Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ndihmojini fëmijët t’u bëjnë ballë sfidave të shumta

Ndihmojini fëmijët t’u bëjnë ballë sfidave të shumta

Ndihmojini fëmijët t’u bëjnë ballë sfidave të shumta

TË RINJTË tanë janë nën presion shumë të madh. Ata janë nën ndikimin e frymës së botës së ligë të Satanait dhe duhet të luftojnë me «dëshirat karakteristike rinore». (2 Tim. 2:22; 1 Gjon. 5:19) Për më tepër, ngaqë përpiqen ‘ta kujtojnë tani Krijuesin e tyre të Madh’, u duhet të përballojnë tallje—madje edhe ngacmime—nga ata që u kundërvihen bindjeve të tyre. (Ekl. 12:1) Vinsenti, * një vëlla, thotë për kohën kur ishte i ri: «Gjithnjë kishte ndonjë që do të më ngacmonte, do të më kërcënonte ose do të hapte sherr me mua vetëm sepse isha Dëshmitar. Shumë herë presioni ishte aq i fortë saqë nuk doja të shkoja në shkollë.»

Përveç presioneve nga bota, djemve dhe vajzave tona mund t’u duhet të luftojnë edhe kundër dëshirës për të qenë si moshatarët. «Nuk është e lehtë kur të shohin si të ndryshme»,—thotë Kathlina, një motër 16-vjeçare. Një vëlla i ri, Alani, pranon: «Shpesh shokët e shkollës më ftonin të dilja me ta në fundjavë dhe në fakt doja të shkoja.» Për më tepër, të rinjtë mund të dëshirojnë fort të marrin pjesë në ngjarjet sportive të shkollës, të cilat fare lehtë mund të çojnë në shoqëri të këqija. «E dua sportin,—thotë Tanja, një motër e re.—Trajnerët në shkollë gjithmonë përpiqeshin të më nxitnin që të luaja me skuadrën. E kisha shumë të vështirë të refuzoja.»

Si mund t’i ndihmoni fëmijët t’u bëjnë ballë sfidave të shumta? Jehovai caktoi prindërit për t’i drejtuar fëmijët. (Prov. 22:6; Efes. 6:4) Synimi i prindërve me frikë Perëndie është që të zhvillojnë në zemrën e fëmijëve dëshirën për t’iu bindur Jehovait. (Prov. 6:20-23) Në këtë mënyrë, fëmijët do të nxiten t’u rezistojnë presioneve të botës, edhe kur prindërit nuk po i shohin.

Për prindërit është e vështirë që, njëkohësisht, të sigurojnë jetesën, të rritin fëmijët dhe të kujdesen për veprimtaritë e kongregacionit. Disave u duhet t’i bëjnë këto ndërsa janë prindër të vetëm ose kanë kundërshtim nga bashkëshorti jobesimtar. Prapëseprapë, Jehovai kërkon që prindërit të lënë kohë për t’i mbështetur fëmijët. Prandaj, çfarë mund të bëni për t’i ndihmuar fëmijët që të mbrohen nga presioni i moshatarëve, tundimet dhe ngacmimet që hasin ditë pas dite?

Një marrëdhënie personale me Jehovain

Para së gjithash, të rinjtë tanë kanë nevojë ta njohin Jehovain si një Person real. Ata kanë nevojë për ndihmë që ‘të shohin Atë që është i padukshëm’. (Hebr. 11:27) Vinsenti, i përmendur më sipër, kujton se si prindërit e ndihmonin të zhvillonte një marrëdhënie personale me Jehovain. Ai thotë: «Ata më mësuan rëndësinë e lutjes. Kujtoj se, që në moshë të njomë, i lutesha Jehovait çdo natë para se të flija. Jehovai ishte real për mua.» A luteni me fëmijët tuaj? Pse të mos dëgjoni se çfarë i thonë Jehovait në lutje? Mos ndoshta thjesht përsëritin të njëjtat fjalë apo shprehin në lutje se çfarë ndiejnë vërtet për Jehovain? Nëse i dëgjoni kur luten, mund të dalloni përparimin e tyre frymor.

Pasja e një programi për leximin e Fjalës së Perëndisë, është një mënyrë tjetër e rëndësishme që i ndihmon të rinjtë t’i afrohen më shumë Jehovait. Kathlina, e përmendur më sipër, thotë: «Leximi i Biblës nga fillimi në fund, që në moshë të re, më ndihmoi. Më dha sigurinë që, edhe sikur njerëzit të ishin kundër meje, kisha mbështetjen e Jehovait.» A kanë fëmijët tuaj program personal për leximin e Biblës?—Psal. 1:1-3; 77:12.

