Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Le të lejojmë fjalët e Jezuit të ndikojnë te ne!

Le të lejojmë fjalët e Jezuit të ndikojnë te ne!

Le të lejojmë fjalët e Jezuit të ndikojnë te ne!

«Ai që dërgoi Perëndia, thotë fjalët e Perëndisë.»—GJONI 3:34.

1, 2. Me çfarë mund të krahasohen thëniet e Jezuit në Predikimin në Mal dhe pse mund të themi se bazoheshin te «fjalët e Perëndisë»?

NJË nga diamantet më të mëdha të prera që njihen deri më sot, është Ylli i Afrikës, 530 karatë. Vërtet një gur i çmuar! Por edhe më të çmuara janë xhevahiret frymore që gjenden në Predikimin në Mal të Jezuit. Nuk habitemi, pasi Burimi i fjalëve të Krishtit është Jehovai. Duke iu referuar Jezuit, Bibla thotë: «Ai që dërgoi Perëndia, thotë fjalët e Perëndisë.»—Gjoni 3:34-36.

2 Ndonëse Predikimi në Mal mund të ketë zgjatur më pak se gjysmë ore, në të përfshiheshin 21 citime nga tetë libra të Shkrimeve Hebraike. Pra, mbështetej fort te «fjalët e Perëndisë». Le të shohim tani se si mund të zbatojmë disa nga fjalët e shumta e tejet të çmuara që gjenden në këtë fjalim mjeshtëror të Birit të dashur të Perëndisë.

«Bëj më parë paqe me vëllanë tënd»

3. Ç’këshillë dha Jezui pasi i paralajmëroi dishepujt për pasojat e zemërimit?

3 Si të krishterë jemi të lumtur dhe paqësorë sepse kemi frymën e shenjtë të Perëndisë, dhe në frytin e saj bëjnë pjesë edhe gëzimi e paqja. (Gal. 5:22, 23) Jezui nuk donte që dishepujt të humbnin paqen dhe lumturinë, prandaj i paralajmëroi për pasojat vdekjeprurëse të zemërimit të tejzgjatur. (Lexo Mateun 5:21, 22.) Më pas, tha: «Nëse ti, pra, po paraqet ofertën tënde te altari dhe atje kujtohesh se yt vëlla ka diçka kundër teje, lëre atje ofertën tënde para altarit dhe shko pajtohu [bëj paqe, BR] më parë me vëllanë tënd; pastaj kthehu dhe paraqite ofertën tënde.»Mat. 5:23, 24, Diodati i Ri.

4, 5. (a) Çfarë ishte ‘oferta’ që përmendi Jezui te Mateu 5:23, 24? (b) Sa e rëndësishme është të bësh paqe me një vëlla të fyer?

4 ‘Oferta’ që përmendi Jezui ishte çdo gjë që paraqitej në tempullin e Jerusalemit. Për shembull, flijimet në kafshë ishin të rëndësishme ngaqë ishin pjesë e adhurimit që populli i bënte Jehovait. Por, Jezui theksoi diçka më të rëndësishme—para se dikush t’i paraqiste Perëndisë një ofertë, duhej të bënte paqe me një vëlla që ishte fyer prej tij.

5 ‘Të bësh paqe’ do të thotë ‘të pajtohesh’. Atëherë, ç’mësim mund të nxjerrim nga këto fjalë të Jezuit? Sigurisht, mënyra si sillemi me të tjerët ndikon drejtpërdrejt në marrëdhënien tonë me Jehovain. (1 Gjon. 4:20) Në të vërtetë, blatimet që i bëheshin Perëndisë në kohët e lashta ishin të kota nëse ai që i paraqiste, nuk i trajtonte siç duhej të tjerët.—Lexo Mikenë 6:6-8.

Përulësia luan një rol të rëndësishëm

6, 7. Pse nevojitet përulësi kur përpiqemi të rivendosim marrëdhënie paqësore me një vëlla që kemi fyer?

6 Bërja e paqes me një vëlla të fyer, mund të na vërë në provë përulësinë. Të përulurit nuk hahen me fjalë ose nuk grinden me bashkëbesimtarët për të treguar se kush ka të drejtë. Kjo do të krijonte një situatë të rrezikshme, të ngjashme me atë që ekzistonte mes të krishterëve në Korintin e lashtë. Në lidhje me atë situatë, apostulli Pavël theksoi diçka që të bën të mendosh: «Vërtet, për ju është një disfatë e plotë që jeni në gjyq me njëri-tjetrin. Përse nuk lejoni më mirë që t’ju bëhet një padrejtësi? Përse nuk lejoni më mirë që t’ju hanë hakun?»—1 Kor. 6:7.

