Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Kjo është udha. Ecni në të!»

«Kjo është udha. Ecni në të!»

«Kjo është udha. Ecni në të!»

Jetëshkrimi i Emilja Pedersonit

Treguar nga Ruthë E. Papasi

MAMAJA ime, Emilja Pedersoni, lindi në vitin 1878. Megjithëse u bë mësuese, në të vërtetë donte ta kalonte jetën duke ndihmuar njerëzit t’i afroheshin Perëndisë. Ajo ç’ka dëshmonte për këtë dëshirë të mamasë, ishte sënduku i madh që mbante në shtëpinë tonë në qytetin e vogël të Xhasperit, Minesota, SHBA. E kishte marrë për të transportuar gjërat e saj për në Kinë, ku donte të shërbente si misionare. Megjithatë, kur i vdiq e ëma, iu desh të hiqte dorë nga planet dhe të qëndronte në shtëpi që të kujdesej për motrat e vëllezërit më të vegjël. Në vitin 1907, u martua me Teodor Holienin. Unë linda më 2 dhjetor 1925. Isha e fundit nga shtatë fëmijët.

Mamaja dëshironte shumë të gjente përgjigjet e disa pyetjeve biblike. Një nga këto pyetje kishte lidhje me doktrinën që të ligjtë shkojnë në ferrin e zjarrtë. Ajo pyeti një prift të Kishës Luterane se cilat shkrime në Bibël mbështetin këtë doktrinë. Ai i tha se nuk ka rëndësi çfarë thotë Bibla—njerëzve u duhet mësuar doktrina e ferrit të zjarrtë.

Plotësohet dëshira e saj për të njohur të vërtetën

Pak pas vitit 1900, teze Ema shkoi në Northfilld të Minesotës për të studiuar për muzikë. Ajo ndenji në shtëpinë e Milius Kristiansonit, mësuesit të saj, gruaja e të cilit ishte Studente e Biblës, siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. Ema u tregoi se kishte një motër që ishte lexuese e devotshme e Biblës. Pa kaluar shumë, zonja Kristianson i shkroi një letër mamasë ku u përgjigjej pyetjeve të saj biblike.

Një ditë, një Studente e Biblës me emrin Lora Ot’haut erdhi me tren nga Su-Follsi, Dakota e Jugut, për të predikuar në Xhasper. Mamaja studionte literaturën biblike që merrte, dhe në vitin 1915 filloi të fliste edhe me të tjerët për këto të vërteta biblike duke shpërndarë literaturën që i sillte Lora.

Në vitin 1916, mamaja dëgjoi që Çarls Tejz Rasëlli do të merrte pjesë në një kongres në Su-Siti, Ajoua dhe donte të shkonte. Në atë kohë, kishte pesë fëmijë, dhe Marvini, më i vogli, ishte vetëm pesë muajsh. Prapëseprapë, me të gjithë fëmijët me vete, udhëtoi me tren rreth 160 kilometra për në Su-Siti që të ndiqte kongresin. Atje dëgjoi fjalimet e vëlla Rasëllit, pa «Foto-Dramën e Krijimit» dhe u pagëzua. Kur u kthye në shtëpi, shkroi një artikull për kongresin që u botua në «Gazetën e Xhasperit».

Mamaja ishte një nga 18.000 të pranishmit në kongresin që u mbajt në vitin 1922 në Sidër-Point, Ohajo. Pas atij kongresi nuk reshti kurrë së shpalluri Mbretërinë e Perëndisë. Në fakt, ajo na nxiste t’i vinim veshin këshillës: «Kjo është udha. Ecni në të!»—Isa. 30:21.

Shërbimi sjell fryte

Në fillim të viteve 20, prindërit e mi shkuan të banonin jashtë Xhasperit. Babai kishte një biznes që ecte mirë, por edhe një familje të madhe për të mbajtur. Ai nuk e studionte Biblën kaq shumë sa mamaja, por e mbështeste me gjithë zemër veprën e predikimit dhe e hapte shtëpinë për mbikëqyrësit udhëtues, që në atë kohë quheshin pelegrinë. Shpesh, kur ndonjë nga këta vëllezër mbante fjalim në shtëpinë tonë, vinin rreth njëqind veta që rrinin ngjeshur te dhoma e ndenjes, dhoma e ngrënies dhe dhoma e gjumit.

Kur isha rreth shtatë vjeçe, telefonoi teze Leti dhe tha se fqinjët e saj, Ed Larsoni dhe e shoqja, donin të studionin Biblën. Ata i pranuan menjëherë të vërtetat biblike dhe më vonë ftuan në studim edhe një fqinjë tjetër, Marta van Dalenin, nënë me tetë fëmijë. Edhe Marta me gjithë familjen e saj u bënë Studentë të Biblës. *

Në atë kohë, me babanë filloi të punonte Gordon Kamerudi, një i ri që banonte disa kilometra larg nesh. Gordonin e kishin paralajmëruar: «Ki kujdes nga vajzat e shefit. Kanë një fe të çuditshme.» Por Gordoni nisi të studionte Biblën dhe shumë shpejt u bind se kishte gjetur të vërtetën. Tre muaj më pas, u pagëzua. Edhe prindërit e tij u bënë Dëshmitarë dhe familjet tona—familja Holien, Kamerud dhe Van Dalen—u bënë miq të ngushtë.

