Funeralet e krishtere—Dinjitoze, të thjeshta dhe të miratuara nga Perëndia
Funeralet e krishtere—Dinjitoze, të thjeshta dhe të miratuara nga Perëndia
KUDO dëgjohen të qara. Vajtuesit, të veshur me rroba të zeza karakteristike, vënë kujën e nga hidhërimi dalin jashtë kontrollit duke u përplasur në tokë. Kërcimtarët tunden sipas muzikës ritmike e të fortë. Të tjerë hanë e festojnë duke qeshur me zë të lartë e duke gëzuar. Ca dergjen përtokë, të dehur nga vera e palmës e nga birra që s’kanë të sosur. Me ç’rast janë mbledhur? Këto janë veçori tipike të funeraleve në disa vende të botës, ku qindra njerëz mblidhen së bashku për t’i dhënë lamtumirën dikujt që ka vdekur.
Shumë Dëshmitarë të Jehovait banojnë në zona ku të afërmit e fqinjët janë tepër të dhënë pas besëtytnive dhe i frikësohen shumë të vdekurve. Miliona njerëz besojnë se kur njeriu vdes ai bëhet një shpirt ose frymë që mund t’u vijë në ndihmë ose mund t’u bëjë keq të gjallëve. Ky besim ndërthuret me shumë zakone funeralesh. Kuptohet, të hidhërohesh për humbjen e një njeriu është diçka normale. Në disa raste, si Jezui, edhe dishepujt e tij u pikëlluan kur u vdiqën njerëz të afërt. (Gjoni 11:33-35, 38; Vep. 8:2; 9:39) Por, ata asnjëherë nuk imituan ndonjë nga shprehjet ekstreme të hidhërimit që ishin të zakonshme në ato kohë. (Luka 23:27, 28; 1 Sel. 4:13) Përse? Një nga arsyet ishte se dinin të vërtetën për vdekjen.
Bibla thotë qartë: «Të gjallët janë të vetëdijshëm se do të vdesin, por të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë. . . . Dashuria, urrejtja dhe xhelozia e tyre tashmë kanë marrë fund. . . . Nuk ka asnjë punë, as plan, as njohuri, as mençuri në Sheol [varri i përbashkët i njerëzimit], në vendin ku po shkon.» (Ekl. 9:5, 6, 10) Këto shkrime të frymëzuara të Biblës tregojnë qartë se kur njeriu vdes, nuk është më i vetëdijshëm. Ai nuk mendon, nuk ndien, nuk komunikon dhe nuk kupton asgjë. Atëherë, si duhet të ndikojë kjo e vërtetë e rëndësishme nga Bibla në mënyrën si duhen mbajtur funeralet e krishtere?
«Mjaft e prekët gjënë e papastër»
Pavarësisht nga prejardhja etnike ose kultura, Dëshmitarët e Jehovait shmangin kategorikisht çdo zakon që lidhet me besimin se të vdekurit janë të vetëdijshëm dhe se kanë fuqi të ndikojnë te të gjallët. Zakone të tilla, si: përgjimi i të vdekurve, festimet gjatë funeraleve, përvjetorët e funeraleve, flijimet për të vdekurit dhe ritet e vejërisë, janë të gjitha të papastra dhe të papëlqyera për Perëndinë, pasi lidhen me mësimin jobiblik dhe demonik se shpirti ose fryma nuk vdes. (Ezek. 18:4) Të krishterët e vërtetë ‘nuk mund të marrin pjesë edhe në «tryezën e Jehovait», edhe në tryezën e demonëve’, prandaj nuk i ndjekin këto zakone. (1 Kor. 10:21) Ata i binden urdhrit: «Ndahuni . . . dhe mjaft e prekët gjënë e papastër.» (2 Kor. 6:17) Por, kjo nuk është gjithmonë e lehtë.
