Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ta vlerësojmë vendin tonë në kongregacion

Ta vlerësojmë vendin tonë në kongregacion

Ta vlerësojmë vendin tonë në kongregacion

«Perëndia ka vendosur në trup gjymtyrët, secilën ashtu si i pëlqeu.»—1 KOR. 12:18.

1, 2. (a) Si e kuptojmë se çdokush në kongregacion mund të ketë një vend që e vlerëson? (b) Cilat pyetje do të shqyrtohen në këtë artikull?

QË NË ditët e Izraelit të lashtë, Jehovai ka përdorur kongregacionin për ta ushqyer frymësisht popullin e tij e për t’i dhënë drejtim. Për shembull, pasi izraelitët pushtuan qytetin e Ait, Josiu «lexoi me zë të gjitha fjalët e ligjit, bekimet dhe mallkimet, pikërisht siç ishin shkruar në librin e ligjit . . . para tërë kongregacionit të Izraelit».—Jos. 8:34, 35.

2 Në shekullin e parë të e.s., apostulli Pavël i tha plakut të krishterë Timote se kongregacioni i krishterë ishte ‘shtëpia e Perëndisë’ dhe «shtylla dhe mbështetja e së vërtetës». (1 Tim. 3:15) Sot «shtëpia» e Perëndisë është vëllazëria mbarëbotërore e të krishterëve të vërtetë. Në kapitullin 12 të Letrës së Parë të frymëzuar drejtuar Korintasve, Pavli e krahason kongregacionin me trupin e njeriut. Ai thotë se ndonëse çdo gjymtyrë ka një funksion të veçantë, të gjitha janë të domosdoshme. Pavli shkruan: «Perëndia ka vendosur në trup gjymtyrët, secilën ashtu si i pëlqeu.» Madje, thekson se «ato pjesë të trupit, që ne mendojmë se janë më pak të nderuara, i rrethojmë me shumë më tepër nderim». (1 Kor. 12:18, 23) Prandaj, roli i një njeriu të nderuar në shtëpinë e Perëndisë nuk është as më i mirë e as më i keq se ai i një të krishteri tjetër besnik. Thjesht është i ndryshëm. Atëherë, si ta gjejmë vendin tonë në kongregacionin e Perëndisë dhe ta vlerësojmë atë? Cilët faktorë mund të ndikojnë në vendin që zëmë? Dhe si të bëjmë që ‘përparimi ynë të duket qartë për të gjithë’?—1 Tim. 4:15.

Si ta tregojmë se e vlerësojmë vendin tonë?

3. Cila është një mënyrë se si e gjejmë vendin tonë në kongregacion dhe tregojmë se e vlerësojmë atë?

3 Një mënyrë se si e gjejmë vendin tonë në kongregacion dhe japim prova se e vlerësojmë atë, është të bashkëpunojmë plotësisht me ‘skllavin e besueshëm e të matur’ dhe me Trupin Udhëheqës që e përfaqëson. (Lexo Mateun 24:45-47.) Duhet të analizojmë reagimin tonë ndaj drejtimit që marrim nga klasa e skllavit. Për shembull, gjatë viteve kemi marrë udhëzime specifike për veshjen e rregullimin, zbavitjen dhe përdorimin e papërshtatshëm të Internetit. A i ndjekim me kujdes këto këshilla të mira, që të mbrohemi frymësisht? Ç’të themi për këshillën që të përcaktojmë një program të rregullt për adhurimin familjar? A e kemi marrë për zemër këtë këshillë dhe a kemi lënë një mbrëmje për këtë qëllim? Nëse jemi beqarë, a po lëmë kohë për studimin personal të Shkrimeve? Jehovai do të na bekojë individualisht dhe si familje, po të ndjekim drejtimin e klasës së skllavit.

4. Ç’duhet të marrim parasysh kur bëjmë zgjedhje personale?

4 Disa mund të arsyetojnë se fusha të tilla, si zbavitja, veshja e rregullimi, janë çështje personale. Mirëpo, i krishteri i kushtuar që e vlerëson vendin e tij në kongregacion, nuk bazohet vetëm te shijet personale kur merr vendime. Duhet t’i kushtojmë vëmendje sidomos pikëpamjes së Jehovait të zbuluar në Fjalën e tij, në Bibël. Mesazhi i saj duhet të jetë ‘një llambë për këmbën tonë dhe një dritë për shtegun tonë’. (Psal. 119:105) Gjithashtu, është e mençur të shqyrtojmë si ndikojnë zgjedhjet që bëjmë për çështje personale në shërbimin tonë dhe te njerëzit e tjerë, brenda ose jashtë kongregacionit.—Lexo 2 Korintasve 6:3, 4.

