Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Familje të krishtere, ndiqni shembullin e Jezuit!

Familje të krishtere, ndiqni shembullin e Jezuit!

Familje të krishtere, ndiqni shembullin e Jezuit!

«Krishti . . . ju [la] një model, që të ndiqni me kujdes gjurmët e tij.»—1 PJET. 2:21.

1. (a) Ç’rol pati në krijim Biri i Perëndisë? (b) Çfarë ndien Jezui për njerëzimin?

KUR Perëndia krijoi qiejt dhe tokën, Biri i tij i parëlindur ishte përkrah tij «si një kryemjeshtër». Gjithashtu, Biri i Perëndisë bashkëpunoi me Atin kur Ai projektoi dhe krijoi larminë e pafund të jetës shtazore e bimore këtu në tokë. Bashkëpunoi edhe kur Jehovai përgatiti Parajsën, e cila do të ishte shtëpia e krijesave që do të bëheshin sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Tij. Biri i Perëndisë, që më vonë u bë i njohur si Jezui, e donte shumë njerëzimin. Ai ‘i kishte për zemër gjërat që kishin lidhje me bijtë e njerëzve’.—Prov. 8:27-31; Zan. 1:26, 27.

2. (a) Çfarë i ka siguruar Jehovai njerëzimit të papërsosur? (b) Cila është një fushë e jetës ku Bibla siguron drejtim?

2 Pasi çifti i parë njerëzor mëkatoi, shpengimi i njerëzimit mëkatar u bë pjesë e rëndësishme e qëllimit të Jehovait. Ai siguroi flijimin shpërblyes të Krishtit për të bërë të mundur këtë shpengim. (Rom. 5:8) Për më tepër, siguroi Fjalën e tij, Biblën, e cila i jep drejtim njeriut se si të ketë sukses në jetë, pavarësisht nga papërsosmëria e trashëguar. (Psal. 119:105) Në Fjalën e tij, Jehovai siguron drejtim për t’i ndihmuar njerëzit që të kenë familje të forta e të lumtura. Në lidhje me martesën, libri i Zanafillës thotë se burri «do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe ata do të bëhen një mish i vetëm».—Zan. 2:24.

3. (a) Çfarë u mësoi Jezui njerëzve për martesën? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Gjatë shërbimit të tij në tokë, Jezui theksoi se martesa duhej të zgjaste përgjithmonë. Ai dha parime që, po t’i zbatonin, do t’i ndihmonin pjesëtarët e familjes të shmangnin qëndrime dhe sjellje që kërcënonin martesën ose lumturinë familjare. (Mat. 5:27-37; 7:12) Në këtë artikull do të shqyrtojmë se si mësimet e Jezuit dhe shembulli që la kur ishte në tokë, mund t’i ndihmojnë burrat, gratë, prindërit dhe fëmijët që të jetojnë të lumtur e të kënaqur.

Si e nderon një burrë i krishterë gruan

4. Ç’ngjashmëri ka midis rolit të Jezuit dhe rolit të burrave të krishterë?

4 Perëndia e caktoi burrin si kreun e familjes, ashtu si Jezui është Kreu i kongregacionit. Apostulli Pavël tha: «Burri është kreu i gruas së tij, ashtu si edhe Krishti është kreu i kongregacionit, duke qenë shpëtimtari i këtij trupi. Burra, vazhdoni t’i doni gratë tuaja, ashtu si edhe Krishti e deshi kongregacionin dhe dorëzoi veten për të.» (Efes. 5:23, 25) Po, mënyra si i trajtoi Jezui dishepujt është një model se si burrat e krishterë duhet të trajtojnë gratë e tyre. Le të shqyrtojmë disa mënyra se si e ushtroi Jezui autoritetin që i kishte dhënë Perëndia.

5. Si e ushtronte Jezui autoritetin ndaj dishepujve?

5 Jezui ishte «me natyrë të butë e i përulur në zemër». (Mat. 11:29) Veç kësaj, ai vepronte kur ishte e nevojshme. Kurrë nuk i linte pas dore përgjegjësitë e tij. (Mar. 6:34; Gjoni 2:14-17) Me dashamirësi u jepte këshilla dishepujve, madje edhe në mënyrë të përsëritur kur ishte e nevojshme. (Mat. 20:21-28; Mar. 9:33-37; Luka 22:24-27) Prapëseprapë, Jezui nuk i qortonte ashpër e nuk i poshtëronte, dhe as i bënte të ndiheshin sikur nuk i donte askush ose sikur ishin të paaftë për të bërë ato që u mësonte. Përkundrazi, i lavdëronte dhe u jepte zemër. (Luka 10:17-21) Ngaqë i trajtoi me dashuri e dhembshuri, nuk habitemi që Jezui fitoi respektin e dishepujve.

