Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Ju jeni miqtë e mi»

«Ju jeni miqtë e mi»

«Ju jeni miqtë e mi»

«Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni atë që po ju urdhëroj.»—GJONI 15:14.

1, 2. (a) Çfarë formimesh kishin miqtë e Jezuit? (b) Pse është jetësore të jemi miq me Jezuin?

BURRAT e ulur me Jezuin në dhomën e sipërme, kishin formime nga më të ndryshmet. Pjetri dhe Andrea, që ishin vëllezër, kishin qenë peshkatarë. Mateu kishte qenë taksambledhës, zanat që judenjtë e përbuznin. Disa prej tyre, si Jakovi e Gjoni, ndoshta e njihnin Jezuin qysh fëmijë. Të tjerë, si Natanaeli, mund të kishin vetëm pak vite që e njihnin. (Gjoni 1:43-50) E megjithatë, të gjithë të pranishmit në atë darkë Pashke të paharrueshme në Jerusalem ishin të bindur se Jezui ishte Mesia i premtuar, Biri i Perëndisë së gjallë. (Gjoni 6:68, 69) Kushedi sa do t’u jetë ngrohur zemra kur e dëgjuan Jezuin t’u thoshte: «Ju kam quajtur miq, sepse ju kam bërë të njohur gjithçka që kam dëgjuar nga Ati im.»—Gjoni 15:15.

2 Në parim, ato fjalë që u tha Jezui apostujve besnikë zbatohen për të gjithë të krishterët e mirosur sot dhe, më gjerë, për shokët e tyre nga ‘delet e tjera’. (Gjoni 10:16) Pavarësisht nga formimi ynë, mund të kemi privilegjin të jemi miq me Jezuin. Miqësia me të ka rëndësi jetësore, sepse kështu bëhemi miq edhe me Jehovain. Madje, është e pamundur t’i afrohemi Jehovait pa iu afruar së pari Krishtit. (Lexo Gjonin 14:6, 21.) Atëherë, si të bëhemi miq me Jezuin dhe të mbetemi të tillë? Para se të shqyrtojmë këtë temë të rëndësishme, le të analizojmë shembullin që la Jezui si një mik i mirë dhe të shohim ç’mund të mësojmë nga mënyra si iu përgjigjën dishepujt.

Jezui la shembullin si mik i mirë

3. Për çfarë njihej Jezui?

3 «Të shumtë janë miqtë e të pasurit»,—shkroi mbreti i mençur Solomon. (Prov. 14:20) Ky koment përmbledh prirjen që kanë njerëzit e papërsosur për të lidhur miqësi në bazë të asaj që mund të marrin, jo të asaj që mund të japin. Kurse Jezui nuk shfaqi një dobësi të tillë. Ai nuk u ndikua nga gjendja financiare ose shoqërore e të tjerëve. Vërtet, Jezui ndjeu dashuri për një sundimtar të ri e të pasur dhe e ftoi të bëhej ithtari i tij. Gjithsesi, i tha të shiste gjithçka kishte e t’ua jepte të varfërve. (Mar. 10:17-22; Luka 18:18, 23) Jezui nuk njihej për lidhjet që kishte me të pasurit e të shquarit, por për miqësitë që kishte me të përvuajturit e të përçmuarit.—Mat. 11:19.

4. Si e dimë se miqtë e Jezuit kishin të meta?

4 Natyrisht, miqtë e Jezuit kishin të meta. Nganjëherë Pjetri nuk arrinte t’i shihte gjërat nga këndvështrimi frymor. (Mat. 16:21-23) Jakovi dhe Gjoni treguan se ishin ambiciozë kur i kërkuan Jezuit t’u jepte poste të larta në Mbretëri. Kjo ndezi zemërimin e apostujve të tjerë, dhe çështja se kush ishte më i madhi u bë shkak grindjesh të vazhdueshme. Megjithatë, me durim Jezui u përpoq t’ua ndreqte mendimet miqve të tij dhe nuk u pezmatua kollaj me ta.—Mat. 20:20-28.

5, 6. (a) Pse e ruajti Jezui miqësinë me shumicën e apostujve? (b) Pse i dha fund Jezui miqësisë me Judën?