5. Pse duhet të ruhemi nga fryma e pavarësisë?

5 ‘Fryma që tani vepron në bijtë e mosbindjes’ është kaq e përhapur, sa është si ajri që thithim. (Efes. 2:2) Kjo frymë mund të na bëjë të mendojmë se s’kemi nevojë për drejtim nga organizata e Jehovait. Me siguri, s’duam të jemi si Diotrefi, i cili ‘nuk priste asgjë me respekt nga apostulli Gjon’. (3 Gjon. 9, 10) Duhet të ruhemi se mos zhvillojmë frymën e pavarësisë. Mos na ndodhtë kurrë të themi a të bëjmë diçka që tregon mungesë respekti për kanalin e komunikimit që po përdor sot Jehovai! (Num. 16:1-3) Përkundrazi, duhet ta vlerësojmë privilegjin që të bashkëpunojmë me klasën e skllavit. Gjithashtu, duhet të jemi të bindur e të nënshtruar ndaj atyre që marrin drejtimin në kongregacionin tonë.—Lexo Hebrenjve 13:7, 17.

6. Pse duhet të shqyrtojmë rrethanat tona?

6 Një mënyrë tjetër si e tregojmë se e vlerësojmë vendin tonë në kongregacion, është duke shqyrtuar me kujdes rrethanat tona e duke bërë ç’të mundim që ‘t’i japim lavdi shërbimit tonë’ e t’i sjellim nder Jehovait. (Rom. 11:13) Disa kanë mundësi të shërbejnë si pionierë të rregullt. Të tjerë shërbejnë në forma speciale të shërbimit të plotkohor si misionarë, mbikëqyrës udhëtues dhe pjesëtarë të familjeve Bethel në mbarë botën. Shumë vëllezër e motra ndihmojnë për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë. Shumica e shërbëtorëve të Jehovait po bëjnë çmos të kujdesen për nevojat frymore të familjeve të tyre dhe të kenë një pjesëmarrje të plotë në shërbim çdo javë. (Lexo Kolosianëve 3:23, 24.) Të jemi të sigurt se kur ofrohemi vullnetarisht në shërbim të Perëndisë dhe bëjmë çmos t’i shërbejmë atij me gjithë shpirt, ka gjithnjë vend për ne në organizatën e tij.

Faktorë që ndikojnë në rolin tonë

7. Shpjegoni si mund të ndikojnë rrethanat në vendin që zëmë në kongregacion.

7 Është e rëndësishme t’i shqyrtojmë rrethanat tona, sepse, deri në njëfarë mase, vendi ynë në kongregacion varet nga ajo që jemi në gjendje të bëjmë. Për shembull, vendi që zë një vëlla në kongregacion ndryshon në disa aspekte nga vendi që zë një motër. Edhe mosha, shëndeti e faktorë të tjerë ndikojnë në atë që mund të bëjmë në shërbim të Jehovait. Te Proverbat 20:29 thuhet: «Bukuria e të rinjve është fuqia e tyre, dhe shkëlqimi i të moshuarve janë flokët e bardhë.» Të rinjtë në kongregacion mund të bëjnë më shumë nga ana fizike për shkak të fuqisë rinore, kurse të moshuarit i sjellin shumë dobi kongregacionit me mençurinë dhe përvojën e tyre. Gjithashtu, duhet të mbajmë parasysh se çdo gjë që mund të bëjmë në organizatën e Jehovait, varet nga dashamirësia e tij e pamerituar.—Vep. 14:26; Rom. 12:6-8.

8. Si ndikon dëshira në atë që bëjmë në kongregacion?

8 Një ilustrim me dy motra të një gjaku thekson një faktor tjetër që ndikon në vendin që do të zëmë në kongregacion. Të dyja këto motra mbarojnë shkollën e mesme. Kanë të njëjtat rrethana. Prindërit kanë bërë çmos t’i nxitin të dyja që, pas shkollës, të synojnë shërbimin si pioniere të rregullta. Pas diplomimit, njëra fillon si pioniere, kurse tjetra fillon një punë tetorëshe. Ku qëndron ndryshimi? Te dëshira. Në fund, secila bëri atë që kishte dëshirë. A nuk është e vërtetë kjo për shumicën prej nesh? Duhet të mendojmë seriozisht për atë që do të donim të bënim në shërbim të Perëndisë. A mund të shtojmë pjesëmarrjen në të, edhe sikur të na duhet të rregullojmë rrethanat tona?—2 Kor. 9:7.

