Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ndikojnë fjalët e Jezuit në lutjet tona?

A ndikojnë fjalët e Jezuit në lutjet tona?

A ndikojnë fjalët e Jezuit në lutjet tona?

«Kur Jezui i mbaroi këto fjalë, turma mbeti e mahnitur nga mënyra se si mësonte.»—MAT. 7:28.

1, 2. Pse u mahnit turma nga mënyra si mësonte Jezui?

DUHET t’i pranojmë fjalët e Birit të vetëmlindur të Perëndisë, Jezu Krishtit, dhe t’i vëmë në jetë. Sigurisht, asnjë njeri nuk fliste si ai. E pra, njerëzit u mahnitën nga mënyra si i mësoi gjatë Predikimit në Mal.—Lexo Mateun 7:28, 29.

2 Biri i Jehovait nuk mësonte si skribët, fjalët e shumta të të cilëve bazoheshin në mësimet e njerëzve të papërsosur. Krishti mësonte «si një person me autoritet» sepse fjalët e tij vinin nga Perëndia. (Gjoni 12:50) Prandaj, le të shohim si mund dhe duhet të ndikojnë në lutjet tona fjalët e tjera të Jezuit në Predikimin në Mal.

Të mos lutemi kurrë si hipokritët

3. Cili ishte thelbi i fjalëve të Jezuit te Mateu 6:5?

3 Lutja është një pjesë e rëndësishme e adhurimit të vërtetë dhe duhet t’i lutemi rregullisht Jehovait. Por lutjet tona duhet të ndikohen nga fjalët e Jezuit në Predikimin në Mal. Ai tha: «Kur të luteni, mos jini si hipokritët, sepse atyre u pëlqen të luten duke qëndruar në këmbë nëpër sinagoga dhe nëpër qoshet e udhëve të gjera, që të duken. Vërtet po ju them: ata e kanë marrë tashmë të plotë shpërblimin e tyre.»Mat. 6:5.

4-6. (a) Pse farisenjve u pëlqente të luteshin «duke qëndruar në këmbë nëpër sinagoga dhe nëpër qoshet e udhëve të gjera»? (b) Në ç’kuptim këta hipokritë ‘e kishin marrë tashmë të plotë shpërblimin e tyre’?

4 Kur luteshin, dishepujt e Jezuit nuk duhej të imitonin «hipokritë» të tillë, si farisenjtë e vetëquajtur të drejtë, të cilët hiqeshin si fetar të mëdhenj. (Mat. 23:13-32) Atyre hipokritëve u pëlqente të luteshin «duke qëndruar në këmbë nëpër sinagoga dhe nëpër qoshet e udhëve të gjera». Pse? Vetëm ‘që të dukeshin’. Judenjtë e shekullit të parë e kishin zakon të luteshin si grup gjatë kohës së blatimeve të djegura në tempull (rreth orës nëntë të mëngjesit dhe tre të pasdites). Shumë banorë të Jerusalemit luteshin në zona të ndryshme të tempullit bashkë me adhurues të tjerë. Kurse judenjtë e devotshëm jashtë qytetit, shpesh luteshin dy herë në ditë ndërsa ‘qëndronin në këmbë nëpër sinagoga’.—Krahaso Lukën 18:11, 13.

5 Meqenëse shumica e njerëzve nuk ishin afër tempullit ose ndonjë sinagoge për lutjet e përmendura më sipër, ata mund të luteshin kudo që të ndodheshin në atë kohë. Disave u pëlqente që koha e lutjes t’i gjente «nëpër qoshet e udhëve të gjera». Ata donin ‘të dukeshin’ në sytë e njerëzve që kalonin në ato rrugë. Hipokritët fetarë ‘bënin lutje të gjata për t’u dukur’ që të admiroheshin nga ata që i shihnin. (Luka 20:47) Ne nuk duhet të kemi një qëndrim të tillë.

6 Jezui tha se këta hipokritë ‘e kishin marrë tashmë të plotë shpërblimin e tyre’. Ata dëshironin me zjarr që të tjerët t’i pranonin dhe t’i lavdëronin—e kjo ishte gjithçka që do të merrnin. Ky do të ishte shpërblimi i plotë për ta, pasi Jehovai nuk do t’u përgjigjej lutjeve të tyre hipokrite. Por, Perëndia do t’u përgjigjej lutjeve të dishepujve të vërtetë Krishtit, siç tregohet edhe nga fjalët e mëpasme të Jezuit në lidhje me këtë çështje.

7. Ç’donte të thoshte Jezui me këshillën për t’u lutur në ‘dhomën tonë’?

