A keni programuar kohë për studimin e Biblës?
A keni programuar kohë për studimin e Biblës?
VITIN e kaluar, Trupi Udhëheqës njoftoi për një ndryshim në programin e mbledhjeve të kongregacionit, që na lë më tepër kohë për studimin dhe diskutimin e Biblës si familje. Nëse je kryefamiljar, sigurohu që të drejtosh rregullisht një studim biblik familjar domethënës me gruan e me fëmijët. Çiftet që s’kanë fëmijë, duhet ta përdorin këtë kohë për të studiuar Biblën së bashku. Vëllezërit beqarë e motrat beqare që s’kanë përgjegjësi familjare, do ta përdorin mirë këtë kohë për studimin personal të Biblës.
Shumë veta kanë shprehur vlerësimin për këtë mundësi që të kenë një mbrëmje për Adhurimin Familjar. Për shembull, një plak kongregacioni me emrin Kevin shkroi: «Një ‘faleminderit’ nuk mjafton për të shprehur se si ndihemi ne në kongregacion. Si pleq, kemi diskutuar si e përdorim këtë mbrëmje të lirë për të bërë pikërisht atë që ka kërkuar Trupi Udhëheqës, pra për të studiuar me familjet tona.»
Xhodi, burri i së cilës është plak, shkroi: «Kemi tri vajza, me moshë 15, 11 dhe 2 vjeçe. Kohët e fundit u transferuam në një kongregacion të gjuhës së shenjave. Na duhet shumë kohë e përpjekje që të përgatitemi për të gjitha mbledhjet. Tani, me këtë rregullim, kemi një mbrëmje plus që na jep mundësi të përqendrohemi në adhurimin familjar.»
Një çift, Xhoni dhe Xhoana, të cilët shërbejnë si pionierë të rregullt, shkruan: «Studimin familjar të Biblës shpesh e bënim kur t’i binte radha, sepse duhej t’i gjenim një vend mes aktiviteteve të ndryshme të kongregacionit. Ky ndryshim është një dhuratë nga Jehovai që na freskon frymësisht; kuptohet, nëse e përdorim atë kohë për qëllimin e duhur.»
Toni, një vëlla beqar rreth 25 vjeç, e ka caktuar mbrëmjen e së martës për studimin personal. Ditë të tjera të javës i përdor për t’u përgatitur për mbledhjet e kongregacionit. Gjithsesi, Toni thotë: «Mezi e pres të martën.» Përse? «Ajo mbrëmje është takimi i veçantë që kam me Jehovain.» Toni shpjegon: «Për rreth dy orë, studioj tema që më forcojnë lidhjen me Jehovain. Meqë kam më shumë kohë për studimin, mund të meditoj më gjatë për vargjet biblike që lexoj.» Rezultati? «Këshillat e Jehovait po më rrënjosen në zemër më thellë se më parë.» Ja një shembull: «Në librin Gjykim i thellë, lexova për miqësinë e Davidit me Jonatanin. Mësova shumë për karakterin altruist të Jonatanit. Shembulli i tij më ndihmoi të kuptoja më qartë ç’do të thotë të jesh mik i vërtetë. Mezi pres të zbuloj edhe shumë xhevahire të tjera të martave në mbrëmje!»
Pa dyshim, të gjithë shërbëtorët e Jehovait do të nxjerrin shumë dobi duke e përdorur mirë kohën shtesë që kanë në dispozicion tani, për një studim biblik dhe adhurim familjar domethënës.