Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Jini paqësorë me të gjithë»

«Jini paqësorë me të gjithë»

«Jini paqësorë me të gjithë»

«Nëse është e mundur dhe aq sa varet nga ju, jini paqësorë me të gjithë.»—ROM. 12:18.

1, 2. (a) Ç’paralajmërim u dha Jezui dishepujve? (b) Ku mund të gjejmë këshilla se si të reagojmë ndaj kundërshtimit?

JEZUI i paralajmëroi dishepujt se do të hasnin kundërshtim nga kombet e botës dhe, mbrëmjen para se të vdiste, shpjegoi pse. Ai u tha apostujve: «Po të ishit pjesë e botës, bota do të tregonte përzemërsi për atë që është e veta. Ngaqë nuk jeni pjesë e botës, por unë ju kam zgjedhur nga bota, bota ju urren.»—Gjoni 15:19.

2 Apostulli Pavël e kishte provuar vetë sa të vërteta ishin fjalët e Jezuit. Në letrën e dytë drejtuar shokut të tij të ri, Timoteut, Pavli shkroi: «Ti ke ndjekur hap pas hapi mësimin tim, mënyrën time të të jetuarit, qëllimin tim, besimin tim, shpirtgjerësinë time, dashurinë time, qëndrueshmërinë time, përndjekjet e mia, vuajtjet e mia.» Pastaj Pavli shtoi: «Në të vërtetë, të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë me përkushtim hyjnor në unitet me Krishtin Jezu, do t’i përndjekin.» (2 Tim. 3:10-12) Në kapitullin e 12-të të letrës së tij drejtuar të krishterëve në Romë, Pavli u dha këshilla të mençura se si të reagonin ndaj kundërshtimit. Fjalët e tij mund të na drejtojnë në këtë kohë të fundit.

«Bëni gjëra të shkëlqyera»

3, 4. Si mund të zbatohet këshilla e dhënë te Romakëve 12:17 (a) në një familje të ndarë nga ana fetare? (b) në marrëdhëniet tona me fqinjët?

3 Lexo Romakëve 12:17. Pavli shpjegoi se kur hasim armiqësi, nuk duhet ta kthejmë me të njëjtën monedhë. Është e rëndësishme t’i vihet veshi këshillës së tij sidomos në shtëpitë e ndara nga ana fetare. Një bashkëshort i krishterë i reziston tundimit për të reaguar në të njëjtën mënyrë ndaj një fjale ose veprimi mosmirëdashës. Asgjë e mirë nuk vjen ‘duke e kthyer të keqen me të keqe’. Përkundrazi, një qëndrim i tillë vetëm sa e keqëson situatën.

4 Pavli këshillon një zgjidhje më të mirë: «Bëni gjëra të shkëlqyera sipas nevojës që kanë të gjithë njerëzit.» Në shtëpi, një grua që tregon dashamirësi të vërtetë ndaj burrit edhe kur ai thotë gjëra të pakëndshme për bindjet e saj, fare mirë mund të parandalojë shpërthimin e një grindjeje. (Prov. 31:12) Karlosi, që tani është pjesëtar i një familjeje Bethel, tregon se si e kapërcente mamaja kundërshtimin e fortë të babait të tij duke u treguar mirëdashëse dhe duke u kujdesur siç duhej për shtëpinë. «Ajo na nxiste gjithmonë që të tregonim respekt ndaj tij. Këmbëngulte që të luaja me babanë bul (buling francez), megjithëse nuk ishte loja ime e preferuar. Por kjo gjë e sillte në humor babanë.» Si përfundim, ai nisi të studionte Biblën dhe u pagëzua. Për sa i përket bërjes së ‘gjërave të shkëlqyera sipas nevojës që kanë të gjithë njerëzit’, shpesh Dëshmitarët e Jehovait kanë mposhtur paragjykimin e fqinjëve duke i ndihmuar në mënyrë praktike në raste katastrofash.

Ta shkrijmë kundërshtimin me «thëngjij të ndezur»

5, 6. (a) Në ç’kuptim grumbullohen «thëngjij të ndezur» mbi kokën e një armiku? (b) Tregoni një përvojë nga zona juaj që dëshmon se si zbatimi i këshillës së Romakëve 12:20, mund të sjellë rezultate të mira.

