Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhet të ngulim këmbë në preferencat tona?

A duhet të ngulim këmbë në preferencat tona?

A duhet të ngulim këmbë në preferencat tona?

DY FËMIJË po luajnë bashkë. Njëri prej tyre ia rrëmben nga dora lodrën e tij të preferuar fëmijës tjetër dhe i bërtet: «Është e imja.» Që nga fëmijëria, njerëzit e papërsosur shfaqin njëfarë egoizmi. (Zan. 8:21; Rom. 3:23) Për më tepër, bota në përgjithësi nxit frymën e egoizmit. Nëse duam ta shmangim këtë frymë, duhet të luftojmë fort kundër prirjeve egoiste. Nëse nuk e luftojmë, mund të bëhemi lehtë pengesë për të tjerët dhe mund të dobësojmë marrëdhënien tonë me Jehovain.—Rom. 7:21-23.

Duke na inkurajuar të marrim parasysh ndikimin që kanë veprimet tona te të tjerët, apostulli Pavël shkroi: «Gjithçka është e ligjshme, por jo gjithçka është dobiprurëse. Gjithçka është e ligjshme, por jo gjithçka ndërton.» Gjithashtu, ai tha: «Ruhuni të mos bëheni shkak pengese.» (1 Kor. 10:23, 32) Kështu, në çështjet ku përfshihen preferencat personale, është e mençur të pyesim veten: «A jam gati të heq dorë nga disa të drejta kur rrezikohet paqja e kongregacionit? A jam gati të ndjek parimet biblike, edhe kur nuk më leverdis?»

Kur zgjedhim punën

Shumë njerëz e konsiderojnë zgjedhjen e punës një vendim personal që ndikon shumë pak te të tjerët, në mos fare. Por, shqyrtoni përvojën e një biznesmeni nga një qytet i vogël në Amerikën e Jugut. Njerëzit e njihnin si bixhozçi dhe pijanec. Por kur studioi Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, përparoi nga ana frymore dhe ndryshoi mënyrën e jetesës. (2 Kor. 7:1) Kur shprehu dëshirën për të predikuar me kongregacionin, një plak e inkurajoi me takt të mendonte për llojin e punës që bënte. Për ca kohë, ai kishte qenë furnizuesi kryesor i alkoolit të pastër të kallamit të sheqerit—një produkt me shumë përdorime, që në atë zonë e përzienin zakonisht me pije joalkoolike dhe e përdornin vetëm për t’u dehur.

Ai e kuptoi se, nëse u predikonte njerëzve, por shiste akoma një pije të tillë, kjo do të prishte emrin e mirë të kongregacionit dhe mund të dëmtonte marrëdhënien e tij me Perëndinë. Megjithëse kishte një familje të madhe për të mbajtur, ai e la atë lloj tregtie. Tani e mban familjen duke shitur produkte letre. Ai, gruaja dhe dy nga pesë fëmijët e tyre janë pagëzuar. Me zell e me lirshmëri në të folur, predikojnë lajmin e mirë.

Kur zgjedhim shoqëritë

A është shoqëria me ata që nuk janë të krishterë të vërtetë thjesht një çështje preferencash personale apo në të përfshihen parimet biblike? Një motër donte të shkonte në një festë me një djalë që nuk ishte Dëshmitar. Megjithëse ishte paralajmëruar për rreziqet, ajo mendonte se ishte e drejta e saj të vendoste dhe kështu shkoi në festë. Që në fillim të festës, i dhanë një pije ku kishin hedhur ilaç gjumi të fortë. Kur u zgjua pas disa orësh, kuptoi që i ashtuquajturi shok e kishte përdhunuar.—Krahaso Zanafillën 34:2.

Edhe pse shoqërimi me jobesimtarë mund të mos përfundojë gjithmonë në tragjedi të tilla, Bibla paralajmëron: «Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur, por atij që shoqërohet me budallenjtë, do t’i shkojë keq.» (Prov. 13:20) Nuk ka dyshim: zgjedhja e shoqërive të këqija sjell rreziqe. «Mendjehollë është ai që e sheh të keqen dhe fshihet, kurse i papërvoji shkon tutje dhe vuan pasojat»,—thuhet te Proverbat 22:3. Shoqëritë mund të ndikojnë te ne dhe te marrëdhënia jonë me Perëndinë.—1 Kor. 15:33; Jak. 4:4.