7 Jezui nuk tha se duhet të shkojmë te vëllai vetëm e vetëm për ta bindur se ne kemi të drejtë dhe ai e ka gabim. Duhet të kemi si qëllim të rivendosim marrëdhënie paqësore. Që të bëjmë paqe, duhet t’i tregojmë me sinqeritet se si ndihemi. Gjithashtu, duhet të pranojmë se edhe tjetri është lënduar. Dhe, nëse kemi gabuar, sigurisht duhet të kërkojmë falje me përulësi.

‘Nëse syri yt i djathtë bëhet pengesë’

8. Cili është thelbi i fjalëve të Jezuit te Mateu 5:29, 30?

8 Në Predikimin në Mal, Jezui dha këshilla të dobishme për moralin. Ai e dinte se gjymtyrët e trupi tonë të papërsosur mund të kenë ndikim të rrezikshëm te ne. Prandaj, Jezui tha: «Nëse syri yt i djathtë po të bëhet pengesë, hiqe dhe flake tej. Sepse është më mirë të humbasësh një nga gjymtyrët, sesa të hidhet në Gehenë i gjithë trupi yt. Gjithashtu, nëse dora jote e djathtë po të bëhet pengesë, prite dhe flake tej. Sepse është më mirë të humbasësh një nga gjymtyrët, sesa të përfundojë në Gehenë i gjithë trupi yt.»Mat. 5:29, 30.

9. Në ç’mënyrë «syri» ose «dora» mund të bëhen pengesë?

9 «Syri» për të cilin foli Jezui, përfaqëson fuqinë ose aftësinë për ta përqendruar vëmendjen te diçka, kurse «dora» ka lidhje me atë çfarë bëjmë me duart. Nëse nuk tregojmë kujdes, këto pjesë të trupit mund të na bëjnë ‘të pengohemi’ dhe ‘të mos ecim më me Perëndinë’. (Zan. 5:22; 6:9) Pra, kur tundohemi të mos i bindemi Jehovait, është e nevojshme të marrim masa të forta, në kuptimin e figurshëm të heqim syrin ose të presim dorën.

10, 11. Çfarë mund të na ndihmojë të shmangim imoralitetin?

10 Ç’të bëjmë për të mos i lejuar sytë të përqendrohen në gjëra imorale? Jobi, një njeri që i frikësohej Perëndisë, tha: «Kam bërë një besëlidhje me sytë e mi. E si mund t’i ndalja sytë te një virgjëreshë?» (Jobi 31:1) Jobi ishte i martuar dhe i vendosur të mos shkelte ligjet morale të Perëndisë. Këtë qëndrim duhet të kemi edhe ne, qofshim të martuar ose beqarë. Që të shmangim imoralitetin, kemi nevojë të udhëhiqemi nga fryma e shenjtë e Perëndisë, e cila i ndihmon ata që e duan Perëndinë të kenë vetëkontroll.—Gal. 5:22-25.

11 Për të shmangur imoralitetin, duhet të pyesim veten: «A i lejoj sytë të më ngjallin oreks për materiale imorale që gjenden lehtë në libra, televizion ose Internet?» Le të kujtojmë edhe këto fjalë të dishepullit Jakov: «Secili sprovohet, i tërhequr dhe i joshur nga dëshira e vet. Pastaj dëshira, si bëhet pjellore, lind mëkatin, dhe mëkati, pasi kryhet, sjell vdekjen.» (Jak. 1:14, 15) Në fakt, nëse një individ i kushtuar ndaj Perëndisë ‘vazhdon të shikojë’ me qëllime imorale dikë të seksit tjetër, duhet të bëjë ndryshime drastike, që mund të krahasohen me heqjen dhe flakjen e syrit.—Lexo Mateun 5:27, 28.

12. Cila këshillë e Pavlit mund të na ndihmojë të luftojmë dëshirat imorale?

12 Meqenëse përdorimi i papërshtatshëm i duarve mund të çojë në shkelje të rënda të normave morale të Jehovait, duhet të jemi plotësisht të vendosur për të qëndruar të pastër moralisht. Prandaj, duhet t’i vëmë veshin këshillës së Pavlit: «Bëni . . . të vdesin gjymtyrët e trupit tuaj në tokë në lidhje me kurvërinë, ndyrësinë, urinë seksuale, dëshirat e dëmshme dhe lakminë, që është idhujtari.» (Kolos. 3:5) Shprehja ‘bëni të vdesin’, thekson masat e forta që duhen marrë për të luftuar dëshirat mishore imorale.

13, 14. Pse është jetësore të shmangim mendimet dhe veprimet imorale?

