Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të gjesh gëzim në dhuratën e beqarisë

Si të gjesh gëzim në dhuratën e beqarisë

Si të gjesh gëzim në dhuratën e beqarisë

«DHE ata u martuan e jetuan përgjithmonë të lumtur.» Me fjalë të tilla përfundojnë shumë përralla për fëmijë. Filmat dhe romanet romantike shpesh përcjellin një mesazh të ngjashëm, domethënë që martesa sjell lumturinë e shumëpritur. Për më tepër, shumica e kulturave ushtron presion të fortë te të rinjtë që të martohen. «Njerëzit të bëjnë të mendosh se qëllimi i vetëm që duhet të ketë një vajzë është që të martohet,—tha Debi kur ishte në mes të të njëzetave.—Ata përcjellin idenë se jeta nis pas martesës.»

Një njeri frymor nuk i sheh gjërat vetëm bardhë e zi. Megjithëse martesa ishte e zakonshme ndër izraelitët, Bibla flet për shumë beqarë që bënë një jetë të kënaqshme. Sot, disa të krishterë zgjedhin të qëndrojnë beqarë, kurse shumë të tjerë mbeten beqarë për shkak të rrethanave. Cilado qoftë arsyeja pse dikush nuk është martuar, mbetet kjo pyetje e rëndësishme: si mund të ketë një jetë të suksesshme një i krishterë beqar?

Jezui nuk u martua, dhe kjo është më se e kuptueshme duke pasur parasysh caktimin që i ishte dhënë. Ai u tha dishepujve se edhe disa prej ithtarëve të tij ‘do t’i bënin vend’ beqarisë. (Mat. 19:10-12) Kështu, Jezui tregoi se, që të kemi një jetë të suksesshme si beqarë, duhet ta pranojmë ose t’i bëjmë vend në mendje dhe në zemër kësaj mënyre jetese.

A vlen këshilla e Jezuit vetëm për dikë që ka zgjedhur vetë beqarinë, me qëllim që të përqendrohet plotësisht në caktimet teokratike? (1 Kor. 7:34, 35) Jo medoemos. Të shqyrtojmë situatën e një të krishtere që ndoshta dëshiron të martohet, por që tani për tani nuk mund të gjejë një bashkëshort të përshtatshëm. «Para pak kohësh, më propozoi papritur një koleg pune që nuk është Dëshmitar,—tha Ana, një motër beqare te të tridhjetat.—Në njëfarë mënyre m’u bë qejfi, por menjëherë e mposhta atë ndjenjë sepse dua të martohem vetëm me dikë që do të më afrojë më shumë me Jehovain.»

Dëshira për t’u martuar «në Zotërinë» i ndihmon shumë motra si Ana që të shmangin martesën me një jobesimtar. * (1 Kor. 7:39; 2 Kor. 6:14) Nga respekti për këshillën e Perëndisë, ata i bëjnë vend beqarisë, të paktën tani për tani. Si mund ta bëjnë këtë në mënyrë të suksesshme?

Mëso të shohësh anët pozitive

Aftësia për të pranuar një situatë që mund të mos duket shumë ideale, varet mjaft nga qëndrimi që kemi. «Kënaqem me atë që kam dhe nuk ëndërroj për diçka që nuk e kam»,—thotë Karmeni, një motër beqare, te të dyzetat. Vërtet, mund të ketë momente kur ndihemi të vetmuar ose të mërzitur. Por dijenia se gjëra të ngjashme i përjetojnë shumë të tjerë në gjithë vëllazërinë tonë nëpër botë, mund të na nxitë të vazhdojmë përpara me besim. Jehovai ka ndihmuar shumë veta që të kenë një jetë të suksesshme si beqarë dhe të kapërcejnë vështirësi të tjera.—1 Pjet. 5:9, 10.

Shumë vëllezër e motra kanë zbuluar një anë pozitive të beqarisë. «Mendoj se sekreti i lumturisë është të jesh në gjendje të kënaqesh me anët pozitive të çdo situate ku gjendesh»,—thotë Estera, një motër beqare në mes të të tridhjetave. «Besoj se pavarësisht nëse martohem apo jo, në qoftë se vë në vend të parë interesat e Mbretërisë, Jehovai nuk do të më kursejë asgjë të mirë»,—shton Karmeni. (Psal. 84:11) Ajo thotë më tej: «Jeta ime mund të mos ketë shkuar tamam siç e kisha planifikuar, por jam e lumtur dhe do të vazhdoj të jem kështu.»

Shembuj biblikë të beqarisë

Vajza e Jefteut nuk kishte planifikuar të qëndronte beqare. Por zotimi i të atit e detyroi të shërbente në shenjtërore që nga rinia e për gjithë jetën. Ky caktim i papritur pa dyshim ia ndryshoi planet dhe ishte kundër ndjenjave të saj të natyrshme. Ajo vajtoi për dy muaj kur kuptoi se nuk do të martohej kurrë dhe nuk do të kishte një familje. Megjithatë, e pranoi situatën e saj të re dhe shërbeu me gjithë zemër për gjithë jetën. Gra të tjera izraelite e lavdëronin atë vit për vit për frymën vetëmohuese.—Gjyk. 11:36-40.

