Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Ata vazhdojnë të ndjekin Qengjin»

«Ata vazhdojnë të ndjekin Qengjin»

«Ata vazhdojnë të ndjekin Qengjin»

«Ata vazhdojnë të ndjekin Qengjin, kudo që të shkojë.»—ZBUL. 14:4.

1. Si vepruan dishepujt e vërtetë të Jezuit kur disa nuk pranuan të ecnin më me të?

GATI dy vjet e gjysmë pasi kishte filluar shërbimin, Jezui «po mësonte para një grumbulli njerëzish në Kapernaum». Ngaqë u tronditën prej fjalëve të tij, «shumë dishepuj iu kthyen gjërave që kishin lënë prapa dhe nuk ecën më me të». Kur Jezui i pyeti 12 apostujt nëse edhe ata donin të iknin, Simon Pjetri u përgjigj: «Zotëri, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përhershme dhe ne kemi besuar dhe kemi arritur të njohim se ti je i Shenjti i Perëndisë.» (Gjoni 6:48, 59, 60, 66-69) Dishepujt e vërtetë të Jezuit vazhduan të ecnin me të. Pasi u mirosën me frymë të shenjtë, ata vazhduan t’i nënshtroheshin drejtimit të Jezuit.—Vep. 16:7-10.

2. (a) Kush është «skllavi i besueshëm dhe i matur» ose «kujdestari i besueshëm»? (b) Si ka lënë skllavi një shembull të shkëlqyer ‘duke ndjekur Qengjin’?

2 Ç’mund të thuhet për të krishterët e mirosur në kohët tona? Në profecinë për ‘shenjën e pranisë së tij dhe të përfundimit të sistemit’, Jezui e quajti grupin e dishepujve në tokë të mirosur nga fryma «skllavi i besueshëm dhe i matur» ose «kujdestari i besueshëm». (Mat. 24:3, 45; Luka 12:42) Si grup, klasa e skllavit ka lënë një shembull të shkëlqyer ‘duke ndjekur Qengjin, kudo që të shkojë’. (Lexo Zbulesën 14:4, 5.) Pjesëtarët e saj mbeten të virgjër në kuptimin frymor, duke mos u ndotur me bindjet dhe praktikat e ‘Babilonisë së Madhe’, perandorisë botërore të fesë së rreme. (Zbul. 17:5) ‘Në gojën e tyre nuk gjendet’ asnjë gënjeshtër doktrinale dhe ata qëndrojnë «të patëmetë» në botën e Satanait. (Gjoni 15:19) Në të ardhmen, të mirosurit e mbetur në tokë ‘do të ndjekin’ Qengjin në qiell.—Gjoni 13:36.

3. Pse është e rëndësishme të kemi besim te klasa e skllavit?

3 Jezui e ka emëruar skllavin e besueshëm dhe të matur «mbi shërbëtorët e shtëpisë së vet», domethënë mbi çdo pjesëtar të klasës së skllavit, «për t’u dhënë atyre ushqim në kohën e duhur». Gjithashtu e ka emëruar skllavin «mbi gjithë zotërimet e veta». (Mat. 24:45-47) Në këto ‘zotërime’ përfshihet ‘shumica e madhe’ e ‘deleve të tjera’ që po rritet gjithnjë e më shumë. (Zbul. 7:9; Gjoni 10:16) A nuk duhet të ketë besim çdo pjesëtar i të mirosurve dhe i ‘deleve të tjera’ te skllavi që është emëruar mbi ta? Ka shumë arsye pse klasa e skllavit meriton besimin tonë. Dy arsye të rëndësishme janë: (1) Jehovai ka besim te klasa e skllavit. (2) Gjithashtu, edhe Jezui ka besim te skllavi. Le të shqyrtojmë dëshmi që tregojnë se edhe Perëndia Jehova, edhe Jezu Krishti kanë besim të plotë te skllavi i besueshëm dhe i matur.

Jehovai ka besim te skllavi

4. Pse mund të kemi besim tek ushqimi frymor që siguron skllavi i besueshëm dhe i matur?

4 Si arrin skllavi i besueshëm dhe i matur të sigurojë ushqim të shëndetshëm frymor në kohën e duhur? Jehovai thotë: «Unë do të të jap gjykim të thellë dhe do të të mësoj udhën që duhet të ndjekësh.» Ai shton: «Do të të këshilloj duke i mbajtur sytë mbi ty.» (Psal. 32:8) Po, është Jehovai që i siguron drejtim skllavit. Prandaj, mund të kemi besim të plotë në gjykimin e thellë, kuptueshmërinë dhe drejtimin e bazuar në Shkrime që jep skllavi.

