Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përkujdesuni për vëllezërit e motrat me probleme dëgjimi!

Përkujdesuni për vëllezërit e motrat me probleme dëgjimi!

Përkujdesuni për vëllezërit e motrat me probleme dëgjimi!

POPULLI i Perëndisë sot është një familje e madhe vëllezërish e motrash të krishterë, trashëgimia frymore e të cilëve vjen nga burra e gra të lashtësisë. Këtu futen Samueli, Davidi, Samsoni, Rahaba, Moisiu, Abrahami, Sara, Noeja dhe Abeli. Ndër shërbëtorët besnikë të Jehovait ka shumë që nuk mund të dëgjojnë. Për shembull, dy njerëzit e parë që u bënë Dëshmitarë të Jehovait në Mongoli, ishin një çift që nuk dëgjonin. Gjithashtu, si rezultat i integritetit të bashkëbesimtarëve tanë me probleme dëgjimi në Rusi, arritëm një fitore në fushën ligjore në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Në ditët e sotme, «skllavi i besueshëm dhe i matur» ka siguruar botime në gjuhën e shenjave dhe ka organizuar kongregacione, asamble e kongrese në këtë gjuhë. (Mat. 24:45) Ata me probleme dëgjimi kanë përfituar shumë nga këto masa. * Por, a e keni pyetur ndonjëherë veten se si ia bënin që të mësonin për Perëndinë e vërtetë dhe të përparonin në të vërtetën pa këto masa? A keni menduar se ç’mund të bëni për të ndihmuar njerëzit me probleme të tilla në vendin tuaj?

Para masave të ditëve të sotme

Pse të mos pyetni më të moshuarit me probleme dëgjimi për përvojën e tyre kur njohën Perëndinë? Ata mund t’ju tregojnë se si u ndien kur mësuan për herë të parë që Perëndia ka një emër dhe se si ky fakt ua ndryshoi jetën e i mbajti të fortë për vite të tëra para se të dilnin programet ose DVD-të në gjuhën e shenjave, që i ndihmojnë të mësojnë të vërteta më të thella nga Shkrimet. Ata mund t’ju shpjegojnë se si ishte kur mbledhjet e krishtere nuk drejtoheshin a nuk përktheheshin, ose siç thuhet ndryshe interpretoheshin, në gjuhën e shenjave. Në vend të kësaj, dikush ulej afër tyre dhe u shkruante shënime në një copë letër për t’i ndihmuar të kuptonin se çfarë po thuhej. Një nga këta vëllezër, i mësoi të vërtetat biblike në këtë mënyrë për shtatë vjet para se, më në fund, të vinte dikush për t’i interpretuar mbledhjet në gjuhën e shenjave.

Dëshmitarët e moshuar që nuk dëgjojnë, sjellin ndër mend se si ishte për ta kur dilnin në shërbim e u predikonin shtëpi më shtëpi njerëzve pa probleme dëgjimi. Në njërën dorë mbanin një copë kartoni ku ishte shkruar një prezantim i thjeshtë. Ndërsa në dorën tjetër mbanin revistat më të fundit të Kullës së Rojës dhe Zgjohuni! E kishin shumë të vështirë t’i drejtonin një studim biblik dikujt tjetër me probleme dëgjimi duke përdorur vetëm botime të shtypura, që asnjëri prej tyre nuk i kuptonte mirë. Lajmëtarëve të moshuar që nuk dëgjojnë ndoshta u kujtohet sa keq ndiheshin kur të tjerët nuk i kuptonin dhe nga kjo nuk mund të flisnin më tej për të vërtetat frymore. Ata gjithashtu e dinë se ç’do të thotë të kesh një dashuri të thellë për Jehovain dhe prapëseprapë të mos jesh në gjendje të veprosh me besim te vetja sipas kësaj dashurie. Pse? Sepse nuk ishin të sigurt nëse kuptueshmëria e tyre për një çështje të caktuar ishte e saktë.

