Bibla arrin në ishullin e Madagaskarit
Bibla arrin në ishullin e Madagaskarit
MADAGASKARI është ishulli i katërt në botë për nga madhësia dhe ndodhet rreth 400 kilometra larg bregut juglindor të Afrikës. Malagasit janë mësuar prej kohësh me emrin e Jehovait, sepse për më shumë se 170 vjet kanë pasur në dorë përkthime të Biblës ku përdoret emri i Perëndisë. Përkthimi i Biblës në gjuhën malagase është fryt i këmbënguljes dhe i përkushtimit.
Përpjekjet për të përkthyer Biblën në gjuhën malagase filluan në ishullin fqinj, Mauriki. Që në vitin 1813, sër Robert Farkuari, guvernatori britanik i Maurikit, nisi të përkthente ungjijtë në gjuhën malagase. Ai më vonë inkurajoi Radamën I, mbretin e Madagaskarit, të ftonte mësues nga Shoqëria Misionare e Londrës (LMS në anglisht) që të vinin në Ishullin e Madh të Kuq, siç quhet shpesh Madagaskari.
Më 18 gusht 1818, dy misionarë nga Uellsi, Dejvid Xhonsi dhe Tomas Bevëni, shkuan nga Mauriki në qytetin-port të Toamasinës. Atje gjetën një popull mjaft fetar dhe adhurimi i të parëve e traditat gojore ishin në qendër të jetës së përditshme. Malagasit flitnin një gjuhë të pasur me origjinë kryesisht malajzezo-polineziane.
Menjëherë pasi hapën një shkollë të vogël, Xhonsi dhe Bevëni i sollën gratë dhe fëmijët e tyre nga Mauriki në Toamasina. Por, mjerisht, të gjithë i zuri malaria dhe Xhonsit i vdiqën gruaja e vajza në dhjetor të vitit 1818. Dy muaj më vonë, malaria i mori jetën edhe familjes Bevën. I vetmi që mbijetoi nga të dyja familjet ishte Dejvid Xhonsi.
Xhonsi nuk lejoi që kjo tragjedi ta sprapste. Ishte i vendosur ta përkthente Fjalën e Perëndisë për popullin e Madagaskarit. Pasi u kthye në Mauriki për të marrë veten nga sëmundja, Xhonsi filloi të mësonte gjuhën malagase, që ishte mjaft e vështirë. Shumë shpejt, ai filloi punën përgatitore për të përkthyer Ungjillin e Gjonit.
Në tetor të vitit 1820, Xhonsi u kthye në Madagaskar. U vendos me banim në kryeqytet, në Antananarivo, dhe pa humbur kohë hapi një shkollë të re misionare. Kushtet ishin të këqija. Nuk kishin tekste shkollore, dërrasë të zezë ose banka. Por lëndët mësimore ishin të shkëlqyera dhe fëmijët ishin të etur për të mësuar.
Pasi kishte punuar për shtatë muaj vetëm, Xhonsit i erdhi një bashkëpunëtor i ri në vend të Bevënit. Ishte një misionar me emrin Dejvid Grifiths. Këta dy njerëz të palodhur iu përkushtuan përkthimit të Biblës në gjuhën malagase.
Fillon përkthimi
Në fillim të viteve 1820, e vetmja formë e shkruar e gjuhës malagase quhej surabe—fjalë malagase të shkruara me shkronja arabe. Vetëm pak njerëz mund ta lexonin. Prandaj, pasi misionarët biseduan me mbretin Radama I, ai dha leje që të huazohej alfabeti romak e të përdorej në vend të shkrimit surabe.
Përkthimi filloi më 10 shtator 1823. Xhonsi punoi me Zanafillën dhe Mateun, kurse Grifithsi me Daljen dhe Lukën. Të dy kishin një rezistencë të mahnitshme. Përveçse e bënin vetë shumicën e përkthimit, ata vazhdonin të jepnin mësim në shkollë paradite e pasdite. Gjithashtu, përgatitnin dhe drejtonin shërbesat kishtare në tri gjuhë të ndryshme. Megjithatë, përkthimi kishte përparësi mbi gjithçka.
