Pika kryesore nga libri i Zbulesës—Pjesa II
Fjala e Jehovait është e gjallë
Pika kryesore nga libri i Zbulesës—Pjesa II
ÇFARË rezervon e ardhmja për ata që adhurojnë Perëndinë Jehova dhe për ata që nuk e adhurojnë? Po për Satanain dhe demonët? Ç’bekime do të gëzojë njerëzimi i bindur gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit? Përgjigjet për këto dhe pyetje të tjera të rëndësishme i gjejmë te Zbulesa 13:1–22:21. * Këta kapituj përmbajnë 9 nga 16 vegimet që apostulli Gjon mori aty nga fundi i shekullit të parë të e.s.
«Lum ai që i lexon me zë dhe ata që i dëgjojnë fjalët e kësaj profecie! Lum ata që i zbatojnë gjërat e shkruara në të»,—thotë Gjoni. (Zbul. 1:3; 22:7) Leximi dhe zbatimi i asaj që mësojmë nga libri i Zbulesës, mund të na prekë zemrën, të na forcojë besimin te Perëndia e Biri i tij, Jezu Krishti, dhe të na japë një shpresë të ndritur për të ardhmen. *—Hebr. 4:12.
DERDHEN SHTATË KUPAT E ZEMËRIMIT TË PERËNDISË
Zbulesa 11:18 thotë: «Kombet u zemëruan dhe erdhi zemërimi yt [i Perëndisë]. Erdhi koha e caktuar . . . të rrënosh ata që rrënojnë tokën.» Duke dhënë arsyen e këtij zemërimi, vegimi i tetë tregon veprimtarinë e ‘një bishe . . . me dhjetë brirë dhe shtatë koka’.—Zbul. 13:1.
Në vegimin e nëntë, Gjoni sheh «Qengjin që qëndronte në malin e Sionit» dhe me të ishin «njëqind e dyzet e katër mijë». Ata «janë blerë nga gjiri i njerëzimit». (Zbul. 14:1, 4) Më pas, vijojnë shpallje engjëllore. Në vegimin tjetër, Gjoni sheh «shtatë engjëj me shtatë plagë». Me sa duket, vetë Jehovai i urdhëron këta engjëj që të derdhin «shtatë kupat e zemërimit të Perëndisë» mbi elemente të ndryshme të botës së Satanait. Kupat përmbajnë shpallje dhe paralajmërime të gjykimeve që do të ekzekutojë Perëndia. (Zbul. 15:1; 16:1) Këto dy vegime japim hollësi të gjykimeve të mëtejshme të Mbretërisë që lidhen me mjerimin e tretë dhe rënien e trumbetës së shtatë.—Zbul. 11:14, 15.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
13:8—Çfarë është ‘rrotulla e jetës e Qengjit’? Kjo është një rrotull figurative që përmban vetëm emrat e atyre që sundojnë me Jezu Krishtin në Mbretërinë e tij qiellore. Ajo përfshin edhe emrat e të krishterëve të mirosur ende në tokë, që kanë shpresën e jetës në qiell.
13:11-13—Në ç’kuptim bisha me dy brirë sillet si dragua dhe bën të zbresë zjarr nga qielli? Fakti që bisha me dy brirë, fuqia anglo-amerikane, flet si dragua, tregon se ajo përdor kërcënime, presione dhe dhunë për t’i detyruar të tjerët të pranojnë formën e saj të sundimit. Ajo bën të zbresë zjarr nga qielli, në kuptimin që merr një rol si prej profeti duke pretenduar se mposhti forcat e së ligës në dy luftërat botërore të shekullit të 20-të dhe ngadhënjeu mbi komunizmin.
16:17—Çfarë është ‘ajri’ ku derdhet kupa e shtatë? ‘Ajri’ simbolizon të menduarit satanik, ‘frymën [prirjen mendore] që tani vepron në bijtë e mosbindjes’. Këtë ajër helmues e thithin të gjithë ata që janë pjesë e sistemit të lig të Satanait.—Efes. 2:2.
Mësime për ne:
13:1-4, 18. «Bisha» që simbolizon qeveritë njerëzore del «nga deti», domethënë nga masa e trazuar e njerëzimit. (Isa. 17:12, 13; Dan. 7:2-8, 17) Kjo bishë, të cilën e ka krijuar dhe i ka dhënë fuqi Satanai, ka numrin 666 që tregon papërsosmëri të theksuar. Kur e kuptojmë se çfarë është bisha, nxitemi që as të mos e ndjekim me admirim, as të mos e adhurojmë, siç bën njerëzimi në përgjithësi.—Gjoni 12:31; 15:19.
