Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Gjej gëzim në veprën e bërjes së dishepujve

Gjej gëzim në veprën e bërjes së dishepujve

Gjej gëzim në veprën e bërjes së dishepujve

«Shkoni dhe bëni dishepuj.»—MAT. 28:19.

1-3. (a) Çfarë mendojnë shumë lajmëtarë rreth mundësisë për të drejtuar studime biblike? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?

«KAM 11 javë që studioj me një familje nga Pakistani,—shkroi një motër që shërben në një grup në gjuhën hindi në Shtetet e Bashkuara.—Natyrisht, jemi bërë miq të mirë. Më mbushen sytë me lot kur mendoj se së shpejti kjo familje do të kthehet në Pakistan. Këta lot nuk janë vetëm nga pikëllimi që nuk do të jemi më bashkë, por edhe nga gëzimi që provoja kur u mësoja për Jehovain.»

2 Po ti, a e ke provuar ndonjëherë, si kjo motër, gëzimin që vjen kur studion Biblën me dikë? Jezui dhe dishepujt në shekullin e parë gjenin shumë gëzim në veprën e bërjes së dishepujve. Kur 70 dishepujt që kishte stërvitur, u kthyen dhe i raportuan me gëzim për shërbimin që kishin bërë, Jezui u mbush «me gëzim e me frymë të shenjtë». (Luka 10:17-21) Po kështu, shumë lajmëtarë sot gjejnë gëzim të madh duke bërë dishepuj. Në fakt, në vitin 2007, lajmëtarë të palodhur e të lumtur drejtuan mesatarisht gjashtë milionë e gjysmë studime biblike çdo muaj.

3 Megjithatë, disa lajmëtarë ende nuk kanë provuar kënaqësinë të drejtojnë një studim biblik. Të tjerë mund të mos kenë drejtuar asnjë studim vitet e fundit. Çfarë vështirësish mund të hasim teksa përpiqemi të drejtojmë një studim biblik? Si mund t’i kapërcejmë këto vështirësi? Dhe, ç’bekime marrim kur bëjmë çmos t’i bindemi urdhrit të Jezuit: «Shkoni dhe bëni dishepuj.»—Mat. 28:19.

Vështirësi që mund të na e heqin gëzimin

4, 5. (a) Si reagojnë shumë njerëz në disa vende të botës? (b) Çfarë vështirësish hasin lajmëtarët në disa vende të tjera?

4 Në disa vende të botës, njerëzit e pranojnë me shumë dëshirë literaturën tonë dhe janë të etur të studiojnë Biblën me ne. Një çift nga Australia që shërbente përkohësisht në Zambie, shkroi: «Ato që thuhen për Zambien janë të vërteta. Është një parajsë për sa i përket predikimit. Dëshmia rrugore është e mrekullueshme! Njerëzit na afrohen vetë, e disa madje na kërkojnë revista specifike.» Në një nga vitet e fundit, vëllezërit dhe motrat në Zambie drejtuan më tepër se 200.000 studime biblike, domethënë, mesatarisht më shumë se një studim biblik për lajmëtar.

5 Por në vende të tjera, lajmëtarët mund ta kenë të vështirë të lënë literaturë dhe të drejtojnë rregullisht studime biblike. Pse? Shpesh nuk i gjejnë njerëzit në shtëpi, ndërsa ata që i gjejnë, mund të jenë indiferentë ndaj fesë. Ndoshta janë rritur në një familje jofetare ose mund të jenë neveritur nga hipokrizia e dukshme në fenë e rreme. Shumë njerëz janë keqtrajtuar dhe hallakatur frymësisht nga barinjtë e rremë. (Mat. 9:36) Kuptohet që këta mund të kenë frikë të përfshihen në biseda rreth Biblës.

6. Me cilat kufizime luftojnë disa?

6 Disa lajmëtarë besnikë hasin një vështirësi tjetër që mund t’ua heqë gëzimin. Megjithëse dikur ishin shumë aktivë në veprën e bërjes së dishepujve, tani i pengon shëndeti i keq ose pleqëria. Ndërsa lajmëtarë të tjerë mund të mendojnë se kanë kufizime. Për shembull, a ndihesh i pakualifikuar për të drejtuar një studim biblik? Ndoshta ndihesh si Moisiu kur Jehovai e caktoi të fliste me faraonin. Moisiu tha: «Më fal, o Jehova, por unë nuk jam njeri i gojës. Nuk kam qenë i tillë as dje, as më parë.» (Dal. 4:10) Ndjenjat e paaftësisë lidhen ngushtë me frikën nga dështimi. Mbase shqetësohemi se dikush nuk do të bëhet dishepull ngaqë nuk jemi mësuesi i përsosur për të. Atëherë, nga frika se mos dështojmë, ndoshta heqim dorë nga mundësia për të drejtuar një studim. Si mund t’i kapërcejmë vështirësitë që sapo përmendëm?

