Mesia—Mjeti i Perëndisë për shpëtim!
Mesia—Mjeti i Perëndisë për shpëtim!
«Ashtu si në Adamin të gjithë po vdesin, po kështu në Krishtin të gjithë do të ngjallen.»—1 KOR. 15:22.
1, 2. (a) Si reaguan Andrea dhe Filipi kur takuan Jezuin? (b) Pse themi se kemi më tepër prova që Jezui ishte Mesia, sesa kishin të krishterët në shekullin e parë?
«KEMI gjetur Mesinë»,—i tha Andrea të vëllait, Pjetrit, i bindur se Jezui i Nazaretit ishte i Mirosuri i Perëndisë. Edhe Filipi ishte i bindur dhe kërkoi mikun e tij Natanaelin e i tha: «Kemi gjetur atë për të cilin shkroi Moisiu në Ligj dhe Profetët, Jezuin, të birin e Jozefit nga Nazareti.»—Gjoni 1:40, 41, 45.
2 A je plotësisht i bindur se Jezui është Mesia i premtuar, ‘Kryepërfaqësuesi i shpëtimit’, i siguruar nga Jehovai? (Hebr. 2:10) Sot, kemi shumë më tepër prova që Jezui ishte Mesia, sesa kishin dishepujt në shekullin e parë. Që nga lindja e deri te ringjallja e Jezuit, Fjala e Perëndisë jep prova bindëse se ai ishte Krishti. (Lexo Gjonin 20:30, 31.) Bibla tregon edhe se Jezui do të vazhdonte të përmbushte nga qielli rolin e tij si Mesia. (Gjoni 6:40; lexo 1 Korintasve 15:22.) Në bazë të asaj që ke mësuar nga Bibla, edhe ti sot mund të thuash se ‘ke gjetur Mesinë’. Por në fillim le të shqyrtojmë se si ata dishepuj të hershëm me të drejtë arritën në përfundimin se kishin gjetur Mesinë.
‘Sekreti i shenjtë’ i Mesisë tregohet gradualisht
3, 4. (a) Si arritën dishepujt në shekullin e parë ‘të gjenin Mesinë’? (b) Pse mendoni se vetëm Jezui mundi të përmbushte tërë profecitë mesianike?
3 Si arritën dishepujt e Jezuit në shekullin e parë të thoshin me siguri se ai ishte Mesia? Nëpërmjet profetëve, Jehovai kishte treguar gradualisht shenjat që do të identifikonin Mesinë. Një studiues biblik e krahasoi këtë me rikrijimin e një statuje mermeri duke bashkuar copat e prera të saj. Përfytyro sikur shumë njerëz që nuk kanë komunikuar fare me njëri-tjetrin, të sjellin në një dhomë secili nga një copë mermeri. Nëse këto copa puthiten me njëra-tjetrën duke formuar një statujë të përsosur, logjikisht do të nxjerrësh përfundimin se duhet të ketë qenë dikush që i preu copat dhe ua dërgoi të gjithë këtyre njerëzve. Ashtu si çdo copë e statujës, çdo profeci mesianike do të siguronte një pjesë thelbësore me informacione për Mesinë.
4 Atëherë, sa do të ishin mundësitë që të gjitha profecitë për Mesinë të përmbusheshin rastësisht te një person i vetëm? Një studiues tha se, mundësitë që një person të përmbushte tërë profecitë mesianike rastësisht do të ishin kaq të pakta, saqë kjo duhet konsideruar e pamundur. Prandaj, me të drejtë ky studiues arriti në përfundimin se «Jezui—dhe vetëm Jezui në gjithë historinë—mundi t’i përmbushte ato».
5, 6. (a) Si do të ekzekutohej gjykimi kundër Satanait? (b) Si e tregoi gradualisht Perëndia linjën që do të çonte te ‘fara’ e premtuar?
