Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Feja—Zgjedhja ime apo e prindërve?

Feja—Zgjedhja ime apo e prindërve?

Feja—Zgjedhja ime apo e prindërve?

NË Poloni, shumë njerëz u thonë Dëshmitarëve të Jehovait: «Kam lindur me fenë time dhe me atë do të vdes.» Sipas tyre, kjo do të thotë se feja kalohet nga një brez në tjetrin. A vëreni një qëndrim të ngjashëm për fenë edhe në zonën tuaj? Ç’pasoja vijnë shpesh nga një pikëpamje e tillë? Ekziston prirja që feja të bëhet formale dhe thjesht një traditë familjare. A mund të ndodhë kjo edhe me ata Dëshmitarë të Jehovait që e kanë marrë trashëgiminë e mrekullueshme frymore nga prindërit ose gjyshërit?

Kjo nuk ndodhi me Timoteun, të cilin mamaja dhe gjyshja, besimtare të devotshme, e ndihmuan që të besonte dhe ta donte Perëndinë e vërtetë. Timoteu i njihte shkrimet e shenjta «që nga foshnjëria». Me kalimin e kohës, Timoteu, bashkë me nënën dhe gjyshen, u bindën se krishterimi ishte e vërteta. Ai ‘u bind të besonte’ gjërat që dëgjoi nga Shkrimet në lidhje me Jezu Krishtin. (2 Tim. 1:5; 3:14, 15) Kështu, ndonëse prindërit e krishterë sot bëjnë çmos t’i ndihmojnë fëmijët që të bëhen shërbëtorë të Jehovait, fëmijët duhet të zhvillojnë vetë dëshirën për t’u bërë të tillë.—Mar. 8:34.

Që dikush t’i shërbejë Jehovait nga dashuria dhe të mbajë integritetin pavarësisht se ç’mund t’i ndodhë, duhet të bindet për atë që beson nëpërmjet një arsyetimi të shëndoshë. Atëherë besimi i tij do të jetë i patundur dhe i rrënjosur thellë.—Efes. 3:17; Kolos. 2:6, 7.

Roli i fëmijëve

Alberti *, i cili është rritur në një familje Dëshmitarësh, thotë: «Gjithmonë mendoja se Dëshmitarët e Jehovait kishin fenë e vërtetë, por e kisha shumë të vështirë të pranoja atë që thoshin për mënyrën si duhej të jetoja.» Nëse je një i ri, ndoshta mendon njësoj. Pse të mos përpiqesh të kuptosh se çfarë përfshin mënyra e jetesës që i pëlqen Perëndisë dhe pastaj të gjesh kënaqësi duke bërë vullnetin e tij? (Psal. 40:8) Alberti tregon: «Thjesht fillova të lutesha. Në fillim më dukej e vështirë. Duhej ta detyroja veten. Por, pas pak kohësh e ndieja se mund të kisha vlerë në sytë e Perëndisë, nëse përpiqesha të bëja atë që është e drejtë. Kjo më dha forcën për të bërë ndryshimet e duhura.» Duke kultivuar një marrëdhënie personale me Jehovain, mund të zhvillosh dëshirën për të bërë atë që kërkon ai nga ne.—Psal. 25:14; Jak. 4:8.

Mendo për një lojë, si për shembull, shahu ose tavlla, a ndonjë sport i veçantë. Në qoftë se nuk i di rregullat ose nuk di të luash mirë, ka mundësi që loja do të të duket e mërzitshme. Por, nëse mëson rregullat dhe bëhesh i aftë, a nuk do të prisje me padurim të luaje, madje duke krijuar raste për të luajtur? E njëjta gjë është e vërtetë edhe për veprimtaritë e krishtere. Prandaj, merr nismën për t’u përgatitur për mbledhjet e krishtere. Përfshihu në to. Pavarësisht nga mosha, ti madje mund t’u japësh zemër të tjerëve me shembullin tënd.—Hebr. 10:24, 25.