9, 10. Ç’duhet të bëjmë nëse na mungon shtysa për të bërë më shumë në shërbim të Jehovait?

9 Po sikur të na mungojë shtysa që të bëjmë më shumë në shërbim të Jehovait e të kemi prirjen të bëjmë vetëm minimumin në kongregacion? Në Letrën drejtuar Filipianëve, Pavli thotë: «Perëndia është ai që, në saje të pëlqimit të tij, po vepron brenda jush, me qëllim që të keni vullnet dhe të veproni.» Po, Jehovai mund të veprojë brenda nesh dhe të ndikojë në vullnetin ose në dëshirat tona.—Filip. 2:13; 4:13.

10 Pra, me çdo kusht t’i kërkojmë Jehovait të veprojë te ne që të duam të bëjmë vullnetin e tij. Pikërisht kështu bëri Davidi, mbreti i Izraelit të lashtë. Ai u lut: «Më bëj të njoh udhët e tua, o Jehova, më mëso shtigjet e tua. Më bëj të eci në të vërtetën tënde dhe më mëso, sepse ti je Perëndia i shpëtimit tim. Te ti unë shpresoj gjithë ditën.» (Psal. 25:4, 5) Mund të bëjmë të njëjtën gjë, duke iu lutur Jehovait të veprojë te ne që të duam të bëjmë atë që i pëlqen atij. Kur meditojmë se si ndihen Perëndia Jehova dhe Biri i tij për atë që bëjmë në dobi të interesave të tyre, na mbushet zemra me mirënjohje për ta. (Mat. 26:6-10; Luka 21:1-4) Kjo ndjenjë mirënjohjeje mund të na nxitë t’i përgjërohemi Jehovait të veprojë te ne që të duam të përparojmë frymësisht. Profeti Isaia dha një shembull të qëndrimit që duhet të zhvillojmë. Kur dëgjoi zërin e Jehovait që pyeste: «Kë të dërgoj dhe kush do të shkojë për ne?», profeti u përgjigj: «Ja ku jam! Më dërgo mua!»—Isa. 6:8.

Si të bëjmë përparim?

11. (a) Pse ka nevojë për vëllezër që të synojnë përgjegjësi në organizatë? (b) Si mund të synojë një vëlla privilegje shërbimi?

11 Gjatë vitit të shërbimit 2008, në mbarë botën u pagëzuan 289.678 veta, prandaj është e qartë se ka shumë nevojë për vëllezër që të marrin drejtimin. Si duhet t’i përgjigjet një vëlla kësaj nevoje? E thënë thjesht, duhet të përpiqet të plotësojë kërkesat për shërbëtorët ndihmës dhe pleqtë, të dokumentuara në Shkrime. (1 Tim. 3:1-10, 12, 13; Titit 1:5-9) Si mund të përpiqet një vëlla t’i plotësojë këto kërkesa biblike? Duke marrë pjesë aktivisht në shërbim, duke u kujdesur me zell për caktimet në kongregacion, duke punuar fort për të përmirësuar komentet në mbledhje e duke u interesuar personalisht për bashkëbesimtarët. Kështu tregon se e vlerëson vendin e tij në kongregacion.

12. Si mund ta tregojnë të rinjtë zellin për të vërtetën?

12 Ç’mund të bëjnë vëllezërit e rinj, sidomos adoleshentët, që të përparojnë në kongregacion? Mund të përpiqen të kenë më tepër «mençuri dhe kuptueshmëri frymore», duke marrë njohuri për Shkrimet. (Kolos. 1:9) Nëse janë studiues të zellshëm të Fjalës së Perëndisë dhe marrin pjesë aktivisht në mbledhjet e kongregacionit, kjo do t’i ndihmojë shumë. Gjithashtu, djemtë e rinj mund të vënë synime duke punuar që të kualifikohen për të hyrë në ‘derën e gjerë që çon në aktivitet’ në aspekte të ndryshme të shërbimit të plotkohor. (1 Kor. 16:9) Të ndjekësh si qëllimin kryesor në jetë shërbimin e Jehovait, është vërtet një mënyrë jetese e kënaqshme dhe një rrugë që të sjell shumë bekime.—Lexo Eklisiastiun 12:1.

13, 14. Si mund ta tregojnë motrat se e vlerësojnë rolin e tyre në kongregacion?