5 Profecitë mesianike përqendrohen në «sekretin e shenjtë» që përfshin shumë aspekte me rëndësi për gjithë universin. (Kolos. 1:26, 27; Zan. 3:15) Në atë sekret përfshihej gjykimi kundër Satana Djallit, ‘gjarprit të hershëm’, i cili e zhyti njerëzimin në mëkat e në vdekje. (Zbul. 12:9) Si do të ekzekutohej ky gjykim? Jehovai paratha se ‘një farë’ nga ‘një grua’ do t’i shtypte kokën Satanait. Kështu ‘fara’ e parathënë do të zhdukte shkakun e rebelimit, të sëmundjeve dhe të vdekjes. Megjithatë, i lejuar nga Perëndia, në fillim Satanai do ta plagoste në mënyrë simbolike në thembër ‘farën’ e gruas.
6 Gradualisht, Jehovai tregoi se kush do të ishte ‘fara’ e premtuar. Perëndia iu betua Abrahamit: «Me anë të farës sate do të arrijnë të marrin bekime të gjitha kombet e tokës.» (Zan. 22:18) Moisiu paratha se ky Person do të ishte «një profet» dhe se do të ishte më i madh se Moisiu. (Ligj. 18:18, 19) Davidit iu dha siguria, dhe profetët e mëvonshëm e ripohuan, se Mesia do të ishte pasardhës i tij dhe do të trashëgonte fronin davidik përgjithmonë.—2 Sam. 7:12, 16; Jer. 23:5, 6.
Prova se Jezui ishte Mesia
7. Si erdhi Jezui nga ‘gruaja’ e Perëndisë?
7 Perëndia dërgoi Birin, krijesën e tij të parë, nga organizata e Tij qiellore me krijesa frymore e krahasuar me një grua, që të bëhej ‘fara’ e premtuar. Kjo kërkonte që Biri i vetëmlindur i Perëndisë ‘të zbrazte veten’ nga jeta qiellore dhe të lindte si njeri i përsosur. (Filip. 2:5-7; Gjoni 1:14) Kur Marinë ‘e mbuloi’ fryma e shenjtë, kjo shërbeu si garanci se ai që do të lindte, ‘do të quhej i shenjtë, Bir i Perëndisë’.—Luka 1:35.
8. Si po i përmbushte Jezui profecitë mesianike kur u paraqit për t’u pagëzuar në ujë?
8 Profecitë mesianike tregonin se ku dhe kur do të shfaqej Jezui. Ai lindi në Betlehem, siç ishte parathënë. (Mik. 5:2) Në shekullin e parë, judenjtë kishin shpresa të mëdha. Ngaqë pritnin shfaqjen e Mesisë, disa pyetën për Gjon Pagëzorin: «A thua është ai Krishti?» Por Gjoni u përgjigj: «Po vjen ai që është më i fortë se unë.» (Luka 3:15, 16) Kur shkoi te Gjoni në pranverën e vitit 29 të e.s. për t’u pagëzuar në moshën 30-vjeçare, Jezui u paraqit si Mesia pikërisht në kohën e duhur. (Dan. 9:25) Atëherë, ai nisi shërbimin e tij plot aktivitet duke thënë: «Koha e caktuar është përmbushur dhe mbretëria e Perëndisë është afruar.»—Mar. 1:14, 15.
9. Për çfarë ishin plotësisht të bindur dishepujt e Jezuit, edhe pse nuk kishin hollësi të plota?
9 Por njerëzit duhej të ndreqnin pikëpamjen për atë që shpresonin. Me të drejtë, Jezuin e brohoritën si Mbret, por vetëm më vonë u kuptua plotësisht se ai do të sundonte në të ardhmen dhe nga qielli. (Gjoni 12:12-16; 16:12, 13; Vep. 2:32-36) Megjithatë, kur Jezui pyeti «po ju ç’thoni: kush jam unë?», pa ngurruar Pjetri u përgjigj: «Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë.» (Mat. 16:13-16) Pjetri dha një përgjigje të ngjashme kur shumë nga ata që e ndiqnin, u larguan pasi u penguan nga një mësim.—Lexo Gjonin 6:68, 69.