5. Ç’gjë tregon se fryma e Perëndisë po i jep fuqi klasës së skllavit?

5 Gjithashtu, Jehovai e bekon klasën e skllavit duke i dhënë frymën e shenjtë. Megjithëse fryma e Jehovait është e padukshme, fryti që prodhon tek ata mbi të cilët vepron, nuk është i padukshëm. Mendoni pak rreth asaj që ka arritur të bëjë skllavi i besueshëm dhe i matur për të dhënë dëshmi mbarëbotërore për Perëndinë Jehova, Birin e tij dhe Mbretërinë. Adhuruesit e Jehovait po shpallin aktivisht mesazhin për Mbretërinë në më tepër se 230 vende dhe ishuj. A nuk është kjo një dëshmi e pamohueshme se fryma e Perëndisë po i jep fuqi skllavit? (Lexo Veprat 1:8.) Për t’i siguruar ushqim frymor në kohën e duhur popullit të Jehovait në mbarë botën, klasa e skllavit duhet të marrë vendime shumë të rëndësishme. Kur merr vendime dhe i vë në zbatim, skllavi tregon dashuri, butësi dhe aspekte të tjera të frytit të frymës.—Gal. 5:22, 23.

6, 7. Sa besim ka Jehovai te skllavi i besueshëm?

6 Për të kuptuar sa besim ka Jehovai te skllavi i besueshëm, mendoni për atë që u ka premtuar pjesëtarëve të kësaj klase. Apostulli Pavël shkroi: «Trumbeta do të bjerë dhe të vdekurit do të ngrihen të paprishshëm, dhe ne do të shndërrohemi. Sepse ky që është i prishshëm, do të veshë paprishjen, dhe ky që është i vdekshëm, do të veshë pavdekësinë.» (1 Kor. 15:52, 53) Dishepujt e mirosur të Krishtit, të cilët i shërbejnë me besnikëri Perëndisë dhe vdesin në trup njerëzor të prishshëm, nuk ringjallen thjesht si krijesa frymore me jetë të përhershme. Atyre u jepet pavdekësia—një jetë e pafund dhe e pashkatërrueshme. Për më tepër, marrin paprishjen sepse u jepen trupa që nuk mund të shpërbëhen dhe që janë të vetëmjaftueshëm, domethënë nuk varen nga burime të jashtme energjie, siç varen krijesat e tjera, mishore ose frymore. Zbulesa 4:4 i përshkruan këta të ringjallur si të ulur në frone dhe me kurora prej ari mbi krye. Të krishterët e mirosur i pret lavdia e mbretërimit. Por ka edhe dëshmi të tjera.

7 «Erdhi martesa e Qengjit dhe nusja është gati. Po, asaj i është lejuar të vishet me li të shndritshëm, të pastër e të hollë, sepse liri i hollë përfaqëson veprat e drejta të të shenjtëve»,—thotë Zbulesa 19:7, 8. Jehovai i ka zgjedhur të krishterët e mirosur që të jenë nusja e ardhshme e Birit të tij. Paprishja, pavdekësia, mbretërimi dhe ‘martesa me Qengjin’—çfarë dhuratash të mahnitshme! Këto janë dëshmi emocionuese të besimit që ka Perëndia te të mirosurit, të cilët «vazhdojnë të ndjekin Qengjin, kudo që të shkojë».

Jezui ka besim te skllavi

8. Si tregon Jezui se ka besim te dishepujt e mirosur nga fryma?

8 Ç’dëshmi ekzistojnë se Jezui ka plotësisht besim te dishepujt e mirosur nga fryma? Natën e fundit të jetës së tij në tokë, Jezui u bëri një premtim 11 apostujve besnikë. Ai u tha: «Ju keni qëndruar bashkë me mua në sprovat e mia. Prandaj unë po bëj me ju një besëlidhje për një mbretëri, ashtu si Ati im ka bërë një besëlidhje me mua, që ju të hani e të pini në tryezën time, në mbretërinë time dhe të uleni në frone që të gjykoni dymbëdhjetë fiset e Izraelit.» (Luka 22:28-30) Në besëlidhjen që Jezui bëri me 11 apostujt do të përfshihen të gjithë 144.000 të krishterët e mirosur. (Luka 12:32; Zbul. 5:9, 10; 14:1) A do të bënte Jezui një besëlidhje me të mirosurit që të mbretëronin bashkë me të, nëse nuk do të kishte besim tek ata?

9. Çfarë përfshihet në «gjithë zotërimet» e Krishtit?

