Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si na bëjnë të lumtur fjalët e Jezuit?

Si na bëjnë të lumtur fjalët e Jezuit?

Si na bëjnë të lumtur fjalët e Jezuit?

«[Jezui] u ngjit në mal dhe . . . dishepujt i shkuan pranë. Ai nisi . . . t’i mësonte.»—MAT. 5:1, 2.

1, 2. (a) Në cilat rrethana e mbajti Jezui Predikimin në Mal? (b) Si e filloi këtë fjalim?

ËSHTË viti 31 i e.s. Jezui e ndërpret përkohësisht predikimin nëpër Galile për të kremtuar pashkën në Jerusalem. (Gjoni 5:1) Kur kthehet në Galile, ai i lutet gjithë natën Perëndisë që ta drejtojë për zgjedhjen e 12 apostujve. Të nesërmen, grumbullohet një turmë dhe Jezui shëron të sëmurët. Në prani të dishepujve dhe të të tjerëve, Jezui ulet në një shpat mali dhe fillon t’i mësojë.—Mat. 4:23–5:2; Luka 6:12-19.

2 Jezui e fillon fjalimin e tij, Predikimin në Mal, duke treguar se lumturia vjen nga një marrëdhënie e mirë me Perëndinë. (Lexo Mateun 5:1-12.) Lumturia është një gjendje kënaqësie të thellë dhe gëzimi të madh. Në të nëntë rastet kur Jezui foli për lumturinë, ai theksoi arsyen pse të krishterët janë të lumtur. Sot, fjalët e tij janë po aq të dobishme sa ishin edhe rreth 2.000 vjet më parë. Le t’i marrim në shqyrtim ato.

«Ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë»

3. Ç’do të thotë të jesh i vetëdijshëm se ke nevojë të mësosh për Perëndinë?

3 «Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë, sepse atyre u përket mbretëria e qiejve!» (Mat. 5:3) «Ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë» e kuptojnë se janë të skamur frymësisht dhe kanë nevojë për mëshirën e Perëndisë.

4, 5. (a) Pse janë të lumtur ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë? (b) Si mund ta plotësojmë një nevojë të tillë?

4 Ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë, janë të lumtur «sepse atyre u përket mbretëria e qiejve». Ngaqë pranuan Jezuin si Mesinë, dishepujve të hershëm iu dha mundësia të sundonin me të në Mbretërinë qiellore të Perëndisë. (Luka 22:28-30) Pavarësisht nëse shpresojmë të jemi bashkëtrashëgimtarë me Krishtin në qiell, apo të jetojmë përgjithmonë në parajsën tokësore nën sundimin e Mbretërisë, mund të jemi të lumtur nëse jemi vërtet të vetëdijshëm se kemi nevojë të mësojmë për Perëndinë dhe se varemi prej Tij.

5 Jo të gjithë njerëzit janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë, pasi shumë nuk kanë besim dhe nuk i çmojnë gjërat e shenjta. (2 Sel. 3:1, 2; Hebr. 12:16) Një nevojë e tillë mund të plotësohet në disa mënyra, si: studimi i thellë i Biblës, pjesëmarrja e zellshme në veprën e bërjes së dishepujve dhe prania e rregullt në mbledhjet e krishtere.—Mat. 28:19, 20; Hebr. 10:23-25.

Ata që vajtojnë janë ‘të lumtur’

6. Cilët janë «ata që vajtojnë» dhe pse janë ‘të lumtur’?

6 «Lum ata që vajtojnë, sepse do të ngushëllohen!» (Mat. 5:4) «Ata që vajtojnë» janë po ata lloj personash «që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë». Ata nuk vajtojnë në kuptimin që ankohen për shortin e tyre në jetë. Vajtojnë sepse janë të trishtuar për gjendjen e tyre mëkatare dhe për kushtet që ekzistojnë si pasojë e papërsosmërisë njerëzore. Pse janë ‘të lumtur’ persona të tillë? Sepse tregojnë besim te Perëndia e te Krishti dhe ngushëllohen ngaqë kanë një marrëdhënie të mirë me Jehovain.—Gjoni 3:36.

7. Ç’duhet të mendojmë për botën e Satanait?

7 A vajtojmë personalisht për padrejtësitë që janë kaq të përhapura në botën e Satanait? Ç’mendojmë për gjërat që na ofron kjo botë? Apostulli Gjon shkroi: «Gjithçka e botës: dëshirat e mishit, dëshirat e syve dhe kapardisja për t’u dukur me të mirat materiale, nuk vjen nga Ati.» (1 Gjon. 2:16) Por, çfarë duhet të bëjmë nëse kuptojmë se gjendja jonë frymore po gërryhet nga ‘fryma e botës’, domethënë, forca shtytëse që sundon shoqërinë njerëzore të larguar nga Perëndia? Atëherë, le të lutemi me zjarr, të studiojmë Fjalën e Perëndisë dhe të kërkojmë ndihmën e pleqve. Teksa i afrohemi më shumë Jehovait, ‘do të gjejmë ngushëllim’, pavarësisht nga gjërat që na shqetësojnë.—1 Kor. 2:12; Psal. 119:52; Jak. 5:14, 15.

