Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jeta e përhershme në tokë—Një shpresë e rizbuluar

Jeta e përhershme në tokë—Një shpresë e rizbuluar

Jeta e përhershme në tokë—Një shpresë e rizbuluar

«O Daniel, mbaji të fshehta fjalët . . . deri në kohën e fundit. Shumë do të enden lart e poshtë dhe njohuria e vërtetë do të jetë e bollshme.»—DAN. 12:4.

1, 2. Cilat pyetje do të shqyrtohen në këtë artikull?

MILIONA njerëz sot e kuptojnë qartë bazën biblike për shpresën e jetës së përhershme në një parajsë tokësore. (Zbul. 7:9, 17) Në fillim të historisë njerëzore, Perëndia e bëri të qartë se njeriu nuk u krijua për të jetuar disa vjet e pastaj të vdiste, por që të jetonte përgjithmonë.—Zan. 1:26-28.

2 Rikthimi i njerëzimit në gjendjen e përsosur që kishte humbur Adami, ishte pjesë e shpresës së Izraelit. Shkrimet e Krishtere Greke shpjegojnë se me anë të cilit mjet Perëndia do të bëjë të mundur për njerëzimin jetën e përhershme në Parajsën në tokë. Po pse atëherë shpresa e njeriut kishte nevojë të rizbulohej? Si doli në dritë ajo dhe iu bë e njohur miliona njerëzve?

Një shpresë e mbajtur në errësirë

3. Pse nuk habitemi që shpresa e njerëzimit për jetën e përhershme në tokë u mbajt në errësirë?

3 Jezui paratha se profetë të rremë do t’i shtrembëronin mësimet e tij dhe se shumica e njerëzve do të mashtrohej. (Mat. 24:11) Apostulli Pjetër i paralajmëroi të krishterët: «Do të ketë edhe mes jush mësues të rremë.» (2 Pjet. 2:1) Apostulli Pavël foli për ‘një periudhë kohe kur njerëzit nuk do ta duronin dot mësimin e shëndoshë, por në përputhje me dëshirat e veta, do të grumbullonin për vete mësues që t’u gudulisnin veshët’. (2 Tim. 4:3, 4) Satanai ka gisht në mashtrimin e njerëzve dhe ka përdorur krishterimin apostat për të mbajtur në errësirë të vërtetën prekëse në lidhje me qëllimin e Perëndisë për njeriun dhe tokën.—Lexo 2 Korintasve 4:3, 4.

4. Cilën shpresë për njerëzimin kanë hedhur poshtë udhëheqësit fetarë apostatë?

4 Shkrimet shpjegojnë se Mbretëria e Perëndisë është një qeveri në qiell që do të thërrmojë dhe do t’i japë fund çdo sundimi njerëzor. (Dan. 2:44) Gjatë sundimit të Krishtit prej një mijë vjetësh, Satanai do të mbyllet në një humnerë, të vdekurit do të ringjallen dhe njerëzimi në tokë do të bëhet i përsosur. (Zbul. 20:1-3, 6, 12; 21:1-4) Por, udhëheqësit fetarë apostatë të krishterimit të rremë kanë përqafuar ide të tjera. Për shembull, një nga etërit e kishës në shekullin e tretë, Origjeni i Aleksandrisë, i dënoi ata që besonin se Mijëvjeçari do të sillte bekime në tokë. Teologu katolik Agustini i Hipos (354-430 i e.s.), «përvetësoi bindjen se nuk do të ketë asnjë mijëvjeçar», siç thotë një enciklopedi.—The Catholic Encyclopedia. *

5, 6. Pse Origjeni dhe Agustini e kundërshtuan besimin te Mijëvjeçari?

5 Pse Origjeni dhe Agustini e kundërshtuan besimin te Mijëvjeçari? Origjeni ishte nxënës i Klementit të Aleksandrisë, i cili e kishte huazuar nga tradita greke idenë e shpirtit të pavdekshëm. Sipas teologut Verner Jager, Origjeni, duke qenë shumë i ndikuar nga idetë e Platonit për shpirtin, i «përfshiu në doktrinën e krishtere». Si pasojë, sipas Origjenit, bekimet e Mijëvjeçarit nuk mund të ishin në tokë, por në sferën frymore.