Përgatit zemrën

7. Çfarë e motivonte Jezuin në shërbim?

7 Hapi i parë është të përgatitim zemrën. Jezui tha: «Goja . . . flet nga mbushullia e zemrës.» (Luka 6:45) Ajo që e motivonte Jezuin në shërbim, ishte interesimi i sinqertë për mirëqenien e të tjerëve. Për shembull, kur vërejti gjendjen e dobët frymore të judenjve të tjerë, «ai ndjeu keqardhje për ta». Jezui u tha dishepujve: «Të korrat janë të mëdha. . . . Lutjuni Zotërisë të të korrave, që të dërgojë punëtorë në të korrat e tij.»—Mat. 9:36-38.

8. (a) Për çfarë do të ishte mirë të mendonim? (b) Ç’mund të mësojmë nga fjalët që tha një studente e Biblës?

8 Teksa marrim pjesë në veprën e bërjes së dishepujve, do të ishte mirë të mendonim thellë për dobitë e shumta që kemi nxjerrë ngaqë dikush gjeti kohë të studionte Biblën me ne. Po kështu, duhet të mendojmë edhe për njerëzit që do të takojmë në shërbim dhe se si do të nxjerrin dobi duke dëgjuar mesazhin që u çojmë. Një grua i shkroi zyrës së degës në vendin ku jeton: «Dua t’ju them sa shumë i çmoj Dëshmitaret që më vijnë në shtëpi për të më mësuar. E di se ndonjëherë ato mund të mërziten me mua ngaqë kam gjithë ato pyetje dhe i mbaj më tepër se ç’duhet. Por ato janë të durueshme me mua dhe mezi presin të më mësojnë ato që kanë mësuar vetë. Falënderoj Jehovain dhe Jezuin që kam njohur këta njerëz.»

9. Ku u përqendrua Jezui dhe si mund ta imitojmë?

9 Sigurisht, jo çdokush reagoi mirë ndaj përpjekjeve të Jezuit për ta ndihmuar. (Mat. 23:37) Disa e ndoqën për pak kohë, por më pas i kundërshtuan mësimet e tij dhe «nuk ecën më me të». (Gjoni 6:66) Megjithatë, Jezui nuk lejoi që reagimi i keq i disave ta shtynte të mendonte se mesazhi i tij nuk kishte vlerë. Edhe pse shumica e farërave që mbolli nuk dhanë fryt, Jezui u përqendrua tek e mira që po bënte. Ai pa se fushat ishin të bardha për korrje dhe provoi gëzim të madh duke ndihmuar në atë korrje. (Lexo Gjonin 4:35, 36.) Në vend që të shohim vetëm tokën bosh midis kërcejve të grurit, a mund të përqendrohemi te kallinjtë e grurit, domethënë tek ajo që mund të korrim në territorin që na është caktuar? Le të shqyrtojmë se si mund të mbajmë një qëndrim të tillë pozitiv.

Mbill me synimin për të korrur

10, 11. Çfarë mund të bësh për të ruajtur gëzimin?

10 Bujku mbjell me synimin për të korrur. Po kështu, edhe ne duhet të predikojmë me synimin për të nisur studime biblike. Megjithatë, ç’duhet të bësh nëse merr pjesë rregullisht në shërbim, por gjen pak njerëz në shtëpi ose të duket e pamundur të kontaktosh përsëri me rivizitat? Kjo mund të jetë shkurajuese. A duhet të heqësh dorë nga shërbimi shtëpi më shtëpi? Sigurisht që jo! Nëpërmjet kësaj metode të efektshme predikimi të përdorur prej kohësh, ende po kontaktojmë shumë njerëz për herë të parë.

11 Por, që të ruash gëzimin, a mund të shtosh metodat e tua të predikimit, mbase duke përdorur edhe mënyra të tjera për të kontaktuar njerëzit? Për shembull, a je përpjekur t’u dëshmosh njerëzve në rrugë ose në vendin ku punojnë? A mund të predikosh nëpërmjet telefonit ose a mund të sigurosh numrat e telefonit të atyre që u ke dhënë mesazhin e Mbretërisë që të mbash lidhje me ta? Duke ngulmuar dhe duke u përshtatur në shërbim, do të provosh gëzimin që vjen kur gjen individë që reagojnë mirë ndaj mesazhit të Mbretërisë.

