‘Ruaj veten në dashurinë e Perëndisë’
‘Ruaj veten në dashurinë e Perëndisë’
«Ruani veten në dashurinë e Perëndisë, ndërsa pritni mëshirën e Zotërisë tonë Jezu Krisht, me sytë nga jeta e përhershme.»—JUD. 21.
1, 2. (a) Si e ka treguar Jehovai dashurinë për ne? (b) Si e dimë që ai nuk na ruan automatikisht në dashurinë e tij?
PERËNDIA JEHOVA e ka treguar dashurinë për ne në mënyra të panumërta. Por, pa dyshim, prova më e madhe e dashurisë së Jehovait është sigurimi i flijimit shpërblyes. Dashuria e tij për njerëzimin është kaq e pamasë, sa dërgoi Birin e tij të dashur në tokë, që të vdiste për ne. (Gjoni 3:16) Jehovai e bëri këtë sepse do që ne të jetojmë përgjithmonë dhe gjithashtu do që të nxjerrim dobi nga kjo dashuri përgjithmonë.
2 Por, a duhet të mendojmë se Jehovai do të na ruajë automatikisht në dashurinë e tij, pavarësisht nga vendimet që marrim? Jo, sepse te vargu 21 i Judës, gjejmë këtë nxitje: «Ruani veten në dashurinë e Perëndisë, ndërsa pritni mëshirën e Zotërisë tonë Jezu Krisht, me sytë nga jeta e përhershme.» Shprehja «ruani veten në dashurinë e Perëndisë» nënkupton se nga ana jonë kërkohet që të bëjmë diçka. Po çfarë duhet të bëjmë atëherë që të mbetemi në dashurinë e Perëndisë?
Si të mbetemi në dashurinë e Perëndisë?
3. Sipas fjalëve të Jezuit, çfarë konsideronte si thelbësore që të qëndronte në dashurinë e Atit?
3 Përgjigjen e kësaj pyetjeje e gjejmë në vetë fjalët e Jezuit që tha natën e tij të fundit në tokë: «Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, ashtu si unë kam zbatuar urdhërimet e Atit dhe qëndroj në dashurinë e tij.» (Gjoni 15:10) Pra, Jezui e dinte se zbatimi i urdhërimeve të Jehovait ishte thelbësor për të pasur miratimin e Atit të tij. Nëse ishte kështu për Birin e Perëndisë, a nuk vlen kjo edhe për ne?
4, 5. (a) Cila është mënyra kryesore si mund të tregojmë se e duam Jehovain? (b) Pse nuk kemi arsye për të ngurruar kur bëhet fjalë për t’iu bindur urdhërimeve të Jehovait?
4 Ne tregojmë se e duam Jehovain kryesisht duke iu bindur atij. Apostulli Gjon e shprehu kështu: «Kjo është dashuria për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij, e megjithatë, urdhërimet e tij nuk janë të rënda.» (1 Gjon. 5:3) Dihet se ideja e bindjes nuk është gjithmonë e pëlqyeshme në botën e sotme. Por shkrimi thoshte: «E megjithatë, urdhërimet e tij nuk janë të rënda». Jehovai nuk kërkon që të bëjmë diçka tepër të vështirë për ne.
5 Për ta ilustruar: a do t’i kërkoje një miku të shtrenjtë të mbante diçka që t’i e di se është tepër e rëndë për të? Sigurisht që jo! Jehovai është shumë më i mirë se ne dhe i kupton shumë më mirë kufizimet tona. Bibla na siguron se Jehovai «nuk harron që jemi pluhur». (Psal. 103:14) Ai nuk do të kërkonte kurrë nga ne të bëjmë më shumë seç mundemi. Prandaj nuk ka pse të ngurrojmë kur bëhet fjalë për t’iu bindur urdhërimeve të Jehovait. Përkundrazi, ne e kuptojmë se bindja është një mundësi e mirë për t’i treguar Atit tonë qiellor se e duam vërtet dhe duam të qëndrojmë në dashurinë e tij.
Një dhuratë e veçantë nga Jehovai
6, 7. (a) Çfarë është ndërgjegjja? (b) Ilustro se si mund të na ndihmojë ndërgjegjja të qëndrojmë në dashurinë e Perëndisë.