6 Para se të bëhej «i krishterë», në moshën 33-vjeçare, Agustini ishte bërë neoplatonist, domethënë përkrahës i një versioni të filozofisë së Platonit që u zhvillua nga Plotini në shekullin e tretë. Edhe pse u bë i krishterë, mënyra e të menduarit të Agustinit mbeti neoplatonike. Një enciklopedi thotë se «mendja e tij ishte furra e shkrirjes, në të cilën feja e Besëlidhjes së Re u përzie pothuajse plotësisht me traditën platonike të filozofisë greke». (The New Encyclopædia Britannica) Siç thotë një enciklopedi tjetër, Agustini shpjegonte se Mbretërimi Mijëvjeçar i përshkruar te Zbulesa, kapitulli 20, ishte thjesht një alegori. (The Catholic Encyclopedia) Enciklopedia shton: «Këtë shpjegim . . . e përqafuan teologët pasues perëndimorë, dhe besimi te Mijëvjeçari, në formën e tij të hershme, nuk kishte më mbështetje.»

7. Cili besim i rremë ka minuar shpresën e njeriut te jeta e përhershme në tokë dhe si?

7 Shpresa e njerëzimit për jetën e përhershme në tokë u minua nga një ide që mbizotëronte në Babiloninë e lashtë dhe që u përhap në mbarë botën—ideja se njeriu ka një shpirt ose frymë të pavdekshme që vetëm sa banon në trupin fizik. Kur krishterimi i rremë përqafoi këtë ide, teologët i shtrembëruan Shkrimet me qëllim që vargjet biblike që përshkruajnë shpresën qiellore, t’i bënin të dukeshin sikur mësojnë se të gjithë njerëzit e mirë shkojnë në qiell. Sipas kësaj pikëpamjeje, jeta e një njeriu në tokë është kalimtare, domethënë një provë për të përcaktuar nëse është i denjë për jetën në qiell. Diçka e ngjashme ndodhi me shpresën e hershme judaike të jetës së përhershme në tokë. Ndërsa judenjtë përvetësonin pak nga pak idenë greke të pavdekësisë së shpirtit, shpresa e tyre fillestare e jetës në tokë u venit. Sa ndryshe është kjo nga mënyra si përshkruhet njeriu në Bibël! Njeriu është një krijesë fizike, jo frymore. Jehovai i tha njeriut të parë: «Ti je pluhur.» (Zan. 3:19) Shtëpia e përhershme e njeriut nuk është qielli, por toka.—Lexo Psalmin 104:5; 115:16.

E vërteta vetëtin në errësirë

8. Çfarë thanë disa studiues të shekullit të 17-të për shpresën e njeriut?

8 Megjithëse shumica e feve që pretendojnë se janë të krishtere e mohojnë shpresën e jetës së përhershme në tokë, Satanai nuk ia doli mbanë gjithnjë ta mbante në errësirë të vërtetën. Gjatë shekujve, disa lexues të vëmendshëm të Biblës panë vetëtima të së vërtetës ndërsa kuptonin disa gjëra për mënyrën se si Perëndia do ta rikthejë njerëzimin në përsosmëri. (Psal. 97:11; Mat. 7:13, 14; 13:37-39) Në shekullin e 17-të, falë përkthimit dhe shtypjes, Shkrimet e Shenjta gjendeshin më gjerësisht. Në vitin 1651, një studiues shkroi se, meqë për shkak të Adamit njerëzve «iu hoq Parajsa dhe Jeta e Përhershme në Tokë», po kështu, falë Krishtit «të gjithë njerëzve do t’u jepet jeta në Tokë, sepse ndryshe krahasimi nuk do të ishte me vend». (Lexo 1 Korintasve 15:21, 22.) Një nga poetët më të famshëm në botën anglishtfolëse, Xhon Miltoni (1608-1674), shkroi veprën Parajsa e humbur dhe vazhdimin e saj Parajsa e rifituar. Në veprat e tij, Miltoni përmendi shpërblimin që do të marrin besnikët në një parajsë tokësore. Ndonëse Miltoni ia kushtoi pjesën më të madhe të jetës studimit të Biblës, ai dalloi se e vërteta biblike nuk do të kuptohej plotësisht deri në praninë e Krishtit.

9, 10. (a) Çfarë shkroi Isak Njutoni për shpresën e njerëzimit? (b) Pse koha e pranisë së Krishtit i dukej e largët Njutonit?

9 Edhe matematikani i njohur sër Isak Njutoni (1642-1727), kishte interes të thellë për Biblën. Ai e kuptoi se të shenjtët do të ngrihen në jetën qiellore dhe do të sundojnë në mënyrë të padukshme me Krishtin. (Zbul. 5:9, 10) Në lidhje me nënshtetasit e Mbretërisë, ai shkroi: «Pas ditës së gjykimit, toka do të vazhdojë të banohet nga njerëz, jo vetëm për 1000 vjet, por në jetë të jetëve.»

