Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ruani gëzimin në kohë të vështira

Ruani gëzimin në kohë të vështira

Ruani gëzimin në kohë të vështira

«Ata që gjejnë strehë te [Jehovai], do të gëzojnë, britma të gëzuara do të lëshojnë gjithmonë.»—PSAL. 5:11.

1, 2. (a) Cilat janë disa gjëra që sjellin shumë dëshpërim sot? (b) Çfarë tjetër duhet të mbajnë të krishterët e vërtetë, përveç të këqijave që u bien të gjithë njerëzve?

DËSHMITARËT E JEHOVAIT s’janë të imunizuar nga të këqijat që i bien gjithë njerëzimit. Shumë shërbëtorë të Perëndisë kanë qenë viktima të krimit, luftës dhe padrejtësive të tjera. Katastrofat natyrore, varfëria, sëmundjet dhe vdekja sjellin shumë dëshpërim. Me të drejtë, apostulli Pavël shkroi: «Ne e dimë që deri tani e gjithë krijesa vazhdon të rënkojë së bashku dhe të përjetojë dhembje së bashku.» (Rom. 8:22) Veç këtyre, vuajmë edhe pasojat e papërsosmërisë sonë. Ndoshta themi si mbreti i lashtë David: «Fajet e mia më kaluan mbi krye si dallgë, më rëndojnë shumë, si një barrë tepër e rëndë.»—Psal. 38:4.

2 Veç të këqijave që u bien të gjithë njerëzve, të krishterët e vërtetë mbajnë edhe shtyllën e figurshme të torturës. (Luka 14:27) Po, ata i urrejnë e i përndjekin njësoj si Jezuin. (Mat. 10:22, 23; Gjoni 15:20; 16:2) Prandaj, të ndjekim Krishtin kërkon përpjekje të fuqishme dhe qëndrueshmëri, ndërsa presim bekimet e botës së re.—Mat. 7:13, 14; Luka 13:24.

3. Si e dimë se Perëndia nuk dëshiron që të kemi një jetë plot trishtim e vuajtje?

3 A do të thotë kjo se të krishterët e vërtetë bëjnë një jetë pa asnjë lloj gëzimi e kënaqësie? A duhet të jetë jeta jonë e mbushur me trishtim e pikëllim, derisa të vijë fundi? Jo, e dimë mirë se Jehovai dëshiron të jemi të lumtur ndërsa presim përmbushjen e premtimeve të tij. Shpesh, Bibla i përshkruan adhuruesit e vërtetë si njerëz të lumtur. (Lexo Isainë 65:13, 14.) «Ata që gjejnë strehë te [Jehovai], do të gëzojnë, britma të gëzuara do të lëshojnë gjithmonë»,—thotë Psalmi 5:11. Po, edhe në mes të të këqijave, mund të kemi mjaft gëzim, paqe mendore e kënaqësi. Le të shqyrtojmë se si mund të na ndihmojë Bibla t’i përballojmë sprovat e të ruajmë gëzimin.

Jehovai, ‘Perëndia i lumtur’

4. Si ndihet Perëndia kur të tjerët shpërfillin autoritetin e tij?

4 Të marrim shembullin e Jehovait. Si Perëndia i Plotfuqishëm, ai ka nën kontroll gjithë universin. Nuk i mungon asgjë dhe s’ka nevojë për asnjë. Por, pavarësisht nga fuqia e tij e pakrahasueshme, Jehovai duhet të jetë ndier disi i zhgënjyer kur njëri nga bijtë frymorë u rebelua dhe u bë Satana. Më vonë, Perëndia duhet të jetë prekur kur u rebeluan edhe disa engjëj të tjerë. Mendo edhe për dhembjen që ndjeu ai kur Adami dhe Eva, kryeveprat e krijimit të tij tokësor, i kthyen shpinën. Që nga ajo kohë, miliarda pasardhës të tyre e kanë hedhur poshtë autoritetin e Jehovait.—Rom. 3:23.

5. Çfarë e ka lënduar veçanërisht Jehovain?

