Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ku duhet të jesh kur të vijë fundi?

Ku duhet të jesh kur të vijë fundi?

Ku duhet të jesh kur të vijë fundi?

KUR Jehovai t’i japë fund këtij sistemi të lig në Harmagedon, ç’do të ndodhë me individët e drejtë? Proverbat 2:21, 22 përgjigjet: «Vetëm të drejtët do të banojnë në tokë dhe të paqortueshmit do të mbeten në të. Kurse të ligjtë do të shfarosen nga toka dhe të pabesët do të shkulen prej saj.»

Po si do të mbeten në tokë të paqortueshmit? A do të ketë një vend strehimi për ta? Ku duhet të jenë të drejtët kur të vijë fundi? Katër tregime biblike që flasin për shpëtimin e disa njerëzve, hedhin dritë mbi këto çështje.

Kur vendndodhja ishte e rëndësishme

Në lidhje me çlirimin e Noesë dhe Lotit, te 2 Pjetrit 2:5-7 lexojmë: «[Perëndia] nuk ia kurseu ndëshkimin një bote të lashtë, por Noenë, një predikues të drejtësisë, e ruajti bashkë me shtatë të tjerë, kur solli një përmbytje mbi një botë me njerëz të paperëndishëm. Ai i bëri hi qytetet e Sodomës dhe të Gomorrës dhe i dënoi, duke u lënë njerëzve të paperëndishëm një model të gjërave që do të vijnë. Por e çliroi Lotin e drejtë, të cilin e brengoste së tepërmi sjellja e shthurur pas së cilës jepeshin njerëzit që sfidonin ligjin.»

Si shpëtoi Noeja nga Përmbytja? Perëndia i tha Noesë: «E shoh që çdo mishi i ka ardhur fundi, sepse toka është plot dhunë për shkak të tyre. Ja, unë do të sjell shkatërrim mbi njerëzit dhe mbi tokën. Bëj një arkë druri me pemë rrëshinore.» (Zan. 6:13, 14) Noeja ndërtoi arkën pikërisht siç e kishte urdhëruar Jehovai. Shtatë ditë para se të fillonte Përmbytja, Jehovai e udhëzoi të mblidhte kafshët në arkë dhe të hynte aty bashkë me familjen e tij. Ditën e shtatë, dera e arkës u mbyll dhe «rrebeshi vazhdoi mbi tokë dyzet ditë e dyzet net». (Zan. 7:1-4, 11, 12, 16) Noeja dhe familja e tij «shpëtuan nëpërmjet ujit». (1 Pjet. 3:20) Shpëtimi i tyre varej nga të qenët brenda në arkë. Askund në tokë nuk mund të gjenin një vend tjetër të sigurt.—Zan. 7:19, 20.

Në rastin e Lotit, udhëzimet ishin disi ndryshe. Dy engjëj i thanë se ku nuk duhej të ishte. Ata i thanë Lotit: «Gjithë të tutë në qytet [Sodomë], nxirri nga ky vend! Ne do ta shkatërrojmë këtë vend.» Ata ‘duhej të iknin në rajonin malor’.—Zan. 19:12, 13, 17.

Rastet e Noesë dhe të Lotit vërtetojnë se «Jehovai di t’i çlirojë nga sprova njerëzit me përkushtim hyjnor, dhe t’i ruajë të padrejtët për ditën e gjykimit». (2 Pjet. 2:9) Në të dyja rastet e shpëtimit, vendndodhja ishte një faktor vendimtar. Noeja duhej të hynte brenda në arkë; Loti duhej të dilte jashtë Sodomës. Por, a është gjithmonë kështu? A mund t’i shpëtojë Jehovai të drejtët kudo qofshin ata, pa iu dashur të zhvendosen? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, vër re dy tregime të tjera shpëtimi.

A është vendndodhja gjithnjë e rëndësishme?

