Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jobi lartësoi emrin e Jehovait

Jobi lartësoi emrin e Jehovait

Jobi lartësoi emrin e Jehovait

«Qoftë përherë i bekuar emri i Jehovait!»—JOBI 1:21.

1. Kush mund ta ketë shkruar librin e Jobit dhe kur?

MOISIU ishte rreth 40 vjeç kur iku nga Egjipti për t’i shpëtuar zemërimit të faraonit, dhe shkoi të banonte në Midian. (Vep. 7:23, 29) Atje mund të ketë dëgjuar për sprovat e Jobit, i cili jetonte aty pranë në vendin e Uzit. Vite më vonë, kur Moisiu dhe kombi i Izraelit ishin pranë Uzit aty nga fundi i udhëtimit të tyre në shkretëtirë, Moisiu mund të ketë dëgjuar për vitet e fundit të jetës së Jobit. Sipas traditës judaike, Moisiu e shkroi librin e Jobit ca kohë pas vdekjes së tij.

2. Në cilat mënyra libri i Jobit i inkurajon shërbëtorët e Jehovait në ditët e sotme?

2 Libri i Jobit ua forcon besimin shërbëtorëve të Perëndisë në kohët e sotme. Në cilat mënyra? Ky tregim na ndihmon të kuptojmë ngjarje shumë më të rëndësishme e domethënëse që ndodhën në qiell dhe nxjerr në pah çështjen parësore të sovranitetit universal të Perëndisë. Gjithashtu, tregimi i Jobit na thellon kuptueshmërinë për atë se çfarë do të thotë të mbash integritetin. Na ndihmon edhe të kuptojmë pse Jehovai lejon ndonjëherë që shërbëtorët e tij të vuajnë. Për më tepër, libri i Jobit e identifikon Satana Djallin si Kundërshtarin kryesor të Jehovait dhe armikun e njerëzimit. Po ashtu, libri tregon se njerëzit e papërsosur si Jobi mund t’i qëndrojnë besnikë Jehovait, pavarësisht nga sprovat e rënda. Le të shqyrtojmë disa ngjarje që përshkruhen në këtë libër.

Jobi sprovohet nga Satanai

3. (a) Çfarë dimë për Jobin? (b) Pse u bë shënjestër e Satanait?

3 Jobi ishte njeri i pasur dhe me influencë, një patriark me cilësi të mira morale. Me sa duket, ai ishte një këshilltar tejet i respektueshëm që ndihmonte nevojtarët. Ç’është më e rëndësishmja, Jobi i frikësohej Perëndisë. Ai përshkruhet si njeri «i paqortueshëm dhe i drejtë, [që] kishte frikë nga Perëndia dhe i largohej së keqes». Arsyeja pse Jobi u bë shënjestër e sulmeve të Satana Djallit nuk ishte pasuria dhe influenca, por përkushtimi i tij ndaj Perëndisë.—Jobi 1:1; 29:7-16; 31:1.

4. Çfarë është integriteti?

4 Në fillim të librit të Jobit, tregohet për një mbledhje në qiell ku engjëjt u paraqitën para Jehovait. Ishte i pranishëm edhe Satanai, i cili ngriti akuza kundër Jobit. (Lexo Jobin 1:6-11.) Megjithëse Satanai e përmendi pasurinë e Jobit, qëllimi i tij kryesor ishte të sfidonte integritetin e tij. Fjala «integritet» nënkupton të jesh i ndershëm, i paqortueshëm, i drejtë dhe i patëmetë. Siç përdoret në Bibël, kur bëhet fjalë për njerëzit, integriteti nënkupton përkushtim të plotë me gjithë zemër ndaj Jehovait.

5. Çfarë tha Satanai për Jobin?

5 Satanai tha se adhurimi që Jobi i bënte Perëndisë bazohej tek egoizmi. Sipas Satanait, Jobi do t’i qëndronte besnik Jehovait vetëm për aq kohë sa Ai do ta shpërblente dhe do ta mbronte. Për t’i dhënë një përgjigje akuzës së Satanait, Jehovai e lejoi që ta sulmonte këtë njeri besnik. Si pasojë, brenda një dite, Jobi mori vesh se bagëtinë ia kishin vjedhur ose shfarosur, shumicën e shërbëtorëve ia kishin vrarë dhe të dhjetë fëmijët kishin humbur jetën. (Jobi 1:13-19) A u dorëzua Jobi para sulmit të Satanait? Në dokumentimin e frymëzuar përshkruhet si reagoi Jobi ndaj gjëmave që i ndodhën: «Jehovai m’i dha, Jehovai m’i mori. Qoftë përherë i bekuar emri i Jehovait!»—Jobi 1:21.

