Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pika kryesore nga libri i Zbulesës—Pjesa I

Pika kryesore nga libri i Zbulesës—Pjesa I

Fjala e Jehovait është e gjallë

Pika kryesore nga libri i Zbulesës—Pjesa I

NDËRSA ndodhet i burgosur në ishullin e Patmosit, apostulli i moshuar Gjon merr 16 vegime njëri pas tjetrit. Ai sheh në to çfarë bëjnë Perëndia Jehova dhe Jezu Krishti gjatë ditës së Zotërisë, pra, periudhës që shtrihet nga vendosja e Mbretërisë së Perëndisë në vitin 1914 deri në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit. Libri i Zbulesës, i shkruar nga Gjoni rreth vitit 96 të e.s., është një përshkrim emocionues i këtyre vegimeve.

Le të shqyrtojmë tani disa pika kryesore nga Zbulesa 1:1–12:17, që trajtojnë shtatë vegimet e para që mori Gjoni. Këto vegime janë me interes për ne, sepse lidhen me atë që po ndodh në skenën botërore dhe tregojnë se çfarë do të bëjë Jehovai në të ardhmen e afërt. Ata që i lexojnë këto vegime me besim, ngushëllohen dhe inkurajohen vërtet.—Hebr. 4:12.

«QENGJI» HAP GJASHTË NGA SHTATË VULAT

(Zbul. 1:1–7:17)

Së pari, Gjoni sheh Jezu Krishtin e ngritur në lavdi dhe merr një sërë mesazhesh që duhet ‘t’i shkruajë në rrotull dhe t’ua dërgojë shtatë kongregacioneve’. (Zbul. 1:10, 11) Më pas, vijon vegimi për një fron që ndodhet në qiell. Ai që rri ulur në fron, mban në dorën e djathtë një rrotull të vulosur me shtatë vula. Ai që konsiderohet ‘i denjë ta hapë rrotullën’, nuk është askush tjetër veçse ‘Luani që është nga fisi i Judës’ ose ‘një qengj që ka shtatë brirë dhe shtatë sy’.—Zbul. 4:2; 5:1, 2, 5, 6.

Vegimi i tretë zbulon çfarë ndodh teksa «Qengji» hap gjashtë vulat e para, njëra pas tjetrës. Me hapjen e vulës së gjashtë, bie një tërmet i madh dhe vjen dita e madhe e zemërimit. (Zbul. 6:1, 12, 17) Por vegimi vijues tregon ‘katër engjëj që mbajnë fort katër erërat e tokës’ derisa të përfundojë vulosja e 144.000-ve. Shihet ‘një shumicë e madhe’ e atyre që nuk janë vulosur, e cila ‘qëndron para fronit dhe para Qengjit’.—Zbul. 7:1, 9.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

1:4; 3:1; 4:5; 5:6—Çfarë tregon shprehja «shtatë frymërat»? Numri shtatë nënkupton plotësi nga pikëpamja e Perëndisë. Prandaj, mesazhi drejtuar «shtatë kongregacioneve» në fund zbatohet për të gjithë popullin e Perëndisë të mbledhur në më tepër se 100.000 kongregacionet anembanë tokës. (Zbul. 1:11, 20) Meqë Jehovai jep frymë të shenjtë në varësi të asaj që dëshiron të kryejë, shprehja «shtatë frymërat» tregon plotësinë e veprimit të saj për të dhënë kuptueshmëri dhe për t’u sjellë bekime atyre që i kushtojnë vëmendje profecisë. Me sa duket, struktura e librit të Zbulesës është ndërtuar mbi numrin shtatë. Në fakt, herë pas here, konceptet shqyrtohen sipas grupeve që përbëhen nga shtatë elemente. Numri shtatë këtu përfaqëson plotësi, dhe në fakt, libri flet për ‘plotësimin e sekretit të shenjtë të Perëndisë’.—Zbul. 10:7.

1:8, 17—Kujt i referohen titujt «Alfa dhe Omega» e «i Pari dhe i Fundit»? Titulli «Alfa dhe Omega» i referohet Jehovait dhe thekson se para tij nuk kishte asnjë Perëndi të plotfuqishëm dhe nuk do të ketë asnjë pas tij. Ai është «fillimi dhe fundi». (Zbul. 21:6; 22:13) Megjithëse Jehovai quhet «i pari dhe i fundit» te Zbulesa 22:13, në kuptimin që nuk ka asnjë para ose pas tij, konteksti në kapitullin e parë të Zbulesës tregon se titulli «i Pari dhe i Fundit» këtu i referohet Jezu Krishtit. Ai ishte njeriu i parë i ringjallur në jetën frymore të pavdekshme dhe i fundit i ringjallur nga vetë Jehovai.—Kolos. 1:18.

