Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Tre kongrese që më modeluan jetën

Tre kongrese që më modeluan jetën

Tre kongrese që më modeluan jetën

Treguar nga Xhorxh Uorençeku

A JU ka prekur ndonjëherë kaq shumë diçka që keni dëgjuar në një kongres, sa t’ju ketë nxitur të bëni ndryshime të mëdha në jetë? Mua po. Kur mendoj për të kaluarën, kuptoj se sidomos tre kongrese më kanë modeluar jetën. I pari më ndihmoi të mos jem aq i ndrojtur; i dyti, të jem më i kënaqur me pak; i treti, të jap më shumë. Gjithsesi, para se t’ju tregoj për këto ndryshime, dua t’ju shpjegoj disa ngjarje që ndodhën vite para atyre kongreseve e që lidhen me fëmijërinë time.

Kam lindur në vitin 1928 dhe isha i fundit nga tre fëmijët. Së bashku me motrat, Marxhin dhe Olgën, u rritëm në Sauth-Baund-Bruk, Nju-Xhersi, SHBA, që atëherë ishte një qytezë me rreth 2.000 banorë. Ndonëse ishim të varfër, mamaja ishte bujare. Sa herë që kishte mundësi të përgatiste një drekë speciale, e ndante me fqinjët. Kur isha nëntë vjeç, na erdhi në shtëpi një Dëshmitare që fliste hungarisht, gjuha amtare e sime mëje, dhe kjo e nxiti ta dëgjonte mesazhin e Biblës. Më vonë, studimin e Biblës e vazhdoi një motër në të 20-at me emrin Berta, e cila e ndihmoi mamanë të bëhej shërbëtore e Jehovait.

Ndryshe nga mamaja, unë isha me natyrë të ndrojtur, s’kisha besim te vetja. Si për t’i keqësuar gjërat, mamaja kishte prirjen të më nënçmonte. Një herë, e pyeta me lot në sy: «Pse më kritikon gjithnjë?» Më tha se më donte shumë, por s’donte të më përkëdhelte. Ajo kishte qëllime të mira, por ngaqë s’më jepte asnjëherë lavdërime, ndihesha gjithnjë më poshtë se të tjerët.

Një ditë, një fqinjë që shpesh më fliste me dashamirësi, më kërkoi t’i çoja të bijtë në kishë për shkollën e së dielës. E dija se nuk do ta kënaqja Jehovain po të shkoja, por kisha frikë se mos e fyeja atë fqinjë dashamirëse. Prandaj, për disa muaj, shkova në kishë, ndonëse më vinte turp nga vetja. Edhe në shkollë, frika nga njeriu më shtyu të veproja kundër ndërgjegjes. Drejtori i shkollës, një njeri tiranik, sigurohej që mësuesit t’i vinin të gjithë fëmijët të këndonin himnin e flamurit. Edhe unë e këndoja. Kjo vazhdoi për nja një vit, por pastaj ndodhi një ndryshim.

Mësoj se si të kem guxim

Në vitin 1939, në shtëpinë tonë nisi të mblidhej një grup për studimin e librit. E drejtonte Ben Miskalski, një pionier i ri në moshë. I thërritnim «Big Ben», Beni i madh, dhe me arsye. Mua më dukej i gjatë e i gjerë sa dera e shtëpisë. Por, në atë trup hijerëndë, fshihej një zemër e butë, dhe buzëqeshja e tij e ngrohtë më ndihmoi ta ndieja menjëherë veten rehat. Prandaj, kur më ftoi të dilja me të në shërbim, pranova me kënaqësi. U bëmë miq. Sa herë ndihesha i mërzitur, më fliste ashtu siç do t’i fliste vëllai i madh i dashur vëllait të vet më të vogël. Për mua, kjo do të thoshte shumë. E desha me shpirt.

