Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ja, shërbëtori i miratuar i Jehovait

Ja, shërbëtori i miratuar i Jehovait

Ja, shërbëtori i miratuar i Jehovait

«Ja, shërbëtori im, . . . të cilin shpirti im e ka miratuar.»—ISA. 42:1.

1. Për çfarë inkurajohet populli i Jehovait, sidomos teksa afrohet Përkujtimi, dhe pse?

TEKSA afrohet koha për të përkujtuar vdekjen e Krishtit, populli i Perëndisë inkurajohet të ndjekë këshillën e apostullit Pavël ‘për ta mbajtur shikimin të ngulur te Kryepërfaqësuesi dhe Përsosësi i besimit tonë, Jezui’. Pavli shtoi: «Vërtet, shqyrtoni me kujdes atë që i ka qëndruar të folurit kundërshtues të mëkatarëve, kundër vetë interesave të tyre, që shpirti juaj të mos lodhet e të mos ligështohet.» (Hebr. 12:2, 3) Shqyrtimi me kujdes i besnikërisë së Krishtit, e cila arriti kulmin me flijimin e tij, do t’i ndihmojë të krishterët e mirosur dhe delet e tjera që të vazhdojnë t’i shërbejnë me besnikëri Jehovait dhe që të mos ‘u ligështohet shpirti’.—Krahaso Galatasve 6:9.

2. Ç’mund të mësojmë nga profecitë e Isaisë që lidhen me Birin e Perëndisë?

2 Nëpërmjet profetit Isaia, Jehovai frymëzoi një sërë profecish që lidheshin drejtpërdrejt me Birin e tij. Këto profeci do të na ndihmojnë ‘të mbajmë shikimin të ngulur te Kryepërfaqësuesi dhe Përsosësi i besimit tonë’, Krishti Jezu. * Ato hedhin dritë mbi personalitetin, vuajtjet dhe lartësimin e tij si Mbreti dhe Shpenguesi ynë. Do të na rritin kuptueshmërinë për Përkujtimin, që këtë vit do të mbahet të enjten më 9 prill, pas perëndimit të diellit.

Identifikohet Shërbëtori

3, 4. (a) Për cilët përdoret fjala «shërbëtor» në librin e Isaisë? (b) Si e identifikon Bibla Shërbëtorin e përmendur tek Isaia, kapitujt 42, 49, 50, 52 dhe 53?

3 Fjala «shërbëtor» shfaqet shumë herë në librin e Isaisë. Ndonjëherë përdoret për vetë profetin. (Isa. 20:3; 44:26) Disa herë përdoret për tërë kombin e Izraelit ose, siç quhet ndryshe, Jakobi. (Isa. 41:8, 9; 44:1, 2, 21) Por, ç’mund të thuhet për profecitë e jashtëzakonshme lidhur me Shërbëtorin e përmendur tek Isaia, kapitujt 42, 49, 50, 52 dhe 53? Shkrimet e Krishtere Greke nuk lënë asnjë dyshim për identitetin e Shërbëtorit të Jehovait që përshkruhet në këta kapituj. Është interesante se zyrtari etiopas i përmendur te libri i Veprave po lexonte një nga këto profeci kur ungjillëzuesi Filip, nën drejtimin e frymës, shkoi tek ai. Ky zyrtar, pasi kishte lexuar fragmentin biblik që tani gjendet tek Isaia 53:7, 8, e pyeti Filipin: «Të lutem, më thuaj për kë e thotë profeti këtë? Për vete apo për dikë tjetër?» Pa humbur kohë, Filipi i shpjegoi se Isaia e kishte fjalën për Mesinë, Jezuin.—Vep. 8:26-35.

4 Kur Jezui ishte ende foshnjë, një njeri i drejtë i quajtur Simeon deklaroi nën fuqinë e frymës së shenjtë se ‘Jezui i vogël’ do të bëhej ‘drita që do t’u hiqte velin kombeve’, siç parathoshte Isaia 42:6 dhe 49:6. (Luka 2:25-32) Për më tepër, trajtimi poshtërues që përjetoi Jezui natën e sprovës, ishte parathënë në profecinë e Isaisë 50:6-9. (Mat. 26:67; Luka 22:63) Pas festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., apostulli Pjetër e identifikoi qartë Jezuin si «Shërbëtorin» e Jehovait. (Isa. 52:13; 53:11; lexo Veprat 3:13, 26.) Ç’mund të mësojmë nga këto profeci mesianike?

Jehovai stërvit Shërbëtorin e tij

5. Ç’stërvitje mori Shërbëtori?

