmojmë që të bëhen dishepuj të Krishtit. Megjithatë, ne përdorim çfarëdo aftësie apo dhurate tjetër në përpjekje për t’u ngrohur zemrën bashkëbesimtarëve me fjalë inkurajuese dhe vepra dobiprurëse—shprehje të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë. (Prov. 3:27; 12:25) Kështu, shpresojmë t’i ndihmojmë të mbeten dishepuj të Krishtit. Në të dyja aspektet, qoftë kur predikojmë lajmin e mirë, qoftë kur ‘i bëjmë shërbim njëri-tjetrit’, kemi privilegjin e mrekullueshëm të shërbejmë si mjet në duart e Jehovait.—Gal. 6:10.

«Kini për njëri-tjetrin përzemërsi të butë»

13. Çfarë do të ndodhte nëse nuk ‘do t’i bënim shërbim njëri-tjetrit’?

13 Pavli i nxiti bashkëbesimtarët: «Kini për njëri-tjetrin përzemërsi të butë me dashuri vëllazërore. Jini të parët për t’i treguar nderim njëri-tjetrit.» (Rom. 12:10) Vërtet, përzemërsia ndaj vëllezërve tanë na shtyn të shërbejmë me gjithë zemër si kujdestarë të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë. E kuptojmë që, nëse Satanai do të arrinte të na pengonte ‘t’i bënim shërbim njëri-tjetrit’, do të dobësonte unitetin tonë. (Kolos. 3:14) Nga ana tjetër, mungesa e unitetit do të sillte mungesë zelli në veprën e predikimit. Satanai e di mirë se i mjafton të dëmtojë, si të thuash, vetëm një nga krahët tanë, që të na rrëzojë.

14. Cilët nxjerrin dobi kur ‘i bëjmë shërbim njëri-tjetrit’? Jep një shembull.

14 Nga ‘shërbimi që i bëjmë njëri-tjetrit’ nuk nxjerrin dobi vetëm ata që e marrin dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë, por edhe ata që e përçojnë atë. (Prov. 11:25) Le të marrim, për shembull, rastin e Rajanit dhe Ronit, një çift Dëshmitarësh nga Ilinoisi, SHBA. Kur mësuan se uragani Katrina kishte shkatërruar qindra shtëpi të Dëshmitarëve, dashuria vëllazërore i shtyu të linin punën dhe apartamentin e tyre, të blinin një shtëpi-rimorkio të përdorur, ta rregullonin dhe të udhëtonin 1.400 kilometra për në Luizianë. Jetuan atje për më shumë se një vit duke dhënë nga koha, fuqitë dhe burimet e tyre materiale për të ndihmuar vëllezërit. «Pjesëmarrja në këtë vepër më afroi më shumë me Perëndinë,—thotë Rajani 29-vjeçar.—Pashë me sytë e mi se Jehovai kujdeset për popullin e tij.» Pastaj, ai shton: «Puna me vëllezër më të mëdhenj në moshë më ka mësuar shumë se si të kujdesem për vëllezërit. Gjithashtu, mësova se për ne më të rinjtë ka shumë për të bërë në organizatën e Jehovait.» Roni, 25 vjeçe, thotë: «Jam mirënjohëse që kam bërë sadopak për të ndihmuar të tjerët. Ndihem më e lumtur se kurrë në jetën time. E di se dobitë e kësaj përvoje të mrekullueshme do t’i ndiej edhe vitet e ardhshme.»

15. Ç’arsye kemi që të vazhdojmë të shërbejmë si kujdestarë të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë?

15 Vërtet, bindja ndaj urdhrave të Perëndisë për të predikuar lajmin e mirë dhe për të forcuar bashkëbesimtarët, sjell bekime për të gjithë. Ata që ndihmojmë, forcohen nga ana frymore, ndërsa ne provojmë gëzimin që vjen vetëm kur jep. (Vep. 20:35) Kongregacioni si një i tërë bëhet më i ngrohtë teksa çdo pjesëtar interesohet me dashuri për të tjerët. Për më tepër, dashuria dhe përzemërsia që tregojmë për njëri-tjetrin, na identifikon qartë si të krishterë të vërtetë. Jezui tha: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:35) Mbi të gjitha, nderohet Ati ynë i dashur, Jehovai, teksa dëshira e tij për të forcuar ata në nevojë, pasqyrohet te shërbëtorët e tij në tokë. Ç’arsye kemi që të përdorim dhuratën tonë ‘për t’i bërë shërbim njëri-tjetrit si kujdestarë të shkëlqyer të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë’! A do të vazhdosh ta bësh këtë?—Lexo Hebrenjve 6:10.

A të kujtohet?

• Në cilat mënyra i forcon Jehovai shërbëtorët e tij?

• Çfarë na është besuar?

• Cilat janë disa mënyra se si mund t’u shërbejmë bashkëbesimtarëve?

• Çfarë do të na nxitë të vazhdojmë të përdorim dhuratën tonë ‘për t’i bërë shërbim njëri-tjetrit’?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 13]

«Dhuratën» tënde e përdor për t’u shërbyer të tjerëve apo për të kënaqur veten?

[Figurat në faqen 15]

U predikojmë lajmin e mirë të tjerëve dhe mbështetim të bashkëkrishterët

[Figura në faqen 16]

Vullnetarët që ndihmojnë në raste katastrofash, meritojnë të lavdërohen për frymën e sakrificës