Në vitin 1941, Beni i kërkoi familjes sonë të shkonim me të me makinë në një kongres në Sent-Luis, Misuri. Sa s’fluturoja nga gëzimi! S’kisha shkuar kurrë më larg se 80 kilometra nga shtëpia, kurse tani po shkoja në një vend që ishte mbi 1.500 kilometra larg. Por, në Sent-Luis kishte probleme. Klerikët i kishin urdhëruar besimtarët e tyre të anulonin rezervimet për të mikpritur Dëshmitarë në shtëpi. Shumë veta i anuluan. Edhe familjen ku ishim caktuar ne, e kishin kërcënuar, megjithatë, ata na mikpritën. Të zotët e shtëpisë thanë se nuk do ta shkelnin premtimin për të na siguruar një dhomë. Guximi i tyre më la mbresa.

Motrat e mia u pagëzuan në atë kongres. Po atë ditë, vëlla Radhërfordi nga Betheli i Bruklinit, mbajti një fjalim gjallërues, gjatë të cilit i ftoi të gjithë fëmijët që donin të bënin vullnetin e Perëndisë, të ngriheshin në këmbë. U ngritën rreth 15.000 fëmijë, ndër ta edhe unë. Pastaj, na kërkoi të gjithëve ne që donim të bënim çmos në veprën e predikimit, të thoshim: «Po!» Bashkë me fëmijët e tjerë, edhe unë thirra: «Po!» Pastaj shpërthyen duartrokitje të forta. Vloja nga entuziazmi!

Pas kongresit, vizituam një vëlla në Virxhinian Perëndimore. Ai na tregoi se një herë, ndërsa ishte në predikim, një turmë e zemëruar e kishte rrahur dhe e kishte mbuluar me zift e me pupla. E dëgjoja me gojë hapur. «Po unë do të vazhdoj të predikoj»,—tha vëllai. Kur u ndamë prej tij, ndihesha si Davidi. Isha gati të përballesha me Goliadin tim, me drejtorin e shkollës.

Si u ktheva në shkollë, iu afrova drejtorit, që më pa tërë inat. Iu luta në heshtje Jehovait të më ndihmonte. Pastaj thashë me një frymë: «Isha në një kongres të Dëshmitarëve të Jehovait. Nuk do ta këndoj më himnin e flamurit!» Pasoi një heshtje e gjatë. Drejtori u ngrit ngadalë nga tryeza dhe erdhi drejt meje. Ishte bërë spec në fytyrë nga inati. Më bërtiti: «Do ta këndosh himnin e flamurit ose përndryshe je i përjashtuar!» Kësaj here nuk bëra kompromis dhe thellë brenda meje ndjeva një gëzim si kurrë më parë.

Mezi më durohej t’i thosha Benit ç’kishte ndodhur. Kur e pashë në Sallën e Mbretërisë, i thirra: «Më përjashtuan nga shkolla. Nuk e këndova himnin e flamurit!» Beni më hodhi dorën në qafë, më buzëqeshi dhe tha: «Me siguri, Jehovai të do shumë.» (Ligj. 31:6) Ato fjalë ma çuan shpirtin peshë! Më 15 qershor 1942, u pagëzova.

Mësoj sekretin e kënaqjes me pak

Pas Luftës II Botërore, vendi pati një bum ekonomik dhe u përfshi nga një valë materializmi. Kisha një punë me pagë të mirë dhe mund të blija gjëra që më parë as i kisha ëndërruar. Disa nga shokët e mi blenë motoçikleta, të tjerë rregulluan shtëpitë, kurse unë bleva një makinë fringo të re. Shpejt, dëshira për të pasur më shumë komoditete po ma hiqte përqendrimin nga interesat e Mbretërisë. E dija se po shkoja në drejtimin e gabuar. Lumturisht, një kongres i mbajtur në qytetin e Nju-Jorkut në vitin 1950 më ndihmoi të bëja kthesë.

Në atë kongres, oratorët njëri pas tjetrit e nxitën auditorin të ngulmonte përpara në veprën e predikimit. «Mbani vetëm gjërat e domosdoshme të jetës dhe vraponi në garë»,—na nxiti një orator. Më dukej sikur po më drejtohej vetëm mua. Pashë edhe diplomimin e një klase të Galaadit dhe mendova: «Nëse këta Dëshmitarë të moshës sime mund të heqin dorë nga komoditetet që të shërbejnë jashtë shtetit, edhe unë duhet të jem gati të bëj po njësoj këtu ku jam.» Në fund të kongresit, e kisha mbledhur mendjen të bëhesha pionier.