Në Afrikë e gjetkë, shumë njerëz besojnë se po të mos ndiqen disa zakone, frymërat e paraardhësve do të fyhen. Moskryerja e këtyre riteve konsiderohet një fyerje e rëndë që mund të sjellë mallkim ose fatkeqësi për gjithë komunitetin. Ngaqë shërbëtorët e Jehovait nuk kanë pranuar të marrin pjesë në rite jobiblike të funeraleve, bashkëfshatarët ose farefisi kanë kritikuar, fyer e përjashtuar nga shoqëria shumë prej tyre. Disa i kanë akuzuar se janë
antishoqërorë dhe se nuk i respektojnë të vdekurit. Ndonjëherë, jobesimtarët kanë marrë përsipër me forcë të bëjnë funeralin e një të krishteri sipas riteve të tyre. Atëherë, si mund t’i shmangim përplasjet me ata që kërkojnë me çdo kusht ndjekjen e zakoneve të funeraleve që nuk i pëlqejnë Perëndisë? Dhe, ajo që është më e rëndësishme, ç’mund të bëjmë që të qëndrojmë larg riteve dhe zakoneve të papastra që mund ta dëmtojnë marrëdhënien tonë me Jehovain?Bëje të qartë qëndrimin tënd
Në disa vende të botës, është e zakonshme që pleqtë e fisit dhe të afërmit të kenë të drejtën të ndërhyjnë në organizimin funeralit. Prandaj një i krishterë besnik që është i afërt i të ndjerit, duhet ta bëjë të qartë se funeralin do ta organizojnë dhe do ta mbajnë Dëshmitarët e Jehovait sipas parimeve të Biblës. (2 Kor. 6:14-16) Ajo që ndodh në funeralin e një të krishteri nuk duhet t’u trazojë ndërgjegjen bashkëbesimtarëve, e as të pengojë ata që e dinë se çfarë besojmë dhe u mësojmë të tjerëve për të vdekurit.
Kur një përfaqësuesi të kongregacionit të krishterë i kërkohet të mbajë një funeral, pleqtë e emëruar mund të japin këshilla praktike dhe mbështetje frymore, që gjithçka të bëhet në harmoni me parimet biblike. Nëse disa që nuk janë Dëshmitarë duan të bëjnë ndonjë rit të papastër, është shumë e rëndësishme të jemi të vendosur dhe t’u shpjegojmë me guxim, mirësjellje e respekt qëndrimin tonë si të krishterë. (1 Pjet. 3:15) Po nëse të afërmit jobesimtarë vazhdojnë të ngulin këmbë për të kryer rite të papastra? Atëherë, pjesëtarët besimtarë të familjes mund të vendosin që më përpara të mos marrin pjesë në funeral. (1 Kor. 10:20) Kur ndodh një gjë e tillë, mund të mbahet një fjalim i thjeshtë funerali në Sallën e Mbretërisë a në një vend tjetër të përshtatshëm, ‘për të ngushëlluar nga Shkrimet’ ata që janë hidhëruar vërtet për vdekjen e të afërmit. (Rom. 15:4) Pavarësisht se trupi i të ndjerit nuk është aty, kjo ceremoni është dinjitoze dhe plotësisht e pranueshme. (Ligj. 34:5, 6, 8) Mbase ndërhyrjet pa vend të jobesimtarëve e shtojnë stresin dhe dhembjen, por mund të gjejmë ngushëllim duke ditur se Perëndia e sheh vendosmërinë tonë për të bërë atë që është e drejtë dhe na jep ‘fuqi përtej asaj që është normale’.—2 Kor. 4:7.
Hidhe me shkrim vullnetin tënd
Kur dikush ka hedhur me shkrim mënyrën se si dëshiron të mbahet funerali i tij, është më e lehtë të arsyetohet me pjesëtarët jobesimtarë të familjes, pasi ka më shumë të ngjarë që ta respektojnë vullnetin e të ndjerit. Nuk duhen lënë pa shkruar detaje të rëndësishme, si për shembull, mënyra si duhet mbajtur funerali, ku duhet bërë, si edhe vetëm kush është autorizuar për ta organizuar e mbajtur atë. (Zan. 50:5) Një dokument i firmosur në prani të dëshmitarëve është më i efektshmi. Ata që e planifikojnë të nesërmen me kuptueshmëri e mençuri të bazuar në parimet biblike, e dinë se nuk duhet të presin sa të jenë shumë të moshuar apo të kenë një sëmundje të pashërueshme, dhe pastaj të mendojnë për të bërë këtë hap.—Prov. 22:3; Ekl. 9:12.
