Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Zbulohen thesare të fshehura

Zbulohen thesare të fshehura

Zbulohen thesare të fshehura

A KENI zbuluar ndonjëherë një thesar të fshehur në një vend ku s’e prisnit? Kjo i ndodhi Ivo Lodit, një Dëshmitari të Jehovait në Estoni, më 27 mars 2005. Ai po ndihmonte Alma Vardjan, një Dëshmitare të moshuar, që të shembte një depo të vogël e të vjetër. Kur po shembnin murin e jashtëm, vunë re një dërrasë që mbulonte një nga anët e një kolone. Me të hequr dërrasën, zbuluan një zgavër rreth 10 centimetra të gjerë, 1.2 metra të gjatë dhe 10 centimetra të thellë, e cila ishte e mbyllur mirë me një copë dërrasë. (1) Një vend thesaresh të fshehura! Ç’thesare kishte? Kush i fshehu aty?

Nga ai vend nxorën disa pako të mbështjella me kujdes me letër të trashë. (2) Brenda pakove kishte literaturë të Dëshmitarëve të Jehovait, kryesisht artikuj studimi të Kullës së Rojës, disa prej të cilëve ishin të vitit 1947. (3) Ato ishin shkruar me kujdes me dorë në gjuhën estone. Disa nga pakot përmbanin materiale të tjera që linin të kuptohej se kush e kishte fshehur literaturën aty. Ato ishin dokumentime të marrjeve në pyetje të burrit të Almës, Vilem Vardjas. Gjithashtu, midis gjërave të gjetura kishte informacione për vitet që kaloi në burg. Pse e kishin burgosur?

Vilem Vardja kishte përgjegjësi në kongregacionin e Tartusë dhe më vonë në kongregacionin e Otepës në Estoni, një nga ish-Republikat Socialiste Sovjetike. Ka të ngjarë që ai e mësoi të vërtetën biblike ca kohë para Luftës II Botërore. Disa vite më vonë, më 24 dhjetor 1948, regjimi komunist e arrestoi vëlla Vardjan për veprimtaritë e tij fetare. Atë e mori në pyetje dhe e keqtrajtoi policia sekrete ndërsa përpiqej ta detyronte që t’i jepte emrat e Dëshmitarëve të tjerë. Pasi i mohuan mundësinë që të mbronte veten në gjyq, e dënuan me dhjetë vjet burg në kampet ruse.

Vilem Vardja qëndroi besnik deri në vdekjen e tij më 6 mars 1990. Gruaja e tij nuk dinte gjë fare për këtë literaturë. Me sa duket, ai donte ta mbronte gruan në rast se e merrnin në pyetje. Pse iu desh ta fshihte literaturën? Sepse Komiteti i Sigurimit të Shtetit Sovjetik, KGB-ja, shpesh kontrollonte papritur shtëpitë e Dëshmitarëve të Jehovait që të gjente botime fetare. Ndoshta vëlla Vardja e fshehu literaturën për t’u siguruar që vëllezërit të kishin ushqim frymor në rast se KGB-ja do të merrte gjithçka. Më parë, në verën e vitit 1990, ishin gjetur sasi të tjera me literaturë të fshehur. Një sasi e tillë u gjet në Tartu, në jug të Estonisë. Edhe këtë e kishte fshehur Vilem Vardja.

Pse i quajmë thesare këto dokumente? Sepse këto kopje të shkruara me dorë e me saktësi dhe të fshehura me kujdes, tregojnë qartë sa shumë e vlerësonin Dëshmitarët ushqimin frymor që kishin në atë kohë. (Mat. 24:45) A e çmoni ushqimin frymor që mund të merrni tani në vendin tuaj? Në këtë ushqim bën pjesë edhe Kulla e Rojës në gjuhën estone dhe në më shumë se 170 gjuhë të tjera.