Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ke shërbyer dikur? A mund të shërbesh përsëri?

A ke shërbyer dikur? A mund të shërbesh përsëri?

A ke shërbyer dikur? A mund të shërbesh përsëri?

A KE pasur ndonjëherë përgjegjësi në kongregacionin e krishterë? Ndoshta ishe shërbëtor ndihmës ose plak. Mund të kesh qenë në ndonjë formë të shërbimit në kohë të plotë. Pa dyshim, provoje gëzim dhe kënaqësi të thellë në caktimet e tua, por për ndonjë arsye t’u desh të hiqje dorë.

Mbase hoqe dorë nga privilegji yt që të kujdeseshe për familjarët. Një arsye tjetër mund të ketë qenë mosha ose shëndeti jo i mirë. Këto vendime nuk tregojnë se ke dështuar si njeri. (1 Tim. 5:8) Në shekullin e parë, Filipi shërbeu si misionar, por më vonë u vendos me banim në Cezare ku u kujdes për familjen e vet. (Vep. 21:8, 9) Kur ishte i moshuar, Davidi, mbret i Izraelit të lashtë, vendosi që vendin e tij në fron ta zinte i biri, Solomoni. (1 Mbret. 1:1, 32-35) Pavarësisht nga kjo, Jehovai ende i donte dhe i vlerësonte qoftë Filipin, qoftë Davidin, e ata gëzojnë respektin e njerëzve edhe sot.

Megjithatë, ndoshta ty të është hequr një privilegj shërbimi. Mos vallë kjo erdhi si pasojë e një sjelljeje jo të mençur? A ishte për shkak të problemeve familjare? (1 Tim. 3:2, 4, 10, 12) Ti mbase nuk ishe dakord që të hoqën privilegjin dhe vazhdon të jesh i lënduar edhe sot e kësaj dite.

Mund të synosh të shërbesh përsëri

A është e pamundur të kesh përsëri një privilegj shërbimi që ke humbur? Në përgjithësi jo. Por, për të shërbyer përsëri, duhet ta synosh këtë gjë. (1 Tim. 3:1) Pse të dëshirosh një gjë të tillë? Për të njëjtën arsye që iu kushtove Perëndisë: nga dashuria për Jehovain dhe për ata që i shërbejnë atij. Nëse je i gatshëm ta tregosh këtë dashuri duke shërbyer përsëri, Jehovai do të të përdorë sërish, me gjithë përvojën që ke pasur para dhe pasi humbe privilegjin.

Kujto se çfarë sigurie i dha Jehovai Izraelit, pasi atij kombi me të drejtë i ishin hequr privilegjet e shërbimit. Fjala e Perëndisë thotë: «Unë jam Jehovai, dhe s’kam ndryshuar. Ju jeni bij të Jakobit, dhe prandaj s’jeni shfarosur.» (Mal. 3:6) Jehovai i donte izraelitët dhe dëshironte t’i përdorte ende. Ai interesohet po njësoj për ty dhe dëshiron që të të përdorë përsëri në të ardhmen. Çfarë mund të bësh në rrethanat e tanishme? T’u shërbesh interesave teokratike varet më shumë nga gjendja frymore, sesa nga aftësitë e natyrshme. Prandaj, ndërkohë që nuk ke përgjegjësi të tjera në kongregacion, përqendrohu për të forcuar gjendjen tënde frymore.

Që ‘të bëhesh i fuqishëm’ në besim, duhet ‘të kërkosh Jehovain dhe forcën e tij’. (1 Kor. 16:13; Psal. 105:4) Një mënyrë se si mund ta bësh këtë, është me anë të lutjeve të përzemërta. Kur i flet Jehovait për situatën tënde, shprehi ndjenjat e tua dhe kërkoji frymën e tij. Kështu do t’i afrohesh më shumë Jehovait dhe kjo do të të forcojë. (Psal. 62:8; Filip. 4:6, 13) Një mënyrë tjetër për të forcuar gjendjen tënde frymore është duke përmirësuar studimin e Fjalës së Perëndisë. Tani që ke më pak përgjegjësi, mund të arrish të bësh më shumë për sa i përket studimit personal dhe familjar, ndoshta duke rivendosur një rutinë frymore që e kishe pasur të vështirë ta mbaje.