Disa e kanë pasur të sikletshme të hedhin me shkrim mënyrën e mbajtjes së funeralit. Megjithatë, bërja e kësaj gjëje tregon pjekuri të krishterë dhe interesim të dashur për të tjerët. (Filip. 2:4) Është më mirë që këto gjëra të bëhen nga vetë personi, sesa t’i lihet barra e organizimit pjesëtarëve të pikëlluar të familjes, të cilët mund t’i detyrojnë të pranojnë zakone të papastra që i ndjeri as i besonte e as i miratonte.
Një funeral të thjeshtë
Në shumë vende të Afrikës, njerëzit besojnë se funerali duhet të jetë i madh e mbresëlënës që të mos inatosen frymërat e paraardhësve. Të tjerë përfitojnë nga funerali që ‘të kapardisen për t’u dukur’ për rangun shoqëror dhe nivelin ekonomik që kanë. (1 Gjonit 2:16) Harxhohen shumë kohë, energji dhe para për t’i bërë të ndjerit një funeral «të denjë» sipas botës. Për të tërhequr sa më shumë njerëz, vendosen në vende të ndryshme postera të mëdhenj me fotografinë e të ndjerit që reklamojnë funeralin. Bëhen bluza me portretin e tij që t’i veshin të pranishmit në funeral. Blihen arkivole të veçanta e të shtrenjta që t’u bëjnë përshtypje atyre që i shohin. Në një vend të Afrikës, për të treguar pasurinë, madhështinë dhe luksin, disa arrijnë deri aty sa ndërtojnë arkivole në forma makinash, avionësh, varkash etj. Trupin mund ta nxjerrin nga arkivoli dhe ta vendosin mbi një shtrat të zbukuruar. Për shembull, një gruaje që ka vdekur, mund t’i veshin fustan të bardhë nusërie, ta stolisin me lloj-lloj bizhuterish e rruazash dhe t’i bëjnë tualet. A do të ishte me vend që një adhurues i Perëndisë të merrte pjesë në zakone të tilla?
Të krishterët e pjekur e kuptojnë sa e mençur është t’i shmangin ekstremet pas të cilave jepen aq shumë ata që as i njohin e as duan t’ia dinë për normat e Perëndisë. Jemi të vetëdijshëm se zakonet dhe ritet e tepruara e jobiblike ‘nuk vijnë nga Ati, por nga bota që po kalon’. (1 Gjonit 2:15-17) Duhet të kemi shumë kujdes që të mos na tërheqë fryma jo e krishterë e konkurrencës, e të përpiqemi t’ua kalojmë të tjerëve. (Gal. 5:26) Përvoja ka treguar se kur frika nga të vdekurit është pjesë e rëndësishme e kulturës dhe jetës së një komuniteti, shpesh funeralet bëhen të mëdha e të vështira për t’u mbikëqyrur, si pasojë, shumë shpejt mund të dalin jashtë kontrollit. Nga përnderimi që kanë për të vdekurit, fare lehtë jobesimtarët mund të arrijnë deri aty sa të kryejnë sjellje të papastër. Në funerale të tilla, njerëzit mund të qajnë me zë të lartë e pa u përmbajtur, të përqafojnë kufomën, t’i flasin si të ishte gjallë dhe t’i vendosin para e gjëra të tjera. Sikur një gjë e tillë të ndodhte në një funeral të krishterë, kjo do të hidhte baltë mbi emrin e Jehovait dhe popullin e tij.—1 Pjet. 1:14-16.