Me ndihmën e 12 studentëve, dy misionarët përkthyen gjithë Shkrimet Greke dhe shumë libra të Shkrimeve Hebraike vetëm për 18 muaj. Vitin pasues, mbaroi përkthimi paraprak i të gjithë Biblës. Sigurisht, kishte nevojë për korrigjime dhe rregullime. Për këtë arsye, u dërguan nga Anglia dy gjuhëtarë, Dejvid Xhonsi dhe Xhozef Frimani.
Kapërcehen pengesat
Kur mbaroi përkthimi në gjuhën malagase, LMS-ja dërgoi Çarls Hovendenin të ngrinte shtypshkronjën e parë në Madagaskar. Hovendeni arriti më 21 nëntor 1826. Por, atë e zuri malaria e vdiq që muajin e parë dhe nuk kishte asnjë që mund ta vinte në punë shtypshkronjën. Vitin pasues, një tregtar i zoti nga Skocia, Xhejms Kameroni, arriti ta montonte shtypshkronjën me ndihmën e një manuali që gjeti në makineri. Pas shumë vështirësish e gabimesh, Kameroni arriti të shtypte një pjesë të kapitullit të parë të Zanafillës më 4 dhjetor 1827. *
Një pengesë tjetër erdhi në 27 korrik 1828 kur vdiq Radama I. Mbreti e kishte mbështetur mjaft projektin e përkthimit. Dejvid Xhonsi tha në atë kohë: «Mbreti Radama është jashtë mase i sjellshëm dhe miqësor. Ai është mbrojtës i madh i arsimimit dhe e vlerëson arsimimin e popullit të tij në artet e qytetërimit më shumë se arin e argjendin.» Por mbreti u pasua nga gruaja e tij, Ranavalona I, dhe shumë shpejt u bë e dukshme se ajo nuk do ta mbështeste këtë projekt ashtu si burri i saj.
Pak kohë pas kurorëzimit të saj si mbretëreshë, një vizitor nga Anglia kërkoi një takim me të që të bisedonte për përkthimin e Biblës. Por ajo nuk pranoi. Në një rast tjetër, kur misionarët i thanë mbretëreshës se ata kishin ende shumë për t’u mësuar njerëzve, përfshirë greqishten dhe hebraishten, ajo tha: «S’më interesojnë shumë greqishtja dhe hebraishtja, por dua të di nëse mund t’i mësoni popullit tim diçka më të dobishme, si për shembull prodhimin e sapunit.» Ngaqë e nuhatën se mund t’i detyronin të iknin para se të mbaronin Biblën në gjuhën malagase, Kameroni kërkoi një javë kohë që të mendohej për atë që i tha mbretëresha.
Një javë më pas, Kameroni u tregoi korrierëve të mbretëreshës dy kallëpe të vogla sapuni të bëra me lëndë që gjendeshin në vend. Ky dhe shërbime të tjera publike që bënin artizanët misionarë, e zbutën mbretëreshën për aq kohë sa u desh për të përfunduar botimin e gati të gjithë librave të Shkrimeve Hebraike.
Një surprizë, pastaj një zhgënjim
Pavarësisht nga kundërshtimi që u bëri në fillim misionarëve, në maj të vitit 1831 mbretëresha nxori një dekret surprizë. Ajo do t’i lejonte nënshtetasit e saj të pagëzoheshin si të krishterë. Por ky vendim ishte jetëshkurtër. Sipas librit Një histori e Madagaskarit (anglisht), «numri i të pagëzuarve alarmoi elementët konservatorë të oborrit mbretëror, të cilët e bindën mbretëreshën se shërbesa e kungimit ishte një betim besnikërie ndaj britanikëve». Kështu, dekreti për këto pagëzime u anulua në fund të 1831-shit, vetëm gjashtë muaj pasi u nxor.
