Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të vlerësojmë Jezuin—Davidin më të Madh dhe Solomonin më të Madh

Të vlerësojmë Jezuin—Davidin më të Madh dhe Solomonin më të Madh

Të vlerësojmë Jezuin—Davidin më të Madh dhe Solomonin më të Madh

«Ja, këtu është dikush më i madh se Solomoni.»—MAT. 12:42.

1, 2. Pse nga pikëpamja njerëzore ishte për t’u habitur që Samueli kishte marrë urdhrin për të mirosur Davidin si mbret?

AI NUK ngjante si mbret. Përkundrazi, profetit Samuel nuk iu duk veçse një bari i vogël. Për më tepër, ishte nga Betlehemi, një qytet pa ndonjë farë rëndësie. Ai përshkruhej si «më i vogli ndër qytetet e Judës». (Mik. 5:2) Megjithatë, ky i ri, në dukje i parëndësishëm dhe që ishte nga një qytet i vogël, do të mirosej pas pak nga profeti Samuel si mbreti i ardhshëm i Izraelit.

2 I riu David, nuk ishte djali i parë që Jeseu, ati i tij, ia paraqiti Samuelit për ta mirosur. Nuk ishte as i dyti, as i treti. Davidi, i fundit nga tetë bijtë e Jeseut, madje as nuk ishte i pranishëm kur Samueli shkoi në shtëpinë e Jeseut që të miroste si mbretin e ardhshëm të vendit një nga djemtë e këtij burri besnik. Por Davidin e kishte zgjedhur Jehovai dhe kjo kishte më shumë rëndësi.—1 Sam. 16:1-10.

3. (a) Çfarë konsideron më të rëndësishme Jehovai kur heton një njeri? (b) Çfarë nisi të vepronte te Davidi në kohën kur u miros?

3 Jehovai shihte atë që Samueli nuk mund ta shihte. Perëndia mund të dallonte gjendjen e zemrës së Davidit dhe ajo ishte e pëlqyeshme për Të. Për Perëndinë nuk ka rëndësi pamja e jashtme, por ajo që është në të vërtetë një njeri nga brenda. (Lexo 1 Samuelit 16:7.) Kështu, kur Samueli kuptoi se Jehovai nuk kishte zgjedhur ndonjë nga shtatë djemtë e mëdhenj të Jeseut, kërkoi të sillnin nga kullotat më të riun. Tregimi thotë: «Kështu [Jeseu] dërgoi dikë që e solli [Davidin]. Ai ishte një djalosh faqekuq, me sy të bukur e i pashëm. Atëherë Jehovai tha: ‘Ngrihu dhe mirose, sepse ky është!’ Kështu Samueli mori bririn e vajit dhe e mirosi në mes të vëllezërve të vet. Që nga ajo ditë e tutje, fryma e Jehovait nisi të vepronte te Davidi.»—1 Sam. 16:12, 13.

Davidi paraqiti në mënyrë paraprake Krishtin

4, 5. (a) Përshkruaj disa ngjashmëri mes Davidit dhe Jezuit. (b) Pse Jezui mund të quhet Davidi më i Madh?

4 Jezui, ashtu si Davidi, lindi në Betlehem, rreth 1.100 vjet pas Davidit. Në sytë e shumë njerëzve, edhe Jezui nuk ngjante si mbret. Pra, nuk ishte ai lloj mbreti që shpresonin shumë në Izrael. Megjithatë, ashtu si Davidin, atë e kishte zgjedhur Jehovai. Ashtu si Davidi, ai ishte për Jehovain i dashuri. * (Luka 3:22) Edhe në rastin Jezuit, «fryma e Jehovait nisi të vepronte te» ai.