6. (a) Çfarë ndodhi gjatë një mbledhjeje tjetër në qiell? (b) Kë kishte në mendje Satanai kur vuri në dyshim integritetin e Jobit ndaj Jehovait?

6 Më vonë, u bë një mbledhje tjetër në qiell. Përsëri Satanai ngriti akuza kundër Jobit, duke thënë: «Lëkurë për lëkurë, dhe njeriu jep gjithë ç’ka për shpirtin e tij. A mund ta zgjatësh dorën e të prekësh kockat dhe mishin e tij? Pastaj shih po nuk të mallkoi sy më sy!» Vër re se Satanai përfshiu edhe të tjerë në akuzat e tij. Duke thënë «njeriu jep gjithë ç’ka për shpirtin e tij», Djalli vuri në dyshim jo vetëm integritetin e Jobit, por edhe të çdo «njeriu» që adhuron Jehovain. Pas kësaj, Perëndia e lejoi Satanain që ta godiste Jobin me një sëmundje të dhembshme. (Jobi 2:1-8) Por sprovat e Jobit nuk mbaruan me kaq.

Ç’mësim nxjerrim nga qëndrimi i Jobit?

7. Në cilat mënyra gruaja dhe vizitorët i bënë presion Jobit?

7 Në fillim, gruaja e Jobit pësoi të njëjtat gjëma si i shoqi. Ajo duhet të jetë ndier e dërrmuar nga humbja e fëmijëve dhe e pasurisë së familjes. Sigurisht i pikonte në shpirt tek shihte burrin e saj që vuante nga një sëmundje e dhembshme. Ajo i foli Jobit: «Akoma e mban të patundur integritetin?! Mallko Perëndinë dhe vdis!» Më pas, erdhën tre burra, Elifazi, Bildadi dhe Zofari, gjoja për ta ngushëlluar Jobin. Por, ata përdorën arsyetime mashtruese dhe doli se ishin «ngushëllues të bezdisshëm». Për shembull, Bildadi tha se bijtë e Jobit kishin mëkatuar dhe e meritonin fundin e tyre. Elifazi la të nënkuptohej se vuajtjet e Jobit ishin ndëshkim për mëkatet e së shkuarës. Madje, ai vuri në dyshim nëse ata që mbajnë integritetin kanë vlerë për Perëndinë. (Jobi 2:9, 11; 4:8; 8:4; 16:2; 22:2, 3) Pavarësisht nga ky presion i madh, Jobi e mbajti integritetin. Është e vërtetë që ai e kishte gabim kur «e shpalli veten më të drejtë se Perëndia». (Jobi 32:2) Prapëseprapë, qëndroi besnik gjatë gjithë sprovave.

8. Çfarë shembulli të mirë la Elihu për ata që duhet të japin këshilla sot?

8 Më tej, lexojmë për Elihun, i cili gjithashtu kishte ardhur të takonte Jobin. Në fillim, Elihu dëgjoi argumentet e paraqitura nga Jobi dhe tre shokët e tij. Edhe pse më i ri se ata katër burra, Elihu tregoi më shumë mençuri. Ndryshe nga të tjerët, ai i foli Jobit me dashamirësi duke iu drejtuar me emër. Elihu e lavdëroi Jobin për udhën e drejtë që kishte ndjekur. Por tha edhe se Jobi ishte përqendruar tepër që të provonte pafajësinë e vet. Pastaj, Elihu e siguroi Jobin se ia vlen gjithnjë t’i shërbesh Perëndisë me besnikëri. (Lexo Jobin 36:1, 11.) Ç’shembull i shkëlqyer për ata që duhet t’u japin këshilla të tjerëve sot! Elihu tregoi durim, dëgjoi me kujdes, lavdëroi kur ishte e mundur dhe dha këshilla inkurajuese.—Jobi 32:6; 33:32.

9. Si e ndihmoi Jehovai Jobin?

9 Në fund, Jobi përjetoi diçka të pabesueshme: atij i foli vetë Jehovai! Tregimi thotë: «Jehovai iu përgjigj Jobit nga stuhia.» Duke i bërë disa pyetje radhazi, me dashamirësi, por edhe me vendosmëri, Jehovai e ndihmoi Jobin të ndreqte mendimet. Jobi e pranoi me gatishmëri qortimin, duke thënë: «Unë jam fare i papërfillshëm. . . . Pendohem e ulem në pluhur dhe në hi.» Pasi i kishte folur Jobit, Jehovai shprehu zemërimin e tij kundër tre shokëve të Jobit, sepse nuk kishin thënë «të vërtetën». Jobi duhej të lutej për ta. «Kur Jobi u lut për tre shokët e tij, Jehovai ia hoqi robërinë. Jehovai i ktheu gjithçka që kishte pasur, madje dyfish.»—Jobi 38:1; 40:4; 42:6-10.