5 Një nga profecitë e Isaisë për Shërbëtorin e Perëndisë, hedh dritë mbi marrëdhënien e ngushtë midis Jehovait dhe Birit të Tij të parëlindur, gjatë ekzistencës paranjerëzore të Birit. (Lexo Isainë 50:4-9.) Vetë Shërbëtori tregon se Jehovai e stërviste vazhdimisht: «[Ai] zgjon veshin tim, që unë të dëgjoj si veprojnë dishepujt.» (Isa. 50:4, Diodati i Ri) Gjatë gjithë asaj kohe, Shërbëtori dëgjonte Atin dhe mësonte prej tij, duke u bërë më pas një dishepull i nënshtruar. Ç’privilegj i pashoq të mësohesh nga Krijuesi i universit!

6. Si e tregoi Shërbëtori nënshtrimin e tij të përsosur ndaj Atit?

6 Në këtë profeci, Shërbëtori e quan Atin e tij «Zotëria Sovran Jehova». Kjo tregon se Shërbëtori kishte pranuar që Jehovai është Sovrani i universit. Duke treguar nënshtrimin e tij të përsosur ndaj Atit, ai tha: «Zotëria Sovran Jehova ma ka hapur veshin që të kuptoj, dhe unë nuk kam ngritur krye e as kam shkuar në drejtim të kundërt.» (Isa. 50:5) Ai ‘ishte përkrah Jehovait si një kryemjeshtër’ në krijimin e universit fizik dhe të njeriut. Ky ‘kryemjeshtër gëzohej para Jehovait gjithë kohës; gëzohej me vendin pjellor të tokës së tij, dhe [Biri i Perëndisë] i kishte për zemër gjërat që kishin lidhje me bijtë e njerëzve’.—Prov. 8:22-31.

7. Nga e dimë se Shërbëtori ishte i sigurt për mbështetjen e Atit gjatë sprovave?

7 Kjo stërvitje që mori dhe dashuria që kishte për njerëzimin, e përgatitën Shërbëtorin për ardhjen në tokë dhe kundërshtimin e ashpër që do të haste. Ai vazhdoi të gjente kënaqësi duke bërë vullnetin e Atit, edhe përballë përndjekjes së egër. (Psal. 40:8; Mat. 26:42; Gjoni 6:38) Gjatë gjithë sprovave që kaloi në tokë, Jezui ishte i sigurt se kishte miratimin dhe mbështetjen e Atit. Siç ishte parathënë në profecinë e Isaisë, Jezui mundi të thoshte: «Ai që më shpall të drejtë, është afër. Kush mund të hahet me mua? . . . Ja, Zotëria Sovran Jehova do të më ndihmojë.» (Isa. 50:8, 9) Sigurisht, Jehovai e ndihmoi vërtet Shërbëtorin e tij gjatë gjithë shërbimit në tokë, siç tregon një profeci tjetër e Isaisë.

Shërbimi i tij në tokë

8. Ç’gjë tregon se Jezui ishte «i zgjedhuri» i Jehovait, siç ishte parathënë tek Isaia 42:1?

8 Bibla tregon se ç’ndodhi kur Jezui u pagëzua në vitin 29 të e.s.: «Fryma e shenjtë . . . zbriti mbi të. Nga qielli u dëgjua një zë: ‘Ti je Biri im, i dashuri. Unë të kam miratuar.’» (Luka 3:21, 22) Kështu Jehovai identifikoi qartë ‘të zgjedhurin’ e tij, që përmendet te profecia e Isaisë. (Lexo Isainë 42:1-7.) Gjatë shërbimit në tokë, Jezui e përmbushi këtë profeci në një mënyrë të jashtëzakonshme. Në Ungjillin e tij Mateu citoi fjalët që gjenden tek Isaia 42:1-4 dhe i zbatoi ato për Jezuin.—Mat. 12:15-21.

9, 10. (a) Si e përmbushi Jezui Isainë 42:3 gjatë shërbimit? (b) Si ‘solli drejtësi’ Krishti kur ishte në tokë dhe kur ‘vendos drejtësinë në tokë’?

9 Njerëzit e thjeshtë judenj përbuzeshin nga udhëheqësit fetarë judenj. (Gjoni 7:47-49) Populli trajtohej me ashpërsi dhe mund të krahasohej me ‘kallamat e thyer’ dhe ‘fitilat e lirit’ në regëtimën e fundit. Por Jezui tregoi dhembshuri për të varfrit dhe të munduarit. (Mat. 9:35, 36) Këtyre njerëzve ai u bëri ftesën e përzemërt: «Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar, e unë do t’ju freskoj.» (Mat. 11:28) Për më tepër, Jezui ‘solli drejtësi’ duke u mësuar të tjerëve normat e Jehovait për të drejtën e të gabuarën. (Isa. 42:3) Më tej, ai tregoi se Ligji i Perëndisë duhej zbatuar me arsyetueshmëri dhe mëshirë. (Mat. 23:23) Po ashtu, Jezui shfaqi drejtësi duke u predikuar të pasurve e të varfërve pa paragjykim.—Mat. 11:5; Luka 18:18-23.