«Lum ata që janë me natyrë të butë!»

8, 9. Ç’do të thotë të jesh me natyrë të butë dhe pse janë të lumtur persona të tillë?

8 «Lum ata që janë me natyrë të butë, sepse do të trashëgojnë tokën!» (Mat. 5:5) ‘Butësia e karakterit’, ose zemërbutësia, nuk nënkupton dobësi apo mirësjellje hipokrite. (1 Tim. 6:11) Nëse jemi me natyrë të butë, do të shfaqim zemërbutësi duke bërë vullnetin e Jehovait dhe duke pranuar drejtimin e tij. Butësia e karakterit do të shihet edhe në mënyrën si sillemi me bashkëbesimtarët dhe me të tjerët. Një zemërbutësi e tillë është në përputhje me këshillën e apostullit Pavël.—Lexo Romakëve 12:17-19.

9 Pse janë të lumtur ata me natyrë të butë? Sepse «do të trashëgojnë tokën», tha Jezui, i cili ishte vetë me natyrë të butë. Ai është Trashëgimtari kryesor i tokës. (Psal. 2:8; Mat. 11:29; Hebr. 2:8, 9) Por, tokën do ta trashëgojnë edhe ‘bashkëtrashëgimtarët me Krishtin’, të cilët janë me natyrë të butë. (Rom. 8:16, 17) Gjithashtu, shumë zemërbutë të tjerë do të gëzojnë jetën e përhershme në tokë nën sundimin e Mbretërisë së Jezuit.—Psal. 37:10, 11.

10. Si mund të ndikojë mungesa e butësisë te privilegjet tona të shërbimit dhe te marrëdhënia jonë me të tjerët?

10 Ashtu si Jezui, edhe ne duhet të jemi me natyrë të butë. Por, po sikur të njihemi se kemi një qëndrim luftarak? Për shkak të një qëndrimi të tillë agresiv dhe armiqësor, të tjerët mund të na shmangen. Nëse jemi vëllezër dhe dëshirojmë të kemi përgjegjësi në kongregacion, ky qëndrim na skualifikon. (1 Tim. 3:1, 3) Pavli i tha Titit të vazhdonte t’u kujtonte të krishterëve në Kretë që ‘të mos kishin një qëndrim luftarak, të ishin të arsyeshëm e të tregonin tërë butësinë me të gjithë njerëzit’. (Titit 3:1, 2) Ç’bekim është për të tjerët një butësi e tillë!

Ata që kanë uri për «drejtësinë»

11-13. (a) Ç’do të thotë të kesh uri dhe etje për drejtësinë? (b) Si «ngopen» ata që kanë uri dhe etje për drejtësinë?

11 «Lum ata që kanë uri dhe etje për drejtësinë, sepse do të ngopen!» (Mat. 5:6) ‘Drejtësia’ për të cilën po fliste Jezui nënkupton të bësh atë që është e drejtë në përputhje me vullnetin dhe urdhërimet e Perëndisë. Psalmisti tha se ‘tretej përherë nga dëshira’ për vendimet e drejta gjyqësore të Perëndisë. (Psal. 119:20) A e çmojmë kaq shumë drejtësinë, sa të kemi uri dhe etje për të?

12 Jezui tha se ata që do të kishin uri dhe etje për drejtësinë, do të ishin të lumtur sepse ‘do të ngopeshin’. Kjo u bë e mundur pas festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., sepse në atë kohë fryma e shenjtë e Jehovait filloi ‘të jepte dëshmi bindëse për drejtësinë’. (Gjoni 16:8) Nëpërmjet frymës së shenjtë, Perëndia frymëzoi burra që të shkruanin Shkrimet e Krishtere Greke, të cilat janë të dobishme «për të disiplinuar në drejtësi». (2 Tim. 3:16) Gjithashtu, fryma e Perëndisë na ndihmon ‘të veshim personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi të vërtetë’. (Efes. 4:24) A nuk ngushëllohemi duke ditur se ata që kërkojnë të penduar faljen e mëkateve në bazë të flijimit shpërblyes të Jezuit, mund të fitojnë një qëndrim të drejtë para Perëndisë?—Lexo Romakëve 3:23, 24.