Sa e thellë është dashuria jonë për Jehovain?

10. Pse Jehovai nuk e shpërfilli ose nuk e shfarosi Satanain?

10 Jehovai është Krijuesi i universit, Sovrani i gjithë krijimit. Atëherë, pse nuk e shpërfilli sfidën e Djallit? Perëndia e dinte se as shpërfillja e Satanait, as shfarosja e tij, nuk do të zgjidhte çështjen që ishte ngritur. Djalli kishte thënë se Jobi, një shërbëtor i jashtëzakonshëm i Jehovait, nuk do të mbetej besnik nëse do të humbte pasurinë. Besnikëria e Jobit i bëri ballë sprovës. Pastaj, Satanai tha se çdo njeri do të largohej nga Perëndia nëse do të vuante fizikisht. Jobi vuajti, por integriteti i tij nuk u thye. Kështu Satanai doli gënjeshtar në rastin e atij njeriu besnik, megjithëse të papërsosur. Ç’mund të thuhet për adhuruesit e tjerë të Perëndisë?

11. Në ç’mënyrë Jezui dha një përgjigje të plotë për sfidën e Satanait?

11 Në të vërtetë, çdo shërbëtor i Perëndisë që mban integritetin, pavarësisht nga sprovat e Satanait, tregon se në rastin e tij akuzat e këtij armiku të pamëshirshëm janë të rreme. Kur Jezui erdhi në tokë, dha një përgjigje të plotë për sfidën e Satanait. Jezui ishte njeri i përsosur, ashtu si ati ynë i parë, Adami. Besnikëria e tij deri në vdekje, tregoi përfundimisht se Satanai është një gënjeshtar dhe se akuzat e tij janë të rreme.—Zbul. 12:10.

12. Çfarë mundësie dhe përgjegjësie ka çdo shërbëtor i Jehovait?

12 Megjithatë, Satanai vazhdon të sprovojë adhuruesit e Jehovait. Secili prej nesh ka mundësinë dhe përgjegjësinë të tregojë me integritetin e tij se i shërben Jehovait ngaqë e do, e jo për arsye egoiste. Si e shohim këtë përgjegjësi? E konsiderojmë një privilegj t’i qëndrojmë besnikë Jehovait. Gjithashtu, ngushëllohemi duke ditur se Jehovai na jep forcë që të qëndrojmë dhe se u vë kufij sprovave që hasim, siç bëri në rastin e Jobit.—1 Kor. 10:13.

Satanai—Një kundërshtar dhe apostat rebel

13. Ç’hollësi zbulon libri i Jobit për Satanain?

13 Në Shkrimet e Krishtere Greke, gjejmë shumë informacione për kundërshtimin që i bëri Satanai Jehovait. Kurse në librin e Zbulesës, mësojmë për shfajësimin e sovranitetit të Jehovait dhe për shkatërrimin përfundimtar të Satanait. Edhe Shkrimet Hebraike japin hollësi se si Satanai me paturpësi sfidoi Jehovain dhe çoi njerëzimin në rrugë të shtrembër. Libri i Jobit na tregon më shumë për udhën rebele të Satanait. Gjatë mbledhjeve në qiell, qëllimi pse Satanai mori pjesë nuk ishte që të lëvdonte Jehovain. Djalli kishte një qëndrim keqdashës dhe një synim të poshtër. Pasi akuzoi Jobin dhe u lejua ta sprovonte, «Satanai u largua nga prania e Jehovait».—Jobi 1:12; 2:7.

14. Ç’qëndrim shfaqi Satanai ndaj Jobit?

14 Pra, libri i Jobit e identifikon Satanain si armikun e pamëshirshëm të njerëzimit. Nga mbledhja e parë në qiell e përmendur te Jobi 1:6, deri te mbledhja e përshkruar te Jobi 2:1, kaloi një periudhë kohe e papërcaktuar gjatë së cilës Jobi u sprovua mizorisht. Falë besnikërisë së Jobit, Jehovai i tha Satanait: «Megjithëse më nxite që ta rrënoj pa shkak, prapëseprapë [Jobi] e mban integritetin e tij të patundur.» Por Satanai nuk e pranoi se akuzat e tij kishin dalë të rreme. Përkundrazi, kërkoi që Jobi të goditej nga një sprovë tjetër e rëndë. Kështu, Djalli e sprovoi Jobin edhe kur ishte i begatë, edhe kur ishte në skamje. Është e qartë pra, se Satanai nuk ka aspak dhembshuri për nevojtarët ose për ata që kanë pësuar fatkeqësi. Ai i urren njerëzit me integritet. (Jobi 2:3-5) Megjithatë, besnikëria e Jobit tregoi se Satanai është gënjeshtar.