10 Gjithashtu, profecia e Isaisë parashikon se «i zgjedhuri» i Jehovait ‘vendos drejtësinë në tokë’. (Isa. 42:4) Këtë do ta bëjë së shpejti kur, si Mbret i Mbretërisë mesianike të shkatërrojë tërë mbretëritë politike dhe t’i zëvendësojë me sundimin e tij të drejtë. Ai do të sjellë një botë të re ku «do të banojë drejtësia».—2 Pjet. 3:13; Dan. 2:44.

Një «dritë» dhe një «besëlidhje»

11. Në ç’kuptim Jezui ishte «dritë për kombet» në shekullin e parë dhe si vazhdon të jetë i tillë deri më sot?

11 Në përmbushje të Isaisë 42:6, Jezui tregoi vërtet se ishte «dritë për kombet». Gjatë shërbimit në tokë ai u solli dritë frymore së pari judenjve. (Mat. 15:24; Vep. 3:26) Por Jezui tha: «Unë jam drita e botës.» (Gjoni 8:12) Ai u bë një dritë si për judenjtë, edhe për kombet, jo vetëm duke sjellë ndriçim frymor, por edhe duke dhënë jetën e tij njerëzore të përsosur si shpërblesë për gjithë njerëzimin. (Mat. 20:28) Pas ringjalljes, u caktoi dishepujve detyrën që të ishin dëshmitarë të tij «deri në skajin më të largët të tokës». (Vep. 1:8) Gjatë shërbimit, Pavli dhe Barnaba cituan shprehjen ‘drita e kombeve’ dhe e zbatuan për veprën e predikimit që po kryenin te jojudenjtë. (Vep. 13:46-48; krahaso Isainë 49:6.) Kjo vepër vazhdon të kryhet teksa vëllezërit e mirosur të Jezuit në tokë dhe shokët e tyre përhapin dritën frymore dhe i ndihmojnë njerëzit të kenë besim te Jezui, ‘drita për kombet’.

12. Në ç’kuptim Jehovai e ka dhënë Shërbëtorin e tij «si besëlidhje për popullin»?

12 Po në atë profeci, Jehovai i tha Shërbëtorit të tij të zgjedhur: «Unë do të të mbroj dhe do të të jap si besëlidhje për popullin.» (Isa. 42:6) Satanai bëri përpjekje ngulmuese për ta vrarë Jezuin dhe për të mos e lejuar të përfundonte shërbimin në tokë, por Jehovai e mbrojti derisa erdhi koha e caktuar që të vdiste. (Mat. 2:13; Gjoni 7:30) Pastaj, Jehovai e ringjalli Jezuin dhe e dha si «besëlidhje» ose garanci për popujt në tokë. Ky premtim solemn jepte sigurinë se Shërbëtori besnik i Perëndisë do të vazhdonte të ishte «dritë për kombet», duke i çliruar ata që do të ndodheshin në errësirë frymore.—Lexo Isainë 49:8, 9. *

13. Si i çliroi Jezui gjatë shërbimit në tokë ‘ata që ishin në errësirë’ dhe si vazhdon ta bëjë këtë edhe sot?

13 Në harmoni me këtë garanci, Shërbëtori i zgjedhur i Jehovait ‘do të hapte sytë e verbër, do të nxirrte nga biruca të burgosurin dhe nga qelia ata që ishin në errësirë’. (Isa. 42:7) Gjatë shërbimit në tokë, Jezui e bëri këtë duke demaskuar traditat e rreme fetare dhe duke predikuar lajmin e mirë për Mbretërinë. (Mat. 15:3; Luka 8:1) Kështu çliroi nga robëria frymore judenjtë që u bënë dishepuj të tij. (Gjoni 8:31, 32) Në mënyrë të ngjashme, Jezui u ka sjellë çlirim frymor miliona johebrenjve. Ai i ka caktuar dishepujt e tij që ‘të shkojnë dhe të bëjnë dishepuj njerëz nga të gjitha kombet’, duke u premtuar se do të jetë me ta «deri në përfundimin e sistemit». (Mat. 28:19, 20) Nga pozita e tij qiellore Krishti Jezu po mbikëqyr veprën botërore të predikimit.