6. (a) Çfarë mund të mësojë një burrë nga mënyra si i trajtonte Jezui dishepujt? (b) Ç’inkurajim u jep Pjetri burrave?

6 Shembulli i Jezuit i mëson burrat se kryesia e krishterë nuk është një pozitë për të sunduar me ashpërsi. Përkundrazi, ajo karakterizohet nga respekti dhe dashuria vetëmohuese. Apostulli Pjetër i inkurajoi burrat që të imitonin sjelljen e dashur të Jezuit dhe ‘të banonin në mënyrë të ngjashme’ me gratë e tyre «duke i nderuar». (Lexo 1 Pjetrit 3:7.) Atëherë, si mund ta ushtrojë autoritetin një burrë dhe njëkohësisht ta trajtojë gruan si dikë që meriton nderim?

7. Në ç’mënyrë mund ta nderojë burri gruan? Jepni një shembull.

7 Një mënyrë se si burri mund ta nderojë gruan është duke marrë parasysh me kujdes pikëpamjen dhe ndjenjat e saj, para se të marrë vendime që ndikojnë te familja. Ndoshta duhet marrë një vendim për të ndryshuar vendbanimin a punën ose në lidhje me çështjet e përditshme, si ku të shkojnë me pushime a si ta përshtatin buxhetin familjar që të përballojnë koston e lartë të jetesës. Meqë vendimi do të ndikojë tek e gjithë familja, do të ishte dobiprurëse dhe mirëdashëse që burri të merrte parasysh mendimin e gruas, pasi kjo gjë mund ta ndihmojë të marrë një vendim të ekuilibruar e më të peshuar, dhe gruaja do ta ketë më të lehtë ta mbështetë. (Prov. 15:22) Burrat e krishterë që nderojnë gratë e tyre nuk fitojnë vetëm dashurinë dhe respektin e gruas, por ç’është më e rëndësishmja, fitojnë miratimin e Jehovait.—Efes. 5:28, 29.

Si tregon gruaja respekt të thellë për burrin

8. Pse duhet shmangur shembulli i Evës?

8 Për gratë e krishtere, Jezui është një model i përsosur i nënshtrimit ndaj autoritetit. Sa ndryshon pikëpamja e tij për autoritetin nga qëndrimi që shfaqi gruaja e parë! Eva nuk la një model të mirë për gratë. Jehovai i kishte caktuar burrin si kreun e saj, nëpërmjet të cilit i jepte udhëzime. Megjithatë, Eva nuk e respektoi këtë masë të Perëndisë. Nuk i pranoi udhëzimet që i përcolli Adami. (Zan. 2:16, 17; 3:3; 1 Kor. 11:3) Sigurisht, Eva u mashtrua, po gjithsesi duhej t’i kishte kërkuar drejtim burrit nëse ishte e përshtatshme t’ia vinte veshin zërit që hiqej sikur po i thoshte atë që «Perëndia e di». Përkundrazi, ishte ajo që e drejtoi burrin, duke vepruar kështu me arrogancë.—Zan. 3:5, 6; 1 Tim. 2:14.

9. Çfarë shembulli la Jezui duke u nënshtruar?

9 Ndryshe nga kjo, Jezui la modelin e përsosur të nënshtrimit ndaj Kreut të tij. Qëndrimi dhe mënyra e tij e jetesës tregojnë se ai «as që e çoi nëpër mend të bënte ndonjë rrëmbim, domethënë, të ishte i barabartë me Perëndinë». Përkundrazi, «e zbrazi veten dhe mori formë skllavi». (Filip. 2:5-7) Sot, si Mbret në fron, Jezui mban të njëjtin qëndrim. I nënshtrohet me përulësi Atit në gjithçka dhe mbështet kryesinë e Tij.—Mat. 20:23; Gjoni 5:30; 1 Kor. 15:28.

