Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A E vlerëson atë që Jehovai ka bërë për të të çliruar?

A E vlerëson atë që Jehovai ka bërë për të të çliruar?

A E vlerëson atë që Jehovai ka bërë për të të çliruar?

«Bekuar qoftë Jehovai, Perëndia i Izraelit, sepse i erdhi keq për popullin e vet dhe e çliroi.»—LUKA 1:68.

1, 2. (a) Si mund të ilustrohet gjendja serioze në të cilën ndodhemi? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?

IMAGJINO sikur dergjesh në shtratin e një spitali. Ndodhesh në një pavijon ku të gjithë vuajnë nga e njëjta sëmundje vdekjeprurëse për të cilën nuk ka një kurë. Kur merr vesh se një mjek po bën çmos për të gjetur një kurë, fillon të kesh shpresë. Mezi pret të reja nga kërkimet e mjekut. Një ditë, merr vesh se është gjetur një kurë. Mjeku që ka bërë këtë zbulim bëri sakrifica të jashtëzakonshme për ta bërë të mundur kurën. Si do të reagoje? Me siguri do të kishe respekt dhe vlerësim të thellë nga zemra për njeriun që bëri të mundur që ti dhe shumë të tjerë të shpëtonit nga vdekja.

2 Kjo skenë mund të duket dramatike, por përkon me realitetin në të cilin ndodhemi të gjithë. Secili nga ne është në një gjendje shumë më serioze se ajo që sapo u përshkrua. Kemi nevojë të ngutshme për një çlirimtar. (Lexo Romakëve 7:24.) Për të na çliruar, Jehovai s’ka lënë gjë pa bërë. Edhe Biri i tij ka bërë sakrifica të jashtëzakonshme. Kështu, le të shqyrtojmë katër pyetje bazë. Pse kemi nevojë për çlirim? Sa i ka kushtuar Jezuit çlirimi ynë? Sa i ka kushtuar Jehovait? Dhe, si mund ta tregojmë se e vlerësojmë çlirimin nga Perëndia?

Pse kemi nevojë për çlirim

3. Në ç’kuptim mëkati krahasohet me një epidemi?

3 Sipas një llogaritjeje të kohëve të fundit, një nga epidemitë më të këqija në historinë njerëzore ishte gripi spanjoll i vitit 1918, i cili vrau dhjetëra milionë njerëz. Por, në njëfarë kuptimi, sëmundje të tjera janë më vdekjeprurëse. Megjithëse mund të infektohen pak njerëz, shumica e atyre që infektohen, vdesin. * Po sikur ta krahasojmë mëkatin me një epidemi të tillë? Kujto fjalët e Romakëve 5:12: «Mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm, dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.» Nga mëkati janë infektuar 100 për qind e njerëzve, pasi të gjithë njerëzit e papërsosur mëkatojnë. (Lexo Romakëve 3:23.) Cila është përqindja e vdekjeve? Pavli shkroi se mëkati sjell vdekjen «në të gjithë njerëzit».

4. (a) Cila është pikëpamja e Krijuesit për jetëgjatësinë tonë? (b) Si ndryshon pikëpamje e Perëndisë nga ajo e shumë njerëzve sot?

4 Shumë sot nuk e shohin mëkatin dhe vdekjen me këtë sy. Ata shqetësohen për atë që e quajnë vdekje të parakohshme, por e konsiderojnë si diçka «normale» vdekjen që i përpin dalëngadalë njerëzit nëpërmjet plakjes. Për njerëzit është fare e lehtë të harrojnë këndvështrimin e Krijuesit. Jetëgjatësia jonë është tmerrësisht e shkurtër në krahasim me atë që kishte ndër mend ai. Faktikisht, asnjë njeri nuk ka jetuar as edhe «një ditë» nga pikëpamja e Krijuesit. (2 Pjet. 3:8) Prandaj, Fjala e Perëndisë thotë se jeta jonë është po aq kalimtare, sa edhe rritja stinore e barit ose sa avulli i frymëmarrjes. (Psal. 39:5; 1 Pjet. 1:24) Duhet ta mbajmë ndër mend këtë. Pse? Nëse kuptojmë sa e rëndë është «sëmundja» që na ka zënë, mund ta çmojmë më shumë vlerën e «kurës»—çlirimin tonë.