Pavarësisht nga këto pengesa, vëllezërit dhe motrat tona që nuk dëgjojnë, e kanë mbajtur integritetin e tyre të patundur. (Jobi 2:3) Kanë pritur me zjarr që Jehovai të veprojë. (Psal. 37:7) Dhe ai po i bekon më tepër seç mund të kenë marrë me mend shumë prej tyre.

Mendoni për përpjekjet që ka bërë një vëlla që nuk dëgjon, i cili është bashkëshort dhe baba. Para se të dilnin videot në gjuhën e shenjave, ai me besnikëri merrte drejtimin për të bërë studimin familjar. Djali i tij kujton: «Studimi familjar ishte gjithmonë i vështirë për babanë tim, pasi gjithçka që duhej të na mësonte, ishte në botime të shtypura. Shpesh, nuk arrinte ta kuptonte plotësisht tekstin e shkruar. Ne të vegjlit ia bënim edhe më të vështirë. Nuk humbisnim rast për t’ia vënë në dukje sa herë nuk na i shpjegonte gjërat saktë. Pavarësisht nga e gjithë kjo, ai gjithmonë e mbante studimin familjar. Ai mendonte se të mësonim sadopak për Jehovain, ishte më e rëndësishme se sikleti që kishte ai herë pas here ngaqë s’e kuptonte mirë tekstin.»

Është edhe shembulli i Riçardit, një vëlla në të 70-at, i cili as dëgjon e as sheh dhe jeton në Bruklin, Nju-Jork, SHBA. Riçardi njihet për rregullsinë në mbledhjet e krishtere. Për të shkuar në mbledhje, ai i hipën metrosë vetëm dhe numëron stacionet që të kuptojë se ku të zbresë. Një herë në dimër, ishte një stuhi aq e fortë dëbore sa mbledhja u anulua. Të gjithë në kongregacion u njoftuan për këtë ndryshim, por ndodhi që Riçardi nuk e mori vesh. Kur vëllezërit e kuptuan se ç’kishte ndodhur dhe e kërkuan, e gjetën Riçardin jashtë Sallës së Mbretërisë duke pritur me durim që të hapeshin dyert. Kur e pyetën pse doli në mes të dëborës, ai u përgjigj: «Sepse e dua Jehovain.»

Çfarë mund të bëni?

A ka në zonën tuaj njerëz me probleme dëgjimi? A mund të mësosh pak nga gjuha e shenjave që të komunikosh me ta? Ata zakonisht janë mjaft të sjellshëm dhe të durueshëm kur u mësojnë të tjerëve gjuhën e tyre. Mund të takoni ndonjë prej tyre në mënyrë joformale ose në shërbim. Çfarë mund të bëni? Përpiquni të komunikoni me të. Përdorni gjeste, shënime, vizatime, figura ose disa prej tyre njëherësh. Edhe nëse personi tregon se nuk ka interes për të vërtetën, flitni për këtë takim me një Dëshmitar që nuk dëgjon ose me dikë që di gjuhën e shenjave. Për dikë me probleme dëgjimi, mesazhi mund të jetë më tërheqës kur i prezantohet në gjuhën e shenjave.

Ndoshta po mësoni gjuhën e shenjave dhe jeni në një kongregacion të gjuhës së shenjave. Si mund të aftësoheni më shumë në këtë gjuhë? Edhe pse në kongregacionin tuaj mund të ketë më shumë lajmëtarë që dëgjojnë, pse të mos e «fikni butonin» e zërit tuaj? Kjo do t’ju ndihmojë që të mendoni në gjuhën e shenjave, domethënë, në mënyrë pamore. Ndonjëherë, mund të tundoheni t’i bini shkurt dhe të flisni. Por, ashtu siç ndodh me mësimin e çdo gjuhe, duhet të duroni dhe të këmbëngulni që të fitoni rrjedhshmëri.