5 Por ka edhe ngjashmëri të tjera mes Davidit dhe Jezuit. Për shembull, Davidin e tradhtoi këshilltari i vet, Ahithofeli, kurse Jezuin e tradhtoi apostulli i tij, Judë Iskarioti. (Psal. 41:9; Gjoni 13:18) Edhe Davidi, edhe Jezui kishin zell të zjarrtë për vendin e adhurimit të Jehovait. (Psal. 27:4; 69:9; Gjoni 2:17) Gjithashtu, Jezui ishte trashëgimtar i Davidit. Para se Jezui të lindte, një engjëll i tha nënës së tij: «Perëndia Jehova do t’i japë fronin e Davidit, të atit.» (Luka 1:32; Mat. 1:1) Sidoqoftë, meqë të gjitha premtimet mesianike do të përmbushen te Jezui, ai është shumë më tepër se Davidi. Jezui është Davidi më i Madh, Mbreti mesianik i shumëpritur.—Gjoni 7:42.

Të ndjekim Bariun dhe Mbretin tonë

6. Në cilat mënyra Davidi ishte një bari i mirë?

6 Jezui është edhe bari. Çfarë cilësish ka një bari i mirë? Ai me besnikëri e guxim kujdeset, ushqen dhe mbron kopenë. (Psal. 23:2-4) Kur ishte i ri, Davidi ishte bari dhe kujdesej shumë mirë për delet e të atit. Ai u tregua i guximshëm kur kopeja ishte në rrezik dhe rrezikoi jetën e tij për të mbrojtur delet nga një luan dhe nga një ari.—1 Sam. 17:34, 35.

7. (a) Çfarë e përgatiti Davidin për detyrat e tij si mbret? (b) Si tregoi Jezui se është Bariu i Shkëlqyer?

7 Vitet që Davidi kaloi nëpër fusha dhe kodra duke ruajtur delet, e përgatitën për detyrat dhe përgjegjësitë e vështira të kullotjes së kombit të Izraelit. * (Psal. 78:70, 71) Edhe Jezui ka treguar se është një bari shembullor. Ai merr forcë dhe drejtim nga Jehovai, teksa kullot ‘kopenë e tij të vogël’ dhe ‘delet e tjera’. (Luka 12:32; Gjoni 10:16) Kështu, Jezui është Bariu i Shkëlqyer. Ai e njeh kaq mirë kopenë, sa e thërret me emër çdo dele. I do kaq shumë delet, saqë kur ishte në tokë dha me gatishmëri veten për mirëqenien e tyre. (Gjoni 10:3, 11, 14, 15) Si Bariu i Shkëlqyer, Jezui bën diçka që Davidi nuk mund ta bënte kurrë. Flijimi i tij shpërblyes i krijoi njerëzimit mundësinë që të shpëtojë nga vdekja. Asgjë nuk do ta ndalë Jezuin që të kullotë ‘kopenë e tij të vogël’ drejt jetës së pavdekshme në qiell dhe që t’u prijë ‘deleve të tjera’ drejt jetës së përhershme në një botë të re e të drejtë pa ujqër grabitqarë.—Lexo Gjonin 10:27-29.

Të ndjekim Mbretin fitimtar

8. Si tregoi Davidi se ishte mbret fitimtar?

8 Si mbret, Davidi ishte luftëtar i patrembur që mbronte vendin e popullit të Perëndisë, dhe «Jehovai e ndihmonte Davidin kudo që shkonte». Nën udhëheqjen e Davidit, kufijtë e kombit u zgjeruan nga lumi i Egjiptit deri në lumin Eufrat. (2 Sam. 8:1-14) Me forcën e Jehovait, ai u bë sundimtar shumë i fuqishëm. Bibla thotë: «Fama e Davidit filloi të përhapej në të gjitha vendet. Jehovai bëri që gjithë kombet t’i zinte tmerri prej tij.»—1 Kron. 14:17.

9. Shpjego pse Jezui si Mbreti i emëruar ishte një fitimtar.

9 Ashtu si mbreti David, edhe Jezui ishte i patrembur kur ishte në tokë. Si Mbreti i emëruar, tregoi autoritetin e tij ndaj demonëve duke i shpëtuar viktimat nga kthetrat e tyre. (Mar. 5:2, 6-13; Luka 4:36) Madje as armiku kryesor, Satana Djalli, nuk ka pushtet mbi të. Me mbështetjen e Jehovait, Jezui mundi botën, e cila gjendet nën pushtetin e Satanait.—Gjoni 14:30; 16:33; 1 Gjon. 5:19.