15. Çfarë kanë të përbashkët me Satanain apostatët e sotëm?

15 Satanai ishte krijesa e parë që u bë apostat. Edhe apostatët e sotëm shfaqin karakteristika të ngjashme me Djallin. Mendja e tyre mund të jetë e helmuar nga një qëndrim kritik ndaj disave në kongregacion, pleqve të krishterë ose Trupit Udhëheqës. Disa apostatë kundërshtojnë përdorimin e emrit të Perëndisë, Jehova. Atyre nuk u intereson të mësojnë për Jehovain ose t’i shërbejnë atij. Ashtu si ati i tyre, Satanai, apostatët kanë në shënjestër njerëzit me integritet. (Gjoni 8:44) Ja pse shërbëtorët e Jehovait shmangin çdo kontakt me ta.—2 Gjon. 10, 11.

Jobi lartësoi emrin e Jehovait

16. Ç’qëndrim shfaqi Jobi ndaj Jehovait?

16 Jobi e përdori dhe e lëvdoi emrin e Jehovait. Edhe kur ishte i dërrmuar nga lajmi i vdekjes së fëmijëve, Jobi nuk fajësoi në asnjë mënyrë Perëndinë. Megjithëse gaboi kur tha se kjo erdhi nga Perëndia, prapëseprapë e lartësoi emrin e Jehovait. Në një nga thëniet e tij proverbiale, Jobi deklaroi: «Ja, të kesh frikë nga Jehovai, kjo është mençuri, dhe t’i largohesh së keqes, është kuptueshmëri.»—Jobi 28:28.

17. Çfarë e ndihmoi Jobin të mbante integritetin?

17 Çfarë e ndihmoi Jobin të mbante integritetin? Patjetër, para se ta goditnin gjëmat, ai tashmë kishte kultivuar një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain. Edhe pse nuk kemi dëshmi se Jobi e dinte që Satanai kishte sfiduar Jehovain, ai ishte i vendosur të qëndronte besnik. Ai tha: «Nga integriteti im nuk do të heq dorë gjersa të vdes.» (Jobi 27:5) Si e zhvilloi Jobi këtë marrëdhënie të ngushtë me Jehovain? Pa dyshim, e vlerësonte atë që kishte dëgjuar për marrëdhënien e Perëndisë me Abrahamin, Isakun dhe Jakobin, që ishin farefisi i tij i largët. Dhe, duke vëzhguar krijimin, Jobi mund të dallonte shumë nga cilësitë e Jehovait.—Lexo Jobin 12:7-9, 13, 16.

18. (a) Si e tregoi Jobi përkushtimin ndaj Jehovait? (b) Në cilat mënyra e imitojmë shembullin e shkëlqyer të Jobit?

18 Ajo që mësoi, i ngjalli Jobit dëshirën për t’i pëlqyer Jehovait. Jobi paraqiste rregullisht flijime, nga meraku se mos pjesëtarët e familjes së tij kishin bërë diçka të papëlqyeshme në sytë e Perëndisë ose ‘kishin mallkuar Perëndinë në zemrën e tyre’. (Jobi 1:5) Edhe kur po kalonte sprova të rënda, prapëseprapë Jobi foli mirë për Jehovain. (Jobi 10:12) Çfarë shembulli i shkëlqyer! Edhe ne duhet të marrim rregullisht njohuri të saktë për Jehovain dhe për qëllimet e tij. Ne i përmbahemi një rutine të shëndoshë me veprimtari frymore të tilla, si: studimi, ndjekja e mbledhjeve, lutja dhe predikimi i lajmit të mirë. Për më tepër, bëjmë gjithçka mundemi që të bëjmë të njohur emrin e Jehovait. Dhe, ashtu si integriteti i Jobit i pëlqeu Jehovait, po kështu integriteti i shërbëtorëve të Perëndisë sot ia gëzon zemrën Atij. Për këtë do të flitet në artikullin vijues.

A të kujtohet?

• Pse Jobi u bë qendër e vëmendjes së Satana Djallit?

• Çfarë sprovash kaloi Jobi dhe si reagoi?

• Çfarë do të na ndihmojë të ruajmë integritetin si Jobi?

• Ç’mësojmë për Satanain nga libri i Jobit?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 4]

Tregimi i Jobit na sjell në mendje çështjen parësore të sovranitetit universal të Perëndisë

[Figura në faqen 6]

Në cilat rrethana mund të sprovohet integriteti yt?