Të dëgjojmë Mesinë
10. Pse Jehovai theksoi se duhet ta dëgjojmë Birin e tij?
10 Në qiell, Biri i vetëmlindur i Perëndisë ishte një person frymor i fuqishëm. Në tokë, Jezui ishte «përfaqësues i Atit». (Gjoni 16:27, 28) Ai tha: «Ajo që mësoj, nuk është imja, por i përket atij që më dërgoi.» (Gjoni 7:16) Duke vërtetuar gjatë shpërfytyrimit se Jezui ishte Mesia, Jehovai urdhëroi: «Dëgjojeni.» (Luka 9:35) Po, duhet ta dëgjojmë, domethënë t’i bindemi të Zgjedhurit të Perëndisë. Kjo kërkon besim dhe vepra të mira—që të dyja tejet thelbësore për t’i pëlqyer Perëndisë e për të fituar jetën e përhershme.—Gjoni 3:16, 35, 36.
11, 12. (a) Për cilat arsye judenjtë në shekullin e parë e hodhën poshtë Jezuin si Mesia? (b) Cilët besuan te Jezui?
11 Megjithëse Jezui kishte prova të shumta që tregonin se ishte Mesia, shumica e judenjve të shekullit të parë nuk e mirëpritën. Pse? Sepse kishin krijuar idetë e tyre për Mesinë, ku ndër të tjera mendonin se ai do të ishte një udhëheqës që do t’i çlironte nga zgjedha romake. (Lexo Gjonin 12:34.) Për këtë arsye, nuk mund të pranonin Mesinë që përmbushi profecitë që thoshin se njerëzit do ta përbuznin, do ta mënjanonin, se ai ishte bërë që të mbante dhembjet e të dinte se ç’ishin sëmundjet dhe se në fund do ta vritnin. (Isa. 53:3, 5) Madje edhe disa dishepuj besnikë të Jezuit u zhgënjyen që nuk i çliroi nga zgjedha e pushtuesve. Por ata qëndruan besnikë dhe me kalimin e kohës iu dha kuptueshmëri e saktë.—Luka 24:21.
12 Një arsye tjetër pse njerëzit e hodhën poshtë Jezuin si Mesia i premtuar ishin mësimet e tij, të cilat shumë vetave iu dukën të vështira për t’u pranuar. Hyrja në Mbretëri do të kërkonte ‘të mohonin veten’, ‘të hanin’ mishin e të pinin gjakun e Jezuit, ‘të lindnin përsëri’ dhe ‘të mos ishin pjesë e botës’. (Mar. 8:34; Gjoni 3:3; 6:53; 17:14, 16) Njerëzit krenarë, të pasurit dhe hipokritët i shihnin këto kërkesa si tepër të vështira për t’u plotësuar. Por judenjtë e përulur e pranuan Jezuin si Mesia, ashtu siç bënë disa samaritanë që thanë: «Ky njeri është pa dyshim shpëtimtari i botës.»—Gjoni 4:25, 26, 41, 42; 7:31.
13. Si u plagos Jezui në mënyrë simbolike në thembër?
13 Jezui paratha se krerët e priftërinjve do ta dënonin dhe johebrenjtë do ta vinin në shtyllë, por ditën e tretë ai do të ngrihej nga të vdekurit. (Mat. 20:17-19) Deklarata e tij para Sinedrit se ishte «Krishti, Biri i Perëndisë» u gjykua si blasfemi. (Mat. 26:63-66) Pilati nuk gjeti tek ai ‘asgjë që meritonte vdekjen’, por ngaqë judenjtë e akuzonin edhe për kryengritje, Pilati «e çoi [Jezuin] ta ekzekutonin, sipas vullnetit të tyre». (Luka 23:13-15, 25) Në këtë mënyrë, ata ‘e mohuan Kryepërfaqësuesin e jetës’ dhe kurdisën plane që ta vritnin, pavarësisht nga provat e shumta se ishte dërguar nga Perëndia. (Vep. 3:13-15) Mesinë ‘e vranë’ siç ishte parathënë, duke e vënë në shtyllë ditën e Pashkës së vitit 33 të e.s. (Dan. 9:26, 27; Vep. 2:22, 23) Nëpërmjet kësaj vdekjeje mizore, ai u plagos «në thembër» siç ishte parathënë te Zanafilla 3:15.