5 Rebelimi i Satanait vazhdon ende. Për afro 6.000 vjet, Jehovait i është dashur të shohë akte idhujtarie, dhune, vrasjeje e zvetënimi seksual. (Zan. 6:5, 6, 11, 12) Për më tepër, ka dëgjuar gënjeshtra e blasfemi të urryera. Me raste, edhe adhuruesit e tij të vërtetë ia kanë lënduar zemrën. Ja si e përshkruan Bibla njërin nga këto raste: «Sa herë ngritën krye kundër tij, në shkretëtirë, dhe e lënduan kur ishin në vendin e shkretë! Sa e sa herë e vunë Perëndinë në provë, i shkaktuan dhembje të Shenjtit të Izraelit.» (Psal. 78:40, 41) Natyrisht, dhembja që ndien Jehovai kur populli i tij e hedh poshtë, është e madhe. (Jer. 3:1-10) Pra, gjëra të këqija ndodhin, dhe Jehovai ndihet shumë i lënduar kur ndodhin.—Lexo Isainë 63:9, 10.

6. Si i përballon Perëndia situatat e vështira?

6 E megjithatë, dhembja e zhgënjimi nuk e paralizojnë Jehovain. Kur kanë lindur situata të ndërlikuara, ai menjëherë ka marrë masa për të minimizuar pasojat e asaj që ka ndodhur. Ka marrë edhe masa afatgjata, që në fund qëllimi i tij të përmbushet. Falë këtyre gjërave të mira që ka bërë, Jehovai pret me gëzim kohën kur të shfajësohet sovraniteti i tij e t’u vijnë bekime adhuruesve të tij besnikë. (Psal. 104:31) Po, pavarësisht nga gjithë sharjet që i janë bërë, Jehovai mbetet ‘Perëndia i lumtur’.—1 Tim. 1:11; Psal. 16:11.

7, 8. Si ta imitojmë Jehovain kur gjërat nuk shkojnë mirë?

7 Natyrisht, s’mund të krahasohemi me Jehovain për sa i përket aftësisë për të zgjidhur problemet. Gjithsesi, mund ta imitojmë ndërsa përballojmë vështirësitë që na bien. Është më se normale të ndihemi zemërlëshuar kur gjërat nuk shkojnë mirë, por nuk ka pse të mbetemi në atë gjendje. Meqë u krijuam sipas shëmbëlltyrës së Jehovait, kemi aftësi për të menduar dhe mençuri praktike, të cilat na japin mundësi t’i analizojmë problemet e të ndërmarrim veprime pozitive kur mundemi.

8 Një faktor i rëndësishëm që mund të na ndihmojë të përballojmë problemet e jetës, është të pranojmë se disa gjëra thjesht s’i kemi në dorë. Ta vrasim mendjen për këto gjëra vetëm sa do të na e shtojë zhgënjimin e do të na heqë shumë nga gëzimet që sjell adhurimi i vërtetë. Pasi marrim masa të arsyeshme për ta zgjidhur një problem, më e mira është të vazhdojmë përpara e të përqendrohemi në gjëra më frytdhënëse. Tregimet biblike që do të shohim, e ilustrojnë më së miri këtë pikë.

Arsyetueshmëria është jetike

9. Si u tregua e arsyeshme Hana?

9 Shqyrtoni shembullin e Hanës, që më pas u bë nëna e profetit Samuel. Ajo ishte zemërlëshuar, sepse nuk mund të lindte fëmijë. Shemra e saj e tallte dhe e qesëndiste për shterpësinë e saj. Nganjëherë, Hana ishte kaq e shkurajuar, sa qante e nuk hante. (1 Sam. 1:2-7) Në një nga vizitat që bëri në shenjtëroren e Jehovait, «me shpirt të hidhur, [Hana] zuri t’i lutej Jehovait e të qante me dënesë». (1 Sam. 1:10) Pasi ajo ia kishte zbrazur zemrën Jehovait, kryeprifti Eli u afrua dhe i tha: «Shko në paqe dhe Perëndia i Izraelit ta plotësoftë kërkesën që i bëre!» (1 Sam. 1:17) Me këtë, Hana me siguri e kuptoi se kishte bërë gjithçka mundej. Nuk e kishte në dorë shterpësinë. Prandaj, u tregua e arsyeshme. «Iku në udhën e vet, hëngri dhe fytyra e saj nuk dukej më e merakosur.»—1 Sam. 1:18.

10. Ç’pikëpamje realiste shfaqi Pavli kur hasi një problem që nuk mund ta zgjidhte?

