Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë tregojnë për ty lutjet e tua?

Çfarë tregojnë për ty lutjet e tua?

Çfarë tregojnë për ty lutjet e tua?

«O Dëgjues i lutjes, te ti do të vijë çdo njeri.»—PSAL. 65:2.

1, 2. Pse shërbëtorët e Jehovait mund t’i luten me besim të plotë?

JEHOVAI kurrë nuk e bën veshin të shurdhër ndaj lutjeve të shërbëtorëve të tij besnikë. Mund të jemi të sigurt se ai na dëgjon. Edhe sikur miliona Dëshmitarë të Jehovait t’i luteshin në të njëjtën kohë, ai ende do ta dëgjonte secilin.

2 I sigurt se Perëndia ia kishte dëgjuar përgjërimet, psalmisti David këndoi: «O Dëgjues i lutjes, te ti do të vijë çdo njeri.» (Psal. 65:2) Lutjet e Davidit morën përgjigje sepse ishte adhurues besnik i Jehovait. Duhet të pyesim veten: «A tregoj me përgjërimet e mia se i besoj Jehovait dhe se adhurimi i pastër ka interes parësor për mua? Çfarë tregojnë për mua lutjet që bëj?»

Lutju me përulësi Jehovait

3, 4. (a) Me cilin qëndrim duhet t’i afrohemi në lutje Perëndisë? (b) Ç’duhet të bëjmë nëse na mundojnë ‘mendimet turbulluese’ për shkak të një mëkati të rëndë?

3 Nëse duam që të na dëgjohen lutjet, duhet t’i afrohemi me përulësi Perëndisë. (Psal. 138:6) Duhet t’i kërkojmë të na hetojë, siç bëri Davidi kur tha: «Më heto fund e krye, o Perëndi, dhe njihe zemrën time. Më shqyrto dhe njih mendimet që më turbullojnë. Shih nëse ka tek unë ndonjë udhë që do të më sillte dhembje, dhe më drejto për në udhën e përjetësisë.» (Psal. 139:23, 24) Duhet që jo vetëm të lutemi, por edhe të pranojmë hetimin nga Perëndia dhe këshillat e Fjalës së tij. Jehovai mund të na drejtojë «për në udhën e përjetësisë», duke na ndihmuar të ndjekim drejtimin që të çon në jetën e përhershme.

4 Po sikur të na mundojnë ‘mendimet turbulluese’ për shkak të një mëkati të rëndë? (Lexo Psalmin 32:1-5.) Përpjekja për t’ia mbytur zërin ndërgjegjes fajtore mund të na heqë fuqinë, siç ia heq lagështinë një peme i nxehti përvëlues i verës. Për faj të mëkatit të tij, Davidi humbi gëzimin e madje mund të jetë sëmurur. Por ç’lehtësim të madh pati kur iu rrëfye Perëndisë! Përfytyro gëzimin e Davidit kur ndjeu se ‘iu falën rebelimet’, se Jehovai e kishte falur. Kur ia rrëfen mëkatin Perëndisë, mund të lehtësohesh. Gjithashtu, pleqtë e krishterë do ta ndihmojnë atë që ka gabuar, që t’i rikthehet shëndeti frymor.—Prov. 28:13; Jak. 5:13-16.

Përgjëroju Perëndisë dhe falënderoje

5. Ç’do të thotë t’i përgjërohemi Jehovait?

5 Nëse na ka kapluar ankthi për ndonjë arsye, duhet të zbatojmë këshillën e Pavlit: «Mos jini në ankth për asgjë, por për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime.» (Filip. 4:6) «Të përgjërohesh» do të thotë «të lutesh me përulësi». Duhet t’i përgjërohemi Jehovait për ndihmë e drejtim sidomos kur jemi në rrezik ose kur na përndjekin.

6, 7. Për cilat arsye duhet të përfshijmë edhe falënderime në lutjet tona?

6 Por, nëse lutemi vetëm kur kemi nevojë për diçka, ç’do të tregonte kjo për motivet tona? Pavli tha se duhet t’ia bëjmë të njohura Perëndisë kërkesat tona me «falënderime». Patjetër që kemi arsye të shprehim ndjenja si të Davidit: «Të tuat, o Jehova, janë madhështia, fuqia, bukuria, shkëlqimi dhe lavdia, sepse çdo gjë në qiej dhe në tokë është jotja. Jotja është mbretëria, o Jehova, o Ti që ngrihesh si krye mbi gjithçka. . . . O Perëndia ynë, ne po të falënderojmë dhe po lëvdojmë emrin tënd të bukur.»—1 Kron. 29:11-13.