2:7—Çfarë është ‘parajsa e Perëndisë’? Meqë këto fjalë u drejtohen të krishterëve të mirosur, këtu parajsa duhet t’i referohet sferës qiellore parajsore—vetë pranisë së Perëndisë. Shpërblimi i të mirosurve besnikë do të jetë mundësia që të hanë «nga pema e jetës». Ata do të marrin pavdekësinë.—1 Kor. 15:53.

3:7—Kur e mori Jezui «çelësin e Davidit» dhe si e ka përdorur? Kur u pagëzua në vitin 29 të e.s., Jezui u bë Mbret i emëruar sipas linjës së Davidit. Megjithatë, Jezui nuk e mori çelësin e Davidit deri në vitin 33 të e.s., kur u lartësua në të djathtë të Perëndisë në qiell. Atje trashëgoi të gjitha të drejtat e Mbretërisë davidike. Që nga ajo kohë, Jezui e ka përdorur çelësin për të hapur ose krijuar mundësi dhe privilegje që lidhen me Mbretërinë. Në vitin 1919, Jezui vuri «çelësin e shtëpisë së Davidit» mbi supin e ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’ duke e emëruar këtë klasë të skllavit «mbi gjithë zotërimet e veta».—Isa. 22:22; Mat. 24:45, 47.

3:12—Çfarë është ‘emri i ri’ i Jezuit? Ky emër ka të bëjë me pozitën dhe privilegjet e tij të reja. (Filip. 2:9-11) Përveç Jezuit, askush tjetër nuk e di atë emër ashtu si ai, dhe Jezui e shkruan mbi vëllezërit e tij besnikë në qiell duke u dhënë mundësinë të kenë një marrëdhënie të ngushtë me të. (Zbul. 19:12) Madje ata marrin disa privilegje që i janë dhënë edhe Jezuit.

Mësime për ne:

1:3. Meqë «koha e caktuar [për ekzekutimin e gjykimeve të Perëndisë kundër botës së Satanait] është afër», është urgjente të kuptojmë mesazhin e librit të Zbulesës dhe të veprojmë sipas tij.

3:17, 18. Që të jemi të pasur frymësisht, kemi nevojë të blejmë nga Jezui «ar të kulluar në zjarr». Kjo do të thotë se duhet të përpiqemi të jemi të pasur në vepra të shkëlqyera. (1 Tim. 6:17-19) Gjithashtu duhet të veshim «rroba të bardha», të cilat tregojnë dukshëm se jemi dishepuj të Krishtit, dhe duhet të përdorim «balsam», siç janë këshillat e botuara në revistën Kulla e Rojës, që të fitojmë aftësi dalluese frymore.—Zbul. 19:8.

7:13, 14. Njëzet e katër pleqtë përfaqësojnë 144.000 të mirosurit në lavdinë e tyre qiellore, ku shërbejnë jo vetëm si mbretër, por edhe si priftërinj. Ata paraqiteshin nga priftërinjtë në Izraelin e lashtë, të cilët mbreti David i organizoi në 24 ndarje. Një nga pleqtë i zbulon Gjonit identitetin e shumicës së madhe. Prandaj, ringjallja e të krishterëve të mirosur duhet të ketë filluar diku aty para vitit 1935. Pse? Sepse atë vit, shërbëtorëve të mirosur të Perëndisë që ishin në tokë, iu bë i njohur identiteti i shumicës së madhe.—Luka 22:28-30; Zbul. 4:4; 7:9.

HAPJA E VULËS SË SHTATË ÇON NË SHTATË BUÇIMA TRUMBETASH

(Zbul. 8:1–12:17)

Qengji hap vulën e shtatë. Shtatë engjëj marrin shtatë trumbeta. Gjashtë engjëj u bien trumbetave, duke shpallur mesazhe gjykimi për «një të tretën» e njerëzimit, domethënë krishterimin apostat. (Zbul. 8:1, 2, 7-12; 9:15, 18) Këtë sheh Gjoni në vegimin e pestë. Në vegimin e gjashtë ku merr pjesë edhe vetë, Gjoni ha një rrotull të vogël dhe mat shenjtëroren e tempullit. Pasi bie trumbeta e shtatë, zëra të lartë njoftojnë: «Mbretëria e botës u bë mbretëria e Zotërisë tonë dhe e Krishtit të tij.»—Zbul. 10:10; 11:1, 15.

