Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Imito besnikërinë e Itait

Imito besnikërinë e Itait

Imito besnikërinë e Itait

«TË MËDHA e të mrekullueshme janë veprat e tua, o Perëndi Jehova, o i Plotfuqishëm! Të drejta e të besueshme janë udhët e tua, o Mbret i përjetësisë! Kush nuk do të ketë frikë nga ti, o Jehova, dhe nuk do t’i japë lavdi emrit tënd? Sepse vetëm ti je besnik!» Kjo këngë e kënduar në qiell nga ‘ata që dalin fitimtarë mbi bishën dhe shëmbëlltyrën e saj’, nxjerr në pah besnikërinë e Perëndisë. (Zbul. 15:2-4) Jehovai do që adhuruesit e tij ta imitojnë duke shfaqur këtë cilësi të dëshirueshme.—Efes. 4:24.

Satana Djalli, nga ana tjetër, bën çdo gjë që ka në dorë për t’i ndarë shërbëtorët e Jehovait në tokë nga dashuria e Perëndisë që adhurojnë. Megjithatë, shumë i kanë qëndruar besnikë Perëndisë, edhe në rrethana mjaft të vështira. Sa mirënjohës jemi që Jehovai e vlerëson jashtë mase një përkushtim të tillë! Bibla na siguron: «Jehovai e do drejtësinë dhe nuk do t’i braktisë besnikët e vet.» (Psal. 37:28) Që të na ndihmojë t’i qëndrojmë besnikë, ai ka përfshirë në Fjalën e tij shembujt e shumë besnikëve. Një prej tyre është gititi Itai.

‘I huaj dhe i mërguar’

Me sa duket, Itai ishte me origjinë nga qyteti i njohur filistin i Gathit, vendlindja e Goliadit gjigant dhe e shumë armiqve të tjerë të frikshëm të Izraelit. Itai, ky luftëtar me përvojë, përmendet për herë të parë në Bibël në kohën e rebelimit të Absalomit kundër mbretit David. Itai dhe 600 burrat filistinë që ishin me të, jetonin në atë kohë në mërgim në afërsi të Jerusalemit.

Situata e Itait dhe e atyre që e shoqëronin, mund t’i ketë kujtuar Davidit ditët e arratisjes dhe mërgimit të tij, kur bashkë me 600 luftëtarë izraelitë shkuan në territorin filistin dhe u vendosën në tokat e Akishit, mbretit të Gathit. (1 Sam. 27:2, 3) Çfarë do të bënin Itai dhe njerëzit e tij kur Davidi u përball me revoltën e të birit, Absalomit? Do të merrnin anën e Absalomit, do të qëndronin asnjanës apo do të shkonin me Davidin dhe njerëzit e tij?

Përfytyro skenën teksa Davidi, duke lënë pas Jerusalemin, ndalon në një vend të quajtur Beth-Merhak, që do të thotë «shtëpia e largët». Ndoshta është shtëpia e fundit në Jerusalem për në Malin e Ullinjve para se të kalosh luginën e Kidronit. (2 Sam. 15:17) Në këtë vend, Davidi inspekton trupat e tij ushtarake ndërsa kalojnë. Ja! Ndër ta janë jo vetëm izraelitët besnikë, por edhe gjithë keretitët dhe peletitët. Përveç tyre, janë edhe gjithë gititët—Itai dhe 600 luftëtarët e tij.—2 Sam. 15:18.

Me dhembshuri, Davidi i thotë Itait: «Pse të vish edhe ti me ne? Kthehu dhe rri me mbretin [me sa duket e kishte fjalën për Absalomin], sepse ti je i huaj dhe, për më tepër, ke mërguar nga vendi yt. Dje erdhe dhe sot të endesh me ne për shkakun tim, dhe të shkosh kurdo e ngado që të shkoj unë? Kthehu dhe merr me vete edhe vëllezërit e tu. Jehovai të tregoftë dashamirësi dhe besueshmëri!»—2 Sam. 15:19, 20.