13 Edhe motrat mund të tregojnë se e vlerësojnë privilegjin që të marrin pjesë personalisht në përmbushjen e Psalmit 68:11. Aty lexojmë: «Jehovai jep urdhrin. Gratë që shpallin lajmin e mirë, janë një ushtri e madhe.» Një nga mënyrat më të spikatshme se si mund ta tregojnë motrat mirënjohjen për vendin e tyre në kongregacion, është duke marrë pjesë në veprën e bërjes së dishepujve. (Mat. 28:19, 20) Kështu, duke marrë pjesë plotësisht në shërbim e duke bërë vullnetarisht sakrifica për këtë vepër, motrat tregojnë se e vlerësojnë rolin e tyre në kongregacion.

14 Kur po i shkruante Titit, Pavli tha: «Gratë e moshuara të kenë një sjellje që u ka hije, . . . [të jenë] mësuese të së mirës, që t’i sjellin në vete të rejat që të duan burrat, të duan fëmijët, të jenë me mendje të shëndoshë, të dëlira, punëtore në shtëpi, të mira, të nënshtruara ndaj burrave të tyre, që të mos shahet fjala e Perëndisë.» (Titit 2:3-5) Sa shumë mund të ndikojnë për mirë në kongregacion motrat e pjekura! Duke respektuar vëllezërit që marrin drejtimin e duke marrë vendime të mençura në aspekte si veshja, rregullimi e zbavitja, ato lënë një shembull të shkëlqyer për të tjerët dhe tregojnë vlerësim të madh për vendin që kanë në kongregacion.

15. Ç’mund të bëjë një motër beqare që të përballojë vetminë?

15 Ka raste kur një motër e pamartuar mund ta ketë të vështirë të gjejë vendin e saj në kongregacion. Një motër që e përjetoi këtë, tha: «Nganjëherë, jeta si beqare mund të jetë e vetmuar.» Kur e pyetën si e përballon situatën, ajo tha: «Lutja dhe studimi më ndihmojnë të gjej përsëri vendin tim. Studioj se si më konsideron Jehovai. Pastaj vë si synim të përpiqem t’i ndihmoj të tjerët në kongregacion. Kështu e heq mendjen nga vetja.» Sipas Psalmit 32:8, Jehovai i tha Davidit: «Do të të këshilloj duke i mbajtur sytë mbi ty.» Po, Jehovai interesohet personalisht për jetën e çdo shërbëtori të tij, duke përfshirë edhe motrat beqare, dhe do t’i ndihmojë të gjithë të gjejnë vendin e tyre në kongregacion.

Ta mbajmë vendin tonë

16, 17. (a) Pse pranimi i ftesës për të qenë pjesë e organizatës së Jehovait është vendimi më i mirë që mund të marrim? (b) Si mund ta mbajmë vendin tonë në organizatën e Jehovait?

16 Me dashuri, Jehovai e ka tërhequr çdo shërbëtor të tij, duke e ftuar që të lidhë një marrëdhënie me të. Jezui tha: «Askush nuk mund të vijë tek unë, nëse Ati që më dërgoi, nuk e tërheq.» (Gjoni 6:44) Nga miliarda banorët e tokës, Jehovai ka ftuar personalisht secilin nga ne që të jetë pjesë e kongregacionit të tij sot. Pranimi i kësaj ftese ishte vendimi më i mirë që kemi marrë. I ka dhënë jetës sonë qëllim e kuptim. Provojmë vërtet shumë gëzim e kënaqësi ngaqë kemi një vend në kongregacion.

17 «O Jehova, unë e dua shtëpinë ku banon ti!»—tha psalmisti. Gjithashtu, ai këndoi: «Këmba ime do të qëndrojë në vend të sheshtë. Mes turmave të mbledhura, o Jehova, do të të bekoj!» (Psal. 26:8, 12) Perëndia i vërtetë ka një vend në organizatën e tij për secilin nga ne. Nëse vazhdojmë të ndjekim drejtimin teokratik dhe jemi të zënë në shërbim të Perëndisë, mund të mbajmë vendin tonë të çmuar në organizatën e Jehovait.

A ju kujtohet?

• Pse është e arsyeshme të themi se të gjithë të krishterët kanë një vend në kongregacion?

• Si e tregojmë se e çmojmë vendin tonë në organizatën e Perëndisë?

• Cilët faktorë mund të ndikojnë në vendin që kemi në kongregacion?

• Si mund ta tregojnë të rinjtë dhe të rriturit e krishterë se e vlerësojnë vendin e tyre në organizatën e Perëndisë?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 16]

Si mund të synojnë vëllezërit privilegje në kongregacion?

[Figura në faqen 17]

Si mund ta tregojnë motrat se e vlerësojnë vendin që kanë në kongregacion?