5. Cila ka qenë kostoja e mëkatit për secilin prej nesh?

5 Që të kuptojmë sa i rëndë është mëkati dhe pasojat e tij, duhet të përpiqemi të kuptojmë sa na ka kushtuar. Si fillim kjo mund të jetë e vështirë, sepse mëkati na ka kushtuar diçka që ne nuk e kemi përjetuar. Adami dhe Eva gëzonin një jetë njerëzore të përsosur. Me një mendje dhe trup të përsosur ata mund të vendosnin t’i kontrollonin mendimet, ndjenjat dhe veprimet. Kështu, ata mund të vazhdonin të zhvillonin pa pengesë cilësi të mrekullueshme si shërbëtorë të Perëndisë Jehova dhe të arrinin potencialin e jashtëzakonshëm që kishin. Por ata e hodhën tej dhuratën e çmuar të jetës së përsosur. Duke zgjedhur të mëkatonin kundër Jehovait, ata humbën për veten dhe për pasardhësit e tyre atë lloj jete që kishte ndër mend Jehovai për ta. (Zan. 3:16-19) Njëkohësisht, sollën mbi veten dhe mbi ne «sëmundjen» e tmerrshme për të cilën folëm. Me të drejtë, Jehovai i dënoi ata. Por, neve na ofron shpresën e çlirimit.—Psal. 103:10.

Sa i kushtoi Jezuit çlirimi ynë

6, 7. (a) Si tregoi Jehovai në fillim se çlirimi ynë do t’i kushtonte shtrenjtë? (b) Ç’mund të mësojmë nga flijimet që paraqitën Abeli dhe patriarkët që jetuan para Ligjit?

6 Jehovai e dinte se do t’i kushtonte shumë shtrenjtë çlirimi i pasardhësve të Adamit dhe të Evës. Në profecinë e dokumentuar te Zanafilla 3:15, mësojmë diçka për koston e çlirimit. Jehovai do të siguronte ‘një farë’, pra një shpëtimtar, i cili një ditë do ta shkatërronte Satanain duke e shfarosur. Megjithatë, ndërkohë ky shpëtimtar do të vuante duke u plagosur në thembër në kuptimin e figurshëm. Plagosja mund të sjellë dhembje dhe ta kufizojë përkohësisht dikë, por ç’kuptim ka në këtë profeci? Ç’vuajtje do të kalonte i Zgjedhuri i Jehovait?

7 Që të shpëtonte njerëzimin nga mëkati, shpëtimtari duhej të siguronte një mjet shlyerjeje, pra një mënyrë për t’i pajtuar njerëzit me Perëndinë, duke zhbërë pasojat e mëkatit. Çfarë do të nënkuptonte kjo? Ngjarjet e mëparshme tregonin se do të kërkohej një flijim. Kur njeriu i parë besnik, Abeli, i paraqiti Jehovait si flijim një kafshë, Jehovai e miratoi. Më vonë, patriarkë që i frikësoheshin Perëndisë të tillë, si Noeja, Abrahami, Jakobi dhe Jobi paraqitën flijime të ngjashme, të cilat i pëlqyen Atij. (Zan. 4:4; 8:20, 21; 22:13; 31:54; Jobi 1:5) Ligji i Moisiut e bëri më të qartë nevojën për flijim.

8. Çfarë bënte kryeprifti çdo vit në Ditën e Shlyerjes?

8 Ndër flijimet më të rëndësishme që kërkoheshin nga Ligji, ishin ato që paraqiteshin çdo vit në Ditën e Shlyerjes. Atë ditë, kryeprifti bënte një sërë veprimesh simbolike. Ai i paraqiste Jehovait flijime për shlyerjen e mëkateve: së pari të klasës priftërore, pastaj të fiseve jopriftërore. Kryeprifti hynte në ndarjen Më të Shenjtë të tabernakullit ose të tempullit, ku mund të hynte vetëm ai dhe vetëm në këtë ditë të vitit. Atje spërkaste gjakun e flijimeve para arkës së besëlidhjes. Sipër asaj arke të shenjtë herë pas here shfaqej një re e shndritshme, e cila përfaqësonte praninë e Perëndisë Jehova.—Dal. 25:22; Lev. 16:1-30.