7 Jezui e falënderoi Perëndinë për ushqimin, për bukën e për verën që përdori gjatë Darkës së Zotërisë. (Mat. 15:36; Mar. 14:22, 23) Përveçse të shprehim një mirënjohje të ngjashme, duhet «ta falënderojmë Perëndinë» për «gjërat e mrekullueshme që ka bërë në të mirë të bijve të njerëzve», për «vendimet [e tij] të drejta gjyqësore» dhe për fjalën ose mesazhin e tij, që tani e kemi në Bibël.—Psal. 107:15; 119:62, 105.

Lutu për të tjerët

8, 9. Pse duhet të lutemi për të bashkëkrishterët?

8 S’diskutohet që ne lutemi për veten, por në lutjet tona duhet të përfshijmë edhe të tjerë, madje edhe të krishterë që nuk i njohim me emër. Apostulli Pavël ndoshta nuk i njihte të gjithë besimtarët në Kolose, megjithatë shkroi: «E falënderojmë Perëndinë, Atin e Zotërisë tonë Jezu Krisht, sa herë që lutemi për ju, sepse dëgjuam për besimin tuaj te Krishti Jezu dhe për dashurinë që keni për gjithë të shenjtët.» (Kolos. 1:3, 4) Pavli u lut edhe për të krishterët në Selanik. (2 Sel. 1:11, 12) Lutje të këtij lloji tregojnë shumë për ne dhe për pikëpamjen që kemi për vëllezërit e motrat në besim.

9 Lutjet që bëjmë për të krishterët e mirosur dhe për shokët e tyre nga ‘delet e tjera’, tregojnë interesimin që kemi për organizatën e Perëndisë. (Gjoni 10:16) Pavli u kërkoi bashkadhuruesve të luteshin që ‘t’i jepej aftësia për të folur e për ta bërë të njohur sekretin e shenjtë të lajmit të mirë’. (Efes. 6:17-20) A lutesh kështu për të krishterët e tjerë?

10. Ç’mund të ndodhë me ne kur lutemi për të tjerët?

10 Kur lutemi për të tjerët, mund të ndryshojmë qëndrim ndaj tyre. Nëse lutemi për dikë që s’e kemi veçanërisht për zemër, si mund të sillemi pa dashuri ndaj tij? (1 Gjon. 4:20, 21) Lutjet e këtij lloji janë ndërtuese dhe nxitin unitetin me vëllezërit tanë. Për më tepër, këto lutje tregojnë se kemi dashuri si e Krishtit. (Gjoni 13:34, 35) Kjo cilësi është pjesë e frytit të frymës së Perëndisë. A lutesh për frymën e shenjtë, duke i kërkuar Jehovait të të ndihmojë të shfaqësh frytin e saj të dashurisë, gëzimit, paqes, shpirtgjerësisë, mirëdashjes, mirësisë, besimit, butësisë dhe vetëkontrollit? (Luka 11:13; Gal. 5:22, 23) Nëse po, fjalët dhe veprimet e tua do të tregojnë se po ecën dhe po jeton sipas frymës.—Lexo Galatasve 5:16, 25.

11. Pse mendoni se është e përshtatshme t’u kërkoni të tjerëve të luten për ju?

11 Nëse marrim vesh se fëmijët tanë po tundohen të kopjojnë në provimet e shkollës, duhet të lutemi për ta e t’u japim ndihmë nga Shkrimet, që të veprojnë me ndershmëri e të mos bëjnë asgjë të gabuar. Pavli u tha të krishterëve në Korint: «I lutemi Perëndisë që të mos bëni asgjë të gabuar.» (2 Kor. 13:7) Lutjet e përulura të këtij lloji i pëlqejnë Jehovait dhe flasin mirë për ne. (Lexo Proverbat 15:8.) Mund t’u kërkojmë të tjerëve të luten për ne, siç bëri apostulli Pavël, i cili shkroi: «Vazhdoni të luteni për ne, sepse jemi të bindur që kemi një ndërgjegje të pastër, pasi duam të sillemi me ndershmëri në çdo gjë.»—Hebr. 13:18.