Lëkundja e mbretëreshës, bashkë me ndikimin e dukshëm e gjithnjë në rritje të tradicionalistëve
brenda qeverisë, i nxiti misionarët ta mbaronin shtypjen e Biblës. Shkrimet e Krishtere Greke tashmë kishin mbaruar dhe mijëra kopje ishin shpërndarë. Megjithatë, më 1 mars 1835, doli një pengesë tjetër kur mbretëresha Ranavalona I e deklaroi krishterimin të paligjshëm dhe urdhëroi që të gjithë librat e krishterë t’u dorëzoheshin autoriteteve.Dekreti i mbretëreshës nënkuptonte edhe që çirakët malagas nuk mund të punonin më me shtypjen e librave. Kështu që vetëm me një grusht misionarësh në dispozicion për të përfunduar projektin, puna vazhdoi natë e ditë derisa më në fund, në qershor të vitit 1835, doli e gjithë Bibla. Po, kështu erdhi në jetë Bibla në gjuhën malagase.
Gjatë kohës së ndalimit, Biblat u shpërndanë me shpejtësi dhe 70 kopje të Shkrimeve u groposën që t’i shpëtonin shkatërrimit. Kjo nuk ishte diçka e nxituar, pasi brenda vitit, në ishull mbetën vetëm dy misionarë. Por Fjala e Perëndisë po përhapej në ishullin e Madagaskarit.
Dashuria e malagasve për Biblën
Ç’gëzim ishte për popullin e Madagaskarit të lexonte Fjalën e Perëndisë në gjuhën e vendit! Përkthimi ka pasaktësi dhe gjuha e përdorur, tani konsiderohet mjaft e vjetër. Megjithatë, rrallë gjen shtëpi pa Bibël dhe shumë malagas e lexojnë rregullisht. E veçanta e këtij përkthimi është përdorimi i shpeshtë i emrit të Perëndisë Jehova në të gjithë Shkrimet Hebraike. Në kopjet origjinale, emri hyjnor gjendet edhe në Shkrimet Greke. Si rrjedhojë, shumica e malagasve janë mësuar me emrin e Perëndisë.
Në të vërtetë, kur u shtypën kopjet e para të Shkrimeve Greke, operatori i shtypshkronjës, zoti Bejkër, pa gëzimin e malagasve dhe tha me zë të lartë: «Nuk dua të bëj profetin, por s’besoj se fjala e Perëndisë do të çrrënjoset ndonjëherë nga ky vend.» Fjalët e tij kanë dalë të vërteta. As malaria, as sfida për të mësuar një gjuhë aq të vështirë e as dekretet e pafavorshme të një sundimtareje, nuk mundën ta pengonin Fjalën e Perëndisë që të arrinte te banorët e Madagaskarit.
Tani situata është përmirësuar edhe më shumë. Si është e mundur? Në vitin 2008, doli Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re në gjuhën malagase. Ky përkthim përbën një hap të madh përpara, sepse është përkthyer me një gjuhë të kohës që kuptohet kollaj. Kështu Fjala e Perëndisë ka hedhur rrënjë më të forta në ishullin e Madagaskarit.—Isa. 40:8.
[Shënimi]
^ par. 14 Dhjetë Urdhërimet dhe lutja «Ati ynë», të botuara në Mauriki ndoshta në muajt prill ose maj 1826, ishin pjesët e para nga Bibla që u shtypën në gjuhën malagase. Megjithatë, ato kopje që u bënë, iu shpërndanë familjes së mbretit Radama dhe disa zyrtarëve të qeverisë.
[Figura në faqen 31]
«Përkthimi Bota e Re» në gjuhën malagase nderon emrin e Perëndisë, Jehova