13 Për të shpëtuar jetën, një njeri ndoshta do të ishte i gatshëm t’i pritnin me operacion një gjymtyrë. ‘Flakja’ e figurshme e syrit dhe e dorës është jetësore për të shmangur mendimet dhe veprimet imorale, të cilat mund të na vënë në rrezik jetën frymore. Nëse qëndrojmë të pastër mendërisht, moralisht dhe frymësisht, kjo është e vetmja mënyrë për të shpëtuar nga shkatërrimi i përjetshëm që simbolizohet nga Gehena.

14 Për shkak të mëkatit dhe papërsosmërisë së trashëguar, kërkohen përpjekje për të ruajtur pastërtinë morale. Pavli tha: «E rrah me grushte trupin tim dhe e drejtoj si një skllav, që, pasi t’u kem predikuar të tjerëve, të mos bëhem vetë në njëfarë mënyre i pamiratuar.» (1 Kor. 9:27) Prandaj, le të jemi të vendosur të zbatojmë këshillën e Jezuit për moralin, duke mos e lejuar kurrë veten të veprojmë në mënyra që tregojnë mungesë mirënjohjeje për flijimin e tij shpërblyes.—Mat. 20:28; Hebr. 6:4-6.

«Bëjeni zakon të jepni»

15, 16. (a) Si la Jezui një shembull në lidhje me dhënien? (b) Ç’kuptim kanë fjalët e Jezuit te Luka 6:38?

15 Fjalët dhe shembulli i pashoq i Jezuit nxitin frymën e dhënies. Ai tregoi bujari të madhe duke ardhur në tokë për dobinë e njerëzimit të papërsosur. (Lexo 2 Korintasve 8:9.) Me gatishmëri, Jezui hoqi dorë nga lavdia qiellore që të bëhej njeri dhe të jepte jetën për njerëzit mëkatarë, disa prej të cilëve do të fitonin pasuri në qiell si bashkëtrashëgimtarë në Mbretërinë e tij. (Rom. 8:16, 17) Dhe sigurisht, ai nxiti bujarinë kur tha:

16 «Bëjeni zakon të jepni, dhe do t’ju japin. Do t’ju derdhin në prehër një masë të shkëlqyer, të ngjeshur, të tundur dhe që derdhet nga buzët. Sepse do t’ju matin me po atë masë që ju i matni të tjerët.» (Luka 6:38) ‘Derdhja në prehër’ i referohet një zakoni që kishin disa shitës, të cilët i mbushnin blerësit palën e veshjes së sipërme e të gjerë, e cila lidhej me një rrip mesi dhe bëhej si xhep për të mbajtur gjëra. Nëse jemi bujarë në mënyrë spontane, në këmbim mund të shpërblehemi në një masë të shkëlqyer, ndoshta kur jemi në nevojë.—Ekl. 11:2.

17. Si la Jehovai shembullin kryesor në lidhje me dhënien dhe ç’lloj dhënieje mund të na sjellë gëzim?

17 Jehovai i do dhe i shpërblen ata që japin me gëzim. Ai vetë la shembullin kryesor, duke dhënë Birin e tij të vetëmlindur «që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme». (Gjoni 3:16) Pavli shkroi: «Ai që mbjell dorëhapur, edhe do të korrë dorëhapur. Secili le të bëjë ashtu si ka vendosur në zemër, jo me pahir a me detyrim, sepse Perëndia do një dhënës të gëzuar.» (2 Kor. 9:6, 7) Nëse japim kohën, energjitë dhe të ardhurat tona për të çuar përpara adhurimin e vërtetë, me siguri kjo do të na sjellë shumë gëzim dhe bekime.—Lexo Proverbat 19:17; Lukën 16:9.

«Kur të japësh lëmoshë, mos i bjer trumbetës»

18. Në ç’raste ‘nuk do të kemi asnjë shpërblim’ nga Ati ynë qiellor?

18 «Kini mendjen që të mos e shfaqni drejtësinë tuaj vetëm për të rënë në sy para njerëzve, përndryshe nuk do të keni asnjë shpërblim nga Ati juaj që është në qiej.» (Mat. 6:1) Kur përdori termin ‘drejtësi’, Jezui e kishte fjalën për sjelljen që përputhet me vullnetin e Perëndisë. Ai nuk po thoshte se veprat e perëndishme nuk duheshin bërë kurrë në publik, pasi dishepujve u tha që ‘ta linin dritën e tyre të ndriçonte para njerëzve’. (Mat. 5:14-16) Por ‘nuk do të kemi asnjë shpërblim’ nga Ati ynë qiellor, nëse bëjmë gjëra «për të rënë në sy para njerëzve» dhe për t’u admiruar prej tyre, siç bëjnë aktorët në skenën e një teatri. Në qoftë se kemi motive të tilla, nuk do të gëzojmë një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë ose bekimet e përhershme të sundimit të Mbretërisë.