10 Njutoni mendonte se prania e Krishtit ishte shekuj larg. Sipas historianit Stiven, «një arsye pse Njutoni e mendonte kaq të largët Mbretërinë e Perëndisë, ishte se ndihej tejet pesimist nga apostazia e thellë trinitare që e rrethonte». Lajmi i mirë ishte ende i mbuluar me vel dhe Njutoni nuk shihte asnjë grup të krishterë që mund ta predikonte atë. Ai shkroi: «Këto profeci të Danielit dhe të Gjonit [kjo e fundit e dokumentuar më vonë në librin e Zbulesës] nuk do të kuptohen deri në kohën e fundit.» Njutoni shpjegoi: «‘Pastaj,—tha Danieli,—shumë do të enden lart e poshtë dhe njohuria do të shtohet.’ Sepse Ungjilli duhet të predikohet në të gjitha kombet para shtrëngimit të madh dhe fundit të botës. Turma me degë palmash që del nga shtrëngimi i madh, nuk mund të jetë e panumërt dhe nga të gjitha kombet, përveçse duke predikuar Ungjillin para se të vijë shtrëngimi.»—Dan. 12:4; Mat. 24:14; Zbul. 7:9, 10.

11. Pse shpresa e njerëzimit mbeti në errësirë për shumicën e njerëzve në ditët e Miltonit dhe të Njutonit?

11 Në ditët e Miltonit dhe të Njutonit, ishte e rrezikshme të shprehje ide të kundërta me doktrinën zyrtare të kishës. Prandaj, pjesa më e madhe e studimeve të tyre rreth Biblës mbeti e pabotuar deri pas vdekjes së tyre. Reforma e shekullit të 16-të nuk arriti të reformonte mësimin për pavdekësinë e shpirtit dhe kishat kryesore protestante vazhduan t’u mësonin njerëzve idenë e Agustinit se Mijëvjeçari i përkiste të kaluarës, jo të ardhmes. A është rritur njohuria në kohën e fundit?

«Njohuria e vërtetë do të jetë e bollshme»

12. Kur do të bëhej e bollshme njohuria e vërtetë?

12 Për sa i përket ‘kohës së fundit’, Danieli paratha një zhvillim shumë pozitiv. (Lexo Danielin 12:3, 4, 9, 10.) «Në atë kohë, të drejtët do të shkëlqejnë si dielli»,—tha Jezui. (Mat. 13:43) Si u bë e bollshme njohuria e vërtetë në kohën e fundit? Të shqyrtojmë disa zhvillime historike në dekadat para vitit 1914, pra, vitit kur filloi koha e fundit.

13. Çfarë shkroi Çarls Tejz Rasëlli pasi shqyrtoi temën e rikthimit të njeriut në përsosmëri?

13 Në fund të shekullit të 19-të, disa individë të sinqertë po kërkonin të kuptonin ‘modelin e fjalëve të shëndosha’. (2 Tim. 1:13) Një prej tyre ishte Çarls Tejz Rasëlli. Në vitin 1870, ai dhe disa kërkues të tjerë të së vërtetës formuan një klasë për studimin e Biblës. Në vitin 1872 ata shqyrtuan temën e rikthimit të njeriut në përsosmëri. Më vonë, Rasëlli shkroi: «Në atë kohë nuk kishim arritur të shihnim qartë dallimin e madh midis shpërblimit të kishës [kongregacionit të të krishterëve të mirosur] që tani është në provë, dhe shpërblimit të njerëzve besnikë në përgjithësi.» Shpërblimi i këtyre të fundit do të jetë «rikthimi në përsosmërinë njerëzore që kishte dikur në Eden paraardhësi dhe kreu i tyre, Adami». Rasëlli e pranonte se në studimin e tij të Biblës e kishin ndihmuar të tjerë. Cilët ishin ata?

14. (a) Si e kuptonte Henri Dan vargun te Veprat 3:21? (b) Cilët do të jetojnë përgjithmonë në tokë, sipas Danit?

14 Një prej tyre ishte Henri Dan. Ai kishte shkruar për ‘rivendosjen e të gjitha gjërave, për të cilat Perëndia foli nëpërmjet profetëve të tij të shenjtë të lashtësisë’. (Vep. 3:21) Dani kuptoi se kjo rivendosje përfshinte rikthimin e njerëzimit në përsosmëri në tokë gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit. Gjithashtu, ai shqyrtoi një pyetje që kishte munduar shumë veta: cilët do të jetojnë përgjithmonë në tokë? Dani shpjegoi se miliona do të ringjallen, do të mësojnë të vërtetën dhe do të kenë mundësinë të tregojnë besim te Krishti.

15. Çfarë kuptoi Xhorxh Storsi për ringjalljen?

