Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A mund të kalosh në Maqedoni?

A mund të kalosh në Maqedoni?

A mund të kalosh në Maqedoni?

KUR ishte në qytetin-port të Troadës në Azinë e Vogël, apostullit Pavël iu shfaq një vegim. Një burrë maqedonas iu përgjërua: «Kalo në Maqedoni dhe na ndihmo!» Menjëherë pas vegimit, Pavli dhe shokët e tij të udhëtimit dolën «në përfundimin se Perëndia [i] kishte thirrur për t’u shpallur lajmin e mirë» maqedonasve. Cili qe rezultati? Në Filipi, qyteti kryesor i Maqedonisë, Lidia dhe ata të shtëpisë së saj u bënë besimtarë. Edhe të tjerë në provincën romake të Maqedonisë, ndoqën shembullin e saj.—Vep. 16:9-15.

Një zell i ngjashëm shihet edhe ndër Dëshmitarët e Jehovait sot. Shumë janë transferuar me shpenzimet e tyre në vende ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë ose në zona të tjera brenda vendit të tyre. Për shembull, Liza donte të përqendrohej më shumë te shërbimi. Ajo u transferua nga Kanadaja në Kenia. Trevori dhe Emilia, po ashtu kanadezë, shkuan në Malavi me qëllim që të shtonin shërbimin e tyre. Poli dhe Megi, nga Anglia, e konsideruan daljen në pension një mundësi fantastike për të bërë më shumë në shërbim të Jehovait dhe u nisën për në Afrikën Lindore. A ke frymën e vetëmohimit? A mund të bësh edhe ti të njëjtën gjë? Nëse po, cilat parime biblike dhe sugjerime praktike mund të të ndihmojnë t’ia dalësh mbanë?

Analizo veten

Ndër gjërat që duhet të shqyrtosh, janë motivet e tua. Urdhërimi më i madh, tha Jezui, është: «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.» Pra, arsyet pse duhet të shërbesh në një vend të huaj duhet të jenë dashuria për Perëndinë dhe dëshira për të përmbushur caktimin e bërjes së dishepujve. Jezui vazhdoi: «I dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd si veten.’» Dashuria për të afërmin pasqyrohet në dëshirën e sinqertë për të ndihmuar. (Mat. 22:36-39; 28:19, 20) Të shërbesh në një vend të huaj zakonisht kërkon shumë punë dhe një frymë vetëmohimi. Nuk është thjesht aventurë. Duhet ta bësh nga dashuria. Remko dhe Suzana nga Holanda, që tani shërbejnë në Namibi, e përmbledhin kështu: «Ajo që na mban këtu është dashuria.»

Uilli, i cili është mbikëqyrës qarkor në Namibi, vëren: «Ata që kanë qëndruar në një vend të huaj, nuk erdhën me mendimin që vëllezërit vendës të kujdeseshin për ta. Ata erdhën me qëllim që të shërbenin bashkë me vëllezërit vendës, t’i ndihmonin në veprën e predikimit.»

Pasi të shqyrtosh motivet, pyet veten: «Çfarë përvoje kam që mund ta përdor në një vend të huaj? A jam i efektshëm në shërbim? Çfarë gjuhësh flas? A jam i gatshëm të mësoj një të re?» Diskutoje seriozisht me familjen. Bisedo me pleqtë e kongregacionit tënd. Dhe sigurisht, lutju Jehovait. Një vetëshqyrtim i tillë i sinqertë duhet të të ndihmojë të kuptosh nëse je vërtet në gjendje dhe i vendosur për të shërbyer në një vend të huaj.—Shih kutinë  «Pyetje për vetëshqyrtim».

Ku të shkosh për të shërbyer?

