Jeto çdo ditë në lavdi të Perëndisë
Jeto çdo ditë në lavdi të Perëndisë
«NË MËNGJES më bëj të ndiej dashamirësinë tënde,—iu lut psalmisti David Jehovait.—Më trego udhën ku duhet të eci.» (Psal. 143:8) Kur zgjohesh dhe e falënderon Jehovain për një ditë të re të jetës, a i përgjërohesh ashtu si Davidi që të të drejtojë kur duhet të marrësh vendime dhe të bësh zgjedhjen më të mirë? Pa dyshim që po.
Si shërbëtorë të kushtuar të Jehovait, ‘nëse hamë, nëse pimë apo nëse bëjmë diçka tjetër’, përpiqemi që ‘gjithçka ta bëjmë për lavdi të Perëndisë’. (1 Kor. 10:31) E kuptojmë se mënyra si jetojmë çdo ditë ose e nderon, ose e çnderon Jehovain. Gjithashtu, kujtojmë se Fjala e Perëndisë thotë që Satanai i padit vëllezërit e Krishtit—në fakt të gjithë shërbëtorët e Perëndisë në tokë—«ditë e natë». (Zbul. 12:10) Prandaj, jemi të vendosur t’u japim një përgjigje akuzave të Satanait dhe t’ia gëzojmë zemrën Jehovait duke i bërë shërbim të shenjtë Atit tonë qiellor «ditë e natë».—Zbul. 7:15; Prov. 27:11.
Le të shqyrtojmë shkurtimisht dy mënyra të rëndësishme se si mund ta jetojmë çdo ditë në lavdi të Perëndisë. E para përfshin të përcaktojmë përparësitë e duhura dhe e dyta, të tregojmë konsideratë për të tjerët.
Të jetojmë në lartësinë e kushtimit
Duke iu kushtuar Jehovait, shprehëm dëshirën tonë të përzemërt për t’i shërbyer. Gjithashtu, i premtuam se do të ecim në udhët e tij «ditë për ditë»—po, përgjithmonë. (Psal. 61:5, 8) Atëherë, si jetojmë në lartësinë e këtij premtimi? Si e tregojmë çdo ditë dashurinë tonë me gjithë zemër për Jehovain?
Fjala e Perëndisë tregon qartë përgjegjësitë që Jehovai pret t’i përmbushim. (Ligj. 10:12, 13) Disa prej tyre janë renditur në kutinë me titull «Përgjegjësi që na ka dhënë Perëndia», në faqen 22. Të gjitha këto caktime janë të rëndësishme, sepse i ka dhënë Perëndia. Si vendosim se cili caktim ka përparësi kur dy ose më shumë caktime kërkojnë vëmendjen tonë njëkohësisht?
Ne i japim përparësi shërbimit tonë të shenjtë, i cili përfshin studimin e Biblës, lutjen, mbledhjet e krishtere dhe predikimin. (Mat. 6:33; Gjoni 4:34; 1 Pjet. 2:9) Por veprimtaritë frymore nuk mund të na zënë tërë ditën. Në programin tonë është e nevojshme të përfshihen puna, shkolla dhe detyrime të shumta familjare. Pavarësisht nga kjo, bëjmë çmos t’i organizojmë punën në botë dhe veprimtaritë e tjera në atë mënyrë që të mos ndërhyjnë në shërbimin tonë të shenjtë, siç është ndjekja e mbledhjeve të krishtere. Për shembull, kur planifikojmë pushimet, sigurohemi që të mos humbim vizitën e mbikëqyrësit qarkor, asamblenë speciale njëditore, asamblenë qarkore ose kongresin krahinor. Ndonjëherë mund t’i ndërthurim disa nga përgjegjësitë tona. Për shembull, mund të planifikojmë si familje të pastrojmë Sallën e Mbretërisë ose t’u japim dëshmi kolegëve ose nxënësve të tjerë gjatë pushimit në punë a në shkollë. Po, sa herë na duhet të bëjmë një zgjedhje në jetë—si për shembull, të gjejmë punë, të zgjedhim shkollimin ose miqtë—lejojmë që vendimet tona të ndikohen nga përparësia jonë më e madhe në jetë: adhurimi i Jehovait, Atit tonë të dashur.—Ekl. 12:13.
Të tregojmë konsideratë për të tjerët
Jehovai do që të interesohemi për të tjerët e t’u bëjmë mirë, ndërsa Satanai nxit egoizmin. Bota e Satanait është plot njerëz që janë «të dashuruar me veten» dhe «kënaqësidashës», si edhe me ata që ‘mbjellin për mishin’. (2 Tim. 3:1-5; Gal. 6:8) Shumë s’para mendojnë për pasojat e veprimeve të tyre te të tjerët. «Veprat e mishit» duken qartë kudo.—Gal. 5:19-21.