Vërtet, fëmijët ndryshojnë për sa i përket mënyrës si reagojnë ndaj drejtimit të prindërve. Gjithashtu, përparimi i tyre frymor mund të varet nga mosha. Megjithatë, pa drejtim, fëmijët do ta kenë të vështirë që të arrijnë ta njohin Jehovain si një Person real. Prindërit duhet të ngulitin fjalët e Perëndisë te fëmijët në mënyrë që ata, si të thuash, ta dëgjojnë Jehovain të flasë kudo që të jenë. (Ligj. 6:6-9) Fëmijët duhet të besojnë se Jehovai interesohet personalisht për ta.

Komunikimi: Si ta bëni domethënës?

Komunikimi është një mënyrë tjetër jetësore për të ndihmuar fëmijët. Sigurisht, komunikimi i mirë përfshin më shumë sesa vetëm të flitni me fëmijët. Ai përfshin të bëni pyetje dhe të dëgjoni me durim përgjigjet e tyre, edhe nëse përgjigjet janë ndryshe nga ato që do t’ju pëlqente të dëgjonit. «Unë bëj pyetje derisa të sigurohem se e kuptoj çfarë mendojnë dhe çfarë po përballojnë në jetë»,—thotë Ana, nënë me dy djem. A mendojnë fëmijët se i dëgjoni? Tanja, e përmendur më parë, thotë: «Prindërit më dëgjonin vërtet dhe i mbanin mend bisedat. I dinin emrat e shokëve të klasës. Pyetnin për ta dhe për situata të tjera që kishim diskutuar në të kaluarën.» Të dëgjoni dhe të mbani mend janë jetësore për një komunikim të suksesshëm.

Shumë familje kanë vërejtur se gjatë vakteve kanë mundësi të mira për të komunikuar në mënyrë domethënëse. Vinsenti shpjegon: «Në familjen tonë ishte shumë e rëndësishme të hanim bashkë. Nga ne pritej të ishim në tryezë me familjen kurdoherë që ishte e mundur. Gjatë vaktit, nuk lejohej të shihnim televizor, të dëgjonim radio ose të lexonim. Meqë shumica e bisedave nuk ishin serioze, ky ishte një moment i qetë çdo ditë që më ndihmonte të përballoja kaosin dhe presionet që hasja në shkollë.» Ai shton: «Ngaqë isha mësuar të flitja me prindërit gjatë vakteve, ndihesha rehat për të folur me ta edhe kur më duhej ndihmë për gjëra më serioze.»

Pyetni veten: «Sa shpesh hamë bashkë si familje çdo javë?» Ndoshta ndonjë rregullim në këtë drejtim do t’ju jepte mundësi të komunikonit më shumë dhe më mirë me fëmijët.

Pse demonstrimet janë kaq të vlefshme?

Edhe mbrëmja e përjavshme e Adhurimit Familjar nxit biseda domethënëse dhe i ndihmon të rinjtë të përballojnë probleme të caktuara. Alani, që përmendëm në fillim, thotë: «Prindërit e mi e përdornin studimin familjar që të shpreheshim. Ata shqyrtonin argumente që lidheshin me ato që po kalonim.» Mamaja e Alanit thotë: «Gjatë studimit, një pjesë të kohës e përdornim për të bërë demonstrime. Këto i ndihmonin fëmijët të mësonin si të mbronin besimin dhe të tregonin se ajo që besonin ishte e vërtetë. Kjo u dha sigurinë që u nevojitej për t’u bërë ballë vështirësive që hasën më vonë.»

Po, kur kanë presione nga moshatarët, shpesh nuk mjafton që fëmijët të thonë jo e të largohen. Ata duhet të jenë në gjendje t’u përgjigjen pyetjeve të tilla, si pse po dhe pse jo. Gjithashtu, kanë nevojë të ndihen të sigurt se çfarë të bëjnë kur i vënë në lojë për shkak të besimit. Nëse nuk mund të mbrojnë bindjet e tyre, do ta kenë të vështirë të marrin një qëndrim të guximshëm pro adhurimit të vërtetë. Demonstrimet mund t’i ndihmojnë të krijojnë këtë siguri.

Në kutinë në  faqen 18 renditen disa situata që mund të realizohen gjatë mbrëmjes së Adhurimit Familjar. Bëjini reale këto demonstrime duke i kundërshtuar përgjigjet që japin fëmijët. Bashkë me këto demonstrime, shqyrtoni disa nga mësimet praktike që nxirren nga shembujt biblikë. Një stërvitje e tillë në shtëpi pa dyshim do t’i pajisë fëmijët që t’u bëjnë ballë sfidave në shkollë ose gjetkë.

Shtëpia: A është një liman i sigurt?