Gjatë kohës së Jeremisë, disa që ishin eunukë në kuptimin fizik, mund të jenë ndier të zhgënjyer për rrethanat e tyre. Bibla nuk thotë se si u bënë eunukë. Si të tillë, ata nuk mund të bëheshin pjesëtarë të kongregacionit të Izraelit me të drejta të plota dhe as mund të martoheshin e të kishin fëmijë. (Ligj. 23:1) Gjithsesi, Jehovai i kuptonte ndjenjat e tyre dhe i lavdëroi për bindjen me gjithë shpirt ndaj besëlidhjes së tij. Ai u tha se do të kishin në shtëpinë e tij «një përmendore» dhe «një emër të përjetshëm». Me fjalë të tjera, këta eunukë do të kishin shpresën e sigurt që të gëzonin jetën e përhershme nën sundimin mesianik të Jezuit. Jehovai nuk do t’i harronte kurrë.—Isa. 56:3-5.

Rrethanat e Jeremisë ishin krejt ndryshe. Pasi e caktoi Jereminë si profet, Perëndia e udhëzoi të qëndronte beqar për shkak të kohëve kritike në të cilat jetonte dhe të llojit të caktimit. Jehovai i tha: «Mos merr grua dhe mos bëj bij e bija në këtë vend.» (Jer. 16:1-4) Bibla nuk tregon për ndjenjat e Jeremisë ndaj këtyre udhëzimeve, megjithatë na siguron se ai ishte një njeri që gjente kënaqësi në fjalën e Jehovait. (Jer. 15:16) Në vitet e mëvonshme, kur Jeremia përjetoi rrethimin e tmerrshëm 18-mujor të Jerusalemit, me siguri ai pa sa e mençur kishte qenë që i ishte bindur urdhrit të Jehovait për të qëndruar beqar.—Vajt. 4:4, 10.

Mënyra për të pasuruar jetën tënde

Personazhet biblike të përmendura më sipër ishin beqarë, por ata kishin mbështetjen e Jehovait dhe iu përkushtuan plotësisht shërbimit të tij. Po kështu sot, aktivitetet domethënëse mund të ndihmojnë shumë për të na e pasuruar jetën. Bibla parashikoi se gratë që do të shpallnin lajmin e mirë, do të bëheshin një ushtri e madhe. (Psal. 68:11) Në mes të kësaj shumice, ka mijëra motra beqare. Teksa shërbimi i tyre ka sjellë fryt, shumë janë bekuar me bij e bija frymore.—Mar. 10:29, 30; 1 Sel. 2:7, 8.

«Shërbimi si pioniere më ndihmon të kem një qëllim në jetë,—shpjegon Loli pas 14 vjetësh në këtë shërbim.—Meqë jam beqare, bëj një jetë të mbushur dhe aktive që më ndihmon të shmang vetminë. Ndihem e kënaqur në fund të çdo dite sepse mund të shoh që shërbimi im i ndihmon vërtet njerëzit. Kjo më sjell gëzim të madh.»

Shumë motra kanë mundur të mësojnë një gjuhë të re dhe e kanë zgjeruar shërbimin duke u predikuar të huajve. «Në qytetin ku jetoj unë, ka mijëra të huaj»,—thotë Ana që përmendëm më parë. Ajo kënaqet duke u predikuar njerëzve që flasin frëngjisht. Ana shton: «Mësimi i një gjuhe me të cilën mund të komunikoj me shumë prej tyre, më ka hapur një fushë të re aktiviteti dhe e ka bërë veprën e predikimit shumë interesante për mua.»

Meqë beqaria shpesh nënkupton më pak detyrime familjare, disa kanë përfituar nga situata e tyre për të shërbyer atje ku ka më shumë nevojë. Lidjana, një motër beqare në mes të të tridhjetave, e cila ka shërbyer në vende të tjera ku ka më shumë nevojë, thotë: «Jam plotësisht e bindur se sa më shumë të bësh në shërbim të Jehovait, aq më e lehtë është të bësh miq të ngushtë dhe të ndiesh se të duan. Kam bërë shumë miq të ngushtë që vijnë nga prejardhje e kombësi të ndryshme dhe këto miqësi ma kanë pasuruar shumë jetën.»

Bibla flet për Filipin, ungjillëzuesin, i cili kishte katër vajza të pamartuara që profetizonin. (Vep. 21:8, 9) Vajzat duhet të kenë pasur një frymë të zellshme si ajo e babait të tyre. Mos ndoshta e kanë përdorur dhuratën e tyre të profetizimit për dobinë e të bashkëkrishterëve në Cezare? (1 Kor. 14:1, 3) Po kështu sot, shumë motra beqare i inkurajojnë të tjerët duke i ndjekur rregullisht mbledhjet e krishtere dhe duke marrë pjesë në to.