5 Jezui e ruajti miqësinë me ata njerëz të papërsosur jo sepse ishte tepër tolerant ose i verbër ndaj papërsosmërive të tyre. Përkundrazi, zgjodhi të përqendrohej te qëllimet e mira që kishin dhe te cilësitë pozitive. Për shembull, Pjetri, Jakovi dhe Gjoni duhej ta mbështetnin Jezuin gjatë periudhës më të vështirë që po kalonte, por i zuri gjumi. Natyrisht që kjo e zhgënjeu Jezuin. Gjithsesi, e kuptoi se qëllimet i kishin të mira dhe tha: «Sigurisht, fryma është gati, por mishi është i dobët.»—Mat. 26:41.

6 Në anën tjetër, Jezui i dha fund miqësisë me Judë Iskariotin. Ndonëse nga jashtë Juda vazhdonte të hiqej si mik, Jezui e dalloi se zemra e mikut të tij të dikurshëm ishte korruptuar. Duke u bërë mik me botën, Juda ishte bërë armik i Perëndisë. (Jak. 4:4) Prandaj, Jezui në fillim nxori jashtë Judën e pastaj u shprehu hapur miqësinë e tij 11 apostujve besnikë që mbetën.—Gjoni 13:21-35.

7, 8. Si e tregoi Jezui dashurinë për miqtë e tij?

7 Jezui shihte përtej gabimeve të miqve të tij besnikë dhe vepronte për të mirën e tyre. Për shembull, iu lut Atit të tij që t’i mbronte gjatë sprovave. (Lexo Gjonin 17:11.) Tregoi konsideratë për kufizimet e tyre fizike. (Mar. 6:30-32) Nuk i interesonte vetëm t’u thoshte çfarë mendonte ai, por edhe të dëgjonte e të kuptonte çfarë mendonin e ndienin ata.Mat. 16:13-16; 17:24-26.

8 Jezui jetoi dhe vdiq për miqtë e tij. Natyrisht, ai e dinte se duhej ta flijonte jetën si kërkesë ligjore për të plotësuar normën e drejtësisë së Atit të tij. (Mat. 26:27, 28; Hebr. 9:22, 28) Por, e dha jetën si shprehje të dashurisë së tij. Jezui tha: «Nuk ka dashuri më të madhe se kjo: që dikush të japë shpirtin për miqtë e vet.»—Gjoni 15:13.

Si iu përgjigjën dishepujt miqësisë së Jezuit?

9, 10. Si reagonin njerëzit ndaj bujarisë së Jezuit?

9 Jezui jepte me bujari kohën, përzemërsinë dhe burimet e tij materiale. Në këmbim, edhe njerëzit i afroheshin e i jepnin me kënaqësi. (Luka 8:1-3) Ai mund ta thoshte nga përvoja e vet: «Bëjeni zakon të jepni, dhe do t’ju japin. Do t’ju derdhin në prehër një masë të shkëlqyer, të ngjeshur, të tundur dhe që derdhet nga buzët. Sepse do t’ju matin me po atë masë që ju i matni të tjerët.»—Luka 6:38.

10 Sigurisht, kishte nga ata që donin të shoqëroheshin me Jezuin vetëm për të marrë ndonjë gjë prej tij. Kur keqkuptuan disa fjalë të tij, këta miq të rremë e braktisën. Në vend që t’i pranonin ato me mirëbesim, menjëherë dolën në përfundimin e gabuar dhe i kthyen shpinën. Ndryshe nga ata, apostujt ishin besnikë. Miqësia e tyre me Krishtin u sprovua shumë herë, por ata bënë çmos ta mbështetnin në kohë të mira e të këqija. (Lexo Gjonin 6:26, 56, 60, 66-68.) Natën e fundit si njeri në tokë, Jezui e shprehu me këto fjalë vlerësimin për miqtë e tij: «Ju keni qëndruar bashkë me mua në sprovat e mia.»—Luka 22:28.

11, 12. Si i siguroi Jezui dishepujt dhe si reaguan ata?

11 Pak pasi Jezui i kishte lavdëruar dishepujt për besnikërinë e tyre, po ata njerëz e braktisën. Për pak kohë, lejuan që frika e njeriut ta mposhtte dashurinë për Krishtin. Sërish, Jezui i fali. Pas vdekjes dhe ringjalljes, ai iu shfaq dhe i siguroi se vazhdonte t’i konsideronte miq. Jo vetëm kaq, por u besoi një detyrë të shenjtë: të bënin dishepuj «njerëz nga të gjitha kombet» dhe të ishin dëshmitarë të tij «deri në skajin më të largët të tokës». (Mat. 28:19; Vep. 1:8) Si u përgjigjën dishepujt?