5 Lexo Romakëve 12:20. Kur zgjodhi fjalët e këtij vargu, Pavli pa dyshim kishte ndër mend atë që lexojmë te Proverbat 25:21, 22: «Nëse ai që të urren është i uritur, jepi bukë të hajë, dhe nëse është i etur, jepi ujë të pijë. Sepse kështu grumbullon thëngjij mbi kokën e tij, dhe Jehovai do të të shpërblejë.» Duke pasur parasysh këshillat që dha te kapitulli i 12-të i Romakëve, kuptojmë se Pavli nuk kishte ndër mend të thoshte se thëngjijtë e figurshëm shërbenin për të ndëshkuar ose turpëruar një kundërshtar. Përkundrazi, me sa duket, proverbi—si edhe fjalët e ngjashme të Pavlit te Romakëve—i referohet një metode të lashtë për shkrirjen e mineraleve. Studiuesi anglez i shekullit të 19-të, Çarls Brixhiz, tha se për të shkrirë «një metal që nuk përpunohet lehtë, duhet ta rrethosh me thëngjij. Nuk mjafton ta vësh mbi zjarr, por duhet të grumbullosh thëngjij të ndezur mbi të. Po kështu, pak zemra janë aq të ngurta sa të mos shkrihen nga energjia e fuqishme e dashurisë së zjarrtë, vetëmohuese dhe të durueshme.»

6 Ashtu si ‘thëngjijtë e ndezur’, veprat e mirëdashjes mund t’ua ngrohin zemrën kundërshtarëve dhe ndoshta të shkrijnë qëndrimin e tyre armiqësor. Falë veprave mirëdashëse, njerëzit mund të kenë një qëndrim më të favorshëm ndaj popullit të Jehovait dhe mesazhit biblik që predikon. Apostulli Pjetër shkroi: «Mbajeni të shkëlqyer sjelljen tuaj mes njerëzve nga bota, me qëllim që për gjërat që thonë kundër jush, si të ishit keqbërës, t’i japin lavdi Perëndisë ditën e hetimit prej tij, si rrjedhim i veprave tuaja të shkëlqyera, për të cilat janë dëshmitarë okularë.»—1 Pjet. 2:12.

«Jini paqësorë me të gjithë»

7. (a) Çfarë është paqja që u lë Krishti dishepujve? (b) Për çfarë duhet të na nxitë kjo paqe?

7 Lexo Romakëve 12:18. Gjatë mbrëmjes së fundit me apostujt, Jezui u tha: «Po ju lë paqen, po ju jap paqen time.» (Gjoni 14:27) Paqja që u lë Krishti dishepujve është qetësia e brendshme që përjetojnë kur ndiejnë se Perëndia Jehova dhe Biri i tij i dashur i duan dhe i miratojnë. Kjo paqe e brendshme duhet të na nxitë të jetojmë paqësisht me të tjerët. Të krishterët e vërtetë e duan paqen dhe janë paqebërës.—Mat. 5:9.

8. Si mund të jemi paqebërës në shtëpi dhe në kongregacion?

8 Një mënyrë se si mund të jemi paqebërës brenda rrethit familjar, është duke i zgjidhur mosmarrëveshjet sa më shpejt, e jo duke i lejuar situatat të keqësohen. (Prov. 15:18; Efes. 4:26) Kjo vlen edhe brenda kongregacionit të krishterë. Apostulli Pjetër e lidh ndjekjen e paqes me vënien fre të gjuhës. (1 Pjet. 3:10, 11) Edhe Jakovi, pasi dha me vendosmëri këshilla për përdorimin e gjuhës dhe për shmangien e xhelozisë e të frymës së grindjes, shkroi: «Mençuria nga lart është para së gjithash e dëlirë, pastaj paqësore, e arsyeshme, e gatshme të bindet, plot mëshirë dhe fryte të mira, nuk mban anë dhe nuk është hipokrite. Veç kësaj, fryti i drejtësisë mbillet kur ka paqe në dobi të atyre që bëjnë paqe.»—Jak. 3:17, 18.

9. Çfarë duhet të kemi parasysh ndërsa përpiqemi të jemi «paqësorë me të gjithë»?

9 Në fjalët që gjenden te Romakëve 12:18, Pavli nuk mjaftohet duke folur për nevojën që të jemi paqësorë brenda rrethit familjar dhe në kongregacion. Ai thotë edhe se duhet të jemi «paqësorë me të gjithë». Këtu përfshihen fqinjët, kolegët e punës, shokët e shkollës dhe njerëzit që takojmë në shërbim. Por, apostulli e specifikon këshillën e tij duke thënë: «Nëse është e mundur dhe aq sa varet nga ju.» Kjo do të thotë të bëjmë gjithçka që është e arsyeshme të bëhet për të qenë «paqësorë me të gjithë», por pa bërë kompromis me parimet e drejta të Perëndisë.

Hakmarrja i përket Jehovait

10, 11. (a) Ç’këshillë jep Pavli te Romakëve 12:19? (b) Pse është e përshtatshme kjo këshillë?