9. (a) Kë përfaqësonte kryeprifti në Ditën e Shlyerjes dhe çfarë nënkuptonin flijimet që paraqiste? (b) Çfarë përfaqësonte hyrja e kryepriftit në Më të Shenjtën?

9 Apostulli Pavël u frymëzua të tregonte domethënien e këtyre veprimeve simbolike. Ai tregoi se kryeprifti përfaqësonte Mesinë, Jezu Krishtin, kurse paraqitja e flijimeve nënkuptonte vdekjen flijuese të Krishtit. (Hebr. 9:11-14) Ky flijim i përsosur do të siguronte shlyerjen e vërtetë për dy grupet e njerëzve: për klasën priftërore të 144.000 vëllezërve të Krishtit të mirosur nga fryma dhe për ‘delet e tjera’. (Gjoni 10:16) Kur kryeprifti hynte në Më të Shenjtën, ai përfaqësonte hyrjen e Jezuit në vetë qiellin për të paraqitur para Perëndisë Jehova vlerën e flijimit shpërblyes.—Hebr. 9:24, 25.

10. Çfarë do të përjetonte Mesia sipas profecive biblike?

10 Është e qartë, çlirimi i pasardhësve të Adamit dhe të Evës do të kushtonte shtrenjtë. Mesia do të duhej të flijonte jetën. Profetët e Shkrimeve Hebraike e paraqitnin këtë të vërtetë me terma të gjallë. Për shembull, profeti Daniel tha drejtpërdrejt se ‘Mesia, Udhëheqësi do të vritej’ me qëllim që ‘të shlyhej faji’. (Dan. 9:24-26) Isaia paratha se Mesinë nuk do ta pranonin, do ta përndiqnin dhe do ta ekzekutonin ose do ta shponin, që të mbante mëkatet e njerëzve të papërsosur.—Isa. 53:4, 5, 7.

11. Në cilat mënyra Biri i Jehovait tregoi gatishmëri që të flijohej për çlirimin tonë?

11 Para se të vinte në tokë, Biri i vetëmlindur i Perëndisë ishte i vetëdijshëm se sa do t’i kushtonte çlirimi ynë. Ai do të vuante dhe më pas do ta vritnin. Kur Ati ia mësoi këto të vërteta, a u spraps ose u rebelua ai? Përkundrazi, e tregoi nënshtrimin duke i pranuar ato. (Isa. 50:4-6) Po kështu, kur ishte në tokë, Jezui e kreu i bindur vullnetin e Atit. Pse? Ai e dha një përgjigje me këto fjalë: «Unë e dua Atin.» Një përgjigje tjetër e dha me këto fjalë: «Nuk ka dashuri më të madhe se kjo: që dikush të japë shpirtin për miqtë e vet.» (Gjoni 14:31; 15:13) Pra, çlirimi ynë është në një masë të madhe falë dashurisë së Birit të Jehovait. Megjithëse kjo i kushtoi atij jetën njerëzore të përsosur, ai ishte i lumtur ta bënte këtë për hir të çlirimit tonë.

Sa i kushtoi Jehovait çlirimi ynë

12. Shprehje e vullnetit të kujt është shpërblesa dhe pse e siguroi ai?

12 Nuk ishte Jezui që vendosi se duhej bërë një flijim shpërblyes ose si duhej bërë ky flijim. Përkundrazi, ky mjet çlirimi ishte pjesë thelbësore e vullnetit të Jehovait. Apostulli Pavël tregoi se altari në tempull mbi të cilin paraqiteshin flijimet, përfaqësonte vullnetin e Jehovait. (Hebr. 10:10) Prandaj, çlirimi që fitojmë nëpërmjet flijimit të Krishtit është diçka për të cilin i detyrohemi mbi të gjitha Jehovait. (Luka 1:68) Ai është një shprehje e vullnetit të Tij të përsosur dhe e dashurisë së Tij të madhe për njerëzit.—Lexo Gjonin 3:16.