Lutjet tona tregojnë edhe më tepër

12. Cilat duhet të jenë aspekte thelbësore të lutjeve tona?

12 A tregojnë lutjet tona se jemi Dëshmitarë të lumtur e të zellshëm të Jehovait? A përqendrohen përgjërimet tona kryesisht te përmbushja e vullnetit të Perëndisë, predikimi i mesazhit të Mbretërisë, shfajësimi i sovranitetit të Jehovait dhe shenjtërimi i emrit të tij? Këto duhet të jenë aspekte thelbësore të lutjeve tona, siç e tregon lutja model e Jezuit, e cila fillon me këto fjalë: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.»—Mat. 6:9, 10.

13, 14. Çfarë zbulojnë për ne lutjet tona?

13 Lutjet që i bëjmë Perëndisë zbulojnë motivet, interesat dhe dëshirat tona. Jehovai e di se si jemi përbrenda. Te Proverbat 17:3 thuhet: «Kazani i rafinimit është për argjendin dhe furra për arin, por ai që shqyrton zemrat është Jehovai.» Perëndia e sheh ç’kemi në zemër. (1 Sam. 16:7) Ai e di si ndihemi për mbledhjet, shërbimin dhe për vëllezërit e motrat në besim. E di çfarë mendojmë për «vëllezërit» e Krishtit. (Mat. 25:40) E di nëse e dëshirojmë vërtet atë për të cilën lutemi ose thjesht po përsëritim ca fjalë. Jezui tha: «Kur të lutesh, mos thuaj gjithnjë të njëjtat gjëra, siç bëjnë njerëzit nga bota, të cilët kujtojnë [gabimisht] se do të dëgjohen ngaqë përdorin shumë fjalë.»—Mat. 6:7.

14 Shprehjet që përdorim në lutje, zbulojnë edhe se sa mbështetemi te Perëndia. «Ti [Jehova] je për mua një strehë,—tha Davidi,—një kullë e fortë përballë armikut. Unë do të jem përjetë mysafir në tendën tënde, nën krahët e tu do të strehohem, si në një vend të fshehtë.» (Psal. 61:3, 4) Kur Perëndia në kuptim të figurshëm ‘shtrin tendën mbi ne’, jemi të sigurt dhe kemi kujdesin e tij mbrojtës. (Zbul. 7:15) Sa ngushëlluese është t’i afrohemi Jehovait në lutje me bindjen se është ‘në krahun tonë’ në çfarëdo sprove të besimit!—Lexo Psalmin 118:5-9.

15, 16. Si mund të na ndihmojë lutja që të analizojmë dëshirën tonë për privilegje shërbimi?

15 Lutjet e ndershme që i bëjmë Jehovait për motivet tona mund të na ndihmojnë të kuptojmë cilat janë në të vërtetë. Për shembull, dëshira jonë e zjarrtë për të shërbyer në një pozitë mbikëqyrjeje në popullin e Perëndisë, a është vërtet një dëshirë e përulur për të ndihmuar e për të bërë çmos për përparimin e interesave të Mbretërisë? Apo ndoshta duam të jemi ‘të parët’ ose edhe dëshirojmë ‘të sillemi si zotër me’ të tjerët? Në popullin e Jehovait, gjërat nuk duhet të jenë kështu. (Lexo 3 Gjonit 9, 10; Lukën 22:24-27.) Nëse kemi dëshira të gabuara, lutjet e ndershme ndaj Perëndisë Jehova do t’i nxjerrin në pah e do të na ndihmojnë të ndryshojmë para se të zënë rrënjë thellë.

16 Gratë e krishtere mund të kenë shumë dëshirë që burrat e tyre të shërbejnë si shërbëtorë ndihmës e ndoshta me kalimin e kohës si mbikëqyrës ose pleq. Këto motra mund të punojnë në përputhje me ndjenjat që shprehin në lutjet personale, duke u përpjekur të sillen në mënyrë shembullore. Kjo është e rëndësishme, pasi të folurit dhe sjellja e familjes së një burri ndikon në pikëpamjen që kanë të tjerët në kongregacion për të.

Kur përfaqëson të tjerët në lutje publike

17. Pse është e dëshirueshme vetmia kur bëjmë lutje personale?

17 Shpesh Jezui largohej nga turmat, që t’i lutej vetëm për vetëm Atit. (Mat. 14:13; Luka 5:16; 6:12) Edhe ne kemi nevojë të bëjmë po njësoj. Në lutjet e shtruara që bëjmë në kushte të qeta, ka të ngjarë të marrim vendime që i pëlqejnë Jehovait e që janë për të mirën tonë frymore. Por Jezui u lut edhe publikisht, prandaj është mirë të shqyrtojmë si mund të bëhet kjo në mënyrën e duhur.