Pavli u ftua me anë të një vegimi të shkonte në Maqedoni. Sot, Jehovai nuk përdor mënyra të mbinatyrshme për të na drejtuar. Megjithatë, nëpërmjet kësaj reviste dhe botimeve të tjera, populli i Perëndisë mëson se cilat janë vendet ku ka më shumë nevojë. Prandaj, si fillim, bëj një listë të këtyre vendeve. Nëse nuk je gati të mësosh një gjuhë të re ose qëndrimi yt në një vend të huaj nuk do të jetë i përhershëm, mendo të shërbesh atje ku e di gjuhën mbizotëruese të vendit. Pastaj bëj kërkime për çështje të tilla, si: kërkesa për vizë, transporti, siguria, kostoja e përgjithshme e jetesës dhe klima. Ajo që mund të të ndihmojë shumë është të flasësh me ata që tashmë e kanë bërë një gjë të tillë. Lutu për çdo gjë që ka lidhje me këtë. Mos harro se Pavlit dhe shokëve të tij ‘fryma e shenjtë ua ndaloi ta thoshin fjalën në krahinën e Azisë’. Megjithëse ata bënë përpjekje të shkonin në Bitini, «Jezui nëpërmjet frymës nuk i lejoi» të shkonin. Po kështu, mund të duhet ca kohë për të vendosur se ku mund të jesh vërtet i dobishëm.—Vep. 16:6-10.

Deri tani mund të kesh gjetur disa mundësi ku ka vërtet nevojë. Nëse mendon të shërbesh në një vend të huaj, shkruaju zyrave të degëve të Dëshmitarëve të Jehovait në vendet që ke menduar. Shpjego në mënyrë të përmbledhur përvojën që ke fituar në lloje të ndryshme të shërbimit teokratik, si edhe çdo pyetje specifike që mund të kesh, për shembull për koston e jetesës, strehimin që mund të gjesh, shërbimet mjekësore që ofrohen dhe mundësitë për të gjetur punë. Pastaj jepja letrën ose letrat komitetit të shërbimit në kongregacionin tënd. Ata do të shtojnë edhe letrën e tyre të rekomandimit dhe do t’ua dërgojnë direkt zyrave të degëve që ti ke zgjedhur. Përgjigjet ndoshta do të të ndihmojnë të vendosësh se ku mund të jesh më i dobishëm.

Uilli, që përmendëm më parë, vëren: «Ata që ia dalin mbanë, zakonisht e kanë vizituar më parë vendin dhe kanë vëzhguar vende ku vërtet mund të jenë të lumtur. Një çift kuptoi se do ta kishin të vështirë të jetonin në një zonë të thellë. Kështu që u vendosën në një qytet të vogël ku kishte nevojë, por ku mund të kishin një standard jetese që do t’u lejonte të ishin të lumtur.»

Përballimi i sfidave të reja

Transferimi dhe përshtatja në një mjedis tërësisht të ri pa dyshim ka sfidat e veta. «Ndjenjat e vetmisë mund të jenë të tmerrshme»,—thotë Liza, që përmendëm në fillim të artikullit. Çfarë e ndihmon? Ajo është lidhur ngushtë me kongregacionin vendës ku ka shtëpinë e saj të re. Vuri si synim të mësonte emrin e të gjithëve. Për këtë, shkonte herët në mbledhje dhe rrinte edhe pas saj që të bisedonte me vëllezërit dhe motrat. Liza dilte në shërbim me të tjerë, ftonte shumë në shtëpinë e saj dhe zinte miqësi të reja. Ajo thotë: «Nuk jam penduar fare për sakrificat. Jehovai më ka bekuar vërtet.»

Pasi fëmijët u rritën, Poli dhe Megi lanë shtëpinë ku kishin jetuar për 30 vjet. Ai tregon: «Të hiqnim dorë nga gjërat që kishim, ishte çuditërisht mjaft e lehtë. Por largimi nga familja ishte gjëja më e vështirë, më keq nga ç’e kishim pritur. Kur ishim në avion, nuk pushonim së qari. Është shumë e lehtë të mendosh: ‘Nuk e bëj dot.’ Por u mbështetëm te Jehovai. Miqësitë e reja të bëjnë më të vendosur për të vazhduar.»