10. Si mund ta mbështetë një grua kryesinë e burrit?

10 Një grua e krishterë tregohet e mençur nëse e imiton Jezuin duke mbështetur kryesinë e burrit të saj. (Lexo 1 Pjetrit 2:21; 3:1, 2.) Të shqyrtojmë një rrethanë ku ajo ka rastin ta bëjë këtë. Djali i kërkon leje që të marrë pjesë në një aktivitet për të cilin kërkohet leja e prindërve. Meqë kjo çështje nuk është diskutuar më parë nga prindërit, do të ishte e përshtatshme që nëna ta pyeste: «Ke folur me babin?» Nëse djali nuk ka folur, ajo duhet ta diskutojë çështjen me burrin para se të vendoset diçka. Për më tepër, një grua e krishterë nuk duhet ta kundërshtojë burrin ose të sfidojë mendimin e tij në sy të fëmijëve. Nëse nuk është dakord me burrin për diçka, do të flasë veçmas me të.—Efes. 6:4.

Shembulli i Jezuit për prindërit

11. Cilin shembull la Jezui për prindërit?

11 Edhe pse nuk u martua e nuk pati fëmijë, Jezui është një model i shkëlqyer për prindërit e krishterë. Në ç’mënyrë? Me dashuri dhe durim, ai i mësoi dishepujt me anë të fjalëve e të shembullit të tij. U tregoi si ta përmbushnin caktimin që u dha. (Luka 8:1) Me qëndrimin dhe mënyrën si sillej me dishepujt, Jezui u mësoi si të trajtonin njëri-tjetrin.—Lexo Gjonin 13:14-17.

12, 13. Çfarë kërkohet nga prindërit nëse duan t’i rritin fëmijët me frikë Perëndie?

12 Fëmijët kanë prirjen të imitojnë prindërit, qoftë për mirë, qoftë për keq. Prandaj, ju prindër, pyetni veten: «Çfarë po u mësojmë fëmijëve për sa i përket kohës që kalojmë duke parë televizor e duke u zbavitur dhe kohës që i kushtojmë studimit të Biblës e pjesëmarrjes në shërbim? Cilat janë në të vërtetë përparësitë e familjes sonë? A po lëmë një shembull të mirë duke përqendruar jetën dhe vendimet tona në adhurimin e vërtetë?» Nëse duan t’i rritin fëmijët me frikë Perëndie, Ligji i Perëndisë duhet të jetë së pari në zemrën e prindërve.—Ligj. 6:6.

13 Në qoftë se prindërit përpiqen t’i zbatojnë parimet e Biblës në çështjet e përditshme, kjo nuk do të shpëtojë pa u vënë re nga fëmijët. Fjalët dhe mësimet e prindërve do të kenë peshë. Megjithatë, nëse fëmijët vërejnë se prindërit ndryshe thonë e ndryshe bëjnë, mund të nxjerrin përfundimin se parimet biblike nuk janë vërtet të rëndësishme ose të dobishme. Si pasojë, fëmijët mund të jenë më të prirur të dorëzohen përballë presionit të botës.

14, 15. (a) Çfarë vlerash duhet të kultivojnë prindërit te fëmijët? (b) Cila është një mënyrë si mund ta bëjnë këtë?

14 Prindërit e krishterë e kuptojnë se rritja e një fëmije përfshin më shumë se plotësimin e nevojave materiale. Prandaj, do të ishte fare e pamençur ta mësonin fëmijën të ndjekë synime që do t’i shërbenin vetëm për përfitime materiale. (Ekl. 7:12) Jezui i mësoi dishepujt t’u jepnin përparësi vlerave dhe synimeve frymore. (Mat. 6:33) Prandaj, në imitim të Jezuit, edhe prindërit e krishterë duhet të përpiqen të kultivojnë te fëmijët dëshirën për të ndjekur synime frymore.

15 Një mënyrë si mund ta bëjnë këtë prindërit është duke u krijuar mundësi fëmijëve të shoqërohen me ata që janë në shërbimin e plotkohor. Mendoni sa inkurajuese mund të jetë për adoleshentët të njihen me pionierë ose me mbikëqyrësin qarkor dhe gruan e tij. Kur vijnë për vizitë misionarë, bethelitë dhe ata që shërbejnë në veprën ndërkombëtare të ndërtimit, mund të flasin me entuziazëm për gëzimin që provojnë në shërbim të Jehovait. Pa dyshim, këta vizitorë do të kenë përvoja interesante për të treguar. Shembulli i tyre i shërbimit vetëmohues mund t’i ndihmojë shumë fëmijët tuaj që të marrin vendime të mençura, të vënë synime të lavdërueshme dhe të ndjekin arsimimin e përshtatshëm për të mbajtur veten në shërbimin e plotkohor.

Fëmijë: Çfarë do t’ju ndihmojë të ndiqni shembullin e Krishtit?