12 Ata u dhanë me mish e me shpirt pas përhapjes së mesazhit të Mbretërisë. Me mbështetjen e frymës së shenjtë të Jehovait, shpejt e mbushën Jerusalemin me mësimin e tyre. (Vep. 5:27-29) As kërcënimi me vdekje nuk ua kthente mendjen që të mos i bindeshin urdhrit të Jezuit për të bërë dishepuj. Vetëm pak dekada pasi kishin marrë atë urdhër nga Jezui, apostulli Pavël mund të shkruante se lajmi i mirë u ishte predikuar «të gjitha krijesave nën qiell». (Kolos. 1:23) Pa dyshim, ata dishepuj treguan se e vlerësonin shumë miqësinë që kishin me Jezuin.

13. Në cilat mënyra ndikuan mësimet e Jezuit te dishepujt e tij?

13 Ata që u bënë dishepuj, i lejuan mësimet e Jezuit të ndikonin edhe në jetën e tyre. Për shumë veta, kjo nënkuptonte të bënin ndryshime të mëdha në sjellje e personalitet. Disa dishepuj të rinj, më parë ishin homoseksualë, kurorëshkelës, pijanecë ose hajdutë. (1 Kor. 6:9-11) Të tjerëve iu desh të ndryshonin qëndrim ndaj njerëzve të racave të tjera. (Vep. 10:25-28) Gjithsesi, iu bindën Jezuit. E hoqën personalitetin e vjetër dhe veshën të riun. (Efes. 4:20-24) E njohën nga afër «mendjen e Krishtit», duke kuptuar e imituar mënyrën se si mendonte e vepronte ai.—1 Kor. 2:16.

Miqësia me Krishtin sot

14. Ç’premtoi të bënte Jezui gjatë «përfundimit të sistemit»?

14 Shumë nga ata të krishterë të shekullit të parë e kishin njohur personalisht Jezuin ose e kishin parë pas ringjalljes së tij. Natyrisht, ne s’e kemi pasur këtë privilegj. Atëherë, si mund të jemi miq me Krishtin? Një mënyrë është duke iu bindur drejtimit që siguron klasa e skllavit të besueshëm e të matur, që përbëhet nga vëllezërit e Jezuit të mirosur nga fryma që janë ende gjallë në tokë. Jezui premtoi se gjatë «përfundimit të sistemit», do ta emëronte këtë skllav «mbi gjithë zotërimet e veta». (Mat. 24:3, 45-47) Sot, shumica dërrmuese e atyre që duan të jenë miq me Krishtin, nuk bëjnë pjesë në këtë klasë të skllavit. Si ndikon në miqësinë e tyre me Krishtin reagimi ndaj drejtimit që marrin nga klasa e skllavit të besueshëm?

15. Nga se përcaktohet nëse një njeri do të klasifikohet si dele ose si cjap?

15 Lexo Mateun 25:31-40. Ata që do të përbënin klasën e skllavit të besueshëm, Jezui i quajti vëllezërit e tij. Në ilustrimin për ndarjen e deleve nga cjeptë, Jezui e tha qartë se e merr si diçka personale mënyrën si i trajtojmë vëllezërit e tij. Madje, tha se faktori përcaktues që do të dallonte delet nga cjeptë, do të ishte mënyra se si do të trajtonte dikush edhe një nga «vëllezërit [e tij] më të vegjël». Prandaj, mënyra kryesore si e tregojnë ata që kanë shpresën tokësore se duan të jenë miq me Krishtin, është duke mbështetur klasën e skllavit të besueshëm.

16, 17. Si mund ta tregojmë miqësinë tonë me vëllezërit e Krishtit?

16 Nëse shpresoni të jetoni në tokë, nën Mbretërinë e Perëndisë, si mund ta tregoni miqësinë me vëllezërit e Krishtit? Le të shqyrtojmë vetëm tri mënyra. Së pari, duke marrë pjesë me gjithë zemër në veprën e predikimit. Krishti i urdhëroi vëllezërit e tij ta predikonin lajmin e mirë në mbarë botën. (Mat. 24:14) Por, për mbetjen e vëllezërve të Krishtit sot në tokë do të ishte shumë i vështirë plotësimi i kësaj përgjegjësie pa ndihmën e shokëve të tyre nga delet e tjera. Në fakt, sa herë që pjesëtarët e klasës së deleve të tjera dalin në predikim, ndihmojnë vëllezërit e Krishtit të përmbushin detyrën e tyre të shenjtë. Klasa e skllavit të besueshëm e të matur e vlerëson thellësisht këtë veprim miqësor, e po ashtu edhe Krishti.