7 «Ti, megjithatë, kur të lutesh, hyr në dhomën tënde dhe, pasi të kesh mbyllur derën, lutju Atit tënd që është në fshehtësi. Atëherë Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë.» (Mat. 6:6) Këshilla e Jezuit për t’u lutur në një dhomë me derë të mbyllur, nuk do të thoshte se dikush nuk mund ta përfaqësonte një kongregacion në lutje. Kjo këshillë ishte kundër lutjeve publike që bëheshin për të tërhequr vëmendjen te vetja dhe për të marrë lëvdata. Nuk duhet ta harrojmë këtë kur kemi privilegjin të përfaqësojmë popullin e Perëndisë në lutje publike. Le t’i bindemi edhe këshillës tjetër që dha Jezui për lutjen.

8. Ç’problem duhet të shmangim në lidhje me lutjet sipas Mateut 6:7?

8 «Kur të lutesh, mos thuaj gjithnjë të njëjtat gjëra, si bëjnë njerëzit nga bota, të cilët kujtojnë se do të dëgjohen ngaqë përdorin shumë fjalë.» (Mat. 6:7) Pra, Jezui theksoi një problem tjetër lidhur me lutjen: përsëritjen. Ai nuk donte të thoshte se s’duhet t’i përsëritim asnjëherë në lutje kërkesat dhe shprehjet e falënderimit nga zemra. Në kopshtin e Getsemanisë, natën para se të vdiste, Jezui përdori «të njëjtat fjalë» në mënyrë të përsëritur.—Marku 14:32-39.

9, 10. Në ç’kuptim nuk duhet të bëjmë lutje të përsëritura?

9 Do të ishte gabim të imitonim lutjet e përsëritura ‘të njerëzve nga bota’. Ata përsëritin «gjithnjë» shprehje të mësuara përmendësh, ku përfshihen edhe shumë fjalë të panevojshme. Adhuruesit e Baalit nuk i ndihmoi fakti që thërritën emrin e këtij perëndie të rremë «që nga mëngjesi deri në mesditë, duke thënë: ‘O Baal, na u përgjigj!’» (1 Mbret. 18:26) Miliona njerëz sot bëjnë lutje të përsëritura e fjalëshume duke menduar më kot se «do të dëgjohen». Por Jezui na ndihmon të kuptojmë se, ‘përdorimi i shumë fjalëve’ në lutje të gjata e të përsëritura, s’ka vlerë fare për Jehovain. Jezui tha më tej:

10 «Mos u bëni si ata, sepse Perëndia, Ati juaj, e di se për ç’gjëra keni nevojë, madje përpara se t’ia kërkoni.» (Mat. 6:8) Ngaqë thoshin tepër fjalë kur luteshin, shumë udhëheqës fetarë judenj bëheshin si johebrenjtë. Lutja nga zemra që përfshin lëvdime, falënderime dhe kërkesa, është pjesë e rëndësishme e adhurimit të vërtetë. (Filip. 4:6) Megjithatë do të ishte e gabuar të thoshim gjithnjë të njëjtat gjëra me mendimin se përsëritja është e domosdoshme për t’i shprehur Perëndisë nevojat tona. Kur lutemi, nuk duhet të harrojmë se po i drejtohemi Atij që ‘e di se për ç’gjëra kemi nevojë, madje përpara se t’ia kërkojmë’.

11. Çfarë duhet të kemi parasysh nëse kemi privilegjin të bëjmë lutje publike?

11 Fjalët e Jezuit për lutjet e papranueshme, duhet të na kujtojnë se Perëndisë nuk i bëjnë përshtypje të folurit pompoz dhe fjalët e tepërta. Gjithashtu, duhet të kemi parasysh se lutjet publike nuk janë një rast për t’u bërë përshtypje dëgjuesve e as për t’i zgjatur aq shumë sa dëgjuesit të presin me padurim të thonë «Amin». As lutjet gjatë të cilave bëhen njoftime ose jepen këshilla për auditorin, nuk do të ishin në përputhje me frymën e asaj që tha Jezui në Predikimin në Mal.

Jezui na mëson si të lutemi

12. Si do ta shpjegonit domethënien e kërkesës «u shenjtëroftë emri yt»?

12 Megjithëse Jezui paralajmëroi kundër keqpërdorimit të privilegjit të madh të lutjes, ai i mësoi dishepujt edhe si të luteshin. (Lexo Mateun 6:9-13.) Lutja model që u dha, nuk duhet mësuar përmendësh që të recitohet në mënyrë të përsëritur. Përkundrazi, ajo shërben si një model për lutjet tona. Për shembull, duke filluar me fjalët: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt», Jezui vuri Perëndinë në radhë të parë. (Mat. 6:9) Është me vend t’i drejtohemi Jehovait me fjalët «Ati ynë», pasi ai është Krijuesi ynë që banon «në qiej», shumë larg prej tokës. (Ligj. 32:6; 2 Kron. 6:21; Vep. 17:24, 28) Përdorimi i shumësit «ynë», duhet të na kujtojë se edhe bashkëbesimtarët tanë kanë një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë. Shprehja «u shenjtëroftë emri yt», është një kërkesë që Jehovai të marrë masa për të shenjtëruar veten duke pastruar emrin e tij nga të gjitha sharjet e hedhura mbi të që nga rebelimi në Eden. Në përgjigje të kësaj lutjeje, Jehovai do të heqë ligësinë nga toka, duke shenjtëruar kështu emrin e tij.—Ezek. 36:23.