9 Për më tepër, Jezu Krishti e ka emëruar skllavin e besueshëm dhe të matur «mbi gjithë zotërimet e veta», domethënë mbi gjithë interesat e Mbretërisë në tokë. (Mat. 24:47) Disa nga këto zotërime janë godinat në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait e në zyrat e degëve nëpër vende të ndryshme, Sallat e Asambleve dhe Sallat e Mbretërisë në mbarë botën. Në to përfshihet edhe vepra e predikimit për Mbretërinë dhe e bërjes së dishepujve. A do t’i jepnit dikujt gjërat tuaja me vlerë që t’i ruante e t’i përdorte, nëse nuk do të kishit besim tek ai?

10. Ç’gjë tregon se Jezu Krishti është me dishepujt e tij të mirosur?

10 Pak para se të ngjitej në qiell, Jezui i ringjallur iu shfaq dishepujve besnikë dhe u bëri këtë premtim: «Ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.» (Mat. 28:20) A e ka mbajtur Jezui këtë premtim? Në 15 vitet e fundit, numri i kongregacioneve të Dëshmitarëve të Jehovait është rritur nga 70.000 në mbi 100.000—një rritje mbi 40 për qind. Por, ç’mund të themi për dishepujt e rinj? Afro 4,5 milionë dishepuj janë pagëzuar në 15 vitet e fundit—mesatarisht më shumë se 800 veta në ditë. Këto rritje të jashtëzakonshme, janë dëshmi të qarta se Krishti po i bekon mbledhjet e kongregacionit të organizuara nga klasa e skllavit dhe po e mbështet këtë klasë në veprën e bërjes së dishepujve.

Skllavi është i besueshëm dhe i matur

11, 12. Si është treguar i besueshëm dhe i matur skllavi?

11 Meqë Perëndia Jehova dhe Jezu Krishti kanë besim të plotë te skllavi i besueshëm dhe i matur, a nuk duhet të kemi edhe ne? Në fund të fundit, skllavi është treguar i besueshëm në kryerjen e veprës që i është caktuar. Për shembull, revista Kulla e Rojës ka 130 vjet që botohet. Mbledhjet, asambletë dhe kongreset e Dëshmitarëve të Jehovait vazhdojnë të na forcojnë besimin.

12 Skllavi i besueshëm është edhe i matur në kuptimin që, as tregohet jomodest duke vepruar para se Jehovai të japë drejtim, por as mbetet prapa kur Ai jep drejtim të qartë për një çështje. Për shembull, ndërsa udhëheqësit e fesë së rreme miratojnë, në heshtje ose haptazi, si normale sjelljen egoiste e të paperëndishme të njerëzve në botë, skllavi paralajmëron kundër grackave të sistemit të lig të Satanait. Skllavi është i aftë të japë paralajmërime të mençura e në kohën e duhur sepse Perëndia Jehova dhe Jezu Krishti po e bekojnë. Prandaj, skllavi meriton besimin tonë të plotë. Por, si mund të tregojmë se kemi besim te skllavi i besueshëm dhe i matur?

‘Shkoni’ me të mirosurit, teksa ndjekin Qengjin

13. Sipas profecisë së Zakarisë, si mund të tregojmë besim te skllavi i besueshëm dhe i matur?

13 Libri biblik i Zakarisë flet për «dhjetë burra» që i afrohen «një judeu» dhe i thonë: «Ne do të vijmë me ju.» (Lexo Zakarinë 8:23.) Meqë këtij «judeu» i drejtohen me përemrin «ju», kuptojmë se ai përfaqëson një grup njerëzish. Në kohën tonë, ai përfaqëson mbetjen e të krishterëve të mirosur nga fryma—pjesë e ‘Izraelit të Perëndisë’. (Gal. 6:16) ‘Dhjetë burrat nga të gjitha gjuhët e kombeve’, përfaqësojnë shumicën e madhe të deleve të tjera. Ashtu si të krishterët e mirosur e ndjekin Jezuin kudo që të shkojë, edhe shumica e madhe ‘shkon me’, ose e shoqëron, skllavin e besueshëm dhe të matur. Ata të shumicës së madhe kurrë nuk duhet të kenë turp të identifikohen si shoqërues të ‘pjesëmarrësve të thirrjes qiellore’. (Hebr. 3:1) Jezuit nuk i vjen turp t’i quajë të mirosurit «vëllezër».—Hebr. 2:11.