Itai shpreh hapur besnikërinë e tij të palëkundur. Ai i përgjigjet: «Siç është e vërtetë që Jehovai rron dhe siç është e vërtetë që rron zotëria im, mbreti, ku të jetë zotëria im, mbreti, qoftë për vdekje, qoftë për jetë, atje do të jetë edhe shërbëtori yt!» (2 Sam. 15:21) Këto fjalë mund t’i kenë kujtuar Davidit fjalët e ngjashme që kishte thënë stërgjyshja e tij, Rutha. (Rutha 1:16, 17) I prekur nga fjalët e Itait, Davidi i thotë: «Nisu kalo matanë» luginës së Kidronit. Sakaq, «gititi Itai kaloi matanë bashkë me gjithë njerëzit dhe të vegjlit që ishin me të».—2 Sam. 15:22.

«Për mësimin tonë»

«Gjithçka që u shkrua kohë më parë, u shkrua për mësimin tonë»,—thuhet te Romakëve 15:4. Prandaj është mirë të pyesim veten se çfarë mësimesh mund të nxjerrim nga shembulli i Itait? Mendo se çfarë mund ta ketë nxitur atë t’i qëndronte besnik Davidit. Edhe pse ishte i huaj dhe i mërguar nga Filistia, Itai e pranonte Jehovain si Perëndinë e gjallë dhe Davidin si të mirosurin e Tij. Itai nuk e paragjykonte për shkak të armiqësisë që ekzistonte midis izraelitëve dhe filistinëve. Për të, Davidi nuk ishte thjesht ai që kishte vrarë kampionin filistin, Goliadin, dhe shumë nga bashkatdhetarët e tij. (1 Sam. 18:6, 7) Itai e shihte Davidin si një njeri që e donte Jehovain dhe pa dyshim shihte cilësitë e tij të jashtëzakonshme. Prandaj, Davidi kishte vlerësim të madh për Itain. Madje, Davidi e vuri një të tretën e forcave të tij ushtarake ‘nën komandën e Itait’ në betejën vendimtare kundër forcave të Absalomit.—2 Sam. 18:2.

Edhe ne duhet të përpiqemi të shohim përtej ndryshimeve kulturore, raciale ose etnike, domethënë përtej çdo paragjykimi dhe armiqësie të mbetur te ne, dhe të përqendrohemi te cilësitë e mira të të tjerëve. Lidhja që u krijua midis Davidit dhe Itait ilustron se nëse e njohim dhe e duam Jehovain, kjo mund të na ndihmojë t’i kapërcejmë këto pengesa.

Kur mendojmë për shembullin e Itait, mund të pyesim veten: «A tregoj një besnikëri të tillë ndaj Davidit më të Madh, Krishtit Jezu? A e tregoj besnikërinë time duke qenë i zellshëm në veprën e predikimit për Mbretërinë dhe të bërjes së dishepujve?» (Mat. 24:14; 28:19, 20) «Sa jam i gatshëm të duroj për të treguar besnikërinë time?»

Edhe kryefamiljarët përfitojnë shumë nga meditimi për shembullin e besnikërisë së Itait. Besnikëria e tij ndaj Davidit dhe vendimi i tij për të shkuar me mbretin e mirosur të Perëndisë, ndikoi edhe te njerëzit e Itait. Po kështu, vendimet që kryefamiljarët marrin në mbështetje të adhurimit të vërtetë, ndikojnë te familja e tyre dhe madje mund të sjellin vështirësi të përkohshme. Megjithatë, Bibla na siguron: «Me atë që është besnik, ti [Jehova] do të veprosh me besnikëri.»—Psal. 18:25.

Pas betejës së Davidit me Absalomin, në Shkrime nuk flitet më për Itain. Por, ky tregim i shkurtër për të në Fjalën e Perëndisë tregon shumë për karakterin e tij gjatë asaj periudhe të vështirë për Davidin. Përfshirja e Itait në Shkrimet e frymëzuara është një provë që Jehovai e sheh dhe e shpërblen një besnikëri të tillë.—Hebr. 6:10.