Ndërkohë, po njihesha me Evelina Mondakun, një motër të zellshme në kongregacionin tim. E ëma e Evelinës, e cila kishte rritur gjashtë fëmijë, ishte një grua sypatrembur. I pëlqente shumë të jepte dëshmi rrugore para një kishe katolike të stërmadhe. Sado që prifti i inatosur kushedi sa herë i tha të ikte që aty, ajo s’luajti vendit. Edhe Evelina, njësoj si e ëma, nuk kishte frikë nga njeriu.—Prov. 29:25.

Në vitin 1951, unë dhe Evelina u martuam, lamë punën dhe nisëm të shërbenim si pionierë. Një mbikëqyrës qarkor na nxiti të transferoheshim në Amaganset, një fshat pranë brigjeve të Atlantikut, rreth 160 kilometra larg qytetit të Nju-Jorkut. Kur kongregacioni atje na njoftoi se s’kishin vend për ne, kërkuam për një rulotë, por s’gjetëm asnjë që mund ta përballonim. Së fundi, na zuri syri një të tillë të shpartalluar. Pronari na kërkoi 900 dollarë, tamam shumën që kishim marrë si dhurata për martesën. E blemë rulotën, e rregulluam dhe e çuam në territorin e ri. Gjithsesi, kur mbërritëm atje, s’kishim asnjë dysh në xhep dhe vritnim mendjen si do t’ia dilnim të shërbenim si pionierë.

Evelina nisi të pastronte shtëpi dhe unë gjeta një punë natën si pastrues në një restorant italian. Pronari më tha: «Ushqimet që mbeten, çoja gruas në shtëpi.» Kështu, kur kthehesha në shtëpi, në orën dy të natës, rulota mbushej me aromë picash e makaronash. Këto ushqime që i ngrohnim ishin vërtet një gosti, sidomos në dimër, kur dridheshim nga të ftohtët brenda rulotës së akullt. Gjithashtu, hera-herës vëllezërit në kongregacion na linin një peshk të madh te shkallët e rulotës. Gjatë viteve që shërbyem përkrah atyre vëllezërve të dashur në Amaganset, mësuam se kur kënaqemi me gjërat e domosdoshme, kemi një jetë shpërblyese. Ishin vite të lumtura.

Të nxitur që të japim më shumë

Në korrik të vitit 1953, përshëndetëm qindra misionarë që kishin ardhur nga caktimet e tyre në vend të huaj, për të ndjekur një kongres ndërkombëtar në qytetin e Nju-Jorkut. Na treguan përvoja mahnitëse. Entuziazmi i tyre ishte ngjitës. Veç kësaj, kur një orator në kongres theksoi se në shumë vende mesazhi i Mbretërisë nuk kishte mbërritur ende, e dinim ç’duhej të bënim: të jepnim më shumë duke zgjeruar shërbimin. Që aty në kongres, bëmë kërkesën për stërvitjen si misionarë. Po atë vit, na ftuan të ndiqnim klasën e 23-të të Shkollës së Galaadit, që fillonte në prill të vitit 1954. Ishte vërtet një privilegj i madh!

U kënaqëm tej mase kur morëm vesh se na kishin caktuar të shërbenim në Brazil. Para se të niseshim për udhëtimin 14-ditor me avullore, një vëlla përgjegjës në Bethel më tha: «Me ju të dy do të udhëtojnë për në Brazil nëntë motra beqare misionare. Kujdesu për to!» E përfytyroni dot vështrimin miklues në fytyrat e marinarëve kur më panë të hipja në anije me dhjetë gra të reja nga pas? Gjithsesi, motrat nuk e kishin fare problem ta përballonin atë situatë. Ama unë u ndjeva i lehtësuar kur mbërritëm shëndoshë e mirë në tokën braziliane.