10, 11. Cili është roli i Jezuit si Mbreti-Luftëtar në qiej?

10 Rreth 60 vjet pas vdekjes dhe ngjitjes në qiell të Jezuit, apostulli Gjon mori një vegim profetik për Jezuin në rolin e Tij si Mbret-Luftëtar në qiej. Gjoni shkruan: «Ja, pashë një kalë të bardhë, dhe ai që rrinte mbi të, kishte një hark. Atij iu dha një kurorë, e ai doli fitimtar për të plotësuar fitoren e tij.» (Zbul. 6:2) Kalorësi mbi kalë të bardhë është Jezui. «Atij iu dha një kurorë» në vitin 1914 kur u vendos në fron si Mbret në Mbretërinë qiellore. Pas kësaj, «ai doli fitimtar». Po, ashtu si Davidi, Jezui është një mbret fitimtar. Pak kohë pasi u vendos në fron si Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë, ai e mundi Satanain në betejë dhe hodhi në tokë atë bashkë me demonët. (Zbul. 12:7-9) Kalërimi i tij fitimtar do të vazhdojë derisa ‘të plotësojë fitoren’, duke e shkatërruar plotësisht sistemin e lig të Satanait.—Lexo Zbulesën 19:11, 19-21.

11 Por, ashtu si Davidi, Jezui është një mbret i dhembshur dhe do ta mbrojë ‘shumicën e madhe’ gjatë Harmagedonit. (Zbul. 7:9, 14) Për më tepër, nën sundimin e Jezuit dhe të bashkëtrashëgimtarëve të tij, 144.000 të ringjallurve, «do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët». (Vep. 24:15) Ata që do të ringjallen në tokë, do të kenë mundësinë të jetojnë përgjithmonë. Ç’e ardhme e mrekullueshme i pret! Qofshim të gjithë të vendosur që të vazhdojmë ‘të bëjmë të mira’, në mënyrë që të jemi gjallë kur toka të jetë e mbushur me nënshtetas të drejtë e të lumtur të Davidit më të Madh.—Psal. 37:27-29.

Lutja e Solomonit për mençuri, merr përgjigje

12. Për çfarë u lut Solomoni?

12 Edhe biri i Davidit, Solomoni, paraqiti në mënyrë paraprake Jezuin. * Kur Solomoni u bë mbret, Jehovai iu shfaq në ëndërr dhe i tha se do t’i jepte gjithçka që do të kërkonte. Solomoni mund të kishte kërkuar më shumë pasuri, pushtet ose jetë të gjatë. Por, me altruizëm, ai i kërkoi Jehovait: «Më jep mençuri dhe njohuri, që t’i prij këtij populli në çdo gjë, sepse kush mund ta gjykojë popullin tënd të madh?» (2 Kron. 1:7-10) Jehovai iu përgjigj lutjes së Solomonit.—Lexo 2 Kronikave 1:11, 12.

13. (a) Në ç’mënyrë mençuria e Solomonit ishte e pakrahasueshme? (b) Cili ishte Burimi i kësaj mençurie?

13 Për sa kohë Solomoni qëndroi besnik ndaj Jehovait, fjalët e tij të mençura ishin të pakrahasueshme mes bashkëkohësve të tij. Solomoni tha «tre mijë proverba». (1 Mbret. 4:30, 32, 34) Shumë prej këtyre u hodhën në shkrim dhe çmohen ende nga ata që kërkojnë mençurinë. Mbretëresha e Shebës udhëtoi rreth 2.400 kilometra për të vënë në provë mençurinë e Solomonit me «pyetje të ndërlikuara». Asaj i bënë shumë përshtypje fjalët e Solomonit dhe begatia e mbretërisë së tij. (1 Mbret. 10:1-9) Bibla e identifikon Burimin e mençurisë së Solomonit, duke thënë: «Njerëz nga mbarë bota kërkonin ta takonin Solomonin për të dëgjuar mençurinë që i kishte vënë në zemër Perëndia.»—1 Mbret. 10:24.