13, 14. Si mund të na ndihmojë shembulli i Abrahamit të kuptojmë e të vlerësojmë atë që Jehovai ka bërë për ne?

13 Sa i kushtoi Jehovait që ta shprehte dashurinë e tij për ne në këtë mënyrë? Është e vështirë ta konceptojmë. Megjithatë, ka një tregim biblik që mund të na ndihmojë ta kuptojmë më qartë këtë çështje. Jehovai i kërkoi Abrahamit, një njeri besnik, që të bënte diçka tejet të vështirë—të paraqiste birin e tij, Isakun, si flijim. Por, Abrahami ishte një atë i dashur. Jehovai i tha për Isakun se ishte ‘biri i tij i vetëm që e donte kaq shumë’. (Zan. 22:2) Prapëseprapë, Abrahami e kuptonte se bërja e vullnetit të Jehovait ishte edhe më e rëndësishme sesa dashuria e tij për Isakun. Kështu Abrahami u bind. Megjithatë, Jehovai nuk e la Abrahamin të bënte atë që Ai vetë do ta bënte një ditë. Perëndia dërgoi një engjëll që ta ndalte Abrahamin tamam në momentin kur do të flijonte të birin. Abrahami ishte kaq i vendosur për t’iu bindur Perëndisë së tij në këtë sprovë të vështirë, saqë për të, e vetmja shpresë për ta parë të birin përsëri të gjallë, ishte ringjallja. Por ai kishte një besim të plotë se Perëndia do ta ringjallte. Faktikisht, Pavli tha se Abrahami e rifitoi vërtet Isakun nga vdekja në një mënyrë që ‘shërbeu si ilustrim’.—Hebr. 11:19.

14 A mund të imagjinosh sadopak dhembjen e Abrahamit teksa përgatitej të flijonte të birin? Në njëfarë kuptimi, përvoja e Abrahamit ndihmon për të ilustruar atë që përjetoi Jehovai kur flijoi personin që e quajti «Biri im, i dashuri». (Mat. 3:17) Por, mos harro se, dhembja e Jehovait ka shumë mundësi që ishte më therëse. Ai dhe Biri i tij kishin qenë bashkë për miliona ose ndoshta miliarda vjet. Biri bashkëpunonte me gëzim me Atin si ‘kryemjeshtri’ i tij i dashur dhe si Zëdhënësi i tij, «Fjala». (Prov. 8:22, 30, 31; Gjoni 1:1) Ajo që provoi Jehovai ndërsa Birin e tij e torturuan, e tallën dhe më pas e ekzekutuan si një kriminel, është shumë më tepër sesa mund të dimë. Çlirimi ynë i kushtoi shtrenjtë Jehovait! Atëherë, si mund të tregojmë se e vlerësojmë këtë çlirim?

Si mund të tregosh se e vlerëson çlirimin?

15. (a) Si e përfundoi Jezui aktin e madh të shlyerjes? (b) Çfarë u bë e mundur falë kësaj?

15 Jezui e përfundoi aktin e madh të shlyerjes pasi u ringjall në qiell. Kur u ribashkua me Atin e tij të dashur, i paraqiti vlerën e flijimit të tij. Pas kësaj, erdhën bekime të mëdha. U bë e mundur falja e plotë e mëkateve të vëllezërve të mirosur të Krishtit në radhë të parë, e pastaj e mëkateve «të të gjithë botës». Falë këtij flijimi, sot të gjithë ata që pendohen sinqerisht për mëkatet dhe bëhen dishepuj të vërtetë të Krishtit, mund të jenë të pastër në sytë e Perëndisë Jehova. (1 Gjon. 2:2) Si zbatohet kjo për ty?