Gregu dhe Kristali zgjodhën të transferoheshin nga Kanadaja në Namibi ngaqë flisnin anglisht, gjuhën zyrtare të atij vendi. Por më vonë, ata panë se sa mirë do të ishte të mësonin një nga gjuhët e vendit. «Ndonjëherë shkurajoheshim. Megjithatë, vetëm pasi mësuam gjuhën e vendit arritëm të kuptonim kulturën e tyre. Shoqërimi i ngushtë me vëllezërit vendës, na ndihmoi të përshtateshim me mjedisin e ri.»

Ky qëndrim i përulur dhe fryma e gatishmërisë mund të kenë një ndikim të mirë edhe te vëllezërit vendës. Xheni kujton me dashuri familjet që u transferuan në Irlandë, ku ajo është rritur. «Mikpritësit ishin ata,—thotë ajo.—Erdhën vërtet për të shërbyer, jo që t’u shërbenin. Ata ishin kaq të zellshëm dhe të lumtur, sa edhe unë pata dëshirë ta provoja.» Xheni tani shërben me burrin e saj si misionare në Gambia.

Bekimi i Jehovait «të bën të pasur»

Sa u pasurua Pavli nga përvoja e tij në Maqedoni! Rreth dhjetë vjet më vonë, ai u shkroi vëllezërve në Filipi: «E falënderoj gjithmonë Perëndinë tim, sa herë që ju kujtoj.»—Filip. 1:3.

Po kështu ndihen edhe Trevori dhe Emilia, që shërbyen në Malavi para se të merrni ftesën për në Shkollën Biblike Watchtower të Galaadit. «Ndonjëherë pyesnim veten nëse po bënim gjënë e duhur, por ishim të lumtur. U lidhëm më shumë me njëri-tjetrin dhe shihnim bekimet e Jehovait.» Gregu dhe Kristali, që përmendëm më parë, shprehen: «S’ka asgjë tjetër që do të na pëlqente më shumë të bënim.»

Kuptohet, jo kushdo do të ketë mundësi të shërbejë në një vend të huaj ose të transferohet brenda vendit të tij në një zonë ku ka më shumë nevojë. Të tjerë mund të synojnë të shërbejnë në një kongregacion tjetër afër shtëpisë së tyre. Gjëja më e rëndësishme është: të bësh gjithçka mundesh për t’i shërbyer Jehovait. (Kolos. 3:23) Kështu, këto fjalë të frymëzuara do të dalin të vërteta për ju: «Bekimi i Jehovait të bën të pasur dhe ai nuk shton asnjë dhembje.»—Prov. 10:22.

[Kutia dhe figura në faqen 5]

 Pyetje për vetëshqyrtim

Për të kuptuar ti vetë nëse mund të shërbesh në një vend të huaj, shqyrto pyetjet e mëposhtme dhe me sinqeritet e me lutje vlerëso me realizëm nëse ky lloj transferimi bën për ty. Për këtë mund të të ndihmojnë informacionet nga numrat e mëparshëm të Kullës së Rojës.

• A jam në gjendje të mirë frymore?—«Hapa drejt lumturisë» (15 tetor 1997, faqja 6)

• A jam një shërbëtor i efektshëm?—«Si të kesh sukses në shërbimin si pionier» (15 maj 1989, faqja 21, anglisht)

• A mund të jetoj larg familjes dhe miqve?—«Duke përballuar sfidën e mallit në shërbim të Perëndisë» (15 gusht 1994, faqja 28)

• A mund të mësoj një gjuhë të huaj?—«Kur shërben në një kongregacion në gjuhë të huaj» (15 mars 2006, faqja 17)

• A mund ta përballoj nga ana financiare këtë transferim?—«A mund të shërbesh në një fushë të huaj?» (15 tetor 1999, faqja 23)

[Figura në faqen 6]

Qëndrimi i përulur dhe fryma e gatishmërisë mund të kenë një ndikim të mirë te vëllezërit vendës

[Figura në faqen 7]

Ata që vijnë për të shërbyer, janë ata që kanë më shumë sukses