Si të përballosh indiferentizmin?

12. Ç’mund të bëjmë nëse shumë në territorin tonë duken indiferentë?

12 Ç’duhet të bësh nëse shumë në territorin tënd janë indiferentë ndaj fesë? A mund ta përshtatësh fillimin e bisedës që t’u ngjallësh interesin? Apostulli Pavël u shkroi bashkëbesimtarëve në Korint: «Për judenjtë u bëra si jude. . . . Për ata pa ligj u bëra si pa ligj, ndonëse nuk jam pa ligj kundrejt Perëndisë.» Çfarë e motivonte Pavlin? Ai tha: «Jam bërë çdo gjë për njerëz të çdo lloji, që medoemos të shpëtoj disa.» (1 Kor. 9:20-22) A mund të gjejmë edhe ne pika të përbashkëta me ata që takojmë në territorin tonë? Shumë njerëz jofetarë duan të përmirësojnë cilësinë e marrëdhënieve familjare. Gjithashtu, ata ndoshta po kërkojnë një qëllim në jetë. A mund t’ua paraqitim mesazhin e Mbretërisë në një mënyrë që t’i tërheqë?

13, 14. Si mund të provojmë më shumë gëzim në veprën e bërjes së dishepujve?

13 Gjithnjë e më tepër lajmëtarë po provojnë më shumë gëzim në veprën e bërjes së dishepujve, madje edhe në zona ku pjesa më e madhe duken indiferentë. Si? Duke mësuar një gjuhë të huaj. Një çift te të 60-at, zbuloi se në territorin e kongregacionit të tyre banonin mijëra studentë kinezë bashkë me familjet e tyre. Burri thotë: «Nga kjo, u inkurajuam të mësonim gjuhën kineze.» Ai vazhdon: «Megjithëse kjo do të thoshte se çdo ditë duhej të kalonim kohë duke studiuar gjuhën, filluam shumë studime biblike me kinezët e zonës sonë.»

14 Edhe nëse nuk mund të mësosh një gjuhë tjetër, kur takon një të huaj, mund të përdorësh broshurën Lajmi i mirë për njerëz të të gjitha kombeve. Zakonisht mund të gjesh edhe literaturë tjetër në gjuhën e njerëzve që takon. Patjetër, kërkohet më shumë kohë dhe përpjekje për të komunikuar me ata të një gjuhe dhe kulture tjetër. Por mos harro parimin që gjendet te Fjala e Perëndisë: «Ai që mbjell dorëhapur, edhe do të korrë dorëhapur.»—2 Kor. 9:6.

Përfshihet i gjithë kongregacioni

15, 16. (a) Pse vepra e bërjes së dishepujve varet nga përpjekjet e gjithë kongregacionit? (b) Ç’rol luajnë të moshuarit?

15 Megjithatë, bërja e dishepujve nuk varet vetëm nga përpjekjet e një individi, por nga përpjekjet e gjithë kongregacionit. Pse? Jezui tha: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:35) E në fakt, kur studentët e Biblës vijnë në mbledhje, shpesh u bën përshtypje fryma e dashurisë. Një studente e Biblës shkroi: «Më pëlqen shumë të shkoj në mbledhje. Njerëzit janë kaq të ngrohtë.» Jezui tha se ata që bëhen dishepuj të tij, mund të kenë kundërshtim nga familja. (Lexo Mateun 10:35-37.) Por, ai premtoi se në kongregacion do të gjenin shumë ‘vëllezër, motra, nëna dhe fëmijë’ frymorë.—Mar. 10:30.

16 Sidomos vëllezërit dhe motrat e moshuara luajnë një rol jetësor për t’i ndihmuar studentët e Biblës të bëjnë përparim. Në ç’mënyrë? Edhe nëse disa të moshuar nuk janë në gjendje të drejtojnë vetë një studim biblik, komentet e tyre ndërtuese në mbledhje u forcojnë besimin të gjithë atyre që i dëgjojnë. E kaluara e tyre «në udhën e drejtësisë» ia shton bukurinë kongregacionit dhe i tërheq njerëzit e sinqertë tek organizata e Perëndisë.—Prov. 16:31.

Të kapërcejmë frikën

17. Ç’mund të bëjmë për të kapërcyer ndjenjat e paaftësisë?