Lidia, nga ana tjetër, ishte një nga të krishteret e hershme në Filipi që lavdërohet në Bibël për mikpritjen e saj. (Vep. 16:14, 15, 40) Lidia, e cila ndoshta ishte beqare ose e ve, kishte një frymë bujare dhe si rrjedhim gëzonte shoqërinë e mbikëqyrësve udhëtues si Pavli, Sila dhe Luka. Një frymë e tillë sjell bekime të ngjashme sot.

Të plotësojmë nevojën që të na duan

Megjithëse kemi një aktivitet domethënës që na e mbush jetën, të gjithë kemi nevojë të na tregojnë dashuri dhe përzemërsi. Si mund ta plotësojnë këtë nevojë beqarët? Së pari, është Jehovai i cili gjithnjë na do, na forcon dhe na dëgjon. Ndonjëherë mbreti David ndihej «vetmitar dhe i munduar», por ai e dinte se mund t’i drejtohej gjithmonë Jehovait për ndihmë. (Psal. 25:16; 55:22) Ai shkroi: «Edhe sikur nëna dhe babai të më braktisnin, Jehovai do të më merrte në gji.» (Psal. 27:10) Perëndia i fton të gjithë shërbëtorët e tij që t’i afrohen, të bëhen miqtë e tij të ngushtë.—Psal. 25:14; Jak. 2:23; 4:8.

Për më tepër, brenda vëllazërisë mbarëbotërore mund të gjejmë edhe baballarë, nëna, vëllezër dhe motra frymorë, dashuria e të cilëve do të na e pasurojë jetën. (Mat. 19:29; 1 Pjet. 2:17) Shumë të krishterë beqarë provojmë mjaft kënaqësi duke ndjekur shembullin e Dorkës, e cila «bënte plot vepra të mira dhe jepte lëmoshë me bollëk». (Vep. 9:36, 39) Loli shpjegon: «Kudo që shkoj, kërkoj miq të vërtetë në kongregacion, të cilët do të më duan dhe do të më mbështetin kur të jem e shkurajuar. Për t’i forcuar këto miqësi, përpiqem t’u tregoj dashuri dhe interes të tjerëve. Kam shërbyer në tetë kongregacione dhe gjithmonë kam gjetur miq të vërtetë. Shpesh, ato nuk janë moshatare me mua, ndonjëherë janë gjyshe ose adoleshente.» Në çdo kongregacion ka nga ata që kanë nevojë për përzemërsi dhe shoqëri. Interesimi i sinqertë mund t’i ndihmojë shumë dhe mund të plotësojë nevojën që kemi që të duam e të na duan.—Luka 6:38.

Perëndia nuk do të harrojë

Bibla tregon se të gjithë të krishterët duhet të bëjnë sakrifica të ndonjë lloji, pasi jetojmë në kohë të vështira. (1 Kor. 7:29-31) Ata që mbeten beqarë për shkak se janë të vendosur t’i binden urdhrit hyjnor për t’u martuar vetëm në Zotërinë, patjetër meritojnë respekt dhe konsideratë të veçantë. (Mat. 19:12) Por, kjo sakrificë e lavdërueshme nuk do të thotë se ata nuk mund ta gëzojnë plotësisht jetën.

«Kam një jetë të kënaqshme që mbështetet në marrëdhënien time me Jehovain dhe në shërbimin që kryej ndaj tij,—thotë Lidjana.—Njoh të martuar që janë të lumtur dhe të tjerë që nuk janë të lumtur. Ky realitet më bind se lumturia ime nuk varet nga fakti nëse do të martohem apo jo në të ardhmen.» Siç e theksoi Jezui, lumturia varet kryesisht nëse japim dhe shërbejmë, diçka që të gjithë të krishterët mund ta bëjnë.—Gjoni 13:14-17; Vep. 20:35.

Pa dyshim, shkaku më i madh për gëzim është dijenia se Jehovai do të na bekojë për çfarëdo sakrifice që bëjmë për hir të kryerjes së vullnetit të tij. Bibla na siguron: «Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që treguat për emrin e tij.»—Hebr. 6:10.

[Shënimi]

^ par. 6 Megjithëse këtu po u referohemi motrave të krishtere, parimet vlejnë edhe për vëllezërit.

[Diçitura në faqen 25]

«Kënaqem me atë që kam dhe nuk ëndërroj për diçka që nuk e kam.»—Karmeni

[Figura në faqen 26]

Loli dhe Lidjana kënaqen duke shërbyer atje ku ka më shumë nevojë

[Figura në faqen 27]

Perëndia i fton të gjithë shërbëtorët e tij që t’i afrohen