16. Si i nderonte Jezui prindërit e tij tokësorë dhe Atin e tij qiellor?

16 Fëmijë, Jezui është një shembull i shkëlqyer edhe për ju. Jezui iu la nën kujdes Jozefit e Marisë dhe u bindej atyre. (Lexo Lukën 2:51.) Ai e kuptonte se, pavarësisht se ishin të papërsosur, Perëndia ua kishte besuar atyre përgjegjësinë që të kujdeseshin për të. Për këtë arsye, ai duhej t’i nderonte. (Ligj. 5:16; Mat. 15:4) Kur u rrit, Jezui gjithmonë bënte gjërat që i pëlqenin Atit të tij qiellor. Kjo do të thoshte t’u rezistonte tundimeve. (Mat. 4:1-10) Ju të rinj ndonjëherë mund të tundoheni të mos u bindeni prindërve. Atëherë, çfarë mund t’ju ndihmojë të ndiqni shembullin e Jezuit?

17, 18. (a) Ç’lloj presioni hasin të rinjtë në shkollë? (b) Çfarë mund të sjellin ndër mend të rinjtë që të përballojnë sprovat?

17 Ndoshta shumica e shokëve tuaj të shkollës kanë pak ose aspak respekt për normat e Biblës. Ata mund të përpiqen t’ju përfshijnë në aktivitete të papërshtatshme dhe mund të tallen nëse nuk pranoni. A ju vënë nofka tallëse shokët e shkollës ngaqë nuk pranoni të merrni pjesë me ta në disa aktivitete? Nëse po, si reagoni? Ju e dini se po të lejoni të frikësoheni e të bëni si ata, do të zhgënjeni prindërit dhe Jehovain. Ku do të përfundoni nëse veproni si shokët e shkollës? Ndoshta keni vënë disa synime, si për shembull, të bëheni pionierë ose shërbëtorë ndihmës, të shërbeni në një territor ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë ose të bëheni bethelitë. A do t’ju ndihmojë shoqëria me shokët e shkollës të arrini këto synime?

18 Ju të rinj në kongregacionin e krishterë, a gjendeni ndonjëherë në rrethana ku besimi juaj vihet në provë? Si reagoni? Mendoni për modelin tuaj, Jezuin. Ai refuzoi t’i dorëzohej tundimit dhe e mbrojti i patundur atë që e dinte se ishte e drejtë. Nëse sillni ndër mend këtë, do të merrni forcë për t’u thënë qartë shokëve të shkollës se nuk doni të bashkoheni me ta për të bërë diçka që e dini se është e gabuar. Ashtu si Jezui, përqendrohuni te mundësia e një jete të lumtur duke i shërbyer e duke iu bindur Jehovait.—Hebr. 12:2.

Çelësi i një jete të lumtur familjare

19. Cila mënyrë jetese sjell lumturi të vërtetë?

19 Perëndia Jehova dhe Jezu Krishti duan më të mirën për njerëzimin. Edhe në gjendjen tonë të papërsosur, mund të jemi relativisht të lumtur. (Isa. 48:17, 18; Mat. 5:3) Jezui tha të vërteta hyjnore që përbëjnë një bazë për lumturinë e njerëzimit, por kjo nuk ishte gjithçka që u mësoi dishepujve. Ai u mësoi edhe se cila është mënyra më e mirë e jetesës. Për më tepër, dha shembullin duke bërë një jetë të ekuilibruar e duke pasur një qëndrim të ekuilibruar. Të gjithë ne, pavarësisht nga roli që kemi në familje, mund të nxjerrim dobi duke ndjekur shembullin e tij. Prandaj, burra, gra, prindër dhe fëmijë, ndiqni shembullin e Jezuit! Po t’i bëjmë tonat mësimet e Jezuit dhe po të imitojmë shembullin e tij, kemi gjetur vërtet çelësin për të gëzuar një jetë familjare të këndshme e të lumtur.

Si do të përgjigjeshit?

• Si duhet ta ushtrojnë burrat autoritetin që u ka dhënë Perëndia?

• Si mund ta imitojë një grua shembullin e Jezuit?

• Ç’mund të mësojnë prindërit nga mënyra si sillej Jezui me dishepujt?

• Ç’mund të mësojnë të rinjtë nga shembulli i Jezuit?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 8]

Ç’do të bëjë një burrë i dashur para se të marrë një vendim që ndikon te familja?

[Figura në faqen 9]

Në ç’rrethanë gruaja ka rastin të mbështetë kryesinë e burrit?

[Figura në faqen 10]

Fëmijët imitojnë zakonet e mira të prindërve