10 Edhe apostulli Pavël shfaqi një pikëpamje të ngjashme kur hasi vështirësi. Ai kishte një problem që i shkaktonte shumë dhembje. E quajti «një gjemb në mish». (2 Kor. 12:7) Çfarëdo që të ishte ky problem, Pavli bëri ç’të mundte për ta hequr, duke iu lutur Jehovait për lehtësim. Sa herë iu përgjërua Jehovait për çështjen? Jo një, por tri herë. Herën e tretë, Perëndia i zbuloi se ‘gjembi në mish’ nuk do t’i hiqej me ndonjë mrekulli. Pavli e pranoi këtë dhe u përqendrua në shërbim të Jehovait, që ta kryente plotësisht.—Lexo 2 Korintasve 12:8-10.

11. Ç’rol kanë lutja dhe përgjërimi në përballimin e vështirësive?

11 Këta shembuj nuk tregojnë se s’duhet t’i lutemi më Jehovait për çështjet që na mundojnë. (Psal. 86:7) Përkundrazi, Fjala e Perëndisë na bën thirrje: «Mos jini në ankth për asgjë, por për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime.» Si do t’u përgjigjet Jehovai këtyre kërkesave e përgjërimeve? Bibla shton: «Paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë tuaja mendore me anë të Krishtit Jezu.» (Filip. 4:6, 7) Po, ndoshta Jehovai s’do të na e heqë problemin, por mund t’u përgjigjet lutjeve tona duke na ruajtur fuqitë mendore. Pasi të jemi lutur për një çështje, do ta kemi mendjen më të qetë e mund të kuptojmë sa e rrezikshme është të na kaplojë ankthi.

Gjeni kënaqësi duke bërë vullnetin e Perëndisë

12. Pse periudhat e gjata të shkurajimit mund të jenë të dëmshme?

12 Te Proverbat 24:10 pranohet: «Po të shkurajohesh në ditë të keqe, fuqia jote do të jetë e paktë.» Një proverb tjetër thotë: «Për shkak të dhembjes së zemrës, fryma dërrmohet.» (Prov. 15:13) Disa të krishterë i ka lëshuar zemra aq shumë, sa e kanë ndërprerë leximin personal të Biblës dhe meditimin rreth saj. Lutjet e tyre janë bërë mekanike, e ndoshta janë veçuar nga bashkadhuruesit. Pa dyshim, mund të jetë e dëmshme të mbetesh në një gjendje të dëshpëruar.—Prov. 18:1, 14.

13. Cilat aktivitete mund të na ndihmojnë ta kapërcejmë shkurajimin e të na sjellin njëfarë gëzimi?

13 Në anën tjetër, një pikëpamje pozitive do të na ndihmojë të përqendrohemi tek ato aspekte të jetës në të cilat mund të gjejmë kënaqësi e gëzim. Davidi shkroi: «O Perëndia im, unë kënaqem kur bëj vullnetin tënd.» (Psal. 40:8) Kur gjërat në jetë na shkojnë keq, në asnjë mënyrë nuk duhet të ndërpresim rutinën e shëndetshme frymore. Në fakt, një mënyrë e mirë për të luftuar trishtimin është të merremi me aktivitete që sjellin lumturi. Jehovai na thotë se mund të gjejmë kënaqësi e lumturi duke lexuar rregullisht Fjalën e tij e duke u ndalur në të. (Psal. 1:1, 2; Jak. 1:25) Qoftë në Shkrimet e Shenjta, qoftë në mbledhjet e krishtere, lexojmë e dëgjojmë ‘fjalë të këndshme’ që mund të na ngrenë shpirtërisht e të na e mbushin zemrën me gëzim.—Prov. 12:25; 16:24.

14. Cili premtim i Jehovait na sjell gëzim tani?

14 Perëndia na jep shumë arsye për të qenë të gëzuar. Premtimi i tij për shpëtim është një burim i madh lumturie. (Psal. 13:5) E dimë se pavarësisht se çfarë po na ndodh tani, në fund Perëndia do t’i shpërblejë ata që e kërkojnë me ngulm. (Lexo Eklisiastiun 8:12.) Profeti Habakuk e shprehu bukur këtë bindje kur shkroi: «Ndonëse fiku mund të mos lulëzojë dhe hardhitë të mos japin prodhim; ndonëse punimi i ullirit mund të dështojë dhe brezaret të mos japin fare ushqim; ndonëse kopeja mund të shkëputet nga vatha dhe të mos ketë asnjë tufë brenda gardhit, unë për vete do të ngazëlloj falë Jehovait, do të gëzohem falë Perëndisë së shpëtimit tim.»—Hab. 3:17, 18.

«Lum ai popull që ka për Perëndi Jehovain!»