17 Një mënyrë e dytë se si pjesëtarët e klasës së deleve të tjera mund t’i ndihmojnë vëllezërit e Krishtit, është duke mbështetur financiarisht veprën e predikimit. Jezui i nxiti dishepujt e tij të bënin miq «me anë të pasurive të padrejta». (Luka 16:9) Kjo nuk do të thotë se mund ta blejmë miqësinë me Jezuin ose me Jehovain. Më saktë, duke i përdorur të mirat materiale për të çuar përpara interesat e Mbretërisë, e tregojmë miqësinë dhe dashurinë tonë jo vetëm me fjalë, por «me vepra e të vërtetë». (1 Gjon. 3:16-18) E japim këtë mbështetje financiare kur dalim në veprën e predikimit, kur dhurojmë para për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e ndërtesave ku mbajmë mbledhjet dhe kur kontribuojmë për veprën mbarëbotërore të predikimit. Pavarësisht nëse sasia që kontribuojmë është e madhe ose e vogël, Jehovai dhe Jezui e vlerësojnë kur japim me gëzim.—2 Kor. 9:7.

18. Pse duhet t’i bindemi drejtimit të bazuar në Bibël që sigurojnë pleqtë e kongregacionit?

18 Një mënyrë e tretë se si të gjithë ne tregojmë se jemi miq të Krishtit, është duke bashkëpunuar me drejtimin që japin pleqtë e kongregacionit. Këta burra emërohen nga fryma e shenjtë, nën drejtimin e Krishtit. (Efes. 5:23) «Jini të bindur ndaj atyre që marrin drejtimin mes jush, dhe jini të nënshtruar»,—shkroi apostulli Pavël. (Hebr. 13:17) Nganjëherë, mund ta kemi të vështirë t’i bindemi drejtimit të bazuar në Bibël që na japin pleqtë e kongregacionit tonë. Ndoshta i njohim papërsosmëritë e tyre dhe kjo mund të na bëjë t’i shohim në dritë të shtrembër këshillat që japin. Gjithsesi, Krishtit, Kreut të kongregacionit, i pëlqen të përdorë këta njerëz të papërsosur. Prandaj, mënyra si reagojmë ndaj autoritetit të tyre, ndikon drejtpërdrejt në miqësinë tonë me Krishtin. Kur i anashkalojmë të metat e pleqve dhe ndjekim me gëzim drejtimin e tyre, tregojmë dashurinë që kemi për Krishtin.

Ku të gjejmë miq të mirë?

19, 20. Ç’mund të gjejmë brenda kongregacionit, dhe çfarë do të shqyrtojmë në artikullin vijues?

19 Jezui vazhdon të kujdeset për ne jo vetëm me anë të mbikëqyrjes së barinjve të dashur, por edhe duke na dhënë brenda kongregacionit nëna, vëllezër e motra në besim. (Lexo Markun 10:29, 30.) Si reaguan të afërmit tuaj kur nisët të shoqëroheshit me organizatën e Jehovait? Shpresojmë t’ju kenë mbështetur në përpjekjet që t’i afroheni Perëndisë dhe Krishtit. Por Jezui paralajmëroi se nganjëherë «armiqtë e njeriut do të jenë njerëzit e shtëpisë së vet». (Mat. 10:36) Sa ngushëlluese është të dimë se në kongregacion mund të gjejmë disa që do të lidhen me ne më ngushtë se me një vëlla prej gjaku!—Prov. 18:24.

20 Pavli lidhi shumë miqësi të ngushta, siç e tregojnë përshëndetjet që dha një për një në fund të letrës drejtuar kongregacionit në Romë. (Rom. 16:8-16) Apostulli Gjon e përfundoi kështu letrën e tij të tretë: «Dërgojuni të falat e mia miqve një për një.» (3 Gjon. 14) Siç duket, edhe ai lidhi shumë miqësi të qëndrueshme. Si ta imitojmë shembullin e Jezuit dhe të dishepujve të hershëm, duke lidhur e duke mbajtur miqësi të shëndetshme me vëllezërit e motrat në besim? Artikulli vijues do t’i përgjigjet kësaj pyetjeje.

Si do të përgjigjeshit?

• Çfarë shembulli la Jezui si një mik i mirë?

• Si iu përgjigjën dishepujt miqësisë së Jezuit?

• Si mund të tregojmë se jemi miq të Krishtit?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 14]

Jezuit i interesonte si mendonin e si ndiheshin miqtë e tij

[Figurat në faqen 16]

Si e tregojmë dëshirën tonë për të qenë miq me Krishtin?