Sigurisht, ti ende e përfaqëson Jehovain si një nga Dëshmitarët e tij. (Isa. 43:10-12) Privilegji më i shkëlqyer që mund të ketë secili prej nesh, është që të jetë një nga ‘bashkëpunëtorët e Perëndisë’. (1 Kor. 3:9) Rritja e pjesëmarrjes në veprën e predikimit është një mënyrë e shkëlqyer për të forcuar gjendjen tënde frymore dhe atë të shokëve të tu të shërbimit.

Të përballosh ndjenjat e tua

Humbja e një privilegji shërbimi mund të ngjallë te ti një ndjenjë turpi ose keqardhjeje. Ndoshta ke prirjen të justifikosh veprimet e tua. Megjithatë, po sikur vëllezërit përgjegjës t’i kenë dëgjuar arsyet e tua, por përsëri menduan se nuk duhej të mbaje një privilegj të caktuar? Ndjenjat negative mund të zgjatin, duke të të penguar të synosh përsëri privilegje ose madje duke të ta bërë të vështirë të mësosh nga kjo përvojë. Le të shqyrtojmë se si përvojat e Jobit, Manaseut dhe Jozefit mund të ndihmojnë për të përballuar ndjenjat negative.

Jobi i kishte përfaqësuar të tjerët para Jehovait dhe kishte shërbyer si plak e gjykatës në një shoqëri patriarkale. (Jobi 1:5; 29:7-17, 21-25) Pastaj, në një pikë të bukur të jetës, Jobi humbi pasurinë, fëmijët dhe shëndetin. Bashkë me këto ai humbi edhe reputacionin që kishte në sytë e të tjerëve. Jobi tha: «Qeshin me mua ata që janë më të rinj se unë.»—Jobi 30:1.

Jobi ndihej krejtësisht i pafajshëm dhe donte të mbronte veten para Perëndisë. (Jobi 13:15) Por Jobi ishte i gatshëm të priste Jehovain, dhe për këtë u bekua. Ai mësoi se kishte vërtet nevojë për t’u ndrequr, sidomos në lidhje me reagimet e tij ndaj sprovës që kaloi. (Jobi 40:6-8; 42:3, 6) Falë përulësisë së tij, në fund Perëndia e bekoi me bollëk Jobin.—Jobi 42:10-13.

Nëse ti e humbe privilegjin për shkak të një keqbërjeje, mund të pyesësh veten nëse Jehovai dhe vëllezërit e tu të krishterë do të të falin vërtet ndonjëherë e do të harrojnë gjithçka. Mendo për rastin e mbretit të Judës, Manaseut. Ai «bëri në një masë të madhe atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait, për ta fyer atë». (2 Mbret. 21:6) Megjithatë, Manaseu vdiq si një njeri besnik, ndërsa sundonte si mbret. Si ndodhi kjo?

Në fund, Manaseu e pranoi disiplinën. Pasi kishte shpërfillur paralajmërimet, Jehovai solli kundër tij asirianët, të cilët i vunë vargonjtë dhe e çuan në mërgim në Babiloninë e largët. Atje Manaseu «kërkoi pëlqimin e Jehovait, Perëndisë së tij, dhe u përul shumë para Perëndisë së paraardhësve të tij. Ai vazhdoi t’i lutej Atij.» Ky pendim nga zemra e shtyu Manaseun të vepronte për të ndrequr fajin, dhe Jehovai e fali.—2 Kron. 33:12, 13.

Privilegjet e humbura rrallë rikthehen të gjitha menjëherë. Por, me kalimin e kohës, mund të të jepen disa përgjegjësi të kufizuara. Nëse i pranon ato dhe bën më të mirën, kjo shpesh çon në dhënien e caktimeve të mëtejshme. Me këtë nuk po themi se rruga është e lehtë. Mund të kesh të përpjeta e të tatëpjeta. Sidoqoftë, gatishmëria dhe ngulmimi sjellin rezultate të mira.