13:16, 17. Pavarësisht nga vështirësitë që mund të hasim në aktivitetet e përditshme, si ‘blerja ose shitja’, nuk duhet të dorëzohemi para presionit të bishës për të sunduar jetën tonë. Po të pranonim ‘të merrnim damkën e bishës në dorë ose në ballë’, kjo do të thoshte ta lejonim bishën të kontrollonte veprimet tona ose të ndikonte në mendimet tona.
14:6, 7. Shpallja e engjëllit na tregon se duhet ta njoftojmë me urgjencë lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë që është vendosur. Duhet t’i ndihmojmë studentët tanë të Biblës që të zhvillojnë një frikë të shëndetshme ndaj Perëndisë dhe t’i japin atij lavdi.
14:14-20. Kur mbledhja e ‘të korrave të tokës’, domethënë mbledhja e atyre që do të shpëtojnë, të përfundojë, engjëlli do të hedhë «në shtypësen e madhe të zemërimit të Perëndisë» atë që është vjelë nga ‘hardhia e tokës’. Atëherë kjo hardhi, sistemi qeverisës i dukshëm dhe i korruptuar i Satanait mbi njerëzimin me «bistakët» e tij plot fryte të liga, do të zhduket përgjithmonë. Duhet të jemi të vendosur të mos ndikohemi nga hardhia e tokës.
16:13-16. ‘Shprehjet e frymëzuara të ndyra’ simbolizojnë propagandën demonike për të mos i lejuar mbretërit e tokës të lëkunden nga derdhja e shtatë kupave të zemërimit të Perëndisë, por që të manipulohen kundër Jehovait.—Mat. 24:42, 44.
16:21. Pak para fundit të kësaj bote, shpallja e gjykimeve të Jehovait kundër sistemit të lig të Satanait mund të përfshijë shprehje gojore jashtëzakonisht të rënda të gjykimeve të Perëndisë, që ndoshta paraqiten nga copa të ngurta akulli. Megjithatë, shumica e njerëzimit do të vazhdojë të blasfemojë Perëndinë.
MBRETI NGADHËNJIMTAR SUNDON
«Babilonia e Madhe», perandoria botërore e fesë së rreme, është një pjesë e neveritshme e botës së ligë të Satanait. Vegimi i 11-të e paraqit atë si ‘një prostitutë të madhe’, pra një grua të përdalë, ‘që rri ulur mbi një bishë me ngjyrë të kuqe të ndezur’. Ajo do të shkatërrohet plotësisht nga «dhjetë brirët» e po asaj bishe që po e mban. (Zbul. 17:1, 3, 5, 16) Duke e krahasuar prostitutën me ‘një qytet të madh’, vegimi vijues njofton rënien e saj dhe i bën thirrje urgjente popullit të Perëndisë që ‘të dalë prej saj’. Rënien e qytetit të madh e vajtojnë shumë veta. Por në qiell ka gëzim, sepse bëhet «martesa e Qengjit». (Zbul. 18:4, 9, 10, 15-19; 19:7) Në vegimin e 13-të, kalorësi me ‘një kalë të bardhë’ shkon të luftojë kundër kombeve. Ai i jep fund botës së ligë të Satanait.—Zbul. 19:11-16.
Ç’të themi për «gjarprin e hershëm, i cili është Djalli dhe Satanai»? Kur ‘do të hidhet në liqenin e zjarrit’? Kjo është një nga pikat e vegimit të 14-të. (Zbul. 20:2, 10) Dy vegimet e fundit japin pamje paraprake të jetës gjatë Mijëvjeçarit. Në fund të ‘zbulesës’, Gjoni sheh ‘një lumë me ujin e jetës që zbret përmes udhës së gjerë’ dhe dëgjon një ftesë të mrekullueshme që i bëhet ‘kujtdo që ka etje’.—Zbul. 1:1; 22:1, 2, 17.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
17:16; 18:9, 10—Pse «mbretërit e tokës» hidhërohen për institucionin që e shkatërruan vetë? Arsyeja e hidhërimit të tyre është krejtësisht egoiste. Pas shkatërrimit të Babilonisë së Madhe, mbretërit e tokës me sa duket kuptojnë se sa e dobishme ishte ajo për ta. Ajo u krijonte një fasadë fetare për veprat e tyre shtypëse. Gjithashtu, Babilonia e Madhe i ndihmonte të rekrutonin të rinj për fushat e betejës. Për më tepër, luante një rol të rëndësishëm për t’i mbajtur njerëzit të nënshtruar.