Pa dyshim, ngaqë e dimë gjendjen e vërtetë të të vdekurve marrim guxim që të mos lejojmë të ketë asnjë gjurmë të botës gjatë funeraleve të krishtere. (Efes. 4:17-19) Megjithëse Jezui ishte njeriu më i madh e më i rëndësishëm që ka jetuar ndonjëherë, prapëseprapë i bënë një varrim të thjeshtë e pa bujë. (Gjoni 19:40-42) Ata që kanë «mendjen e Krishtit», nuk e konsiderojnë të turpshëm një varrim të tillë. (1 Kor. 2:16) Vërtet, funeralet e krishtere të thjeshta e pa teprime janë mënyra më e mirë për të shmangur gjërat që sipas Shkrimeve janë të papastra, si dhe për të ruajtur një atmosferë të qetë që është dinjitoze, e hijshme dhe e përshtatshme për ata që e duan Perëndinë.
A duhet të festohet?
Pas varrimit, mund të jetë zakon që shumë të afërm, komshinj e të tjerë të mblidhen për të festuar e kërcyer me muzikë të lartë. Shpesh në këto raste pihet shumë alkool dhe kryhet imoralitet. Disa mendojnë se kjo shërben për të larguar trishtimin e vdekjes. Të tjerë mendojnë se është thjesht pjesë e kulturës. Megjithatë, shumë mendojnë se ky aheng i shfrenuar është një rit i domosdoshëm kalimi për në botën tjetër, që duhet bërë për të nderuar e lëvduar të vdekurin dhe për të lejuar që shpirti i tij të bashkohet me paraardhësit.
Të krishterët e vërtetë kuptojnë sa e mençur është këshilla biblike: «Shqetësimi është më mirë se e qeshura, sepse kur ngryset fytyra, zemra bëhet më mirë.» (Ekl. 7:3) Për më tepër, ata e dinë se nxjerrin dobi kur meditojnë në qetësi për shpresën e ringjalljes dhe se sa e shkurtër është jeta. Vërtet, për ata që kanë një marrëdhënie të ngushtë personale me Jehovain «dita e vdekjes është më e mirë se dita e lindjes». (Ekl. 7:1) Kështu pra, duke ditur se këto festa lidhen me besime spiritiste dhe se në to kryhet imoralitet, për të krishterët e vërtetë është krejtësisht e papërshtatshme të organizojnë e madje të marrin pjesë në grumbullime të tilla. Shoqërimi me ata që marrin pjesë në këto ahengje, tregon mungesë respekti për Perëndinë dhe për ndërgjegjen e bashkadhuruesve të Jehovait.
Le të shihet dallimi
Sa mirënjohës jemi që nuk kemi frikë të sëmurë nga të vdekurit, e cila është kaq e zakonshme për ata që janë në errësirë frymore! (Gjoni 8:32) Si «fëmijë të dritës» e shprehim dhembjen dhe hidhërimin në një mënyrë që pasqyron kuptueshmëri frymore, pra, me thjeshtësi, respekt dhe duke gjetur ngushëllim në shpresën e sigurt të ringjalljes. (Efes. 5:8; Gjoni 5:28, 29) Kjo shpresë nuk do të na lërë të rrëmbehemi nga shprehjet e tepruara të hidhërimit, të cilat shihen shpesh tek ata që «nuk kanë asnjë shpresë.» (1 Sel. 4:13) Ajo do të na japë guximin për të qëndruar të patundur në adhurimin e pastër, pa iu nënshtruar frikës nga njeriu.—1 Pjet. 3:13, 14.
Sjellja jonë në përputhje të plotë me parimet biblike do t’u japë mundësi njerëzve ‘të shohin dallimin mes atij që i shërben Perëndisë dhe atij që nuk i shërben’. (Mal. 3:18) Do të vijë dita kur nuk do të ketë më vdekje. (Zbul. 21:4) Ndërsa presim përmbushjen e këtij premtimi të mrekullueshëm, urojmë që Jehovai të na gjejë të panjollë, të patëmetë dhe krejtësisht të ndarë nga kjo botë e ligë dhe nga praktikat e saj që e çnderojnë Atë!—2 Pjet. 3:14.
[Figura në faqen 30]
Është e mençur të hidhet me shkrim vullneti për mbajtjen e funeralit
[Figura në faqen 31]
Funeralet e krishtere duhet të jenë të thjeshta dhe dinjitoze