Pasi mësuam gjuhën portugeze, më caktuan në veprën qarkore në Rio Grande do Sul, një shtet në jug të Brazilit. Mbikëqyrësi qarkor që do të zëvendësoja, një vëlla beqar, na tha mua dhe gruas: «Çudi që kanë dërguar këtu një çift. Ky vend është i ashpër.» Kongregacionet ishin të shpërndara në një zonë rurale të stërmadhe dhe në disa prej tyre mund të shkoje vetëm me kamion. Po t’i blije drekën shoferit, të lejonte të kacavirreshe pas kamionit të tij. Si kalorës mbi kuaj, uleshim me këmbë hapur mbi mallin e ngarkuar në kamion, duke u kapur me të dyja duart pas litarëve që mbanin të lidhura dengjet. Sa herë që kamioni merrte kthesa të forta, mbaheshim me sa fuqi kishim ndërsa dengjet e mallit anoheshin dhe shihnim luginat e thella poshtë. Megjithatë, kur shihnim fytyrat e lumtura të vëllezërve që mezi pritnin t’u venim, e kuptonim se ia kishin vlejtur udhëtime të tilla që zgjatnin një ditë të tërë.

Jetonim në shtëpitë e vëllezërve. Ata ishin shumë të varfër, por kjo s’i pengonte të jepnin. Në një rajon të veçuar, të gjithë vëllezërit punonin në një fabrikë për paketimin e mishit. Pagat i kishin të ulëta, prandaj mund të hanin vetëm një herë në ditë. Po të mos punonin një ditë, nuk paguheshin. E megjithatë, gjatë vizitave tona, merrnin dy ditë leje nga puna, që të mbështetnin veprimtaritë e kongregacionit. Kishin besim të plotë te Jehovai. Ata vëllezër të thjeshtë na dhanë mësime që nuk do t’i harrojmë kurrë, se si të bëjmë sakrifica për Mbretërinë e Perëndisë. Duke jetuar me ta, morëm një arsimim që asnjë shkollë s’mund ta japë. Sa herë që i mendoj ata vëllezër, më mbushen sytë me lot gëzimi.

Në vitin 1976, u kthyem në Shtetet e Bashkuara që të kujdeseshim për mamanë time të sëmurë. E patëm të vështirë të iknim nga Brazili, por jemi mirënjohës që pamë me sytë tanë rritjen e jashtëzakonshme të interesave të Mbretërisë në atë vend. Sa herë marrim letra nga Brazili, na kthehen në mendje kujtime të shumta të bukura për atë kohë të mrekullueshme të jetës sonë.

Ribashkime të vyera

Ndërkohë që kujdeseshim për mamanë, vazhduam si pionierë dhe punonim në pastrim. Mamaja vdiq në vitin 1980, besnike ndaj Jehovait. Pas kësaj, më ftuan të shërbeja në veprën qarkore në Shtetet e Bashkuara. Në vitin 1990, bashkë me time shoqe vizituam një kongregacion në Kënektikat, ku takuam një njeri shumë të veçantë. Një nga pleqtë e kongregacionit ishte Beni, po, i njëjti Ben që 50 vjet më parë më kishte ndihmuar të merrja anën e Jehovait. U përqafuam me shumë gëzim.

Që nga viti 1996, bashkë me Evelinën kemi shërbyer si pionierë specialë me kuotë të zvogëluar orësh, në kongregacionin e gjuhës portugeze në Elizabet, Nju-Xhersi. Kam probleme me shëndetin, por me ndihmën e gruas sime të dashur, dal në shërbim sa më shumë të mundem. Evelina ndihmon edhe një fqinjën tonë të moshuar e të dobët. Cila është? Berta, po, e njëjta Bertë që ndihmoi mamanë time të bëhej shërbëtore e Jehovait mbi 70 vjet më parë. Jemi të kënaqur që na u dha rasti t’i shprehim asaj mirënjohjen për gjithçka bëri për ta ndihmuar familjen time të mësonte të vërtetën.

Jam mirënjohës që ato kongrese të hershme më nxitën të merrja anën e adhurimit të vërtetë, të thjeshtoja jetën dhe të zgjeroja shërbimin. Po, ato kongrese vërtet më modeluan jetën.

[Figura në faqen 23]

Mamaja e Evelinës (majtas) dhe mamaja ime

[Figura në faqen 23]

Shoku im, Beni

[Figura në faqen 24]

Në tokën braziliane

[Figura në faqen 25]

Me Evelinën sot