6 Në këtë botë të ndërlikuar, duhen marrë mjaft vendime ku përfshihet bindja jonë ndaj Perëndisë. Si mund të sigurohemi se këto vendime janë në përputhje me vullnetin e Perëndisë? Jehovai na ka dhënë një dhuratë që mund të na ndihmojë shumë kur bëhet fjalë për bindje. Ajo është ndërgjegjja. Çfarë është ndërgjegjja? Është një lloj i veçantë vetëdijeje. Ajo funksionon si një gjykatës i brendshëm që na ndihmon të mendojmë për zgjedhjet që duhet të bëjmë në jetë ose të mendojmë për veprimet që kemi bërë tashmë dhe t’i cilësojmë si të mira a të këqija, të drejta a të gabuara.—Lexo Romakëve 2:14, 15.
7 Si mund ta përdorim sa më mirë ndërgjegjen? Le të marrim një shembull. Një ekskursionist po kalon përmes një vendi të shkretë e të paanë. Nuk ka as shtigje, as rrugë e as tabela. E megjithatë, ai me vendosmëri çan përpara për të arritur atje ku do. Si? Me anë të një busulle, e cila ka një fushë ku shënohen katër drejtimet kryesore dhe një gjilpërë magnetike që tregon gjithnjë veriun. Pa busullën, ky ekskursionist do të humbte rrugën dhe do të ishte i pashpresë. Po kështu, pa ndërgjegje, njeriu do të ishte shpesh i pashpresë dhe i humbur kur të përpiqej të merrte vendime morale, etike dhe të drejta.
8, 9. (a) Çfarë kufizimesh të ndërgjegjes sonë duhet të mbajmë parasysh? (b) Si mund të sigurohemi që ndërgjegjja të na hyjë vërtet në punë?
8 Por, ashtu si busulla, edhe ndërgjegjja ka kufizimet e saj. Nëse ekskursionisti do të vendoste një magnet afër busullës, gjilpëra nuk do të tregonte më veriun. Po kështu, ç’do të ndodhte nëse do të lejonim që të na udhëhiqnin dëshirat e zemrës kur të merrnim vendime? Prirjet egoiste mund të na çorientojnë ndërgjegjen. Bibla na paralajmëron që «zemra është më e pabesë se çdo gjë tjetër. Ajo është e rrezikshme.» (Jer. 17:9; Prov. 4:23) Përveç kësaj, nëse ekskursionisti nuk do të kishte një hartë të saktë, busulla do t’i hynte fare pak ose aspak në punë. Edhe ne, nëse nuk mbështetemi në drejtimin e sigurt dhe të pandryshueshëm të Fjalës së Perëndisë, Biblës, ndërgjegjja jonë nuk do të na ndihmonte shumë. (Psal. 119:105) Mjerisht, shumë njerëz në këtë botë u japin rëndësi të tepruar dëshirave të zemrës së tyre dhe u kushtojnë pak ose aspak rëndësi parimeve të vendosura në Fjalën e Perëndisë. (Lexo Efesianëve 4:17-19.) Ja pse shumë njerëz, edhe pse kanë ndërgjegje, bëjnë gjëra të tmerrshme.—1 Tim. 4:2.
9 Duhet të jemi të vendosur që të mos bëjmë kurrë gjëra të tilla. Përkundrazi, le të vazhdojmë ta lejojmë Fjalën e Perëndisë të mësojë dhe të stërvitë ndërgjegjen tonë, në mënyrë që të na hyjë vërtet në punë. Duhet t’i vëmë veshin ndërgjegjes sonë të stërvitur nga Bibla në vend që të lejojmë prirjet tona egoiste të na kontrollojnë. Në të njëjtën kohë, duhet të përpiqemi të respektojmë edhe ndërgjegjen e vëllezërve dhe të motrave tona të dashura frymore. Bëjmë çdo përpjekje që të mos i pengojmë, duke mbajtur në mend se ndërgjegjja e vëllezërve mund të jetë më e ndjeshme ose më strikte se ndërgjegjja jonë.—1 Kor. 8:12; 2 Kor. 4:2; 1 Pjet. 3:16.