13. (a) Si do të përmbushet kërkesa «ardhtë mbretëria jote»? (b) Çfarë do të përfshijë bërja e vullnetit të Perëndisë në tokë?

13 «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.» (Mat. 6:10) Në lidhje me këtë kërkesë në lutjen model, duhet të kemi parasysh se «mbretëria» është qeveria mesianike qiellore në duart e Krishtit dhe të ‘të shenjtëve’ të ringjallur që e shoqërojnë. (Dan. 7:13, 14, 18; Isa. 9:6, 7) Duke u lutur që ajo ‘të vijë’, po kërkojmë që Mbretëria e Perëndisë të vijë kundër gjithë atyre në tokë që i kundërvihen sundimit të Perëndisë. Kjo do të ndodhë së shpejti, duke bërë të mundur kështu ardhjen e një parajse globale plot drejtësi, paqe dhe begati. (Psal. 72:1-15; Dan. 2:44; 2 Pjet. 3:13) Vullneti i Jehovait po bëhet në qiell, dhe duke u lutur që të bëhet edhe në tokë, po kërkojmë që Perëndia të përmbushë qëllimet e tij për planetin tonë. Një nga qëllimet e tij është edhe heqja e kundërshtarëve të sotëm, siç bëri në kohët e lashta.—Lexo Psalmin 83:1, 2, 13-18.

14. Pse është me vend të kërkojmë në lutje «bukën për këtë ditë»?

14 «Na e jep bukën për këtë ditë.» (Mat. 6:11; Luka 11:3) Me anë të kësaj lutjeje, po i kërkojmë Perëndisë të na sigurojë ushqimin e nevojshëm «për këtë ditë». Kjo tregon se kemi besim tek aftësia e Jehovait për t’u kujdesur për nevojat tona çdo ditë. Nuk është një lutje për të pasur me tepri. Kjo kërkesë për nevojat e përditshme, na kujton rastin kur Perëndia i urdhëroi izraelitët që secili të mblidhte «racionin e vet të përditshëm» të manës.—Dal. 16:4.

15. Çfarë duhet të bëjmë që Jehovai të na falë?

15 Kërkesa tjetër në lutjen model, na e drejton vëmendjen te diçka që duhet të bëjmë. Jezui tha: «Na i fal mëkatet, sikurse edhe ne i kemi falur ata që kanë mëkatuar kundër nesh.» (Mat. 6:12) Vetëm nëse «i kemi falur» tashmë ata që kanë mëkatuar kundër nesh, mund të presim që Jehovai të na falë. (Lexo Mateun 6:14, 15.) Duhet t’i falim bujarisht të tjerët.—Efes. 4:32; Kolos. 3:13.

16. Si duhet t’i kuptojmë kërkesat në lidhje me tundimin dhe çlirimin nga i ligu?

16 «Mos na ço në tundim, por na çliro nga i ligu.» (Mat. 6:13) Si duhet t’i kuptojmë këto dy kërkesa në lutjen model që kanë lidhje me njëra-tjetrën? Një gjë është e sigurt: Jehovai nuk na tundon që të mëkatojmë. (Lexo Jakovin 1:13.) «Tunduesi» i vërtetë është Satanai, «i ligu». (Mat. 4:3) Megjithatë, Bibla thotë për Perëndinë se bën disa gjëra që në të vërtetë ai thjesht i lejon. (Rutha 1:20, 21; Ekl. 11:5) Prandaj, duke thënë «mos na ço në tundim», i kërkojmë Jehovait që të mos na lejojë të dorëzohemi para tundimit për të mos iu bindur. Së fundi, lutja «na çliro nga i ligu» është një kërkesë që Jehovai të mos e lejojë Satanain të na mposhtë. Dhe mund të kemi besim se ‘Perëndia nuk do të lejojë që të tundohemi përtej asaj që mund të mbajmë’.—Lexo 1 Korintasve 10:13.

‘Vazhdoni të kërkoni dhe të trokitni’

17, 18. Ç’do të thotë ‘të vazhdojmë të kërkojmë dhe të trokasim’?