15, 16. Përmend disa dhurata të Perëndisë që mund t’i gëzojmë ndërsa presim bekimet e ardhme.

15 Jehovai dëshiron që t’i gëzojmë gjërat e mira që na jep, ndërsa presim të ardhmen e mrekullueshme që na është premtuar. Bibla thotë: «Kam arritur të kuptoj se s’ka gjë më të mirë për [njerëzit], se të gëzojnë dhe të bëjnë mirë gjatë jetës së tyre; dhe që çdo njeri të hajë e të pijë e të shohë të mira për gjithë mundin e tij. Është dhuratë nga Perëndia.» (Ekl. 3:12, 13) ‘Të bësh mirë’ përfshin të bësh gjëra të mira për të tjerët. Jezui tha se ka më shumë lumturi kur jep, sesa kur merr. Veprimet mirëdashëse ndaj bashkëshortit, fëmijëve, prindërve dhe të afërmve të tjerë, na sjellin kënaqësi të thellë. (Prov. 3:27) Edhe kur tregohemi të butë, mikpritës dhe falim vëllezërit e motrat në besim, kemi shumë gëzim dhe i pëlqejmë Jehovait. (Gal. 6:10; Kolos. 3:12-14; 1 Pjet. 4:8, 9) Gjithashtu, kryerja e shërbimit me një frymë vetëmohimi është vërtet shpërblyese.

16 Në fjalët e mësipërme nga Eklisiastiu përmenden kënaqësi të thjeshta të jetës, si të ngrënët e të pirët. Po, edhe kur kalojmë sprova, mund të gjejmë gëzim në ato dhurata materiale që kemi marrë nga Jehovai. Veç kësaj, një perëndim dielli magjepsës, një peizazh madhështor, lojërat e këlyshëve të kafshëve dhe mrekulli të tjera të natyrës nuk kushtojnë asnjë lek, por mund të na mrekullojnë e të na sjellin gëzim. Ndërsa meditojmë për këto gjëra, na shtohet dashuria për Jehovain, pasi ai është Dhuruesi i çdo gjëje të mirë.

17. Çfarë do të na sjellë lehtësim të plotë nga vështirësitë, por ndërkohë, çfarë na ngushëllon?

17 Në fund, dashuria për Perëndinë, bindja ndaj urdhërimeve të tij dhe besimi te flijimi shpërblyes do të na sjellin si rezultat lehtësimin e plotë nga vështirësitë e jetës së papërsosur e do të na japin gëzim të përhershëm. (1 Gjon. 5:3) Ndërkohë, ngushëllohemi duke ditur se Jehovai i di mirë të gjitha gjërat që na mundojnë. Davidi shkroi: «Do të gëzoj e do të ngazëlloj falë dashamirësisë sate, sepse pe mundimin tim. Ti m’i njeh vuajtjet e shpirtit.» (Psal. 31:7) I nxitur nga dashuria për ne, Jehovai do të na çlirojë nga të këqijat.—Psal. 34:19.

18. Pse në popullin e Perëndisë duhet të mbizotërojë gëzimi?

18 Le të imitojmë Jehovain, Perëndinë e lumtur, ndërsa presim përmbushjen e premtimeve të tij. Të bëjmë çmos që të mos i lejojmë ndjenjat negative të na paralizojnë frymësisht. Kur lindin probleme, le të na drejtojnë aftësia për të menduar dhe mençuria praktike. Jehovai do të na ndihmojë t’i mbajmë nën kontroll ndjenjat e të marrim hapat e nevojshëm për të minimizuar pasojat e ngjarjeve të këqija. Le të gjejmë kënaqësi në gjërat e mira që vijnë prej tij, qofshin fizike ose frymore. Duke qëndruar pranë Perëndisë, do të gëzojmë, sepse ‘i lumtur është populli që ka për Perëndi Jehovain’.—Psal. 144:15.

Çfarë keni mësuar?

• Si ta imitojmë Jehovain kur përballojmë vështirësi?

• Si mund të na ndihmojë arsyetueshmëria që t’i përballojmë vështirësitë?

• Si të gjejmë kënaqësi duke bërë vullnetin e Perëndisë, në kohë të vështira?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 16]

Jehovai lëndohet nga gjërat e këqija që ndodhin

[Burimi]

© G.M.B. Akash/​Panos Pictures

[Figurat në faqen 18]

Jehovai na ka treguar si ta ruajmë gëzimin