16. Si mund ta ilustrojmë arsyen pse duhet të jemi mirënjohës për çlirimin që ka bërë të mundur për ne Jehovai?

16 Le të rikthehemi tek ilustrimi që bëmë në hyrje të artikullit. Ta zëmë se mjeku që gjen kurën e sëmundjes u bën këtë ofertë pacientëve në pavijonin tënd: çdo pacient që pranon trajtimin dhe ndjek regjimin e rekomanduar, do të shërohet. Po sikur shumica e pacientëve të mos pranojë të ndjekë udhëzimet e mjekut, duke debatuar se është tepër e vështirë të marrësh ilaçin ose të ndjekësh regjimin e rekomanduar? A do t’u shkosh pas, edhe pse do të kesh prova bindëse se kura funksionon vërtet? Patjetër që jo! Pa dyshim, ti do ta falënderosh shumë herë për kurën dhe do të ndjekësh me kujdes udhëzimet e mjekut, ndoshta duke u folur edhe të tjerëve për zgjedhjen tënde. Në një kuptim shumë më të madh, secili nga ne duhet të jetë i etur për t’i treguar Jehovait se sa mirënjohës është për çlirimin që ka bërë të mundur nëpërmjet flijimit shpërblyes të Birit.—Lexo Romakëve 6:17, 18.

17. Në cilat mënyra mund ta tregosh mirënjohjen tënde për atë që ka bërë Jehovai që të të çlirojë?

17 Nëse jemi mirënjohës për atë që Jehovai dhe Biri i tij kanë bërë për të na çliruar nga mëkati dhe vdekja, do ta tregojmë këtë. (1 Gjon. 5:3) Do të luftojmë kundër prirjes sonë për të mëkatuar. Kurrë nuk do të dorëzohemi e të praktikojmë me dashje mëkatin dhe as do të bëjmë jetën e dyfishtë prej hipokriti që vjen si pasojë. Një sjellje e tillë do të ishte sikur të thoshim se nuk e vlerësojmë ose nuk jemi mirënjohës fare për shpërblesën. Përkundrazi, do ta tregojmë mirënjohjen tonë duke bërë çmos për të qëndruar të pastër në sytë e Perëndisë. (2 Pjet. 3:14) Do ta tregojmë duke e ndarë me të tjerët shpresën e mrekullueshme të çlirimit, në mënyrë që edhe ata të jenë të pastër në sytë e Jehovait dhe të kenë shpresën e një të ardhmeje të përhershme. (1 Tim. 4:16) Sigurisht, Jehovai dhe Biri i tij e meritojnë çdo pjesëz kohe dhe energjie që mund të kushtojmë për t’u dhënë lavdi. (Mar. 12:28-30) Mendo pak: mund të presim kohën kur do të shërohemi plotësisht nga mëkati. Do të mund ta jetojmë jetën siç kishte ndër mend Perëndia, në përsosmëri, përgjithmonë—e gjithë kjo falë asaj që ka bërë Jehovai për të na çliruar!—Rom. 8:21.

[Shënimi]

^ par. 3 Thuhet se gripi spanjoll ka infektuar nga 20 deri në 50 për qind të popullsisë së botës në atë kohë. Virusi mund të ketë vrarë nga 1 deri në 10 për qind të njerëzve të infektuar. Ndryshe nga kjo, virusi i Ebolës është shumë më i rrallë, por në disa shpërthime të tij ka vrarë gati 90 për qind të të infektuarve.

Si do të përgjigjeshe?

• Pse ke nevojë urgjente për çlirim?

• Si ndikon te ti akti vetëflijues i Jezuit?

• Si ndihesh për dhuratën e shpërblesës nga Jehovai?

• Çfarë nxitesh të bësh në përgjigje të masave që ka marrë Jehovai për çlirimin tënd?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 27]

Në Ditën e Shlyerjes, kryeprifti i Izraelit bëhej një ilustrim i gjallë i Mesisë

[Figura në faqen 28]

Gatishmëria e Abrahamit për të flijuar të birin, na mëson shumë për flijimin shumë herë më të madh të Jehovait