Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të tregosh qëndrueshmëri në shërbim?

Si të tregosh qëndrueshmëri në shërbim?

Si të tregosh qëndrueshmëri në shërbim?

A JE ndier ndonjëherë aq i shkurajuar sa doje të hiqje dorë nga vepra e predikimit? Kundërshtimi i ashpër, ankthi, problemet me shëndetin, presioni i bashkëmoshatarëve ose mungesa e rezultateve të dukshme, mund të vënë në sprovë qëndrueshmërinë. Por, mendo për shembullin e Jezuit. «Për gëzimin që iu vu përpara», ai duroi sprovat më të rënda. (Hebr. 12:2) Ai e dinte se, duke provuar që akuzat kundër Perëndisë ishin fare të pathemelta, po i gëzonte zemrën Jehovait.—Prov. 27:11.

Nëse tregon qëndrueshmëri në shërbim, edhe ti mund t’ia gëzosh zemrën Jehovait. Megjithatë, po nëse për shkak të disa pengesave të duket se po të shterin energjitë frymore? Kristina, në moshë të thyer dhe me probleme shëndetësore, pranon: «Shpesh ndihem e lodhur dhe e demoralizuar. Problemet e moshës, si shëndeti jo i mirë dhe ankthi për jetën e përditshme, përkohësisht mund të ma ulin zellin.» Si mund të ngulmojmë në shërbim, pavarësisht nga pengesa të tilla?

Imito profetët

Për të ngulmuar në veprën e predikimit, lajmëtarët besnikë të Mbretërisë mund të përpiqen fort që të kenë një qëndrim mendor si ai i profetëve në lashtësi. Le të marrim si shembull Jereminë. Kur u thirr për të shërbyer si profet, në fillim ai ngurroi. Por, arriti të qëndronte në caktimin e tij të vështirë për më shumë se 40 vjet, sepse mësoi të kishte besim të patundur te Perëndia.—Jer. 1:6; 20:7-11.

Henrikun e inkurajon shembulli i Jeremisë. Ai thotë: «Gjatë më shumë se 70 vjetëve që kam kaluar në shërbim, ndonjëherë jam shkurajuar nga reagimet e njerëzve: nga armiqësia ose indiferenca e tyre. Në këto raste, kujtoj shembullin e Jeremisë. Dashuria që kishte për Jehovain dhe marrëdhënia e ngushtë me Të, i dhanë forcë që të vazhdonte të profetizonte.» (Jer. 1:17) Edhe Rafeun e ka inkurajuar shembulli i Jeremisë. Ai thotë: «Në vend që të përqendrohej te vetja dhe te ndjenjat e tij, Jeremia mbështetej te Perëndia. Ai vazhdoi pa frikë me gjithë qëndrimin armiqësor të shumicës. Përpiqem ta kujtoj gjithmonë këtë.»

Një shembull tjetër që ndihmon shumë veta të tregojnë qëndrueshmëri në shërbim, është edhe profeti Isaia. Perëndia i tha se bashkëkombësit e tij nuk do t’ia vinin veshin. «Bëje të pandjeshme zemrën e këtij populli, mbyllua . . . veshët»,—tha Jehovai. A ishte e thënë që Isaia të dështonte në caktimin e tij? Nga pikëpamja e Perëndisë, jo. Kur u caktua si profet, ai tha: «Ja ku jam! Më dërgo mua!» (Isa. 6:8-10) Isaia qëndroi besnik në caktimin e tij. A i përgjigjesh edhe ti kështu urdhrit për të predikuar?

Që të ngulmojmë në shërbim pavarësisht nga indiferenca e njerëzve, edhe ne, ashtu si Isaia, nuk duhet të përqendrohemi në reagimet negative që hasim. Ja si e kapërcen Rafeu shkurajimin: «Përpiqem të mos e mbaj mendjen te fjalët e pasjellshme. Njerëzit në territor kanë të drejtë të reagojnë si të duan.» Ana shton: «Nuk lejoj që të përqendrohem te gjërat negative ose shkurajuese. Ajo që më ndihmon për këtë është lutja dhe shqyrtimi i shkrimit të ditës para se të dal në shërbim. Dhe çdo mendim negativ zhduket menjëherë.»

Profeti Ezekiel shërbeu në mes të judenjve kokëfortë të mërguar në Babiloni. (Ezek. 2:6) Nëse profeti nuk do t’ua kishte thënë njerëzve fjalët e Perëndisë dhe ndonjë i lig do të kishte vdekur pa u paralajmëruar, Ezekieli do të jepte llogari. Jehovai i tha Ezekielit: «Gjakun e tij do ta kërkoj nga dora jote.»—Ezek. 3:17, 18.

Henriku përpiqet të ketë një pikëpamje si ajo e Ezekielit: «Dua të jem i pastër nga gjaku i të gjithë njerëzve. Është në lojë jeta e tyre e çmuar.» (Vep. 20:26, 27) I po këtij mendimi është edhe Zbignjevi: «Ezekielit iu desh të vazhdonte me vendosmëri, pavarësisht nga ajo që mendonin të tjerët. Kjo më ndihmon ta shoh veprën e predikimit nga pikëpamja e Krijuesit.»

Nuk je vetëm

Nuk je vetëm në veprën e predikimit. Pikërisht si apostulli Pavël, mund të themi: «Ne jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë.» (1 Kor. 3:9) Kristina, e cila pranon që ndonjëherë demoralizohet, thotë: «Ja pse vazhdoj t’i përgjërohem Jehovait të më japë forcë. Ai nuk më lë kurrë.» Po, na duhet fryma e Perëndisë për të na mbështetur në shërbim.—Zak. 4:6.