Sa i ndryshëm është qëndrimi i atyre që, të nxitur nga fryma e shenjtë e Jehovait, shfaqin dashuri, mirëdashje dhe mirësi në marrëdhëniet me të tjerët! (Gal. 5:22) Fjala e Perëndisë na thotë që të përqendrohemi në radhë të parë te nevojat e të tjerëve, pastaj te tonat. Prandaj, interesohemi aktivisht për njëri-tjetrin, edhe pse tregojmë kujdes të mos ndërhyjmë në çështjet personale. (1 Kor. 10:24, 33; Filip. 2:3, 4; 1 Pjet. 4:15) Ne tregojmë konsideratë të veçantë për bashkëbesimtarët. Gjithsesi, përpiqemi të ndihmojmë edhe jobesimtarët. (Gal. 6:10) A mund të tregosh mirëdashje ndaj dikujt që do të takosh sot?—Shih kutinë «Tregoji konsideratë», në faqen 23.
Ne nuk tregojmë konsideratë vetëm në ndonjë periudhë të caktuar ose situatë të veçantë. (Gal. 6:2; Efes. 5:2; 1 Sel. 4:9, 10) Përkundrazi, çdo ditë përpiqemi të jemi të vetëdijshëm për rrethanat e të tjerëve dhe i ndihmojmë menjëherë në rast nevoje, megjithëse bërja e kësaj nuk do të na leverdiste. Duam të jemi bujarë me çfarëdo që kemi në dispozicion—kohën, gjërat materiale, përvojën dhe mençurinë tonë. Jehovai na garanton se po të jemi bujarë me të tjerët, edhe ai do të jetë bujar me ne.—Prov. 11:25; Luka 6:38.
Shërbim të shenjtë «ditë e natë»
A është vërtet e mundur t’i bëjmë shërbim të shenjtë «ditë e natë» Jehovait? Po, duke qenë të rregullt e të zellshëm në të gjitha aspektet e adhurimit. (Vep. 20:31) Mund të kalojmë sa më shumë kohë në shërbimin e shenjtë duke lexuar e medituar rreth Fjalës së Perëndisë çdo ditë, duke u lutur pa pushim, duke u përpjekur të jemi në të gjitha mbledhjet dhe duke shfrytëzuar çdo mundësi për të dhënë dëshmi.—Psal. 1:2; Luka 2:37; Vep. 4:20; 1 Sel. 3:10; 5:17.
A po i bëjmë personalisht Jehovait një shërbim të tillë të shenjtë? Nëse po, dëshira jonë për t’i pëlqyer Atij dhe për t’u dhënë një përgjigje akuzave të Satanait do të pasqyrohet në të gjitha aspektet e jetës sonë të përditshme. Përpiqemi t’i japim lavdi Jehovait në gjithçka që bëjmë dhe në çfarëdo situate që të gjendemi. Lejojmë që parimet e tij të na drejtojnë kur marrim vendime dhe në mënyrën si flasim e sillemi. Tregojmë çmueshmëri për kujdesin dhe mbështetjen e dashur të Perëndisë duke pasur besim të plotë tek ai dhe duke i përdorur të gjitha forcat në shërbim të tij. Gjithashtu, i mirëpresim këshillat dhe disiplinën e Perëndisë kur, për shkak të papërsosmërive, nuk i arrijmë standardet e tij.—Psal. 32:5; 119:97; Prov. 3:25, 26; Kolos. 3:17; Hebr. 6:11, 12.
Le të vazhdojmë të jetojmë çdo ditë në lavdi të Perëndisë. Duke bërë kështu, do të gjejmë freskim për shpirtin dhe do të gëzojmë kujdesin e dashur të Atit tonë qiellor përgjithmonë.—Mat. 11:29; Zbul. 7:16, 17.
[Kutia dhe figurat në faqen 22]
Përgjegjësi që na ka dhënë Perëndia
• Të lutemi shpesh.—Rom. 12:12.
• Të lexojmë dhe të studiojmë Biblën, duke e zbatuar.—Psal. 1:2; 1 Tim. 4:15.
• Të adhurojmë Jehovain në kongregacion.—Psal. 35:18; Hebr. 10:24, 25.
• T’u sigurojmë familjarëve tanë nga ana materiale, frymore dhe emocionale.—1 Tim. 5:8.
• Të predikojmë lajmin e mirë për Mbretërinë dhe të bëjmë dishepuj.—Mat. 24:14; 28:19, 20.
• Të kujdesemi për shëndetin fizik, frymor dhe emocional, dhe kjo përfshin të marrim masa për t’u zbavitur në mënyrë të shëndetshme.—Mar. 6:31; 2 Kor. 7:1; 1 Tim. 4:8, 16.
• Të kujdesemi për përgjegjësitë në kongregacion.—Vep. 20:28; 1 Tim. 3:1.
• Të kujdesemi për paraqitjen e jashtme të shtëpisë sonë dhe të Sallës së Mbretërisë.—1 Kor. 10:32.
[Kutia dhe figura në faqen 23]
Tregoji konsideratë
• Një vëllai ose motre të moshuar.—Lev. 19:32.
• Dikujt që vuan nga një sëmundje fizike ose emocionale.—Prov. 14:21.
• Një pjesëtari të kongregacionit që ka nevojë urgjente për diçka që je në gjendje t’ia japësh.—Rom. 12:13.
• Një pjesëtari të familjes.—1 Tim. 5:4, 8.
• Një bashkëbesimtari që i ka vdekur bashkëshortja.—1 Tim. 5:9.
• Një plaku të palodhur në kongregacion.—1 Sel. 5:12, 13; 1 Tim. 5:17.