Të ndjekim Mbretin e mençur

14. Në cilat mënyra Jezui ishte «dikush më i madh se Solomoni»?

14 Vetëm një njeri ia kaloi dukshëm Solomonit në mençuri. Ishte Jezu Krishti, i cili e përshkroi veten si «dikush më i madh se Solomoni». (Mat. 12:42) Jezui tha «fjalë jete të përhershme». (Gjoni 6:68) Për shembull, në Predikimin në Mal, Jezui tregoi shumë parime që dhanë më tepër hollësi e kuptueshmëri për proverbat e Solomonit. Solomoni përshkroi disa gjëra që e bëjnë të lumtur një adhurues të Jehovait. (Prov. 3:13; 8:32, 33; 14:21; 16:20) Jezui theksoi se lumturia e vërtetë vjen vetëm nga gjëra që lidhen me adhurimin e Jehovait dhe plotësimin e premtimeve të Tij. Jezui tha: «Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë, sepse atyre u përket mbretëria e qiejve!» (Mat. 5:3) Ata që i zbatojnë parimet që gjenden në mësimet e Jezuit, afrohen më shumë me Jehovain, ‘burimin e jetës’. (Psal. 36:9; Prov. 22:11; Mat. 5:8) Krishti personifikon ‘mençurinë e Perëndisë’. (1 Kor. 1:24, 30) Si Mbreti mesianik, Jezu Krishti ka ‘frymën e mençurisë’.—Isa. 11:2.

15. Si mund të nxjerrim dobi nga mençuria hyjnore?

15 Në ç’mënyrë ne, si dishepuj të Solomonit më të Madh, mund të nxjerrim dobi nga mençuria hyjnore? Meqë mençuria e Jehovait është zbuluar në Fjalën e tij, duhet të bëjmë përpjekje ta gjejmë atë duke studiuar me kujdes Biblën, sidomos fjalët e dokumentuara të Jezuit, dhe duke medituar rreth gjërave që lexojmë. (Prov. 2:1-5) Përveç kësaj, duhet t’i kërkojmë me ngulm Perëndisë mençuri. Fjala e Perëndisë na siguron se lutjet tona të sinqerta për ndihmë, do të marrin përgjigje. (Jak. 1:5) Me ndihmën e frymës së shenjtë, në Fjalën e Perëndisë do të gjejmë margaritarë mençurie, të cilët mund të na ndihmojnë të përballojmë sfidat dhe të marrim vendime të mençura. (Luka 11:13) Solomoni u quajt edhe «ai që mbledh popullin», i cili «u dha njohuri pareshtur . . . njerëzve». (Ekl. 12:9, 10) Edhe Jezui, si Kreu i kongregacionit të krishterë, është ai që mbledh popullin e tij. (Gjoni 10:16; Kolos. 1:18) Prandaj, duhet të ndjekim mbledhjet e kongregacionit ku marrim «njohuri pareshtur».

16. Çfarë ngjashmërie ka mes Solomonit dhe Jezuit?

16 Solomoni ishte një mbret shumë aktiv. Ai organizoi një program kombëtar ndërtimi, duke mbikëqyrur ndërtimin e pallateve, rrugëve, ujësjellësve, qyteteve-depo, qyteteve të karrocave dhe qyteteve të kalorësve. (1 Mbret. 9:17-19) E tërë mbretëria nxori dobi nga veprat e tij të ndërtimit. Edhe Jezui është një ndërtues. Ai e ndërtoi kongregacionin mbi ‘shkëmbin’. (Mat. 16:18) Gjithashtu, do të mbikëqyrë veprën e ndërtimit që do të kryhet në botën e re.—Isa. 65:21, 22.

Të ndjekim Mbretin e paqes

17. (a) Nga ç’gjë e veçantë karakterizohej sundimi i Solomonit? (b) Çfarë nuk mund të bënte dot Solomoni?