19:12—Si është e mundur që përveç Jezuit, askush nuk e di emrin e tij të pathënë? Ky emër duket se tregon pozitën dhe privilegjet, si ato që thuhen tek Isaia 9:6, që Jezui i gëzon gjatë ditës së Zotërisë. Askush përveç tij nuk e di këtë emër, në kuptimin që privilegjet e tij janë unike dhe vetëm ai mund të kuptojë ç’do të thotë të kesh një pozitë aq të lartë. Megjithatë, ka disa prej këtyre privilegjeve që i ka edhe klasa e nuses, dhe faktikisht ai ‘shkruan mbi ta emrin e tij të ri’.—Zbul. 3:12.
19:14—Cilët do të luftojnë përkrah Jezuit në Harmagedon? Në «ushtritë që ishin në qiell», të cilat bashkohen me Jezuin në luftën e Perëndisë, do të përfshihen engjëjt dhe fitimtarët e mirosur që tashmë kanë marrë shpërblimin e tyre qiellor.—Mat. 25:31, 32; Zbul. 2:26, 27.
20:11-15—Emrat e kujt shkruhen në ‘rrotullën [ose «librin»] e jetës’? Kjo rrotull përmban emrat e atyre që do t’u jepet jeta e përhershme, pra, të të krishterëve të mirosur, pjesëtarëve të shumicës së madhe dhe shërbëtorëve besnikë të Perëndisë që do të përfshihen në ‘ringjalljen e të drejtëve’. (Vep. 24:15; Zbul. 2:10; 7:9) Atyre që do të vijnë në jetë në ‘ringjalljen e të padrejtëve’, do t’u shkruhen emrat në ‘rrotullën e jetës’ vetëm nëse veprojnë sipas ‘gjërave të shkruara në rrotullat’ me udhëzime që do të hapen gjatë Mijëvjeçarit. Megjithatë, emrat nuk shkruhen me bojë që nuk fshihet. Emrat e të mirosurve bëhen të përhershëm kur këta tregohen besnikë deri në vdekje. (Zbul. 3:5) Ndërsa emrat e atyre që marrin jetën në tokë, bëhen të tillë kur kalojnë sprovën përfundimtare në fund të një mijë vjetëve.—Zbul. 20:7, 8.
Mësime për ne:
17:3, 5, 7, 16. «Mençuria nga lart» na ndihmon të kuptojmë «misterin e gruas dhe të bishës [me ngjyrë të kuqe të ndezur] që e mban» gruan. (Jak. 3:17) Kjo bishë simbolike filloi si Lidhja e Kombeve dhe më vonë u kthye sërish në jetë si Kombet e Bashkuara. A nuk duhet të na nxitë zbulimi i këtij misteri që të jemi të zellshëm për të predikuar lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë dhe për të shpallur ditën e gjykimit të Jehovait?
21:1-6. Jemi plotësisht të sigurt se bekimet e parathëna të sundimit të Mbretërisë, do të bëhen realitet. Pse? Sepse për to thuhet: «U plotësuan!»
22:1, 17. ‘Lumi me ujin e jetës’ përfaqëson masat e Jehovait për t’i rimëkëmbur njerëzit e bindur nga mëkati e vdekja. Një sasi e këtij uji është në dispozicion që tani. Le ta pranojmë me mirënjohje ftesën ‘për të marrë falas ujin e jetës’ dhe le t’ua përçojmë me zell edhe të tjerëve!
[Shënimet]
^ par. 3 Për një shqyrtim të Zbulesës 1:1–12:17, shih «Pika kryesore nga libri i Zbulesës—Pjesa I» në Kullën e Rojës të 15 janarit 2009.
^ par. 4 Për një shqyrtim varg për varg të librit të Zbulesës, shih botimin Zbulesa—Plotësimi i saj madhështor është afër!
[Figura në faqen 5]
Ç’bekime të mrekullueshme do të përjetojë njerëzimi i bindur nën sundimin e Mbretërisë!