17 Apostulli Pavël i nxiti bashkëbesimtarët: «Ngulmoni në lutje.» (Rom. 12:12) Në ngjashmëri me këtë, Jezui theksoi një pikë të rëndësishme kur tha: «Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet, vazhdoni të kërkoni dhe do të gjeni, vazhdoni të trokitni dhe do t’ju hapet. Sepse kush kërkon, merr, kush kërkon, gjen dhe kujt troket, do t’i hapet.» (Mat. 7:7, 8) Është me vend ‘të vazhdojmë të kërkojmë’ çdo gjë që është në harmoni me vullnetin e Perëndisë. Duke iu përmbajtur fjalëve të Jezuit, apostulli Gjon shkroi: «Kjo është siguria që kemi tek [Perëndia]: çfarëdo që të kërkojmë sipas vullnetit të tij, ai na dëgjon.»—1 Gjon. 5:14.

18 Këshilla e Jezuit që ‘të vazhdojmë të kërkojmë’ do të thotë se duhet të lutemi me ngulm dhe të mos dorëzohemi. Gjithashtu, është e nevojshme ‘të vazhdojmë të trokasim’ që të hyjmë në Mbretëri dhe të gëzojmë bekimet, dobitë dhe shpërblimet e saj. Por, a mund të kemi besim se Perëndia do t’u përgjigjet lutjeve tona? Po, mund të kemi, nëse i qëndrojmë besnikë Jehovait, pasi Krishti tha: «Kush kërkon, merr, kush kërkon, gjen dhe kujt troket, do t’i hapet.» Shumë përvoja të shërbëtorëve të Jehovait dëshmojnë se Perëndia është vërtet ‘Dëgjuesi i lutjes’.—Psal. 65:2.

19, 20. Si ngjan Jehovai me një baba të dashur, duke pasur parasysh fjalët e Jezuit te Mateu 7:9-11?

19 Jezui e krahasoi Perëndinë me një atë të dashur që u jep gjëra të mira bijve të tij. Imagjinoni sikur të kishit qenë të pranishëm gjatë Predikimit në Mal e të dëgjonit Jezuin tek thoshte: «Kush nga ju, kur i biri t’i kërkojë bukë, do t’i japë një gur? Apo nëse i kërkon një peshk, mos do t’i japë një gjarpër? Prandaj, nëse ju, edhe pse të ligj, dini t’u jepni fëmijëve tuaj dhurata të mira, aq më shumë Ati juaj që është në qiej, do t’u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë!»Mat. 7:9-11.

20 Megjithëse relativisht ‘i lig’ për shkak të mëkatit të trashëguar, një baba njerëzor ka përzemërsi të natyrshme për bijtë e tij. Ai nuk do ta mashtronte të birin, por do të përpiqej fort që t’i siguronte «dhurata të mira». Duke vepruar si një baba me ne, Ati ynë i dashur qiellor na jep «gjëra të mira», si për shembull frymën e tij të shenjtë. (Luka 11:13) Ajo mund të na forcojë që t’i bëjmë shërbim të pranueshëm Jehovait, Siguruesit të ‘çdo dhurate të mirë dhe çdo gjëje të përsosur’.—Jak. 1:17.

Të vazhdojmë të nxjerrim dobi nga fjalët e Jezuit

21, 22. Çfarë ka të jashtëzakonshme Predikimi në Mal dhe ç’mendoni për këto fjalë të Jezuit?

21 Predikimi në Mal është vërtet fjalimi më madhështor që është mbajtur ndonjëherë në tokë. Është i pashoq për përmbajtjen frymore dhe qartësinë e tij. Siç tregojnë edhe pikat e theksuara në këtë seri artikujsh, mund të nxjerrim shumë dobi nëse i zbatojmë këshillat që gjejmë në këtë fjalim. Këto thënie të Jezuit mund të na përmirësojnë jetën tani dhe të na japin shpresën për një të ardhme të lumtur.

22 Në këta artikuj, kemi shqyrtuar vetëm disa nga gurët e çmuar frymorë të Predikimit në Mal të Jezuit. Nuk është për t’u habitur që ata që dëgjuan fjalimin e tij ‘mbetën të mahnitur nga mënyra se si mësonte’. (Mat. 7:28) Ky do të jetë pa dyshim edhe reagimi ynë nëse mbushim mendjen e zemrën me këto dhe fjalë të tjera të çmuara të Mësuesit të Madh, Jezu Krishtit.

Si do të përgjigjeshit?

• Çfarë tha Jezui për ata që luteshin me hipokrizi?

• Pse duhet t’i shmangim përsëritjet e fjalëve kur lutemi?

• Çfarë kërkesash përfshin lutja model e Jezuit?

• Si mund ‘të vazhdojmë të kërkojmë dhe të trokasim’?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 15]

Jezui dënoi hipokritët të cilët luteshin vetëm që t’i shihnin e t’i dëgjonin të tjerët

[Figura në faqen 17]

A e dini pse është me vend të lutemi për bukën e përditshme?