Veshja dhe paraqitja e jashtme

Moda ndryshon çdo sezon. Por, parimet e Biblës për veshjen dhe paraqitjen e jashtme mbeten të pandryshueshme. Pavli i inkurajoi gratë e krishtere «të stolisen me veshje të rregullta, me modesti dhe mendje të shëndoshë»—një parim që vlen po kaq shumë edhe për burrat. (1 Tim. 2:9) Pavli nuk po këshillonte një mënyrë veshjeje tej mase të thjeshtë e as po thoshte që të gjithë të krishterët duhet të kenë të njëjtat shije. Po ç’mund të themi për modestinë? Një fjalor e përkufizon modestinë si «mungesë mendjemadhësie ose mburrjeje, . . . hijeshi në të veshur, në të folur ose në sjellje».

Duhet të pyesim veten: «A mund të them me ndershmëri se jam modest, nëse këmbëngul në të drejtën time për t’u veshur në një mënyrë që bie në sy për keq? A lë mënyra si vishem përshtypje të gabuara për atë që jam dhe për normat sipas së cilave jetoj?» Mund të shmangim ‘çdo shkak për pengesë’ në këtë drejtim, «duke parë me interes jo vetëm çështjet [tona], por edhe ato të të tjerëve».—2 Kor. 6:3; Filip. 2:4.

Në çështje biznesi

Kur lindën probleme serioze nga padrejtësi ose mashtrime në çështje biznesi në kongregacionin e Korintit, Pavli shkroi: «Përse nuk lejoni më mirë që t’ju bëhet një padrejtësi? Përse nuk lejoni më mirë që t’ju hanë hakun?» Ai i këshilloi të krishterët të ishin të gatshëm që më mirë të hiqnin dorë nga diçka, sesa të hidhnin në gjyq një vëlla. (1 Kor. 6:1-7) Një vëlla në Shtetet e Bashkuara e mori seriozisht këtë këshillë. Ai dhe punëdhënësi i tij i krishterë kishin një mosmarrëveshje për rrogat e prapambetura. Sipas udhëzimeve biblike, këta dy vëllezër biseduan disa herë, por pa rezultat. Së fundi, kërkuan ndihmën ‘e kongregacionit’ duke e paraqitur problemin para pleqve të krishterë.—Mat. 18:15-17.

Mjerisht, prapëseprapë çështja nuk mundi të zgjidhej. Pas shumë lutjesh, vëllai i punësuar vendosi të hiqte dorë nga pjesa më e madhe e parave që mendonte se i përkitnin. Pse? Më vonë, ai tha: «Kjo mosmarrëveshje po më hiqte gëzimin dhe po më hante kohën e çmuar që mund ta përdorja në veprimtari të krishtere.» Pasi mori atë vendim, vëllait iu kthye përsëri gëzimi dhe provoi bekimin e Jehovait në shërbim të tij.

Edhe në gjëra të vogla

Nëse nuk këmbëngulim në preferencat tona, kjo do të na sjellë bekime edhe në gjëra të vogla. Ditën e parë të një kongresi krahinor, një çift pionierësh mbërriti herët dhe zuri pikërisht ato vende që dëshironte. Kur filloi programi, një familje e madhe me disa fëmijë po hynte me nxitim në stadiumin e mbushur plot. Kur vuri re që kjo familje nuk kishte vende të mjaftueshme për t’u ulur, çifti i liroi vendet e veta. Kështu e gjithë familja mundi të ulej bashkë. Pak ditë pas kongresit, pionierët morën një letër falënderimi nga kjo familje. Letra shpjegonte se sa të shkurajuar ishin kur mbërritën me vonesë në kongres. Por, shumë shpejt, shkurajimi u shndërrua në gëzim dhe mirënjohje falë mirësisë së çiftit të pionierëve.

Kur na jepet rasti, le të heqim dorë me gatishmëri nga preferencat tona në dobi të të tjerëve. Duke shfaqur dashuri që «nuk kërkon interesat e veta», ndihmojmë për ruajtjen e paqes brenda kongregacionit dhe me fqinjët tanë. (1 Kor. 13:5) Por ç’është më e rëndësishme, ruajmë miqësinë me Jehovain.

[Figura në faqen 20]

A jeni gati të hiqni dorë nga preferencat tuaja kur zgjidhni çfarë të vishni?

[Figura në faqet 20, 21]

A jeni gati t’u lironi vendin vëllezërve tuaj?