10 Lexo Romakëve 12:19. Edhe me «ata që nuk janë të prirur në mënyrë të favorshme» ndaj veprës dhe mesazhit tonë, përfshirë ata që kundërshtojnë hapur, duhet ‘ta frenojmë veten kur jemi nën të ligën’ dhe të sillemi «me butësi». (2 Tim. 2:23-25) Pavli i këshilloi të krishterët që të mos hakmerren për veten, por ‘t’i lënë vend zemërimit të Perëndisë’. Si të krishterë e dimë që nuk na përket neve të hakmerremi. Psalmisti shkroi: «Lëre zemërimin dhe largohu nga tërbimi, mos u nxeh, se kjo të shtyn veç të bësh keq.» (Psal. 37:8) Kurse Solomoni këshilloi: «Mos thuaj: ‘Do ta kthej të keqen!’ Shpreso te Jehovai, dhe ai do të të shpëtojë.»—Prov. 20:22.

11 Në rast se kundërshtarët na bëjnë ndonjë padrejtësi, është e mençur që t’ia lëmë Jehovait t’i ndëshkojë, nëse ai e sheh të përshtatshme dhe kur ai e sheh të përshtatshme. Këtë kishte ndër mend Pavli sepse shtoi: «Është shkruar: ‘Hakmarrja më përket mua, unë do të shpaguaj’,—thotë Jehovai.» (Krahaso Ligjin e përtërirë 32:35.) Po të përpiqeshim të hakmerreshim vetë, do të vepronim me arrogancë, duke marrë përsipër diçka që i takon vetëm Jehovait. Për më tepër, do të tregonim mungesë besimi te premtimi i Jehovait: «Unë do të shpaguaj.»

12. Kur do të zbulohet zemërimi i Jehovait dhe si?

12 Më parë, në letrën e tij drejtuar Romakëve, Pavli tha: «Zemërimi i Perëndisë po zbulohet nga qielli kundër gjithë paperëndishmërisë dhe padrejtësisë së njerëzve, të cilët po e mbytin të vërtetën në mënyrë të padrejtë.» (Rom. 1:18) Zemërimi i Jehovait do të zbulohet nga qielli nëpërmjet Birit të tij në kohën e ‘shtrëngimit të madh’. (Zbul. 7:14) Kjo do të jetë «provë e gjykimit të drejtë të Perëndisë», siç shpjegoi Pavli në një letër tjetër të frymëzuar: «Këtu përfshihet edhe fakti se për Perëndinë është e drejtë t’i shpaguajë me shtrëngim ata që ju shtrëngojnë, kurse juve që vuani shtrëngim, t’ju japë lehtësim bashkë me ne, kur të zbulohet nga qielli Zotëria Jezu. Ai do të shfaqet tok me engjëjt e tij të fuqishëm në një zjarr flakërues dhe do të sjellë hakmarrjen mbi ata që nuk e njohin Perëndinë dhe mbi ata që nuk i binden lajmit të mirë lidhur me Zotërinë tonë Jezu.»—2 Sel. 1:5-8.

Ta mundim të keqen me të mirën

13, 14. (a) Pse nuk habitemi kur hasim kundërshtim? (b) Si mund t’i bekojmë ata që na përndjekin?

13 Lexo Romakëve 12:14, 21. Me sigurinë e plotë se Jehovai do t’i përmbushë qëllimet e tij, mund t’i përqendrojmë tërë përpjekjet tona në veprën që na ka dhënë—predikimi i ‘lajmit të mirë për mbretërinë në gjithë tokën e banuar’. (Mat. 24:14) E dimë se kjo vepër e krishterë do të ngjallë zemërimin e armiqve tanë, pasi Jezui na paralajmëroi: «Të gjitha kombet do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim.» (Mat. 24:9) Prandaj, nuk habitemi ose nuk shkurajohemi kur hasim kundërshtim. Apostulli Pjetër shkroi: «Të dashur, të mos ju vijë çudi për zjarrin që djeg mes jush si sprovë, thua se po ju ngjet një gjë e çuditshme. Përkundrazi, vazhdoni të gëzoni meqë jeni pjesëmarrës në vuajtjet e Krishtit.»—1 Pjet. 4:12, 13.