Pse duhej të vdiste Mesia?
14, 15. (a) Cilat ishin dy arsyet pse Jehovai lejoi që Jezui të vdiste? (b) Çfarë bëri Jezui pasi u ringjall?
14 Jehovai lejoi që Jezui të vdiste për dy arsye jetësore. Së pari, besnikëria e Jezuit deri në vdekje sqaroi një aspekt të rëndësishëm të ‘sekretit të shenjtë’. Ai tregoi gjer në vdekje se një njeri i përsosur mund të ruajë ‘përkushtimin hyjnor’ dhe të përkrahë sovranitetin e Perëndisë, pavarësisht nga sprova më e rëndë që mund t’i shkaktojë Satanai. (1 Tim. 3:16) Së dyti, siç tha Jezui, ‘Biri i njeriut erdhi që të japë shpirtin e vet si shpërblesë për shumë njerëz’. (Mat. 20:28) Kjo «shpërblesë përkatëse» shleu dënimin për mëkatin që trashëguan pasardhësit e Adamit dhe bëri të mundur që t’u jepet jeta e përhershme të gjithë atyre që pranojnë Jezuin si mjeti i Perëndisë për shpëtim.—1 Tim. 2:5, 6.
15 Pas tri ditësh në varr, Krishti u ringjall dhe për 40 ditë iu shfaq dishepujve, duke treguar se ishte gjallë dhe duke u dhënë udhëzime të mëtejshme. (Vep. 1:3-5) Më pas, ai u ngjit në qiell që t’i paraqiste Jehovait vlerën e flijimit të tij të çmuar dhe të priste kohën e caktuar kur do të fillonte prania e tij si Mbreti mesianik. Ndërkohë, ai kishte shumë për të bërë.
Plotëson rolin e tij si Mesia
16, 17. Përshkruani rolin e Jezuit si Mesia pas ngjitjes në qiell.
16 Gjatë shekujve pas ringjalljes, Jezui ka mbikëqyrur me besnikëri aktivitetet e kongregacionit të krishterë mbi të cilin ka sunduar si Mbret. (Kolos. 1:13) Në kohën e caktuar, ai do të fillonte të ushtronte pushtetin e tij si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë. Profecitë biblike dhe ngjarjet botërore vërtetojnë se prania e tij si Mbret filloi në vitin 1914, në kohën kur filloi edhe ‘përfundimi i sistemit’. (Mat. 24:3; Zbul. 11:15) Pak kohë më pas, ai u priu engjëjve të shenjtë për të dëbuar nga qielli Satanain dhe demonët e tij.—Zbul. 12:7-10.
17 Vepra e predikimit dhe e mësimdhënies që nisi Jezui në vitin 29 të e.s., po i afrohet kulmit të saj madhështor. Së shpejti ai do të gjykojë gjithë të gjallët. Pastaj do t’u thotë njerëzve ngjashëm deleve, të cilët e pranojnë si mjetin e Jehovait për shpëtim, që ‘të trashëgojnë mbretërinë e përgatitur për ta që nga themelimi i botës’. (Mat. 25:31-34, 41) Ata që e hedhin poshtë Jezuin si Mbret do të shkatërrohen kur ai t’u prijë ushtrive qiellore për të zhdukur çdo ligësi. Atëherë, Jezui do ta lidhë Satanain dhe do ta hedhë atë e demonët e tij në «humnerë».—Zbul. 19:11-14; 20:1-3.
