Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Çfarë mësojmë nga Proverbat 24:27?

Shkrimtari i Proverbave thotë këto fjalë ndërsa këshillon një të ri: «Vër në vijë punët që ke jashtë dyerve dhe bëj gati arën. Pastaj, ndërto shtëpinë tënde.» Çfarë po thekson ky proverb i frymëzuar? Një njeri duhet të përgatitet mirë para se të martohet e të krijojë familje, duke pranuar përgjegjësitë që vijnë nga një angazhim i tillë.

Në të kaluarën, disa herë është shpjeguar se ky varg do të thotë që një burrë dhe baba nuk duhet të kujdeset vetëm për punën në botë, por edhe të ndërtojë ose inkurajojë familjen e vet, për shembull, duke e mësuar nga ana frymore. Megjithëse kjo patjetër është e vërtetë dhe mbështetet nga Bibla, nuk duket se është thelbi i këtij vargu. Pse jo? Të shqyrtojmë dy arsye.

Së pari, kur vargu flet për ndërtimin, nuk e ka fjalën për inkurajimin ose forcimin e një familjeje tashmë të krijuar. Përkundrazi, ideja është të ndërtosh një shtëpi në kuptimin e mirëfilltë. Megjithatë, fjala e përkthyer «ndërtoj» mund të ketë edhe kuptim të figurshëm, pra të ndërtosh ose të krijosh një familje—domethënë të martohesh dhe të kesh fëmijë.

Së dyti, vargu thekson që gjërat të bëhen sipas radhës së duhur. Është sikur të thotë: «Në fillim bëj këtë, pastaj bëj atë.» Atëherë, mos ndoshta proverbi po thotë se përgjegjësitë e tjera vijnë para përgjegjësive frymore? Patjetër që jo!

Në kohët biblike, nëse një njeri donte ‘të ndërtonte shtëpinë e vet’ ose të krijonte një familje duke u martuar, duhej të pyeste veten: «A jam gati të kujdesem e të mbaj gruan dhe fëmijët që mund të kemi më vonë?» Para se të krijonte një familje, ai kishte punë për të bërë, duhej të kujdesej për arat ose të korrat. Prandaj, Today’s English Version e përkthen qartë dhe drejtpërdrejt këtë varg: «Mos ndërto shtëpi dhe mos krijo familje derisa t’i kesh arat gati dhe të jesh i sigurt se mund të sigurosh jetesën.» A vlen edhe sot ky parim?

Po. Një burrë që dëshiron të martohet, duhet të përgatitet mirë për këtë përgjegjësi. Nëse është i aftë fizikisht, do t’i duhet të punojë. Natyrisht, puna e palodhur e një burri për t’u kujdesur për familjen nuk duhet të kufizohet vetëm në sigurimin e gjërave materiale. Fjala e Perëndisë tregon se ai që nuk kujdeset për nevojat fizike, emocionale dhe frymore të familjes, është më i keq se një njeri pa besim. (1 Tim. 5:8) Prandaj, ndërsa përgatitet për martesën dhe për jetën familjare, një i ri duhet t’i bëjë vetes pyetje të tilla, si: «A jam i përgatitur në mënyrë të arsyeshme për të siguruar nevojat materiale të një familjeje? A jam gati të marr drejtimin e familjes për sa u përket gjërave frymore? A do ta përmbush përgjegjësinë që të drejtoj një studim biblik të rregullt me gruan dhe fëmijët?» Sigurisht, Fjala e Perëndisë e tërheq vëmendjen te këto përgjegjësi jetike.—Ligj. 6:6-8; Efes. 6:4.

Kështu, një i ri që dëshiron të martohet, duhet të mendojë me kujdes për parimin që gjendet te Proverbat 24:27. Po ashtu, një e re bën mirë të pyesë veten nëse është e përgatitur për përgjegjësitë që ka një grua dhe nënë. Një çift i ri mund të shqyrtojë pyetje të tilla kur mendon për fëmijët që mund të ketë në të ardhmen. (Luka 14:28) Nëse shërbëtorët e Perëndisë jetojnë në përputhje me këto udhëzime të frymëzuara, kjo mund t’i ndihmojë që të shmangin shumë dhembje dhe të gëzojnë një jetë familjare të lumtur.

[Diçitura në faqen 12]

Cilat pyetje për martesën duhet t’i bëjë vetes një i ri?