14 Në vend që të mbajmë një qëndrim armiqësor ndaj përndjekësve, përpiqemi t’i mësojmë duke e ditur se disa prej tyre ndoshta po veprojnë nga padija. (2 Kor. 4:4) Përpiqemi t’i vëmë veshin këshillës së Pavlit: «Vazhdoni të bekoni ata që ju përndjekin; të bekoni e të mos mallkoni.» (Rom. 12:14) Një mënyrë se si i bekojmë kundërshtarët është duke u lutur për ta. Jezui tha në Predikimin në Mal: «Vazhdoni të doni armiqtë tuaj, t’u bëni mirë atyre që ju urrejnë, të bekoni ata që ju mallkojnë dhe të luteni për ata që ju fyejnë.» (Luka 6:27, 28) Apostulli Pavël e dinte nga përvoja e vet se një përndjekës mund të bëhet dishepull besnik i Krishtit dhe shërbëtor i zellshëm i Jehovait. (Gal. 1:13-16, 23) Në një letër tjetër, Pavli tha: «Kur na shajnë, bekojmë; kur na përndjekin, durojmë; kur na përgojojnë, përgjërohemi.»—1 Kor. 4:12, 13.

15. Cila është mënyra më e mirë për ta mundur të keqen me të mirën?

15 Prandaj, një i krishterë i vërtetë i vë veshin vargut përmbyllës të kapitullit të 12-të të Romakëve: «Mos e lejo të keqen të të mundë, por vazhdo ta mundësh të keqen me të mirën.» Burimi i gjithë së keqes është Satana Djalli. (Gjoni 8:44; 1 Gjon. 5:19) Në Zbulesën që i dha apostullit Gjon, Jezui i zbuloi se vëllezërit e tij të mirosur ‘e kanë mundur [Satanain] me anë të gjakut të Qengjit dhe të fjalës së dëshmisë së tyre’. (Zbul. 12:11) Kjo tregon se mënyra më e mirë për të mundur Satanain dhe ndikimin e keq që po ushtron mbi sistemin e sotëm, është duke bërë mirë me anë të veprës sonë të dëshmisë, predikimit të lajmit të mirë për Mbretërinë.

Të gëzojmë në shpresë

16, 17. Sipas asaj që kemi mësuar nga kapitulli i 12-të i Romakëve (a) çfarë duhet të bëjmë me jetën tonë? (b) si duhet të sillemi në kongregacion? (c) si duhet të sillemi me ata që i kundërvihen besimit tonë?

16 Ky shqyrtim i shkurtër i kapitullit të 12-të të letrës së Pavlit drejtuar të krishterëve në Romë, na ka kujtuar shumë gjëra. Mësuam se, si shërbëtorë të kushtuar të Jehovait, duhet të jemi të gatshëm të bëjmë sakrifica. Të nxitur nga fryma e Perëndisë i bëjmë këto sakrifica me gatishmëri, ngaqë me fuqinë tonë për të arsyetuar jemi bindur se ky është vullneti i Perëndisë. Jemi të zjarrtë në frymë dhe i përdorim me zell dhuratat e ndryshme që kemi. Shërbejmë me përulësi dhe modesti, duke bërë çmos që të ruajmë unitetin tonë të krishterë. Ndjekim udhën e mikpritjes dhe tregojmë vërtet ndjenja të përbashkëta.

17 Gjithashtu, kapitulli i 12-të i Romakëve na jep shumë këshilla se si të reagojmë ndaj kundërshtimit. Nuk duhet t’ua kthejmë me të njëjtën monedhë kundërshtarëve. Duhet të përpiqemi ta kapërcejmë kundërshtimin me vepra mirëdashëse. Sa më shumë të jetë e mundur, por pa shkelur parimet biblike, duhet të përpiqemi të jetojmë në paqe me të gjithë. Kjo vlen për rrethin familjar, brenda kongregacionit, me fqinjët, në punë, në shkollë dhe në predikim. Edhe kur hasim armiqësi të hapur, bëjmë çmos ta mundim të keqen me të mirën, duke mbajtur parasysh që hakmarrja i përket Jehovait.

18. Cilat janë tri nxitjet që jepen te Romakëve 12:12?

18 Lexo Romakëve 12:12. Përveç gjithë këtyre këshillave të mençura e praktike, Pavli jep tri nxitje të tjera. Meqë kurrë nuk do të arrinim t’i bënim tërë këto gjëra pa ndihmën e Jehovait, apostulli na këshillon që ‘të ngulmojmë në lutje’. Kjo do të na ndihmojë të ndjekim këshillën tjetër: «Qëndroni në shtrëngime.» Së fundi, duhet ta mbajmë mendjen të përqendruar tek e ardhmja që na premton Jehovai dhe ‘të gëzojmë në shpresën’ e jetës së përhershme, në qiell ose në tokë.

Pyetje për rishikim

• Si duhet të reagojmë ndaj kundërshtimit?

• Në ç’fusha duhet të përpiqemi të jemi paqebërës dhe si?

• Pse nuk duhet të përpiqemi të hakmerremi?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 8]

Nëse u japim ndihmë konkrete fqinjëve, kjo mund të na ndihmojë të mposhtim paragjykimin

[Figura në faqen 9]

A përpiqesh të jesh paqebërës në kongregacion?