Para se të shkretonte Egjiptin me anë të plagës së dhjetë në kohën e Moisiut, Jehovai i urdhëroi izraelitët të spërkatnin me gjakun e kafshës së Pashkës arkitrarët dhe shtalkat e shtëpive të tyre. Pse? Që, ‘kur Jehovai të kalonte për të goditur me plagë egjiptianët dhe të shihte gjakun në pjesën e sipërme të hyrjes dhe te dy shtalkat, Jehovai kishte për ta kaluar hyrjen e tyre, dhe nuk do të lejonte që shkatërrimi të hynte në shtëpitë e tyre e t’i godiste me plagë’. Pikërisht atë natë, «Jehovai goditi çdo të parëlindur në vendin e Egjiptit, që nga i parëlinduri i faraonit, që ulet në fronin e vet, deri tek i parëlinduri i robit, që ndodhej në gropën e burgut, si dhe çdo pjellë të parë të kafshëve». Kurse të parëlindurit e izraelitëve shpëtuan pa iu dashur të zhvendoseshin.—Dal. 12:22, 23, 29.

Mendoni pak edhe për rastin e Rahabës, një prostitutë që jetonte në qytetin e Jerikosë. Izraelitët do të fillonin pushtimin e Tokës së Premtuar. Kur Rahaba kuptoi që Jerikoja do të shkatërrohej, ajo u tha dy vëzhguesve izraelitë se qytetin e kishte mbërthyer frika nga izraelitët që po afroheshin. Ajo i fshehu këta dy izraelitë dhe u kërkoi t’i premtonin që asaj dhe familjes së saj do t’u kursehej jeta kur të pushtohej Jerikoja. Ata e udhëzuan Rahabën që ta mblidhte familjen e saj brenda në shtëpi, e cila ndodhej mbi murin e qytetit. Nëse do të largoheshin nga shtëpia, do të shkatërroheshin bashkë me gjithë qytetin. (Jos. 2:8-13, 15, 18, 19) Por, Jehovai i tha më vonë Josiut se ‘muret e qytetit do të rrafshoheshin’. (Jos. 6:5) Ai që dy vëzhguesit kishin përcaktuar si vend shpëtimi për Rahabën, tani dukej se ishte në rrezik. Si do të shpëtonin ajo dhe familja e saj?

Kur erdhi koha për të pushtuar Jerikonë, priftërinjtë izraelitë u ranë brirëve dhe populli bërtiti. «Sapo populli [i Izraelit] dëgjoi tingullin e bririt dhe filloi të lëshonte një britmë të madhe për luftë,—thuhet te Josiu 6:20,—muri zuri të rrafshohej.» Asnjë njeri nuk mund ta ndalonte tani shembjen e murit. Por, në mënyrë të mrekullueshme, shembja e murit të qytetit u ndal te shtëpia e Rahabës. Josiu i urdhëroi dy vëzhguesit: «Shkoni në shtëpinë e asaj prostitutës dhe, siç iu betuat, nxirreni që andej tok me gjithë njerëzit e saj.» (Jos. 6:22) Të gjithë ata që ishin në shtëpinë e Rahabës, shpëtuan.

Cila ishte gjëja më e rëndësishme?

Ç’mund të mësojmë nga shpëtimi i Noesë, i Lotit, i izraelitëve në kohën e Moisiut dhe i Rahabës? Si na ndihmojnë këto tregime për të kuptuar se ku duhet të jemi kur të vijë fundi i këtij sistemi të lig?

Është e vërtetë se Noeja shpëtoi ngaqë ishte në arkë. Por, pse ishte atje brenda? A nuk ishte sepse tregoi besim dhe u bind? «Noeja veproi në përputhje me të gjitha ato që i urdhëroi Perëndia,—thotë Bibla.—Ai bëri pikërisht ashtu.» (Zan. 6:22; Hebr. 11:7) Po ne? A po veprojmë në përputhje me të gjitha ato që na ka urdhëruar Perëndia? Noeja ishte edhe ‘një predikues i drejtësisë’. (2 Pjet. 2:5) A jemi të zellshëm në veprën e predikimit ashtu si ai, edhe nëse njerëzit në territor nuk na dëgjojnë?