Forcohemi nga kongreset

Mamaja ishte inkurajuar aq shumë nga kongresi në Sidër-Point, sa nuk donte të humbte asnjë kongres. Kështu, ndër kujtimet e mia të hershme janë edhe udhëtimet e gjata për në kongrese. Ai i vitit 1931 në Kolumbus të Ohajos ishte një kongres i shënuar, sepse në atë kohë morëm emrin Dëshmitarët e Jehovait. (Isa. 43:10-12) Më kujtohet mirë edhe kongresi në Uashington D.C. në vitin 1935, ku një fjalim historik identifikoi ‘shumicën e madhe’ për të cilën flitet te Zbulesa. (Zbul. 7:9) Motrat e mia, Liljana dhe Eunika, ishin dy ndër 800 a më shumë të pagëzuarit.

Familja jonë udhëtoi për në kongreset në Kolumbus, Ohajo, në vitin 1937; Siatëll, Uashington, më 1938 dhe në qytetin e Nju-Jorkut, më 1939. Me ne vinin familjet Van Dalen, Kamerud dhe të tjerë, e fushonim gjatë udhëtimit. Eunika u martua me Leo van Dalenin më 1940 dhe u bënë pionierë. Po atë vit, Liljana u martua me Gordon Kamerudin, të cilët po ashtu u bënë pionierë.

Kongresi që u mbajt në vitin 1941 në Sent-Luiz, Misuri, ishte i veçantë. Atje mijëra të rinj morën librin Fëmijët. Ai kongres ishte një pikë kthese për mua. Pak më pas, më 1 shtator 1941, u bëra pioniere bashkë me vëllanë tim, Marvinin, e gruan e tij, Xhojsin. Në atë kohë isha 15 vjeçe.

Ngaqë jetonim në një vend bujqësor, vëllezërit e kishin të vështirë të ndiqnin kongreset, sepse shpesh mbaheshin gjatë kohës së korrjes. Prandaj, pasi mbaronte një kongres, rishikonim pikat e tij kryesore në oborrin e pasmë të shtëpisë, për dobinë e atyre që s’kishin mundur ta ndiqnin. Këto ishin raste të gëzuara.

Galaadi dhe caktimet ndërkombëtare

Në shkurt të vitit 1943, filloi Shkolla e Galaadit për stërvitjen e pionierëve si misionarë. Në klasën e parë ishin edhe gjashtë pjesëtarë të familjes Van Dalen—vëllezërit Emil, Artur, Homer dhe Leo; kushëriri i tyre Donaldi dhe gruaja e Leos, motra ime Eunika. U përshëndetëm me ta me ndjenja të trazuara pasi nuk e dinim se kur do t’i shihnim prapë. Pas diplomimit, të gjashtë u caktuan në Porto-Riko, ku në ato kohë kishte rreth dhjetë Dëshmitarë.

Një vit më vonë, Liljana dhe Gordoni, si edhe Marvini dhe Xhojsi ndoqën klasën e tretë të Galaadit. Edhe ata u caktuan në Porto-Riko. Pastaj, në shtator 1944, kur isha 18 vjeçe, ndoqa klasën e katërt të Galaadit. Pasi u diplomova në shkurt 1945, u bashkova me motrat e vëllanë tim në Porto-Riko. Ç’jetë interesante më priste! Megjithëse ishte e vështirë të mësoje spanjishten, shpejt disa prej nesh drejtonim më shumë se 20 studime secili. Jehovai e bekoi veprën. Sot ka rreth 25.000 Dëshmitarë në Porto-Riko.

Tragjedi në familje

Leo dhe Eunika qëndruan në Porto-Riko pas lindjes së të birit, Markut, në vitin 1950. Më 1952 menduan të shkonin me pushime në vendin e tyre për të takuar të afërmit. Më 11 prill, i hipën avionit. Mjerisht, pak pas ngritjes, avioni ra në oqean. Leo dhe Eunika vdiqën. Markun dy-vjeçar e gjetën mbi ujë. Një nga të mbijetuarit e vuri në një gomone shpëtimi, i bëri frymëmarrje artificiale dhe e shpëtoi. *

Pesë vjet më vonë, më 7 mars 1957, mamaja dhe babai po shkonin me makinë në Sallën e Mbretërisë kur iu shpua goma. Ndërsa po ndërronte gomën në anë të rrugës, babanë e goditi një makinë që po kalonte, dhe vdiq menjëherë. Rreth 600 veta ishin në ceremoninë e varrimit dhe u dha një dëshmi e mrekullueshme në atë vend, ku babanë e respektonin të gjithë.