18, 19. Çfarë do të kryejë Jezui duke përmbushur rolin e tij si Mesia dhe me cilat rezultate për njerëzimin e bindur?
18 Gjatë Mbretërimit të tij Mijëvjeçar, Jezui do të jetë në lartësinë e titujve që ka, si: «Këshilltar i Mrekullueshëm, Perëndi i Fuqishëm, Atë i Përjetshëm, Princ i Paqes.» (Isa. 9:6, 7) Falë sundimit të Mbretërisë së tij, njerëzit do të bëhen të përsosur, përfshirë edhe ata që do të ringjallen. (Gjoni 5:26-29) Mesia do t’i drejtojë njerëzit e gatshëm për t’u nënshtruar, për te «burimet e ujërave të jetës», duke u dhënë mundësi këtyre njerëzve të bindur të gëzojnë marrëdhënie paqësore me Jehovain. (Lexo Zbulesën 7:16, 17.) Pas sprovës përfundimtare, të gjithë rebelët, përfshirë Satanain dhe demonët, ‘do të hidhen në liqenin e zjarrit e të squfurit’, që do të jetë shtypja vdekjeprurëse e kokës së «gjarprit».—Zbul. 20:10.
19 Sa e mrekullueshme dhe e patëmetë është mënyra se si Jezui e përmbush rolin e tij si Mesia! Një tokë parajsore do të mbushet me njerëzit e shpenguar, të cilët do të jetojnë përgjithmonë me shëndet dhe lumturi të përsosur. Emri i shenjtë i Jehovait do të pastrohet nga çdo sharje dhe e drejta e Tij për të qenë sovrani universal, do të shfajësohet plotësisht. Ç’trashëgimi të mrekullueshme do të kenë të gjithë ata që i binden të Mirosurit të Perëndisë!
A e ke gjetur Mesinë?
20, 21. Çfarë arsyesh ke që t’u flasësh të tjerëve për Mesinë?
20 Që nga viti 1914 jemi në periudhën që njihet si parousía ose prania e Krishtit. Ndonëse prania e tij si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë është e padukshme, ajo kuptohet qartë nga përmbushja e profecive. (Zbul. 6:2-8) Megjithatë, ashtu si judenjtë e shekullit të parë, shumica e njerëzve sot i shpërfillin dëshmitë e pranisë së Mesisë. Edhe ata duan një udhëheqës njerëzor të aftë ose të paktën një mesí që të veprojë duke përdorur sundimtarët njerëzorë. Por, ti mësove se Jezui tani po sundon si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë. A nuk u entuziazmove kur e kuptove? Ashtu si dishepujt në shekullin e parë, u nxite të shpallësh: «Kemi gjetur Mesinë.»
21 Sot, kur flet për të vërtetën, a e thekson rolin e Jezuit si Mesia? Kjo do të ta rritë çmueshmërinë për atë që ka bërë ai për ty, për atë që po bën tani dhe për atë që do të bëjë në të ardhmen. Ashtu si Andrea dhe Filipi, pa dyshim ke folur me të afërmit dhe miqtë për Mesinë. Pse të mos u flasësh me një zell të përtërirë dhe t’u tregosh se Jezu Krishti është vërtet Mesia i premtuar, mjeti i Perëndisë për shpëtim?
A mund të shpjegosh?
• Si arritën dishepujt e Jezuit në shekullin e parë të gjenin Mesinë?
• Cilat janë dy arsyet e rëndësishme pse vdiq Jezui?
• Çfarë do të bëjë në të ardhmen Jezui për të përmbushur rolin e tij si Mesia?
[Pyetjet]
[Figurat në faqen 21]
Si arritën njerëzit në shekullin e parë të kuptonin se Jezui ishte Mesia i premtuar?
[Figura në faqen 23]
Kur u flet të tjerëve, a e thekson rolin e Jezuit si Mesia?