18. Cilat pika duhet të mbajnë në mend vëllezërit kur përfaqësojnë një kongregacion në lutje publike?

18 Në mbledhje, burra besnikë përfaqësojnë kongregacionin në lutje publike. (1 Tim. 2:8) Në fund të këtyre lutjeve, bashkëbesimtarët duhet të jenë në gjendje të thonë «amin», që do të thotë «ashtu qoftë». Por, që ta bëjnë këtë, duhet të jenë dakord me sa u tha. Në lutjen model të Jezuit nuk ka asgjë tronditëse ose pa takt. (Luka 11:2-4) Për më tepër, ai nuk përmendi një për një gjithë nevojat ose problemet e gjithsecilit në auditor. Çështjet personale janë tema të përshtatshme për lutjet private, jo publike. Gjithashtu, kur përfaqësojmë një grup në lutje, nuk duhet të përfshijmë çështje konfidenciale.

19. Si duhet të sillemi gjatë lutjeve publike?

19 Kur dikush po na përfaqëson në lutje publike, duhet të shfaqim ‘frikë Perëndie’ me respekt. (1 Pjet. 2:17) Për disa veprime, mund të ketë një kohë e një vend të përshtatshëm, por jo në një mbledhje të krishterë. (Ekl. 3:1) Për shembull, ta zëmë se dikush do që i gjithë grupi të kapen për krahu ose për dore gjatë kësaj lutjeje. Kjo mund t’i fyejë ose t’i shpërqendrojë disa, ndër të cilët edhe vizitorët që nuk kanë bindjet tona. Disa çifte mund të kapen për dore në mënyrë të matur, por nëse përqafojnë njëri-tjetrin gjatë lutjes publike, ata që e pikasin këtë sjellje mund të pengohen. Mund të mendojnë ose t’u duket se çifti po përqendrohet në marrëdhënien e tyre romantike, jo në nderimin e Jehovait. Prandaj, nga respekti i thellë që kemi për Perëndinë, ‘le të bëjmë gjithçka për lavdi të tij’ e të shmangim sjelljen që mund të shpërqendrojë, tronditë ose pengojë dikë.—1 Kor. 10:31, 32; 2 Kor. 6:3.

Për çfarë të lutesh?

20. Si do ta shpjegonit Romakëve 8:26, 27?

20 Nganjëherë, mund të mos dimë ç’të themi në lutjet personale. Pavli shkroi: «Edhe atëherë kur kemi nevojë, ne nuk dimë për çfarë të lutemi, por vetë fryma [e shenjtë] përgjërohet për ne me rënkime të pathëna. Megjithatë, ai [Perëndia] që shqyrton zemrat, e di se cili është qëllimi i frymës.» (Rom. 8:26, 27) Jehovai bëri që shumë lutje të dokumentoheshin në Shkrime. Ai i pranon këto lutje të frymëzuara si kërkesat që do të donim t’i bënim, e prandaj i plotëson. Perëndia na njeh ne dhe domethënien e gjërave që u thanë me anë të shkrimtarëve të Biblës, nën drejtimin e frymës së tij. U përgjigjet përgjërimeve tona kur fryma «përgjërohet» ose ndërmjetëson për ne. Por, ndërsa e njohim më mirë Fjalën e Perëndisë, mund të na vijnë më kollaj në mendje gjërat për të cilat duhet të lutemi.

21. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin vijues?

21 Siç e vumë re, lutjet tona tregojnë shumë për ne. Për shembull, mund të zbulojnë sa jemi afruar me Jehovain dhe sa mirë e njohim Fjalën e tij. (Jak. 4:8) Në artikullin vijues, do të shqyrtojmë disa lutje dhe shprehje të thëna në lutje, që janë dokumentuar në Bibël. Si mund të ndikojë ky shqyrtim i Shkrimeve në lutjet që i bëjmë Perëndisë?

Si do të përgjigjeshit?

• Me cilin qëndrim duhet t’i afrohemi Jehovait në lutje?

• Pse duhet të lutemi për bashkëbesimtarët?

• Çfarë mund të zbulojnë lutjet tona për ne dhe për motivet tona?

• Si duhet të sillemi gjatë lutjes publike?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 4]

A e lëvdon dhe e falënderon rregullisht Jehovain?

[Figura në faqen 6]

Sjellja jonë gjatë lutjes publike, gjithnjë duhet të nderojë Jehovain