Merr si shembull djalin e Jakobit, Jozefin. Në moshën 17-vjeçare, vëllezërit e tij e shitën padrejtësisht si skllav Jozefin. (Zan. 37:2, 26-28) Natyrisht, ai nuk e priste që vëllezërit e tij ta trajtonin në atë mënyrë. Por, ai qe i gatshëm të bënte çmos në ato rrethana dhe me bekimin e Jehovait u bë «me njëfarë përgjegjësie në shtëpinë e zotërisë së tij». (Zan. 39:2) Më vonë, Jozefin e futën në burg. Por ai qëndroi besnik dhe Jehovai ishte me të. Si rezultat atij iu besuan përgjegjësi në burg.—Zan. 39:21-23.

Jozefi nuk e dinte se e gjithë kjo do të shërbente për një qëllim. Ai thjesht vazhdoi të bënte ç’të mundte. Në këtë mënyrë, Jehovai mundi të ruante linjën që do të çonte te Fara e premtuar. (Zan. 3:15; 45:5-8) Edhe pse askush nga ne nuk mund të presë të ketë një rol kyç si Jozefi, tregimi i frymëzuar thekson se Jehovai ka dorë në privilegjet që marrin shërbëtorët e tij. Vazhdo të imitosh Jozefin që t’u hapësh udhë privilegjeve.

Mëso nga përvojat e vështira

Jobi, Manaseu dhe Jozefi kaluan përvoja shkurajuese. Të tre këta burra pranuan atë çka lejoi Jehovai dhe secili prej tyre nxori mësime të vlefshme. Çfarë mund të mësosh ti?

Mundohu të dallosh se çfarë po përpiqet të të mësojë Jehovai. Ndërsa luftonte me dëshpërimin e tij, Jobi u përqendrua vetëm te vetja dhe humbi nga sytë çështjet më të rëndësishme. Por, me ndreqjen e dashur të Jehovait, ai rifitoi ekuilibrin dhe pranoi: «Unë fola, por pa i kuptuar.» (Jobi 42:3) Nëse ndihesh i lënduar nga humbja e privilegjeve, ‘mos mendo për veten më shumë nga sa duhet të mendosh, por mendo në atë mënyrë që të kesh një mendje të shëndoshë’. (Rom. 12:3) Ndoshta Jehovai po përpiqet të të ndreqë në një mënyrë që ti nuk e kupton ende plotësisht.

Prano disiplinën. Manaseu në fillim mund të ketë menduar se nuk meritonte një qortim aq të ashpër sa mori. Megjithatë, e pranoi, u pendua dhe e la udhën e gabuar. Pavarësisht se si ndihesh për disiplinën që more, ‘përulu para Jehovait, dhe ai do të të lartësojë’.—1 Pjet. 5:6; Jak. 4:10.

Ki durim dhe ji i gatshëm. Nga ajo që kaloi, Jozefi fare lehtë mund të kishte ushqyer ndjenja urrejtjeje dhe hakmarrjeje. Por, ai zhvilloi gjykim të thellë dhe u bë i mëshirshëm. (Zan. 50:15-21) Nëse je zhgënjyer, ki durim. Ji i gatshëm të stërvitesh nga Jehovai.

A ke pasur ndonjëherë përgjegjësi në kongregacionin e krishterë? Jepi Jehovait mundësinë që të të japë privilegje në të ardhmen. Forco gjendjen tënde frymore. Fashiti ndjenjat e tua me durimin dhe përulësinë. Prano me gatishmëri çdo caktim që mund të të jepet. Ji i sigurt se «Jehovai nuk do t’i kursejë asgjë të mirë kujtdo që ecën në mënyrë të patëmetë».—Psal. 84:11.

[Diçitura në faqen 30]

Bëhu i fuqishëm në besim nëpërmjet lutjeve të përzemërta

[Figura në faqen 31]

Rritja e pjesëmarrjes në veprën e predikimit është një mënyrë e shkëlqyer për të forcuar gjendjen tënde frymore

[Figura në faqen 32]

Jepi Jehovait mundësinë që të të japë privilegje në të ardhmen