Nëse bëjmë përpjekje të zellshme për të mësuar gjuhën e shenjave, tregojmë dashuri dhe respekt për vëllezërit e motrat që nuk dëgjojnë. Imagjinoni se sa keq ndihen çdo ditë ata me probleme dëgjimi, ngaqë nuk janë në gjendje të kuptojnë njerëzit në punë a në shkollë. «Çdo ditë shoh përreth meje njerëz që flasin,—tha një vëlla që nuk dëgjon.—Shpesh më lindin përbrenda ndjenja vetmie, më duket vetja i lënë mënjanë dhe pezmatohem, madje nevrikosem. Fjalët nuk mund ta shprehin se si ndihem ndonjëherë.» Mbledhjet tona duhet të jenë një oaz ku vëllezërit e motrat me probleme dëgjimi marrin ushqim frymor dhe gëzojnë një komunikim e miqësi të ngrohtë.—Gjoni 13:34, 35.

Nuk duhen lënë pas dore shumë grupe më të vogla të atyre që nuk dëgjojnë, të cilët i mbajnë mbledhjet bashkë me kongregacionet e vëllezërve që dëgjojnë. Mbledhjet interpretohen për ta në gjuhën e shenjave. Që të kuptojnë mirë atë që po trajtohet, këta pjesëtarë të kongregacionit ulen në rreshtat e parë në Sallën e Mbretërisë. Kjo i ndihmon të shohin njëkohësisht dhe pa pengesa si interpretuesin, ashtu edhe oratorin. Përvoja ka treguar se pjesa tjetër e kongregacionit mësohet shumë shpejt me këtë dhe kjo nuk përbën një shpërqendrim. Këto masa merren edhe në raste asamblesh e kongresesh ku bëhet interpretimi në gjuhën e shenjave. Lajmëtarë të palodhur të kongregacionit meritojnë lavdërime të përzemërta që interpretojnë ashtu siç do të shprehej një njeri me probleme dëgjimi—në mënyrë domethënëse dhe të natyrshme.

Ndoshta bëni pjesë në një kongregacion që ndihmon një grup të gjuhës së shenjave ose që ka disa veta që nuk dëgjojnë, për të cilët interpretohen mbledhjet. Ç’mund të bëni për t’u treguar vëmendje personale këtyre vëllezërve? Ftojini në shtëpinë tuaj. Mësoni disa shenja, nëse është e mundur. Mos kini frikë se nuk do të merreni vesh. Do ta gjeni një mënyrë për të komunikuar dhe nëse tregoni një dashuri të tillë, do të keni kujtime të bukura. (1 Gjon. 4:8) Bashkëbesimtarët tanë që nuk dëgjojnë kanë shumë për të ofruar. Ata janë të këndshëm në biseda, mjaft të mprehtë dhe kanë një sens humori të mrekullueshëm. Një vëlla, prindërit e të cilit nuk dëgjojnë, thotë: «Gjatë gjithë jetës jam rrethuar nga njerëz me probleme dëgjimi dhe më kanë dhënë më shumë se ç’mund t’u jepja unë në këmbim. Mund të mësojmë shumë nga vëllezërit e motrat që nuk dëgjojnë.»

Jehovai i do adhuruesit e tij besnikë, përfshirë edhe ata që nuk dëgjojnë. Shembulli i tyre i besimit dhe i qëndrueshmërisë sigurisht e pasuron edhe më shumë organizatën e Jehovait. Prandaj, le të përkujdesemi për vëllezërit dhe motrat me probleme dëgjimi!

[Shënimi]

^ par. 3 Shih artikullin ‘Jehovai ka bërë që fytyra e tij të ndriçojë mbi ta’Kullën e Rojës të 15 gushtit 2009.

[Figura në faqen 31]

Për dikë me probleme dëgjimi, mesazhi i Mbretërisë mund të jetë më tërheqës kur i prezantohet në gjuhën e shenjave

[Figurat në faqen 32]

Mbledhjet tona duhet të jenë një oaz ku vëllezërit e motrat me probleme dëgjimi inkurajohen