Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Tani kam një jetë plot kuptim

Tani kam një jetë plot kuptim

Tani kam një jetë plot kuptim

Treguar nga Gaspar Martinesi

Në njëfarë mënyre, jeta ime është historia e thjeshtë e një djali nga fshati që u bë i pasur në qytet. Por do të shihni se pasuria që grumbullova, nuk ishte tamam ajo që kisha pritur.

UNË u rrita në një zonë fshatare e të zhveshur, në krahinën Rioja në veri të Spanjës, gjatë viteve 1930. Në moshën dhjetë vjeçare m’u desh ta lija shkollën, por në atë kohë tashmë kisha mësuar të lexoja e të shkruaja. Bashkë me gjashtë vëllezërit dhe motrat e mia, i kalonim ditët nëpër fusha duke kullotur delet ose duke kultivuar ngastrat tona të vogla.

Për shkak të varfërisë, u jepnim shumë rëndësi gjërave materiale. I kishim zili ata që kishin më shumë se ne. Megjithatë, një herë peshkopi tha se fshati ynë ishte fshati më fetar në dioqezën e tij. Ai nuk e dinte se me kalimin e kohës, shumë do ta linin katolicizmin.

Kërkoj diçka më të mirë

U martova me Mersedhesën, një vajzë nga fshati im. S’kaloi shumë kohë dhe na lindi një djalë për të cilin duhej të kujdeseshim. Në vitin 1957, u transferuam në një qytet pranë, në Logronjo, dhe pastaj e gjithë familja ime bëri të njëjtën gjë. Shpejt kuptova se meqë nuk kisha ndonjë zanat, mundësitë që të fitoja mjaftueshëm para për familjen ishin të pakta. Vrisja mendjen se ku të gjeja drejtim në jetë. Fillova të kërkoja në një bibliotekë vendëse, ndonëse në të vërtetë nuk dija se çfarë të kërkoja.

Më vonë, dëgjova për një program radiofonik që ofronte studim biblik me letërkëmbim. Jo shumë kohë pasi e mbarova studimin, më kontaktuan disa protestantë evangjelistë. Pas nja dy herësh që shkova në vendin e tyre të adhurimit, pashë rivalitet midis pjesëtarëve me emër të atij grupi. Nuk u ktheva më, duke nxjerrë përfundimin se të gjitha fetë duhet të jenë njësoj.

Më hapen sytë

Në vitin 1964, në shtëpinë tonë trokiti një i ri, Euhenio. Ishte Dëshmitar i Jehovait, një fe që nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë. Por unë dëshiroja shumë të flitja për Biblën. Mendoja se i njihja mirë Shkrimet. Iu përgjigja atij me anë të disa vargjeve biblike që kisha mësuar nga kursi me letërkëmbim. Megjithëse u përpoqa të mbroja disa doktrina protestante, në zemër nuk i besoja vërtet ato.

Pas dy bisedash të gjata, m’u desh ta pranoja se Euhenio e përdorte Fjalën e Perëndisë si një ekspert. Habitesha kur shihja si i gjente shkrimet dhe arsyetonte për zbatimin e tyre, megjithëse kishte bërë më pak vite shkollë se unë. Euhenio më tregoi nga Bibla se jetojmë në ditët e fundit dhe se Mbretëria e Perëndisë do të sjellë së shpejti një tokë parajsore. Kjo m’u duk shumë interesante.—Psal. 37:11, 29; Isa. 9:6, 7; Mat. 6:9, 10.

Pranova menjëherë një studim biblik. Pothuajse gjithçka që mësoja ishte e re dhe më prekte zemrën. Para meje u hap një mundësi që më ofronte diçka për të cilën ia vlente të jetoja. Kërkimi kishte marrë fund. Tani përpjekjet e mia për të pasur një pozitë më të mirë shoqërore dukeshin të parëndësishme e po ashtu edhe beteja për të gjetur punë nuk kishte atë rëndësi si më parë. Do të zhdukeshin madje edhe sëmundjet dhe vdekja, e jo më problemet e tjera.—Isa. 33:24; 35:5, 6; Zbul. 21:4.

Menjëherë nisa t’u tregoja të afërmve atë që po mësoja, duke u shpjeguar me entuziazëm se Perëndia premton të sjellë një tokë parajsore ku njerëzit besnikë mund të jetojnë përgjithmonë.

Njerëzit e mi pranojnë të vërtetën biblike

Shpejt, rreth 12 prej nesh vendosëm të mblidheshim çdo të diel pasdite te shtëpia e xhaxhait për të folur për premtimet e Biblës. Kalonim tri ose katër orë çdo javë duke bërë kështu. Kur Euhenio pa se një grup kaq i madh me të afërm të mi kishin interes për Biblën, mori masa t’i kushtonte vëmendje më vete çdo familjeje.

Kisha të afërm të tjerë në Durango, një qytezë rreth 120 kilometra larg, ku nuk banonte asnjë Dëshmitar. Kështu, tre muaj më vonë, mora dy ditë pushim që të shkoja t’u flitja për besimin që sapo kisha gjetur. Në atë rast, rreth dhjetë të afërm u mblodhën në secilën mbrëmje dhe fola me ta deri në orët e para të mëngjesit. Të gjithë dëgjuan më kënaqësi. Kur vizitës sime të shkurtër i erdhi fundi, u lashë disa Bibla dhe literaturë biblike. Që atëherë e tutje, mbanim lidhje bashkë.