E njëjta gjë është edhe kur u flet të tjerëve për besimin tënd. Edhe kjo duhet bërë nga dashuria, jo me detyrim. Pyet veten: «Pse dua t’u flas të tjerëve për Jehovain? Çfarë arsyesh kam që ta dua Perëndinë?» Ti ke nevojë ta njohësh Jehovain si një Atë të dashur. Ai tha nëpërmjet Jeremisë: «Do të më kërkoni dhe do të më gjeni, sepse do të më kërkoni me gjithë zemër.» (Jer. 29:13, 14) Çfarë mund të kërkojë kjo nga ty? Jakupi thotë: «M’u desh të ndryshoja mënyrën si mendoja. I kisha ndjekur mbledhjet dhe kisha dalë në shërbim që kur isha fëmijë, por këto veprimtari ishin bërë disi rutinë. Vetëm kur arrita të njihja më mirë Jehovain dhe zhvillova një marrëdhënie personale me të, u përfshiva tamam në të vërtetën.»

Shoqëritë e mira dhe ndërtuese ndikojnë shumë te gëzimi që ndien për shërbimin. Proverbi i frymëzuar thotë: «Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur.» (Prov. 13:20) Prandaj, kërko miqësi me ata që ndjekin synime frymore dhe që janë të lumtur në shërbimin e Jehovait. Jola thotë: «U inkurajova nga shoqërimi me shumë të rinj që ishin të përqendruar në shërbim të Jehovait. Nisa të merrja pjesë rregullisht në shërbim me gëzim të madh.»

Roli i prindërve

«U jam shumë mirënjohëse prindërve që më mësuan për Jehovain»,—shprehet Jola. Po, prindërit mund të kenë një ndikim të fuqishëm te zgjedhja e fëmijëve. Apostulli Pavël shkroi: «Ju, etër, . . . vazhdoni t’i rritni [fëmijët] në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait.» (Efes. 6:4) Kjo këshillë e frymëzuar tregon qartë se roli i prindërve është që t’u mësojnë fëmijëve udhët e Jehovait, jo udhët e tyre. Në vend që t’u shtini në mendje fëmijëve atë që ju mund të doni të arrijnë, sa e mrekullueshme do të ishte sikur t’i ndihmoni të vënë vetë si synim që të jetojnë në përputhje me qëllimet e Jehovait!

Mund t’u ngulitni fjalët e Jehovait fëmijëve dhe ‘të flitni për to kur rrini ulur në shtëpi, kur ecni rrugës, kur shtriheni dhe kur ngriheni’. (Ligj. 6:6, 7) Eva dhe Rishardi, prindër të tre djemve, kujtojnë: «Flitnim shumë për format e ndryshme të shërbimit në kohë të plotë.» Cili ishte rezultati? «Djemtë deshën të regjistroheshin në Shkollën e Shërbimit Teokratik që në moshë të njomë, u bënë lajmëtarë dhe në fund vendosën vetë të pagëzoheshin. Më vonë, nisën shërbimin në Bethel ose shërbimin si pionierë.»

Shembulli i mirë i prindërve është jetësor. Rishardi thotë: «Ishim të vendosur të mos bënim një jetë të dyfishtë: ndryshe të silleshim në shtëpi dhe ndryshe në kongregacion.» Prandaj pyetni veten: «Çfarë vërejnë fëmijët në jetën time? A vërejnë se e dua vërtet Jehovain? A e vërejnë këtë dashuri në lutjet e mia dhe në programin e studimit personal? A e vërejnë në qëndrimin që kam ndaj shërbimit, zbavitjes e gjërave materiale dhe në atë që them për pjesëtarët e tjerë të kongregacionit?» (Luka 6:40) Fëmijët do të vëzhgojnë jetën tuaj të përditshme dhe do të kuptojnë ndonjë mospërputhje midis asaj që thoni e asaj që bëni.

Disiplina luan një rol të rëndësishëm në rritjen e fëmijëve. Megjithatë, Fjala e frymëzuar e Perëndisë këshillon që ‘ta stërvitim djalin në udhën që është e përshtatshme për të’. (Prov. 22:6, BR me referime, anglisht) Eva dhe Rishardi thonë: «Morëm kohë për të bërë një studim biblik më vete me secilin fëmijë.» Natyrisht, u takon prindërve të vendosin nëse është e nevojshme të bëhet një studim më vete me çdo fëmijë. Sido që të jetë, një fëmijë duhet të trajtohet si një njeri me personalitet më vete. Kjo kërkon elasticitet dhe arsyetueshmëri. Për shembull, në vend që thjesht t’u thoni fëmijëve se një lloj muzike e caktuar është e keqe, pse të mos u tregoni se si të marrin vendime të mençura ose si përfshihen parimet biblike?