Vegimi i shtatë përshkruan më me hollësi atë që thuhet te Zbulesa 11:15, 17. Në qiell shihet një shenjë e madhe. Gruaja qiellore lind një fëmijë, një djalë. Djalli dëbohet nga qielli. I zemëruar me gruan qiellore, ai shkon ‘të luftojë me mbetjen e farës së saj’.—Zbul. 12:1, 5, 9, 17.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

8:1-5—Pse ra heshtje në qiell dhe çfarë u hodh në tokë pas kësaj? Në qiell ra një heshtje simbolike që të dëgjoheshin «lutjet e të shenjtëve» në tokë. Kjo ndodhi aty nga fundi i luftës së parë botërore. Të krishterët e mirosur nuk u ngjitën në qiell në fund të kohëve të johebrenjve, siç kishin pritur shumë veta. Ata kaluan kohë të vështira gjatë luftës. Prandaj tani luteshin me zjarr për drejtim. Në përgjigje të lutjeve të tyre, engjëlli hodhi në tokë një zjarr simbolik që i ndezi frymësisht të krishterët e mirosur. Edhe pse të paktë në numër, ata nisën një fushatë predikimi mbarëbotërore, e cila e bëri Mbretërinë e Perëndisë një çështje të zjarrtë, duke ndezur kështu një zjarr në krishterimin apostat. Oshtinë si bubullima paralajmërime nga Bibla, u bënë të njohura vetëtima të së vërtetës biblike dhe perandoria e fesë së rreme u trondit që nga themeli, ashtu si ndërtesat nga tërmeti.

8:6-12; 9:1, 13; 11:15—Kur u përgatitën shtatë engjëjt t’u binin trumbetave dhe kur e si u dëgjuan buçimat e trumbetave? Përgatitja për t’u rënë shtatë trumbetave përfshinte dhënien e drejtimit pjesëtarëve të rigjallëruar të klasës së Gjonit në tokë nga viti 1919 deri më 1922. Në atë kohë, këta të mirosur ishin të zënë duke riorganizuar shërbimin publik dhe duke ndërtuar stabilimente për botimin e literaturës. (Zbul. 12:13, 14) Tingulli i trumbetave përfaqëson shpalljet e gjykimeve të Jehovait që bën me guxim populli i Perëndisë, në bashkëpunim me engjëjt, kundër botës së Satanait. Është për t’u theksuar që kjo nisi me kongresin në Sidër-Point të Ohajos më 1922 dhe zgjat deri në shtrëngimin e madh.

8:13; 9:12; 11:14—Në ç’kuptim buçimat e tri trumbetave të fundit janë «mjerime»? Katër buçimat e para të trumbetave janë shpallje që demaskojnë gjendjen e vdekur nga ana frymore të krishterimit apostat, kurse tre të fundit janë mjerime në kuptimin që kanë të bëjnë me ngjarje specifike. Buçima e pestë lidhet me çlirimin e popullit të Perëndisë më 1919 nga ‘humnera’, ku ishte në gjendje joaktive, dhe me veprën e tyre të pareshtur të dëshmisë, e cila u bë si një plagë munduese për krishterimin apostat. (Zbul. 9:1) E gjashta ka të bëjë me sulmin më të madh të ushtrisë së kalorësve në histori dhe me fushatën botërore të predikimit që filloi më 1922. Buçima e fundit ka të bëjë me lindjen e Mbretërisë mesianike.

Mësime për ne:

9:10, 19. Deklaratat plot autoritet që bën «skllavi i besueshëm dhe i matur» në botimet e bazuara në Bibël, përmbajnë një mesazh thumbues. (Mat. 24:45) Ky mesazh përkon me bishtat e karkalecave që kanë «thumba si të akrepave», dhe me bishtat e kuajve të ushtrisë së kalorësve, që janë «porsi gjarpërinj». Pse? Sepse këto botime paralajmërojnë për «ditën e hakmarrjes» së Jehovait. (Isa. 61:2) Le të jemi të guximshëm dhe të zellshëm për t’i shpërndarë ato.

9:20, 21. Shumë njerëz zemërbutë që jetojnë në të ashtuquajturat kombe jo të krishtere, kanë reaguar mirë ndaj mesazhit që shpallim. Megjithatë, nuk presim një kthim në masë të njerëzve në këto kombe, të cilët quhen «njerëzit e tjerë». Sidoqoftë, ne ngulmojmë në shërbim.

12:15, 16. «Toka»—elementë brenda vetë sistemit të Satanait ose fuqitë sunduese në disa vende—mbështeti lirinë e adhurimit. Duke filluar nga vitet 1940, këto fuqi ‘përpinë lumin [e përndjekjes] që dragoi volli nga goja’. Vërtet, kur duhet, Jehovai mund të ndikojë tek autoritetet qeveritare që të bëjnë vullnetin e tij. Prandaj, në mënyrë të përshtatshme, Proverbat 21:1 thotë: «Zemra e mbretit është si rrëketë e ujit në dorën e Jehovait. Ai e kthen atë nga t’i pëlqejë.» Kjo duhet të na forcojë besimin te Perëndia.