17 Emri Solomon vjen nga një rrënjë që do të thotë «paqe». Mbreti Solomon sundoi nga Jerusalemi, fjalë që do të thotë «zotërim i paqes së dyfishtë». Mbretërimi i tij 40-vjeçar karakterizohej nga një paqe e paparë në kombin e Izraelit. Bibla thotë për ato vite: «Gjatë gjithë jetës së Solomonit, Juda dhe Izraeli banonin të sigurt, secili nën hardhinë dhe nën fikun e vet, që nga Dani deri në Beer-Shebë.» (1 Mbret. 4:25) Prapëseprapë, pavarësisht nga tërë mençuria e tij, Solomoni nuk mund t’i çlironte nënshtetasit e vet nga vargonjtë e sëmundjes, mëkatit dhe vdekjes. Por, Solomoni më i Madh do t’i çlirojë nënshtetasit e tij nga të gjitha këto.—Lexo Romakëve 8:19-21.

18. Çfarë kushtet gëzojmë në kongregacionin e krishterë?

18 Edhe tani, në kongregacionin e krishterë ne kemi kushte paqësore. Po, gëzojmë një parajsë të vërtetë frymore. Kemi paqe me Perëndinë dhe me të tjerët. Vër re se çfarë profetizoi Isaia për kushtet që po përjetojmë sot: «Ata do t’i farkëtojnë shpatat duke i kthyer në plore dhe heshtat në kiza për krasitje. Kombet nuk do ta ngrenë shpatën kundër njëri-tjetrit, dhe as do të mësojnë më të luftojnë.» (Isa. 2:3, 4) Duke vepruar në harmoni me frymën e Perëndisë, japim ndihmesën tonë për bukurinë e parajsës frymore.

19, 20. Çfarë arsyesh kemi për të gëzuar?

19 Megjithatë, e ardhmja do të jetë edhe më e mirë. Ndërsa njerëzit e bindur do të gëzojnë paqe në një shkallë të paparë nën sundimin e Jezuit, dalëngadalë ata ‘do të lirohen nga skllavëria e prishjes’ derisa të arrijnë përsosmërinë njerëzore. (Rom. 8:21) Pasi të kalojnë sprovën përfundimtare në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar, «zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund». (Psal. 37:11; Zbul. 20:7-10) Vërtet, sundimi i Krishtit Jezu do t’ia kalojë sundimit të Solomonit në mënyra që as mund t’i përfytyrojmë dot!

20 Ndërsa Izraeli u gëzua nën udhëheqjen e Moisiut, Davidit dhe Solomonit, ne do të gëzojmë edhe më shumë nën sundimin e Krishtit. (1 Mbret. 8:66) Të gjitha falënderimet i qofshin Jehovait që dërgoi për ne Birin e tij të vetëmlindur: Moisiun, Davidin dhe Solomonin më të Madh!

[Shënimet]

^ par. 4 Emri David ndoshta do të thotë «I dashur». Si në kohën e pagëzimit të Jezuit, edhe gjatë shpërfytyrimit, Jehovai foli nga qielli duke e quajtur «Biri im, i dashuri».—Mat. 3:17; 17:5.

^ par. 7 Njëkohësisht Davidi u bë si një qengj që ka besim te bariu. Ai i drejtohej Bariut më të Madh, Jehovait, për mbrojtje dhe drejtim. Plot siguri Davidi tha: «Jehovai është Bariu im. Nuk do të më mungojë asgjë.» (Psal. 23:1) Gjon Pagëzori e identifikoi Jezuin si «Qengji i Perëndisë».—Gjoni 1:29.

^ par. 12 Është interesante që emri i dytë i Solomonit ishte «Jedidiah», që do të thotë «I dashur për Jah».—2 Sam. 12:24, 25, shën.

A mund të shpjegosh?

• Në ç’kuptim Jezui është Davidi më i Madh?

• Në ç’kuptim Jezui është Solomoni më i Madh?

• Pse e vlerëson Jezuin, që është Davidi më i Madh dhe Solomoni më i Madh?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 31]

Mençuria që i kishte dhënë Perëndia Solomonit paraqiste në mënyrë paraprake mençurinë e Solomonit më të Madh

[Figura në faqen 32]

Sundimi i Jezuit do t’ia kalojë sundimit të Solomonit dhe të Davidit në mënyra që as mund t’i përfytyrojmë dot