10. Cilat janë tri fusha që do të shqyrtojmë tani?
10 Le të shqyrtojmë tani tri fusha ku mund të tregojmë me anë të bindjes dashurinë për Jehovain. Sigurisht, në secilën prej tyre, përfshihet ndërgjegjja, por që të na japë drejtimin e duhur, ajo duhet të udhëhiqet së pari, dhe mbi të gjitha, nga normat e frymëzuara të sjelljes që gjejmë në Bibël. Tri mënyrat si mund të tregojmë se e duam dhe i bindemi Jehovait janë: (1) duke dashur ata që do Jehovai, (2) duke treguar respekt për autoritetin dhe (3) duke u përpjekur të qëndrojmë të pastër në sytë e Perëndisë.
Duaj ata që do Jehovai
11. Pse duhet të duam ata që do Jehovai?
11 Së pari, duhet të duam ata që do Jehovai. Për sa i përket shoqërisë, njerëzit janë si sfungjeri. Kemi prirjen të thithim gjithçka që na rrethon. Krijuesi ynë e di mirë se sa e rrezikshme—dhe sa e dobishme—mund të jetë shoqëria për njerëzit e papërsosur. Prandaj, ai na jep këtë këshillë të mençur: «Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur, por atij që shoqërohet me budallenjtë, do t’i shkojë keq.» Prov. 13:20; 1 Kor. 15:33) Askush prej nesh nuk dëshiron që «t’i shkojë keq». Secili nga ne do që «të bëhet i mençur». Jehovai është aq i mençur sa s’ka ku të shkojë më dhe nuk mund të korruptohet nga askush. Megjithatë, ai lë një shembull të mirë për ne në lidhje me shoqërinë. Mendo pak, cilët njerëz të papërsosur zgjedh Jehovai si miq?
(12. Ç’lloj miqsh zgjedh Jehovai?
12 Jehovai e quajti patriarkun Abraham ‘miku im’. (Isa. 41:8) Ai ishte jashtëzakonisht besnik, i drejtë dhe i bindur—një njeri që udhëhiqej nga besimi. (Jak. 2:21-23) Këta lloj miqsh zgjedh Jehovai. Me këta lloj njerëzish bëhet mik edhe sot. Nëse Jehovai zgjedh miq të tillë, a nuk është jetësore që edhe ne të zgjedhim me kujdes, që të ecim me të mençurit dhe të bëhemi të mençur?
13. Çfarë mund të të ndihmojë të zgjedhësh miqtë e duhur?
13 Çfarë mund të të ndihmojë që të bësh zgjedhjet e duhura në këtë drejtim? Studimi i shembujve biblikë mund të jetë një nxitje e mirë. Mendo për miqësinë midis Ruthës dhe vjehrrës së saj, Naomit, midis Davidit dhe Jonatanit ose midis Timoteut dhe Pavlit. (Rutha 1:16, 17; 1 Sam. 23:16-18; Filip. 2:19-22) Këto miqësi lulëzuan mbi të gjitha për një arsye: bazoheshin në dashurinë e sinqertë për Jehovain. A mund të gjesh miq që e duan Jehovain po aq sa ti? Të jesh i sigurt se në kongregacionin e krishterë ke plot mundësi për të gjetur miq të këtij lloji. Ata nuk do të bëjnë asgjë që të të shkojë keq në kuptimin frymor. Përkundrazi, do të të ndihmojnë t’i bindesh Jehovait, të rritesh frymësisht dhe të mbjellësh për frymën. (Lexo Galatasve 6:7, 8.) Do të të ndihmojnë të qëndrosh në dashurinë e Perëndisë.
Respekto autoritetin
14. Cilët faktorë na e bëjnë të vështirë të tregojmë respekt për autoritetin?
14 Mënyra e dytë se si e tregojmë dashurinë për Jehovain përfshin autoritetin. Duhet të tregojmë respekt për autoritetin. Pse ndonjëherë e kemi kaq të vështirë ta bëjmë këtë? Një arsye është se, ata që janë në pozita me autoritet, janë të papërsosur. Përveç kësaj, edhe ne vetë jemi të papërsosur. Luftojmë me një prirje të lindur për t’u rebeluar.
15, 16. (a) Pse është e rëndësishme të respektojmë ata që Jehovai u ka besuar përgjegjësinë për t’u kujdesur për popullin e tij? (b) Çfarë mësimi të dobishëm nxjerrim nga mënyra si e konsideroi Jehovai rebelimin e izraelitëve kundër Moisiut?