14. Si mund t’i mbështetim me besnikëri vëllezërit e Krishtit?

14 Jezu Krishti tha se kur mbështetim me besnikëri vëllezërit e tij, është si të mbështetim atë vetë. (Lexo Mateun 25:40.) Po si mund t’i mbështetin vëllezërit e mirosur të Krishtit ata që kanë shpresë tokësore? Kryesisht duke i ndihmuar në veprën e predikimit për Mbretërinë. (Mat. 24:14; Gjoni 14:12) Ndërsa numri i të mirosurve në tokë është zvogëluar gjatë dekadave, numri i deleve të tjera është rritur. Kur ata me shpresë tokësore marrin pjesë në veprën e dëshmisë, duke shërbyer nëse është e mundur si ungjillëzues në kohë të plotë, mbështetin të mirosurit nga fryma që të përmbushin caktimin për të bërë dishepuj. (Mat. 28:19, 20) Nuk duhen lënë pas dore as mundësitë për të mbështetur këtë vepër duke dhënë kontribute financiare në mënyra të ndryshme.

15. Si duhet të reagojë çdo i krishterë ndaj ushqimit frymor në kohën e duhur dhe ndaj vendimeve organizative të skllavit?

15 Si të krishterë, si e shohim individualisht ushqimin frymor në kohën e duhur që shpërndan skllavi i besueshëm nëpërmjet botimeve të bazuara në Bibël dhe mbledhjeve të krishtere? A e pranojmë me mirënjohje dhe e zbatojmë me gatishmëri atë që mësojmë? Si reagojmë ndaj vendimeve organizative që merr skllavi? Bindja me gatishmëri ndaj drejtimit që na jepet, tregon se kemi besim te mënyra si na udhëheq Jehovai.—Jak. 3:17.

16. Pse të gjithë të krishterët duhet të dëgjojnë vëllezërit e Krishtit?

16 Jezui tha: «Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin.» (Gjoni 10:27) Kjo është e vërtetë për të krishterët e mirosur. Ç’mund të themi për ata që u thonë të mirosurve «do të vijmë me ju»? Ata duhet të dëgjojnë Jezuin, por edhe vëllezërit e tij. Në fund të fundit, këtyre u është besuar përgjegjësia kryesore për t’u kujdesur për mirëqenien frymore të popullit të Perëndisë. Çfarë do të thotë të dëgjosh zërin e vëllezërve të Krishtit?

17. Çfarë do të thotë të dëgjojmë klasën e skllavit?

17 Skllavi i besueshëm dhe i matur sot përfaqësohet nga Trupi Udhëheqës, i cili merr drejtimin dhe bashkërendon veprën e predikimit për Mbretërinë anembanë tokës. Pjesëtarët e Trupit Udhëheqës janë pleq të mirosur e me përvojë. Këta, në veçanti, mund të përshkruhen si «ata që marrin drejtimin» mes nesh. (Hebr. 13:7) Ndërsa kujdesen për rreth 7.000.000 lajmëtarë të Mbretërisë në më tepër se 100.000 kongregacione në mbarë botën, këta mbikëqyrës të mirosur kanë «shumë për të bërë në veprën e Zotërisë». (1 Kor. 15:58) Të dëgjojmë klasën e skllavit, do të thotë të bashkëpunojmë plotësisht me Trupin Udhëheqës.

Ata që e dëgjojnë skllavin, bekohen

18, 19. (a) Si bekohen ata që dëgjojnë skllavin e besueshëm dhe të matur? (b) Për çfarë duhet të jemi të vendosur?

18 Që prej emërimit të tij, skllavi i besueshëm dhe i matur ‘ka çuar shumë veta në drejtësi’. (Dan. 12:3) Mes tyre përfshihen ata që kanë shpresën të mbijetojnë kur të shkatërrohet ky sistem i lig. Ç’bekim është ky qëndrim i drejtë në sytë e Perëndisë!

19 Ç’do të përjetojnë në të ardhmen ata që kanë dëgjuar zërin e skllavit, kur ‘qyteti i shenjtë, Jerusalemi i Ri [që përbëhet nga 144.000], të zbresë nga qielli, nga Perëndia, i përgatitur si një nuse e stolisur për burrin e saj’? Bibla thotë: «Vetë Perëndia do të jetë me ta. Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.» (Zbul. 21:2-4) Prandaj, kemi arsye të forta të dëgjojmë Krishtin dhe vëllezërit e tij të besueshëm të mirosur nga fryma!

Çfarë keni mësuar?

• Ç’dëshmi ekzistojnë se Jehovai ka besim te skllavi i besueshëm dhe i matur?

• Ç’gjë tregon se Jezu Krishti ka besim të plotë te klasa e skllavit?

• Pse kujdestari i besueshëm meriton besimin tonë?

• Si tregojmë se kemi besim te skllavi?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 25]

A e dini se cilët ka zgjedhur Jehovai si nusen e ardhshme të Birit të tij?

[Figurat në faqen 26]

Jezu Krishti i ka besuar skllavit të besueshëm dhe të matur «zotërimet» e tij

[Figura në faqen 27]

Kur marrim pjesë në veprën e dëshmisë, mbështetim të mirosurit nga fryma