Fëmijët tuaj mund të dinë me saktësi se çfarë pritni prej tyre dhe mund të duket sikur sillen siç dëshironi ju. Megjithatë, duhet t’u prekni zemrën. Mos harroni, «qëllimet në zemrën e njeriut janë si ujëra të thella, por njeriu me aftësi dalluese i nxjerr në sipërfaqe». (Prov. 20:5) Kini aftësi dalluese, kërkoni shenja të ndonjë problemi që mund të fshihet në zemrën e fëmijëve dhe veproni menjëherë. Pa bërë asnjë akuzë, tregoni se jeni të shqetësuar dhe bëjuni pyetjet e përshtatshme. Megjithatë, kini kujdes të mos i mbytni me pyetje. Interesimi juaj i sinqertë do t’u prekë zemrën dhe do t’jua bëjë më të lehtë t’i ndihmoni ata.

Roli i kongregacionit

Si një shërbëtor i Perëndisë, a ke mundësi t’i ndihmosh të rinjtë në kongregacion që të çmojnë trashëgiminë frymore që kanë marrë? Megjithëse përgjegjës për stërvitjen e fëmijëve janë prindërit, pjesëtarët e tjerë të kongregacionit, sidomos pleqtë, mund t’i mbështetin përpjekjet e tyre. Është veçanërisht e rëndësishme të tregohet interes për ata që bëjnë pjesë në familje të ndara nga ana fetare.

Ç’mund të bëjnë pleqtë për t’i ndihmuar të rinjtë që ta duan Jehovain dhe të ndihen të nevojshëm e të vlerësuar? Marjushi, i cili shërben si mbikëqyrës në një kongregacion në Poloni, thotë: «Pleqtë duhet të komunikojnë, të komunikojnë, të komunikojnë me të rinjtë. Duhet ta bëjnë këtë jo vetëm kur lindin probleme, por edhe në raste të tjera—në shërbim, pas mbledhjeve ose duke pirë një filxhan çaj.» Pse të mos i pyesin të rinjtë se ç’mendojnë për kongregacionin? Ky lloj komunikimi i hapur i afron të rinjtë me kongregacionin dhe i ndihmon të ndihen pjesë e tij.

Nëse je plak, a po arrin t’i njohësh të rinjtë në kongregacion? Alberti i përmendur më parë, ndonëse tani shërben si plak, gjatë adoleshencës kaloi sprova të ndryshme. Ai thotë: «Si i ri, kisha nevojë për një vizitë baritore.» Pleqtë mund të tregojnë interes personal ndaj të rinjve duke u lutur për mirëqenien e tyre frymore.—2 Tim. 1:3.

Është mirë që të rinjtë të përfshihen në veprimtaritë e kongregacionit. Përndryshe, mund të përqendrohen në ndjekjen e synimeve të botës. A mund të dilni ju më të rriturit në shërbim me ta dhe të bëheni miqtë e tyre? Kaloni kohë të lirë me të rinjtë, duke krijuar një atmosferë besimi dhe miqësie. Jola kujton: «Një pioniere tregoi interes personal për mua. Ndryshe nga herët e tjera, me të dola në shërbim ngaqë doja vërtet.»

Zgjedhja juaj

Të rinj, pyetni veten: «Çfarë synimesh kam? Nëse ende nuk jam pagëzuar, a e kam vënë këtë synim?» Vendimi për t’u pagëzuar duhet të burojë nga një zemër plot dashuri për Jehovain, jo nga ndonjë detyrim ndaj traditës familjare.

Po, qoftë Jehovai Miku juaj i vërtetë dhe qoftë e vërteta thesari juaj! Jehovai shpalli me anë të profetit Isaia: «Mos i hidh sytë rreth e përqark, se unë jam Perëndia yt.» Jehovai do të jetë me ju derisa të jeni miq të tij. Ai vërtet do t’ju japë forcë dhe ‘do t’ju mbajë fort me të djathtën e tij të drejtësisë’.—Isa. 41:10.

[Shënimi]

^ par. 6 Disa emra janë ndryshuar.

[Figura në faqen 4]

Përpiquni të dalloni se ç’ka në zemër fëmija

[Figura në faqen 6]

Vendimi për t’u pagëzuar buron nga një zemër plot dashuri për Jehovain