15 Ti mund të pyesësh: «Po nëse qenka kaq e vështirë të respektojmë autoritetin, pse u dashka ta bëjmë?» Përgjigjen duhet ta kërkojmë te çështja e sovranitetit. Kë do të zgjedhësh si sovranin dhe sundimtarin tënd? Nëse zgjedhim Jehovain si Sovranin tonë, duhet të respektojmë autoritetin e tij. Nëse jo, a mund ta quajmë me plot gojën Sundimtari ynë? Për më tepër, Jehovai e ushtron autoritetin nëpërmjet njerëzve të papërsosur, të cilëve ai u beson përgjegjësinë që të kujdesen për popullin e tij. Nëse do të rebeloheshim kundër këtyre njerëzve, si do t’i konsideronte Jehovai veprat tona?—Lexo 1 Selanikasve 5:12, 13.
16 Për shembull, kur izraelitët murmuritën dhe u rebeluan kundër Moisiut, Jehovai i konsideroi veprimet e tyre si rebelim kundër Atij vetë. (Num. 14:26, 27) Perëndia nuk ka ndryshuar. Nëse do të rebeloheshim ndonjëherë kundër atyre që ai i ka vënë në pozita me autoritet, ky do të ishte rebelim kundër atij vetë.
17. Cili është qëndrimi i përshtatshëm që duhet të përpiqemi të zhvillojmë ndaj atyre që kanë pozita me përgjegjësi në kongregacion?
17 Apostulli Pavël zbulon qëndrimin e përshtatshëm që duhet të zhvillojmë kundrejt atyre që kanë pozita me përgjegjësi në kongregacionin e krishterë. Ai shkroi: «Jini të bindur ndaj atyre që marrin drejtimin mes jush, dhe jini të nënshtruar, sepse rrinë zgjuar për shpirtrat tuaj si ata që do të japin llogari, që ta bëjnë këtë me gëzim e jo me psherëtima, sepse kjo do të ishte në dëmin tuaj.» (Hebr. 13:17) Pra, kërkohen përpjekje të zellshme nga ne që të zhvillojmë një frymë të tillë të bindur dhe të nënshtruar. Por, mos harro se po përpiqemi të qëndrojmë në dashurinë e Perëndisë. A nuk ia vlejnë të gjitha përpjekjet tona për këtë qëllim?
Qëndro i pastër në sytë e Jehovait
18. Pse Jehovai dëshiron që të jemi të pastër?
18 Mënyra e tretë se si e tregojmë dashurinë për Jehovain është duke u përpjekur të qëndrojmë të pastër në sytë e tij. Prindërit zakonisht bëjnë çmos që fëmijët e tyre të jenë të pastër. Pse? Një arsye është se, pastërtia është tepër e rëndësishme për shëndetin dhe mirëqenien e fëmijës. Për më tepër, një fëmijë i pastër nderon familjen, pasi tregon dashurinë dhe vëmendjen e prindërve. Për arsye të ngjashme, edhe Jehovai do që të jemi të pastër. Ai e di se pastërtia është tepër e rëndësishme për mirëqenien tonë. Gjithashtu, ai e di se pastërtia jonë i jep lavdi atij vetë, Atit tonë qiellor. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi njerëzit mund t’i afrohen Perëndisë që ne i shërbejmë, sepse vërejnë se sa shumë dallojmë nga njerëzit në këtë botë të ndotur.
19. Si e dimë se pastërtia fizike është e rëndësishme?
19 Në ç’drejtim duhet të qëndrojmë të pastër? Faktikisht, në të gjitha drejtimet. Në Izraelin e lashtë, Jehovai ia bëri të qartë popullit të tij se pastërtia fizike ishte shumë e rëndësishme. (Lev. 15:31) Ligji i Moisiut trajtonte çështje të tilla, si groposja e jashtëqitjeve, pastrimi i enëve dhe larja e duarve, këmbëve dhe rrobave. (Dal. 30:17-21; Lev. 11:32; Num. 19:17-20; Ligj. 23:13, 14) Izraelitëve u kujtohej herë pas here se Perëndia i tyre, Jehovai, është i shenjtë, domethënë «i pastër» dhe «i dëlirë». Edhe shërbëtorët e Perëndisë së shenjtë duhet të jenë të shenjtë.—Lexo Levitikun 11:44, 45.