Jehovai e ngriti ‘shërbëtorin’

14, 15. Pse dhe si e ngriti Jehovai Shërbëtorin e tij?

14 Në një profeci tjetër për Shërbëtorin e tij mesianik, Jehovai thotë: «Ja, shërbëtori im do të veprojë me gjykim të thellë. Ai do të ketë një pozitë të lartë, po, do të ngrihet e do të lartësohet shumë.» (Isa. 52:13) Jehovai e ngriti Birin për shkak të nënshtrimit ndaj sovranitetit të Tij dhe të besnikërisë nën sprovën më të skajshme.

15 Apostulli Pjetër shkroi për Jezuin: «Ai shkoi në qiell dhe është në të djathtën e Perëndisë, dhe engjëjt, autoritetet dhe fuqitë iu nënshtruan atij.» (1 Pjet. 3:22) Po kështu, apostulli Pavël shkroi: «Ai e përuli veten dhe u bind madje deri në vdekje, po, vdekje në një shtyllë torture. Pikërisht për këtë arsye, Perëndia e ngriti në një pozitë më të lartë e me dashamirësi i dha emrin që është mbi çdo emër, në mënyrë që, në emër të Jezuit, të përkulet çdo gju i atyre në qiell, i atyre mbi tokë e nën tokë, dhe çdo gjuhë të pranojë hapur se Jezu Krishti është Zotëri në lavdi të Perëndisë, Atit.»—Filip. 2:8-11.

16. Si ‘u lartësua shumë’ Jezui në vitin 1914 dhe çfarë ka bërë që nga ajo kohë?

16 Në vitin 1914, Jehovai e ngriti edhe më tepër Jezuin. Ai ‘u lartësua shumë’ kur Jehovai e vuri në fron si Mbret të Mbretërisë mesianike. (Psal. 2:6; Dan. 7:13, 14) Që nga ajo kohë Krishti ka shkuar ‘mes armiqve të tij dhe i ka nënshtruar’. (Psal. 110:2) Së pari, nënshtroi Satanain dhe demonët, duke i hedhur në afërsi të tokës. (Zbul. 12:7-12) Më pas, duke vepruar si Kiri i Madh, Krishti çliroi mbetjen e vëllezërve të tij të mirosur në tokë nga kthetrat e ‘Babilonisë së Madhe’. (Zbul. 18:2; Isa. 44:28) Ai ka drejtuar një vepër mbarëbotërore predikimi, si rezultat i së cilës janë mbledhur ‘mbetja’ e vëllezërve të tij frymorë dhe më pas miliona «dele të tjera», pra, shokët besnikë të ‘kopesë së vogël’.—Zbul. 12:17; Gjoni 10:16; Luka 12:32.

17. Çfarë kemi mësuar deri tani nga studimi i profecive të Isaisë për ‘shërbëtorin’?

17 Me siguri, studimi i këtyre profecive të jashtëzakonshme nga libri i Isaisë na e ka rritur çmueshmërinë për Mbretin dhe Shpenguesin tonë, Krishtin Jezu. Nënshtrimi i tij si një bir gjatë shërbimit të tij tokësor pasqyroi stërvitjen që mori përkrah Atit para se të vinte në tokë. Ai ka treguar se është «dritë për kombet» nëpërmjet shërbimit të vet dhe veprës së predikimit që ka mbikëqyrur deri sot e kësaj dite. Siç do të shohim më pas, një profeci tjetër për Shërbëtorin mesianik zbulon se ai do të vuante dhe do të jepte jetën për ne, e këto gjëra duhet t’i ‘shqyrtojmë me kujdes’ teksa afrohet Përkujtimi i vdekjes së tij.—Hebr. 12:2, 3.

[Shënimet]

^ par. 2 Mund t’i gjesh këto profeci tek Isaia 42:1-7; 49:1-12; 50:4-9 dhe 52:13–53:12.

Pyetje për rishikim

• Kush është «shërbëtori» i përmendur te profecitë e Isaisë dhe si e dimë?

• Ç’stërvitje mori Shërbëtori nga Jehovai?

• Në ç’kuptim Jezui është «dritë për kombet»?

• Si u ngrit Shërbëtori?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 21]

Filipi tregoi qartë se «shërbëtori» i përmendur nga Isaia ishte Jezui, Mesia

[Figura në faqen 23]

Si Shërbëtori i zgjedhur i Jehovait, Jezui tregoi dhembshuri për të varfrit dhe të munduarit

[Figura në faqen 24]

Jezui u lartësua nga Ati dhe u vendos në fron si Mbret i Mbretërisë mesianike