Caktime të reja

Pikërisht para vdekjes së babait, kisha marrë një caktim për në Argjentinë. Në gusht 1957, mbërrita në qytetin e Mendozës rrëzë Andeve. Më 1958, Xhorxh Papasi, një nga të diplomuarit e klasës së 30-të të Galaadit, u caktua në Argjentinë. Xhorxhi dhe unë u bëmë miq dhe u martuam në prill 1960. Në vitin 1961, vdiq mamaja në moshën 83-vjeçare. Kishte ecur me besnikëri në udhën e adhurimit të vërtetë dhe kishte ndihmuar shumë e shumë të tjerë që të bënin të njëjtën gjë.

Për dhjetë vjet Xhorxhi dhe unë shërbyem bashkë me misionarë të tjerë në shtëpi misionare të ndryshme. Pastaj kaluam shtatë vjet në veprën qarkore. Më 1975, u kthyem në Shtetet e Bashkuara për të ndihmuar ata pjesëtarë të familjes që ishin sëmurë. Në vitin 1980, burri im mori ftesën për të shërbyer si mbikëqyrës qarkor në fushën e gjuhës spanjolle. Në atë kohë kishte rreth 600 kongregacione të gjuhës spanjolle në Shtetet e Bashkuara. Për 26 vjet, vizituam shumë prej këtyre kongregacioneve dhe pamë rritjen e tyre në mbi 3.000.

Kanë ecur në ‘udhën’ e së vërtetës

Edhe mamaja pati kënaqësinë të shihte pjesëtarët më të rinj të familjes së saj të fillonin shërbimin e plotkohor. Për shembull, Karola, një nga vajzat e motrës sime më të madhe, Esterës, filloi shërbimin si pioniere në vitin 1953. Ajo u martua me Denis Trëmborin dhe që atëherë kanë vazhduar në shërbimin e plotkohor. Vajza tjetër e Esterës, Loisi, u martua me Uendëll Xhensënin. Ata ndoqën klasën e 41-të të Galaadit dhe shërbyen për 15 vjet si misionarë në Nigeri. Markun, prindërit e të cilit vdiqën në aksidentin me avion, e adoptuan dhe e rritën halla e vet, Ruthë la Londi, me të shoqin, Kërtisin. Marku dhe gruaja e tij, Lëvona, shërbyen si pionierë për vite me radhë dhe i rritën të katër fëmijët në ‘udhën’ e së vërtetës.—Isa. 30:21.

Orleni, i vetmi nga motrat e vëllezërit e mi që ka mbetur gjallë, është në mes të të 90-ave. Edhe sot e kësaj dite ai i shërben me besnikëri Jehovait. Xhorxhi dhe unë vazhdojmë me gëzim në shërbimin e plotkohor.

Ajo që na la mamaja

Tani kam një nga gjërat më të çmuara të mamasë—tavolinën e saj. Ia kishte dhuruar për dasmë i ati. Në një nga sirtarët është albumi i saj i vjetër, ku gjenden letra dhe artikuj gazete që kishte shkruar dhe që kishin dhënë dëshmi të shkëlqyer për Mbretërinë. Disa prej tyre i përkasin fillimit të viteve 1900. Në tavolinë janë ruajtur si thesar edhe letrat që i kanë dërguar fëmijët misionarë. Sa më pëlqen t’i lexoj herë pas here! Edhe letrat që ajo na dërgonte, ishin gjithmonë shumë inkurajuese e plot optimizëm. Mamasë nuk iu plotësua kurrë dëshira për të qenë misionare. Megjithatë, zelli që kishte për shërbimin misionar ndikoi te zemrat e brezave pas saj. Mezi pres momentin kur familja jonë e madhe të bashkohet sërish me mamanë dhe babanë në parajsën tokësore!—Zbul. 21:3, 4.

[Shënimet]

^ par. 13 Për jetëshkrimin e Emil H. van Dalenit, shih Kullën e Rojës, 15 qershor 1983, faqet 27-30, anglisht.

^ par. 24 Shih Zgjohuni! të 22 qershorit, 1952, faqet 3-4, anglisht.

[Figura në faqen 17]

Emilja Pedersoni

[Figura në faqen 18]

1916: mamaja dhe babai (me Marvinin në krahë); poshtë, nga e majta në të djathtë, Orleni, Estera, Liljana, Mildredi

[Figura në faqen 19]

Leo dhe Eunika pak para se të vdisnin

[Figura në faqen 20]

1950: Nga e majta në të djathtë, sipër: Estera, Mildredi, Liljana, Eunika, Rutha; poshtë: Orleni, mamaja, babai dhe Marvini

[Figura në faqen 20]

Xhorxh dhe Ruthë Papasi në veprën qarkore në vitin 2001