Loti shpëtoi nga shkatërrimi sepse iku nga Sodoma. Jeta e tij u kursye sepse ishte i drejtë në sytë e Perëndisë dhe e brengoste së tepërmi sjellja e shthurur e njerëzve që sfidonin ligjin në Sodomë e Gomorrë. A na brengos vërtetë sjellja e shthurur që mbizotëron në ditët e sotme? Apo jemi bërë aq të pandjeshëm sa nuk na bën përshtypje? A po bëjmë çmos që të gjendemi «të panjollë, të patëmetë dhe në paqe»?—2 Pjet. 3:14.

Për izraelitët në Egjipt dhe për Rahabën në Jeriko, shpëtimi varej nga qëndrimi brenda në shtëpi. Kjo kërkonte besim dhe bindje. (Hebr. 11:28, 30, 31) Imagjino se si duhet t’i kenë ngulur sytë te të parëlindurit e tyre familjet izraelite kur «një klithmë e madhe nisi të dëgjohej» në çdo shtëpi egjiptiane njëra pas tjetrës. (Dal. 12:30) Mendo pak si duhet të jetë mbledhur Rahaba me familjen e saj kur dëgjonin rrapëllimën e shembjes së mureve të Jerikosë që afrohej gjithnjë e më shumë. Duhej besim i fortë nga ana e saj që të bindej e të mos dilte nga shtëpia.

Së shpejti, do t’i vijë fundi botës së ligë të Satanait. Se si do ta mbrojë Jehovai popullin e tij në ‘ditën e zemërimit të tij’ të frikshëm, nuk e dimë akoma. (Sof. 2:3) Por, pavarësisht se ku dhe në ç’rrethana do të jemi në atë kohë, mund të jemi të sigurt se shpëtimi ynë do të varet nga besimi te Jehovai dhe bindja ndaj tij. Ndërkohë, duhet të zhvillojmë pikëpamjen e duhur për ato që profecia e Isaisë i quan «dhomat ku je më i sigurt».

«Hyr në dhomat ku je më i sigurt»

«Shko, populli im, hyr në dhomat ku je më i sigurt dhe mbylli dyert,—thuhet te Isaia 26:20.—Fshihu veç për një çast, derisa të kalojë indinjata.» Kjo profeci mund ta ketë pasur përmbushjen e saj të parë në vitin 539 p.e.s., kur medët dhe persët pushtuan Babiloninë. Kur hyri në Babiloni, mbreti pers, Kiri, me sa duket i urdhëroi të gjithë të rrinin brenda në shtëpi sepse ushtarët e tij ishin urdhëruar të vritnin këdo që do të gjenin jashtë shtëpive.

Në ditët e sotme, «dhomat» e kësaj profecie mund të kenë lidhje me më shumë se 100.000 kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë botën. Këto kongregacione luajnë një rol të rëndësishëm në jetën tonë. Dhe do vazhdojnë ta kenë këtë rol edhe gjatë ‘shtrëngimit të madh’. (Zbul. 7:14) Populli i Perëndisë është urdhëruar të hyjë në ‘dhomat ku është më i sigurt’ dhe të fshihet aty «derisa të kalojë indinjata». Është jetësore të zhvillojmë e të mbajmë pikëpamjen e duhur për kongregacionin dhe të jemi më se të vendosur të qëndrojmë të lidhur ngushtë me të. Është mirë t’i vëmë veshin nxitjes së Pavlit: «Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera, pa braktisur mbledhjet tona, siç e kanë zakon disa, por duke inkurajuar njëri-tjetrin e aq më tepër tani, që e [shohim] se dita po afrohet.»—Hebr. 10:24, 25.

[Figurat në faqen 7]

Ç’mund të mësojmë nga veprat e shpëtimit të Perëndisë në të kaluarën?

[Figura në faqen 8]

Me çfarë mund të kenë lidhje në ditët e sotme ‘dhomat ku jemi më të sigurt’?