20. Në ç’drejtime kemi nevojë të qëndrojmë të pastër?
20 Por, duhet të jemi të pastër si jashtë, ashtu edhe brenda. Përpiqemi ta mbajmë të pastër mendjen. U qëndrojmë besnikë normave të Jehovait për pastërtinë morale, pavarësisht nga degjenerimi seksual i botës që na rrethon. Ç’është më e rëndësishmja, bëjmë çmos që ta mbajmë të pastër adhurimin, duke shmangur çdo ndotje nga feja e rreme. Nuk e harrojmë asnjëherë paralajmërimin nga Perëndia që gjejmë tek Isaia 52:11: «Largohuni, largohuni! Dilni që andej e mos prekni asgjë të papastër. Dilni prej saj dhe qëndroni të pastër.» Sot, ne qëndrojmë të pastër frymësisht duke u kujdesur që as të mos i prekim ato që Ati ynë qiellor i konsideron të papastra në kuptimin fetar. Ja pse, për shembull, tregojmë kujdes për t’i shmangur festimet e fesë së rreme që janë kaq të përhapura në botën e sotme. Vërtet, është një sfidë të qëndrosh i pastër. Por, populli i Jehovait përpiqet fort për këtë, sepse kjo e ndihmon të qëndrojë në dashurinë e Perëndisë.
21. Si mund të jemi të sigurt se do të qëndrojmë në dashurinë e Perëndisë?
21 Jehovai do që të qëndrojmë përgjithmonë në dashurinë e tij. Por, secili prej nesh duhet të sigurohet që të bëjë më të mirën për të qëndruar në dashurinë e Perëndisë. Këtë mund ta bëjmë duke ndjekur shembullin e Jezuit dhe duke e treguar dashurinë tonë për Jehovain me anë të bindjes ndaj urdhërimeve të tij. Nëse veprojmë kështu, mund të jemi të sigurt se asgjë ‘nuk do të na ndajë dot nga dashuria e Perëndisë, që është shprehur përmes Krishtit Jezu, Zotërisë tonë’.—Rom. 8:38, 39.
A të kujtohet?
• Si mund të na ndihmojë ndërgjegjja që të mbetemi në dashurinë e Perëndisë?
• Pse duhet t’i duam ata që do Jehovai?
• Pse është shumë e rëndësishme që të respektojmë autoritetin?
• Sa e rëndësishme është pastërtia për popullin e Perëndisë?
[Pyetjet]
[Kutia dhe figura në faqen 20]
NJË BOTIM QË NXIT SJELLJEN E MIRË
Gjatë programit të kongresit krahinor për vitin 2008-2009, doli një libër me 224 faqe i titulluar ‘Ruaj veten në dashurinë e Perëndisë’. Cili është qëllimi i këtij libri të ri? Qëllimi i tij është t’i ndihmojë të krishterët që të njohin e të duan normat e Jehovait dhe përqendrohet kryesisht në sjelljen e krishterë. Një studim i kujdesshëm i këtij libri do të na forcojë bindjen tonë se të jetuarit në përputhje me normat e Jehovait, është mënyra më e mirë për të jetuar tani dhe na çon drejt jetës së përhershme në të ardhmen.
Për më tepër, qëllimi i këtij libri është që të na ndihmojë të kuptojmë se bindja ndaj Jehovait nuk është një barrë. Përkundrazi, është një mënyrë për t’i treguar Jehovait sa shumë e duam. Prandaj, ky libër do të na shtyjë të pyesim veten: «Pse i bindem Jehovait?»
Kur disa bëjnë gabimin e rëndë që të lënë dashurinë e Jehovait, problemi në përgjithësi është te sjellja dhe jo te doktrinat. Prandaj, sa jetësore është që të forcojmë dashurinë dhe vlerësimin tonë për ligjet dhe parimet e Jehovait që na udhëheqin në jetën e përditshme! Jemi të sigurt se ky botim i ri do t’i ndihmojë delet e Jehovait në mbarë botën të qëndrojnë të patundur për atë që është e drejtë, të vërtetojnë që Satanai është gënjeshtar dhe mbi të gjitha të qëndrojnë në dashurinë e Perëndisë!—Jud. 21.
[Figura në faqen 18]
«Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, ashtu si unë kam zbatuar urdhërimet e Atit dhe qëndroj në dashurinë e tij.»