Kur jemi në shërbim, fryma e shenjtë na ndihmon gjithashtu të shfaqim cilësitë që përbëjnë ‘frytin e frymës’. (Gal. 5:22, 23) Kjo, në vetvete, na ndihmon të ngulmojmë në veprën e predikimit, sido që të reagojnë njerëzit. Henriku vëren: «Shërbimi më ndihmon të përmirësoj personalitetin tim. Mësoj të jem i durueshëm, i dhembshur dhe të mos dorëzohem kollaj.» Qëndrueshmëria në shërbim, pavarësisht nga pengesat e ndryshme, mund të të ndihmojë të zhvillosh edhe më shumë frytin e frymës.

Për të drejtuar këtë vepër unike, Jehovai përdor engjëjt. (Zbul. 14:6) Bibla tregon se ka «dhjetë mijë herë dhjetëra mijë dhe mijëra e mijëra» krijesa të tilla frymore. (Zbul. 5:11) Nën drejtimin e Jezuit, engjëjt mbështetin shërbëtorët e Perëndisë në tokë. A mendon për këtë sa herë je në shërbim?

Ana thotë: «Kur mendoj se engjëjt janë me ne në shërbim, inkurajohem shumë. E vlerësoj ndihmën që ata na japin nën mbikëqyrjen e Jehovait dhe të Jezuit.» Ç’privilegj është të mund të punosh me engjëjt besnikë!

Po ç’mund të themi për lajmëtarët e tjerë të Mbretërisë? Jemi bekuar që kemi njohur një shumicë të madhe Dëshmitarësh besnikë. Pa dyshim, e ke parë vetë se sa i vërtetë është ky proverb biblik: «Hekuri mpreh hekurin. Kështu edhe një njeri mpreh fytyrën e një tjetri.»—Prov. 27:17.

Predikimi bashkë me të tjerë, na jep mundësinë e mrekullueshme të vërejmë metoda të efektshme që për ne mund të jenë të reja. Elibjeta thotë: «Bashkëpunimi me lajmëtarë të ndryshëm më jep shumë mundësi t’u tregoj dashuri, si të bashkëkrishterëve, ashtu edhe njerëzve që takojmë.» Përpiqu të dalësh në shërbim me lajmëtarë të ndryshëm. Kështu, për ty shërbimi do të jetë interesant.

Kujdesu për veten

Që të ruajmë entuziazmin në shërbim, duhet të organizohemi mirë, të kemi një program të mirë studimi personal dhe të pushojmë sa duhet. Me fjalë të tjera, duhet të kujdesemi për veten, si nga ana frymore, ashtu edhe fizike.

Bibla thotë: «Planet e atij që ngulmon, sjellin me siguri përfitim.» (Prov. 21:5) Zigmundi, tani 88 vjeç, thotë: «Dalja në shërbim në mënyrë sistematike, më ndihmon të bëj një shërbim të frytshëm. E programoj me kujdes kohën që të kem kohë të mjaftueshme për shërbimin.»

Njohuria e thellë nga Shkrimet na forcon dhe na përgatit për shërbimin. Siç ushqehemi rregullisht nga ana fizike, po kështu duhet të bëjmë edhe nga ana frymore që të vazhdojmë në veprën e predikimit. Kur ushqehemi përditë nga Fjala e Perëndisë dhe marrim kështu «ushqim në kohën e duhur», kjo mund të na japë energji për shërbimin.—Mat. 24:45-47.

Elibjeta bëri ndryshime të mëdha në mënyrën e jetesës, që të përmirësonte shërbimin. Ajo thotë: «Kam pakësuar ndjeshëm kohën që kaloja para televizorit, kështu që kam më shumë kohë për t’u përgatitur për shërbimin. Kur lexoj Biblën çdo mbrëmje, mendoj për njerëzit që kam takuar në territor. Kërkoj shkrime dhe artikuj që mund t’i ndihmojnë.»

Pushimi i duhur do të të ndihmojë të kesh mjaft energji dhe të japësh më të mirën në shërbim. Nga ana tjetër, teprimi me zbavitjen mund të ketë një ndikim negativ në cilësinë e shërbimit. Anzheji, një lajmëtar i zellshëm, vëren: «Mungesa e pushimit çon në stërlodhje dhe kështu je shumë afër shkurajimit. Unë bëj çmos që të mos arrij deri aty.»—Ekl. 4:6.

Me gjithë përpjekjet tona të zellshme, pak njerëz e vlerësojnë lajmin e mirë. Por, Jehovai nuk do ta harrojë kurrë veprën tonë. (Hebr. 6:10) Edhe nëse shumë nuk duan të flasin me ne, ata mund të flasin me të tjerë për vizitën tonë pasi jemi larguar. Ndikimi mund të jetë pak a shumë si në rastin e Ezekielit: «Ata do ta marrin vesh se mes tyre ka qenë një profet.» (Ezek. 2:5) Të themi të vërtetën, shërbimi nuk është i lehtë, por ne nxjerrim dobi konkrete prej tij, e po kështu edhe njerëzit që na dëgjojnë.

«Shërbimi na ndihmon të veshim personalitetin e ri dhe të tregojmë dashuri për Perëndinë dhe të afërmit»,—thotë Zigmundi. «Është privilegj të marrësh pjesë në këtë vepër jetëshpëtuese. Nuk ka për t’u përsëritur më kurrë në këto përmasa apo rrethana»,—shton Anzheji. Edhe ti mund të korrësh bekime të shumta duke treguar qëndrueshmëri në shërbim.—2 Kor. 4:1, 2.

[Figurat në faqen 31]

Kujdesi për nevojat tona frymore e fizike, na ndihmon të tregojmë qëndrueshmëri në shërbim