13 Nëse kemi shpresë tokësore, uria dhe etja jonë për drejtësinë do të shuhen plotësisht kur të gëzojmë jetën e përhershme në kushte të drejta në tokë. Ndërkohë, le të jemi të vendosur të jetojmë në përputhje me normat e Jehovait. Jezui tha: «Vazhdoni të kërkoni në radhë të parë mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë.» (Mat. 6:33) Kështu do të kemi shumë për të bërë në shërbim të Perëndisë dhe do të jemi të lumtur.—1 Kor. 15:58.

Pse janë të lumtur «të mëshirshmit»?

14, 15. Si mund të tregojmë mëshirë dhe pse janë të lumtur «të mëshirshmit»?

14 «Lum të mëshirshmit, sepse do t’u tregohet mëshirë!» (Mat. 5:7) «Të mëshirshmit» motivohen nga dhembshuria dhe keqardhja për të tjerët. Jezui, me anë të mrekullive, ua lehtësoi vuajtjet shumë vetave ngaqë ndiente keqardhje për ta. (Mat. 14:14) Mëshira shfaqet edhe kur njerëzit falin ata që kanë mëkatuar ndaj tyre, ashtu si Jehovai fal me mëshirë ata që janë penduar. (Dal. 34:6, 7; Psal. 103:10) Mund të tregojmë mëshirë në këtë mënyrë, si dhe me anë të fjalëve e veprave të mira që u sjellin lehtësim atyre që janë në nevojë. Një mënyrë e shkëlqyer për të treguar mëshirë është duke u dhënë të vërtetat biblike të tjerëve. Në një rast, Jezui, i shtyrë nga keqardhja për një turmë, «nisi t’u mësonte shumë gjëra».—Mar. 6:34.

15 Kemi arsye për të qenë dakord me pohimin e Jezuit: «Lum të mëshirshmit, sepse do t’u tregohet mëshirë!» Nëse i trajtojmë të tjerët me mëshirë, ka të ngjarë që edhe ata të reagojnë po njësoj ndaj nesh. Mëshira që kemi treguar ndaj të tjerëve, mund të ngadhënjejë mbi çdo gjykim të pafavorshëm që përndryshe Perëndia do të jepte kundër nesh kur të na gjykonte. (Jak. 2:13) Falja e mëkateve dhe jeta e përhershme janë vetëm për të mëshirshmit.—Mat. 6:15.

Pse janë të lumtur «ata me zemër të kulluar»?

16. Ç’do të thotë të jesh «me zemër të kulluar» dhe në ç’kuptim e «shohin Perëndinë» ata që kanë këtë cilësi?

16 «Lum ata me zemër të kulluar, sepse do të shohin Perëndinë!» (Mat. 5:8) Nëse jemi «me zemër të kulluar», kjo do të bëhet e dukshme në gjërat që i kemi për zemër, në dëshirat dhe në motivet tona. Do të shfaqim ‘dashuri nga një zemër e pastër’. (1 Tim. 1:5) Duke qenë të pastër nga brenda, ‘do të shohim Perëndinë’. Kjo nuk do të thotë medoemos të shohim Jehovain në kuptimin e mirëfilltë, sepse ‘asnjë njeri nuk mund ta shohë Perëndinë e të jetojë’. (Dal. 33:20) Sidoqoftë, kur Jezui tha: «Ai që më ka parë mua, ka parë edhe Atin», tregoi se një mënyrë si mund të shihej Perëndia ishte duke vëzhguar Jezuin, meqë pasqyroi në mënyrë të përsosur personalitetin e Perëndisë. (Gjoni 14:7-9) Gjithashtu, si adhurues të Jehovait në tokë, mund ‘ta shohim Perëndinë’ duke parë si vepron në dobinë tonë. (Jobi 42:5) Dhe, për të krishterët e mirosur, pika kulmore kur shohin Perëndinë, është kur ringjallen në jetën frymore dhe e shohin vërtet Atin e tyre qiellor.—1 Gjon. 3:2.

17. Ç’ndikim do të ketë te ne një zemër e kulluar?

17 Meqenëse një zemër e kulluar është e pastër moralisht dhe frymësisht, ajo nuk përqendrohet në gjëra që janë të papastra në sytë e Jehovait. (1 Kron. 28:9; Isa. 52:11) Në qoftë se jemi me zemër të kulluar, ajo çfarë themi e bëjmë do të jetë e pastër dhe në shërbimin tonë ndaj Jehovait nuk do të ketë aspak hipokrizi.

«Paqebërësit» bëhen bij të Perëndisë

18, 19. Si sillen «paqebërësit»?