15 Në vitin 1870, edhe Xhorxh Storsi arriti në përfundimin se të drejtët do të ringjallen me mundësinë e jetës së përhershme. Gjithashtu, ai kuptoi nga Shkrimet se një i ringjallur që nuk vepron siç duhet pasi i jepet kjo mundësi, «do të marrë fund në vdekje, edhe nëse ‘mëkatari është njëqind vjeç’». (Isa. 65:20) Storsi jetonte në Bruklin, Nju-Jork, dhe botonte revistën Shqyrtuesi i Biblës (anglisht).

16. Çfarë i dallonte Studentët e Biblës nga i ashtuquajturi krishterim?

16 Rasëlli kuptoi nga Bibla se kishte ardhur koha për ta bërë të njohur kudo lajmin e mirë. Kështu, në vitin 1879, ai filloi të botonte revistën Kulla e Rojës e Sionit dhe Shpallësja e pranisë së Krishtit, e cila tani quhet Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait. Më parë, të vërtetën për shpresën e njerëzimit e kuptonin shumë pak njerëz, por tanimë grupe Studentësh të Biblës në shumë vende po merrnin dhe po studionin Kullën e Rojës. Besimi se vetëm disa do të shkojnë në qiell, kurse milionave do t’u jepet jeta njerëzore e përsosur në tokë, i dallonte Studentët e Biblës nga pjesa më e madhe e të ashtuquajturit krishterim.

17. Si u bë e bollshme njohuria e vërtetë?

17 ‘Koha e fundit’ që ishte parathënë, nisi në vitin 1914. A u bë e bollshme njohuria e vërtetë për shpresën e njerëzimit? (Dan. 12:4) Deri në vitin 1913, fjalimet e Rasëllit botoheshin në 2.000 gazeta që lexoheshin nga 15.000.000 veta. Në fund të vitit 1914, mbi 9.000.000 njerëz në tri kontinente kishin parë «Foto-Dramën e Krijimit»—një program ku përfshiheshin filmime dhe diapozitiva që shpjegonin Mbretërimin Mijëvjeçar të Krishtit. Nga viti 1918 deri në vitin 1925, fjalimi «Miliona që jetojnë tani nuk do të vdesin kurrë», i cili shpjegonte shpresën e jetës së përhershme në tokë, u mbajt në mbarë botën në më tepër se 30 gjuhë nga shërbëtorët e Jehovait. Në vitin 1934, Dëshmitarët e Jehovait kuptuan se ata që shpresonin të jetonin përgjithmonë në tokë, duhej të pagëzoheshin. Kjo kuptueshmëri i mbushi ata me zell të ripërtërirë për predikimin e lajmit të mirë për Mbretërinë. Sot, shpresa për të jetuar përgjithmonë në tokë, ua mbush zemrën me mirënjohje për Jehovain miliona njerëzve.

Na pret ‘një liri e lavdishme’!

18, 19. Ç’jetë parathuhet tek Isaia 65:21-25?

18 Profeti Isaia u frymëzua të shkruante për jetën që do të gëzojë në tokë populli i Perëndisë. (Lexo Isainë 65:21-25.) Disa pemë që ekzistonin rreth 2.700 vjet më parë kur Isaia shkroi këto fjalë, me sa duket ekzistojnë ende sot. A mund të imagjinosh të jetosh kaq gjatë me fuqi dhe shëndet të mirë?

19 Në vend që të jetë një udhëtim i shkurtër nga djepi në varr, jeta do të ofrojë mundësi të pafundme për të ndërtuar, për të mbjellë dhe për të mësuar. Mendo për miqësitë që do të mund të zhvillosh. Këto lidhje të dashura do të vazhdojnë të forcohen në pafundësi. Çfarë ‘lirie të lavdishme’ do të gëzojnë atëherë në tokë ‘fëmijët e Perëndisë’!—Rom. 8:21.

[Shënimi]

^ par. 4 Agustini thoshte se Sundimi Mijëvjeçar i Mbretërisë së Perëndisë nuk do të ishte në të ardhmen, por tashmë kishte filluar me themelimin e kishës [katolike].

A mund të shpjegoni?

• Si mbeti në errësirë shpresa e njerëzimit për jetën në tokë?

• Çfarë kuptuan disa lexues të Biblës në shekullin e 17-të?

• Si u bë më e qartë shpresa e vërtetë e njerëzimit teksa afrohej viti 1914?

• Si është bërë e bollshme njohuria për shpresën tokësore?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 13]

Poeti Xhon Milton (majtas) dhe matematikani Isak Njuton (djathtas) e njihnin shpresën e jetës së përhershme në tokë

[Figurat në faqen 15]

Studentët e hershëm të Biblës kuptuan nga Shkrimet se kishte ardhur koha për ta bërë të njohur kudo shpresën e vërtetë të njerëzimit