17 Ç’mund të bësh nëse lufton me ndjenjat e paaftësisë? Mos harro se Jehovai e ndihmoi Moisiun duke i dhënë frymë të shenjtë dhe një bashkëpunëtor, të vëllanë, Aaronin. (Dal. 4:10-17) Jezui premtoi se fryma e Perëndisë do të mbështeste veprën tonë të dëshmisë. (Vep. 1:8) Për më tepër, Jezui i dërgoi dishepujt të predikonin dy e nga dy. (Luka 10:1) Prandaj, nëse e ke të vështirë të drejtosh një studim biblik, lutu që fryma e Perëndisë të të japë mençuri, pastaj gjej një shok predikimi që mund të të japë siguri dhe përvoja e të cilit mund të të ndihmojë. Na forcohet besimi kur kujtojmë se Jehovai zgjedh njerëz të thjeshtë, «gjërat e dobëta të botës», për të kryer veprën e tij të jashtëzakonshme.—1 Kor. 1:26-29.

18. Si mund ta kapërcejmë frikën nga dështimi?

18 Si mund ta kapërcejmë frikën nga dështimi? Është mirë të kujtojmë se bërja e një dishepulli nuk është si gatimi, ku suksesi ose dështimi varet kryesisht nga një njeri: kuzhinieri. Përkundrazi, bërja e një dishepulli përfshin një bashkëpunim të paktën trepalësh. Jehovai bën pjesën më të rëndësishme, duke e tërhequr individin drejt Tij. (Gjoni 6:44) Ne dhe të tjerët në kongregacion bëjmë më të mirën për të përdorur artin e mësimdhënies që ta ndihmojmë studentin të bëjë përparim. (Lexo 2 Timoteut 2:15.) Dhe studenti duhet të veprojë sipas asaj që mëson. (Mat. 7:24-27) Nëse dikush e ndërpret studimin biblik, mund të zhgënjehemi. Ne shpresojmë që studentët e Biblës të bëjnë zgjedhjen e duhur, por çdo individ «do t’i japë llogari Perëndisë për veten».—Rom. 14:12.

Ç’bekime do të kemi?

19-21. (a) Ç’bekime vijnë nga drejtimi i studimeve biblike? (b) Si i sheh Jehovai të gjithë ata që marrin pjesë në veprën e predikimit?

19 Kur drejtojmë studime biblike, jemi më të përqendruar për të kërkuar në radhë të parë Mbretërinë. Gjithashtu, të vërtetat e Fjalës së Perëndisë na nguliten më thellë në mendje e në zemër. Pse themi kështu? Një pionier me emrin Barak shpjegon: «Kur drejtojmë studime biblike, nxitemi ta studiojmë më mirë Fjalën e Perëndisë. E kuptoj që, para se të mësoj siç duhet dikë tjetër, duhet të forcoj bindjet e mia.»

20 Në qoftë se nuk po drejton një studim biblik, a do të thotë kjo se shërbimi yt nuk ka vlerë për Perëndinë? Sigurisht që jo! Jehovai i çmon jashtë mase përpjekjet tona për ta lëvduar. Të gjithë ata që marrin pjesë në veprën e predikimit janë «bashkëpunëtorë të Perëndisë». Megjithatë, drejtimi i një studimi biblik na e shton gëzimin teksa shohim se si Perëndia e rrit farën që mbollëm. (1 Kor. 3:6, 9) Emi, një pioniere, thotë: «Kur sheh një student që bën përparim, të pushton një mirënjohje e thellë për Jehovain që po të përdor për t’i dhënë atij personi një dhuratë të mrekullueshme—mundësinë të njohë Perëndinë dhe të marrë jetën e përhershme.»

21 Nëse bëjmë çmos të fillojmë e të drejtojmë studime biblike, do të përqendrohemi në shërbimin e Perëndisë tani dhe do të na forcohet shpresa për të jetuar në botën e re. Me mbështetjen e Jehovait, mund të ndihmojmë të shpëtojnë edhe ata që na dëgjojnë. (Lexo 1 Timoteut 4:16.) Ç’arsye për t’u gëzuar!

A të kujtohet?

• Cilat vështirësi mund t’i pengojnë disa të drejtojnë studime biblike?

• Ç’mund të bëjmë nëse shumë në territorin tonë duken indiferentë?

• Ç’bekime vijnë nga drejtimi i një studimi biblik?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 9]

A po i shton metodat e predikimit që të gjesh njerëz të sinqertë?