Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

A është e përshtatshme që një motër të mbulojë kokën kur interpreton në gjuhën e shenjave fjalime biblike në mbledhje, asamble a kongrese?

Në përgjithësi, një grua e krishterë duhet ta mbulojë kokën kur merret me çështje që normalisht janë përgjegjësi e të shoqit ose e një vëllai në kongregacion. Kjo është në përputhje me parimin që tha apostulli Pavël, se «çdo grua që lutet ose profetizon me kokë të pambuluar, turpëron kreun e saj», sepse «kreu i gruas është burri». (1 Kor. 11:3-10) Kur një motër mbulon kokën me diçka modeste e të përshtatshme në rrethana të tilla, tregon nënshtrim ndaj rregullit teokratik në kongregacionin e krishterë.—1 Tim. 2:11, 12. *

Ç’të themi për rastet kur një motër interpreton në gjuhën e shenjave fjalimin e një vëllai? Është e vërtetë se motra thjesht po i përcjell auditorit informacione nga oratori. Pra, mësimi nuk është i saj, por i vëllait për të cilin po interpreton. Mirëpo, interpretimi në gjuhën e shenjave ndryshon shumë nga përkthimi nga një gjuhë e folur në një gjuhë tjetër të folur. Në lidhje me gjuhët e folura, auditori mund të përqendrohet tek oratori e prapëseprapë të dëgjojë përkthyesen. Gjithashtu, ndryshe nga interpretimi në gjuhën e shenjave, motrat që përkthejnë në gjuhët e folura, zakonisht nuk rrinë në një vend shumë të dukshëm. Nganjëherë kanë mundësi të jenë të ulura ndërsa përkthejnë ose, po të jenë në këmbë, i drejtohen oratorit, jo auditorit. Pra, nuk do të ishte e nevojshme që një motër që përkthen në një gjuhë të folur, të mbulonte kokën.

Veç kësaj, për shkak të zhvillimeve të teknologjisë që përdoret kur fjalimet interpretohen në gjuhën e shenjave, roli i interpretueses mund të theksohet edhe më shumë. Në përgjithësi, pamja e interpretueses projektohet në një ekran të madh, ndërkohë që vetë oratori ndoshta nuk shihet fare nga auditori. Duke pasur ndër mend këta faktorë, duket e përshtatshme që motra që interpreton në gjuhën e shenjave, të pranojë rolin e saj dytësor si interpretuese, duke mbuluar kokën.

Si ndikon ky udhëzim i ri në interpretimin në gjuhën e shenjave të pjesëve të Shkollës së Shërbimit Teokratik, demonstrimeve dhe komenteve gjatë Studimit të Biblës në Kongregacion, Mbledhjes së Shërbimit dhe Studimit të Kullës së Rojës? A duhet ta mbulojë kokën edhe në këto raste një motër që interpreton në gjuhën e shenjave? Duket se në disa rrethana nuk është e nevojshme që motra të mbulojë kokën, meqë të gjithë të pranishmit duhet të jenë në gjendje të kuptojnë se nuk po e drejton ajo mbledhjen. Për shembull, i tillë do të ishte rasti kur ajo interpreton komentet nga auditori, fjalimet që mbajnë motrat ose demonstrimet. Por, kur interpreton fjalimet e vëllezërve gjatë këtyre mbledhjeve, kur interpreton fjalët e drejtuesit të Studimit të Kullës së Rojës ose të drejtuesit të Studimit të Biblës në Kongregacion, ose kur merr drejtimin për të interpretuar me shenja këngët, duhet ta mbulojë kokën. Gjatë një mbledhjeje, një motre mund t’i duhet të interpretojë fjalët e vëllezërve, motrave, fëmijëve e pleqve të kongregacionit. Duke pasur parasysh këtë, mund të jetë më praktike që ta ketë kokën të mbuluar gjatë gjithë mbledhjes.

[Shënimi]

^ par. 3 Për një trajtim të hollësishëm se përse dhe kur duhet ta mbulojnë kokën gratë e krishtere, shih faqet 209-212 të librit ‘Ruaj veten në dashurinë e Perëndisë’.