A është shtëpia juaj një vend ku fëmijët mezi presin të kthehen pas shkollës? Nëse është një liman i sigurt, kjo do t’i ndihmojë fëmijët të përballojnë sfidat e përditshme. Një motër, që tani është pjesëtare e familjes Bethel, thotë: «Në fëmijëri, një nga gjërat më të rëndësishme për mua ishte se në shtëpi ndihesha e sigurt. Sado e keqe të ishte situata në shkollë, e dija se do të qetësohesha kur të kthehesha në shtëpi.» Si është atmosfera në shtëpinë tuaj? A është shtëpia juaj një vend ku «shpërthimet e zemërimit, grindjet, [dhe] përçarjet» janë të zakonshme apo njihet për ‘dashurinë, gëzimin dhe paqen’? (Gal. 5:19-23) Nëse paqja mungon shpesh, a përpiqeni fort të zbuloni se çfarë ndryshimesh nevojiten për ta bërë shtëpinë tuaj një liman të sigurt për fëmijët?

Një mënyrë tjetër për t’i ndihmuar fëmijët që të përballojnë vështirësitë, është duke marrë nismën për t’u siguruar shoqëri ndërtuese. Për shembull, a mund të përfshini disa vëllezër dhe motra me mendje frymore nga kongregacioni në aktivitetet zbavitëse të familjes? Ose, a mund të ftoni në shtëpi për një vakt të thjeshtë mbikëqyrësin udhëtues ose të tjerë që janë në shërbimin e plotkohor? A njihni ndonjë misionar ose bethelit me të cilin fëmijët mund të krijojnë miqësi, sikur thjesht me letra, e-mail ose telefonata të herëpashershme? Këto miqësi mund t’i ndihmojnë fëmijët të ecin në udhën e duhur dhe të zhvillojnë synime frymore. Mendoni për ndikimin e mirë që apostulli Pavël pati tek i riu Timote. (2 Tim. 1:13; 3:10) Shoqërimi i ngushtë me Pavlin e ndihmoi Timoteun që ta mbante mendjen të përqendruar te synimet frymore.—1 Kor. 4:17.

Lavdërojini fëmijët

Jehovai kënaqet kur sheh të rinjtë që marrin anën e së drejtës, pavarësisht nga presionet e botës së Satanait. (Psal. 147:11; Prov. 27:11) Pa dyshim, edhe ju gëzoni kur i shihni të rinjtë që zgjedhin udhën e mençur. (Prov. 10:1) Bëjuani të ditur fëmijëve se si ndiheni për ta dhe lavdërojini me bujari e dashuri. Jehovai la një shembull të shkëlqyer për prindërit. Kur u pagëzua Jezui, Jehovai tha: «Ti je Biri im, i dashuri. Unë të kam miratuar.» (Mar. 1:11) Sa duhet ta ketë forcuar Jezuin kjo siguri që i dha Ati për të përballuar vështirësitë e shumta që do të haste së shpejti! Në mënyrë të ngjashme, bëjuani të ditur fëmijëve se i doni dhe vlerësojini për arritjet.

Natyrisht, nuk mund t’i mbroni plotësisht fëmijët nga presionet, ngacmimet dhe talljet. Megjithatë mund të bëni shumë për t’i ndihmuar. Në cilat mënyra? Ndihmojini të zhvillojnë një marrëdhënie personale me Jehovain. Krijoni një atmosferë që nxit biseda domethënëse. Bëjeni praktike mbrëmjen e Adhurimit Familjar dhe shtëpinë një liman të sigurt. Patjetër kjo do t’i përgatitë fëmijët që t’u bëjnë ballë sfidave të shumta.

[Shënimi]

^ par. 2 Disa emra në këtë artikull janë ndryshuar.

[Kutia dhe figura në faqen 18]

 DEMONSTRIMET MUND TË NDIHMOJNË

Më poshtë jepen disa shembuj të situatave që hasin të rinjtë tanë. Pse të mos i realizoni disa gjatë mbrëmjeve të Adhurimit Familjar?

▸ Trajneri i kërkon vajzës suaj që të hyjë në skuadrën e shkollës.

▸ Djalit i ofrojnë një cigare rrugës për në shkollë.

▸ Disa djem e kërcënojnë djalin se do ta rrahin nëse e shohin përsëri duke predikuar.

▸ Ndërsa vajza po predikon, në një derë del një shok ose shoqe e shkollës.

▸ Vajzën e pyesin para të gjithë klasës pse nuk e këndon himnin e flamurit.

▸ Një djalë e tall vazhdimisht djalin tuaj ngaqë është Dëshmitar.

[Figura në faqen 17]

A kanë fëmijët tuaj program personal për leximin e Biblës?

[Figura në faqen 19]

A përfshini në aktivitetet tuaja zbavitëse persona me mendje frymore?