19, 20. (a) Ç’donte të thoshte Jezui kur tha ‘të mos i biem trumbetës’ kur japim «lëmoshë»? (b) Në ç’kuptim nuk lejojmë që dora jonë e majtë të dijë se ç’po bën e djathta?

19 Nëse kemi qëndrimin e duhur, do të ndjekim këshillën e Jezuit: «Kur të japësh lëmoshë, mos i bjer trumbetës, si bëjnë hipokritët nëpër sinagoga dhe nëpër rrugë, që të marrin lavdi nga njerëzit. Vërtet po ju them: ata e kanë marrë tashmë të plotë shpërblimin e tyre.» (Mat. 6:2) ‘Lëmoshat’ ishin dhurata për nevojtarët. (Lexo Isainë 58:6, 7.) Jezui dhe apostujt kishin një fond të përbashkët për të ndihmuar të varfrit. (Gjoni 12:5-8; 13:29) Meqë para se t’u jepeshin ndihma të varfërve nuk u bihej vërtet trumbetave, Jezui me sa duket përdori një hiperbolë kur tha se nuk duhet ‘t’u biem trumbetave’ kur japim «lëmoshë». Nuk duhet ta bëjmë publike një dhënie të tillë, siç bënin farisenjtë judenj. Jezui i quajti hipokritë sepse ata i bënin reklamë bamirësisë së tyre «nëpër sinagoga dhe nëpër rrugë». Këta hipokritë ‘e kishin marrë tashmë të plotë shpërblimin e tyre’. I gjithë shpërblimi që do të merrnin ishin lëvdatat e njerëzve dhe mbase vendet e para në sinagogë pranë rabinëve, pasi Jehovai nuk do t’u jepte asgjë. (Mat. 23:6) Po dishepujt e Krishtit, si duhej të vepronin? Jezui u tha atyre, por edhe neve:

20 «Por kur të japësh lëmoshë, dora e majtë të mos dijë se ç’po bën e djathta, që lëmoshën ta japësh në fshehtësi. Atëherë Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë.» (Mat. 6:3, 4) Zakonisht duart punojnë bashkë. Prandaj, që dora e majtë të mos dijë se ç’po bën e djathta, do të thotë të mos u bëjmë reklamë veprave tona bamirëse, madje as para atyre që janë aq afër nesh sa është dora e majtë me të djathtën.

21. Çfarë përfshihet në shpërblimin që do të na japë ai «që sheh në fshehtësi»?

21 Nëse nuk mburremi për dhuratat që japim, ‘lëmosha’ jonë do të jepet në fshehtësi. Atëherë, Ati ynë «që sheh në fshehtësi», do të na shpërblejë. Meqë banon në qiej dhe është i padukshëm për njerëzit, Ati ynë qiellor qëndron «në fshehtësi» për sytë e njerëzve. (Gjoni 1:18) Në shpërblimin që do të na japë ai «që sheh në fshehtësi», përfshihet fakti se Jehovai do të na ndihmojë të kemi një marrëdhënie të ngushtë me të, do të na falë mëkatet dhe do të na japë jetën e përhershme. (Prov. 3:32; Gjoni 17:3; Efes. 1:7) Ky shpërblim është shumë më mirë se çdo lëvdim nga njerëzit.

Fjalë të çmuara që duhet t’i kemi për zemër

22, 23. Pse duhet t’i kemi për zemër fjalët e Jezuit?

22 Predikimi në Mal, sigurisht është plot gurë të çmuar frymorë me shumë anë të bukura. Pa dyshim, në të gjenden fjalë të çmuara që mund të na sjellin gëzim në këtë botë me telashe. Po, do të jemi të lumtur nëse i kemi për zemër fjalët e Jezuit dhe lejojmë që të ndikojnë në sjelljen e në mënyrën tonë të jetesës.

23 Kushdo që «dëgjon» dhe «zbaton» atë çka na mësoi Jezui, do të bekohet. (Lexo Mateun 7:24, 25.) Prandaj, le të jemi të vendosur të zbatojmë këshillat e Jezuit. Disa thënie të tjera nga Predikimi në Mal, do të shqyrtohen në artikullin e fundit të kësaj serie.

Si do të përgjigjeshit?

• Pse është e rëndësishme të bëjmë paqe me një vëlla që është fyer?

• Ç’mund të bëjmë që ‘syri ynë i djathtë’ të mos bëhet pengesë për ne?

• Ç’qëndrim duhet të kemi në lidhje me dhënien?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 11]

Sa mirë është ‘të bësh paqe’ me një bashkëbesimtar që është fyer prej teje!

[Figurat në faqet 12, 13]

Jehovai i bekon ata që japin me gëzim