18 «Lum paqebërësit, sepse do të quhen ‘bij të Perëndisë’!» (Mat. 5:9) «Paqebërësit» identifikohen nga gjërat që bëjnë ose nuk bëjnë. Nëse jemi ata lloj personash që kishte ndër mend Jezui, do të jemi paqebërës dhe ‘nuk do t’ia kthejmë kurrkujt të keqen me të keqe’. Përkundrazi, ‘do të ndjekim gjithmonë atë që është e mirë ndaj të tjerëve’.—1 Sel. 5:15.

19 Që të jemi ‘paqebërës’, duhet të nxitim me zell paqen. Paqebërësit nuk bëjnë asgjë që «ndan shokët e ngushtë». (Prov. 16:28) Si paqebërës, ndërmarrim hapa pozitivë që ‘të ndjekim paqen me të gjithë’.—Hebr. 12:14.

20. Cilët janë tani «bij të Perëndisë» dhe kush janë të tjerët që do të bëhen fëmijë të Perëndisë?

20 Paqebërësit janë të lumtur sepse «do të quhen ‘bij të Perëndisë’». Të krishterët e mirosur besnikë janë birësuar nga Jehovai dhe janë «bij të Perëndisë». Ata tashmë kanë një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain si fëmijë të tij, sepse tregojnë besim te Krishti dhe adhurojnë me gjithë zemër ‘Perëndinë e dashurisë dhe të paqes’. (2 Kor. 13:11; Gjoni 1:12) Ç’të themi për ‘delet e tjera’ paqebërëse të Jezuit? Ata do të kenë Jezuin si ‘Atë të Përjetshëm’ gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar, por në fund të këtij Mbretërimi ai do t’i nënshtrohet Jehovait dhe ata do të bëhen plotësisht fëmijë të Perëndisë.—Gjoni 10:16; Isa. 9:6; Rom. 8:21; 1 Kor. 15:27, 28.

21. Si do të sillemi nëse «jetojmë sipas frymës»?

21 Nëse «jetojmë sipas frymës», të tjerët do ta vërejnë menjëherë se jemi paqebërës. Nuk ‘do të ngjallim konkurrencë me njëri-tjetrin’ ose nuk ‘do të provokojmë njëri-tjetrin’. (Gal. 5:22-26; Diodati i Ri) Përkundrazi, do të bëjmë çmos të jemi «paqësorë me të gjithë».—Rom. 12:18.

Të lumtur, ndonëse të përndjekur!

22-24. (a) Pse janë të lumtur ata që përndiqen për hir të drejtësisë? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në dy artikujt vijues?

22 «Lum ata që përndiqen për hir të drejtësisë, sepse atyre u përket mbretëria e qiejve!» (Mat. 5:10) Duke shpjeguar më tej, Jezui tha: «Lum ju, kur njerëzit ju poshtërojnë e ju përndjekin dhe duke gënjyer thonë çdo lloj gjëje të ligë kundër jush për shkakun tim! Gëzoni dhe hovni nga gëzimi, sepse i madh është shpërblimi juaj në qiej; kështu i përndoqën edhe profetët përpara jush.»Mat. 5:11, 12.

23 Ashtu si profetët e Perëndisë në lashtësi, të krishterët e dinë se të tjerët do t’i poshtërojnë, do t’i përndjekin dhe duke gënjyer do të flasin keq kundër tyre—e gjithë kjo «për hir të drejtësisë». Megjithatë, duke i duruar me besnikëri këto sprova, do të jemi të lumtur sepse po kënaqim dhe po nderojmë Jehovain. (1 Pjet. 2:19-21) Vuajtjet nuk mund të na e pakësojnë gëzimin që provojmë në shërbim të Jehovait as tani, as në të ardhmen. Ato nuk mund të pakësojnë as lumturinë e atyre që do të sundojnë me Krishtin në Mbretërinë qiellore dhe as gëzimin e atyre që do të marrin jetën e përhershme si nënshtetas të saj në tokë. Këto bekime janë prova të miratimit, dashamirësisë dhe bujarisë së Perëndisë.

24 Ka ende shumë gjëra për të mësuar nga Predikimi në Mal. Në dy artikujt vijues, do të shqyrtohen mësime të tjera. Le të shohim se si mund t’i zbatojmë fjalët e Jezu Krishtit.

Si do të përgjigjeshit?

• Pse janë të lumtur «ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë»?

• Pse janë të lumtur ‘ata me natyrë të butë’?

• Pse janë të lumtur të krishterët, ndonëse përndiqen?

• Cili nga rastet kur Jezui foli për lumturinë, të ka bërë veçanërisht përshtypje?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 7]

Këshillat që Jezui dha në të nëntë rastet kur foli për lumturinë, janë po aq të dobishme sot sa ishin edhe atëherë

[Figura në faqen 8]

Një mënyrë e shkëlqyer për të treguar mëshirë është duke u dhënë të vërtetat biblike të tjerëve