Kur Dëshmitarët shkuan në Durango—ku askush nuk kishte predikuar më parë—gjetën 18 veta që pritnin me padurim një studim biblik. Me kënaqësi, Dëshmitarët morën masa që çdo familje të bënte një studim biblik.

Deri atëherë, Mersedhesa s’kishte dashur të dinte për të vërtetën: më shumë nga frika e njeriut, sesa ngaqë ngurronte të pranonte mësimet e Biblës. Në atë kohë, vepra e Dëshmitarëve të Jehovait ishte e ndaluar në Spanjë, prandaj ajo mendonte se autoritetet do t’i përjashtonin dy fëmijët tanë nga shkolla dhe do të bëheshim të dëbuar nga shoqëria. Por, kur pa se e gjithë familja po pranonte të vërtetën biblike, edhe ajo donte të studionte.

Brenda dy vjetësh, 40 pjesëtarë të fisit tim u bënë Dëshmitarë dhe u pagëzuan në simbol të kushtimit të tyre për t’i shërbyer Perëndisë. Po, të afërmit e mi kishin të njëjtin synim dhe qëllim në jetë. Kisha arritur diçka vërtet të vlefshme. Ishim bekuar me bollëk me pasuri frymore.

Jeta pasurohet teksa mosha kalon

Për 20 vitet pasuese, u përqendrova në rritjen e dy djemve dhe për të ndihmuar kongregacionin vendës. Kur Mersedhesa dhe unë u transferuam në Logronjo, në atë qytet me nja 100.000 banorë kishte vetëm rreth 20 Dëshmitarë. S’kaloi shumë kohë dhe më dhanë shumë përgjegjësi në kongregacion.

Më pas, kur isha 56 vjeç, firma mbylli papritur fabrikën ku punoja dhe mbeta pa punë. Gjithmonë kisha pasur një dëshirë të zjarrtë për të shërbyer në kohë të plotë, prandaj përfitova nga këto rrethana të reja që të bëhesha pionier. Pensioni që merrja ishte i paktë dhe jetesa nuk ishte e lehtë. Mersedhesa ndihmonte duke punuar në pastrim. Arrinim t’ia dilnim dhe kurrë nuk na munguan gjërat e nevojshme. Jam ende pionier kurse ajo shërben herë pas here si pioniere ndihmëse dhe i pëlqen shumë predikimi.

Pak vite më parë, Mersedhesa i linte rregullisht revistat një gruaje të re me emrin Merçe, e cila kishte studiuar Biblën kur kishte qenë fëmijë. Merçeja e lexonte tërë interes literaturën dhe Mersedhesa e vërente se në zemër ajo kishte ende çmueshmëri për të vërtetën biblike. Si përfundim, Merçeja pranoi një studim biblik dhe filloi të ecte mirë. Por Visente, i shoqi, pinte shumë dhe nuk arrinte të mbante një punë të rregullt. Si pasojë, nuk e mbështeste atë nga ana financiare. Abuzimi me alkoolin rrezikonte të prishte martesën e tyre.

Gruaja ime i sugjeroi Merçesë që Visente të fliste me mua dhe më në fund ashtu bëri. Pas disa vizitash, ai pranoi një studim biblik. Visente filloi të ndryshonte dhe herë pas here nuk pinte për ditë të tëra. Pastaj periudhat kur nuk pinte zgjateshin për një ose më shumë javë. Përfundimisht, ai e la fare alkoolin. Sjellja e paraqitja e tij ndryshuan dukshëm dhe familja e tij u bë e bashkuar. E gjithë familja e tij, përfshirë gruaja dhe vajza, e mbështetin në mënyrë të shkëlqyer kongregacionin e vogël në Ishujt Kanarie ku jetojnë tani.

Vështrim nga e kaluara ime plot kuptim

Ndonëse disa të afërm që mësuan të vërtetat biblike vite më parë tani kanë vdekur, fisi ynë ka vazhduar të rritet dhe Perëndia na ka bekuar me bollëk. (Prov. 10:22) Ç’kënaqësi kam të shoh se pothuajse të gjithë ata që filluan të studionin Biblën 40 vjet më parë—bashkë me fëmijët dhe nipërit—kanë vazhduar t’i shërbejnë Jehovait me besnikëri!

Tani kam sa e sa të afërm që janë Dëshmitarë, shumë prej të cilëve shërbejnë si pleq, shërbëtorë ndihmës dhe pionierë. Djali im i madh bashkë me të shoqen shërbejnë në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Madrid të Spanjës. Kur u bëra Dëshmitar, në Spanjë kishte rreth 3.000 prej nesh. Tani ka më tepër se 100.000 Dëshmitarë. Kënaqem shumë me shërbimin në kohë të plotë dhe i jam mirënjohës Perëndisë për jetën e mrekullueshme në shërbim të tij. Edhe pse nuk kam shumë shkollë, arrij të shërbej herë pas here si zëvendësmbikëqyrës qarkor.

Disa vite më parë, zbulova se fshati ku isha rritur, kishte mbetur thuajse i shkretë. Varfëria i kishte detyruar të gjithë banorët që të linin tokat dhe shtëpitë për të përmirësuar jetën. Sa mirë që mjaft prej tyre—përfshirë edhe unë—kemi gjetur thesare frymore. Mësuam se jeta ka vërtet kuptim dhe se shërbimi ndaj Jehovait sjell gëzimin më të madh që mund të imagjinohet.

[Figura në faqen 32]

Gati të gjithë pjesëtarët e fisit të vëlla Martinesit që janë në të vërtetën