Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e konsideron Jehovain si Atin tënd?

A e konsideron Jehovain si Atin tënd?

A e konsideron Jehovain si Atin tënd?

«ZOTËRI, na mëso si të lutemi.» Kur një nga dishepujt i bëri këtë kërkesë, Jezui u përgjigj: «Sa herë të luteni, thoni: ‘Atë, u shenjtëroftë emri yt.’» (Luka 11:1, 2) Jezui mund t’i ishte referuar Jehovait duke përdorur tituj të tillë mbresëlënës, si ‘i Plotfuqishmi’, ‘Mësuesi i Madh’, «Krijuesi», «i Lashti i Ditëve» dhe ‘Mbreti i përjetësisë’. (Zan. 49:25; Isa. 30:20; 40:28; Dan. 7:9; 1 Tim. 1:17) Por Jezui zgjodhi termin «Atë». Pse? Ndoshta sepse do që t’i afrohemi Personit më të lartë në univers ashtu si një fëmijë i përulur i afrohet një babai të dashur.

Megjithatë, disa e kanë të vështirë ta konsiderojnë Perëndinë si Atin e tyre. Acukoja *, një e krishterë, pranon: «Për vite të tëra pas pagëzimit e kisha të vështirë t’i afrohesha Jehovait dhe t’i lutesha duke e konsideruar si një Atë.» Ajo tregon një arsye pse e kishte këtë problem: «Nuk kujtoj asnjë rast që babai im të më ketë shfaqur përzemërsi.»

Në këto ditë të fundit kritike, mungon në mënyrë të theksuar ‘përzemërsia e natyrshme’ që një njeri pret nga babai i vet. (2 Tim. 3:1, 3) Prandaj, nuk është e pazakonshme që njerëzit të kenë ndjenja si ato të Acukos. Por mund të marrim zemër, pasi kemi arsye të vlefshme që ta konsiderojmë Jehovain si Atin tonë të dashur.

Jehovai—Ai që na i siguron gjërat me dashuri

Nëse duam ta konsiderojmë Jehovain si Atin tonë, duhet ta njohim mirë. Jezui tha: «Askush s’e njeh plotësisht Birin përveç Atit, dhe askush s’e njeh plotësisht Atin përveç Birit dhe kujtdo që Biri dëshiron t’ia zbulojë.» (Mat. 11:27) Një mënyrë e shkëlqyer për të ditur se në ç’kuptim Jehovai është si një Atë, është duke medituar rreth asaj që Jezui tregoi për Perëndinë e vërtetë. Atëherë, çfarë na mësoi Jezui për Atin?

Duke e pranuar Jehovain si Burimin e jetës, Jezui tha: «Unë jetoj falë Atit.» (Gjoni 6:57) Edhe ne i detyrohemi Atit për jetën. (Psal. 36:9; Vep. 17:28) Çfarë e shtyu Jehovain që t’u jepte jetë të tjerëve? A nuk ishte dashuria? Për këtë dhuratë, pa dyshim edhe ne duhet ta duam Atin tonë qiellor.

Shfaqja më e madhe e dashurisë së Perëndisë për njerëzimin ishte flijimi shpërblyes i Jezuit. Ky akt dashurie bën të mundur që njerëzit mëkatarë të kenë një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain nëpërmjet Birit të tij të dashur. (Rom. 5:12; 1 Gjon. 4:9, 10) Dhe, ngaqë Ati ynë qiellor është Përmbushësi i premtimeve, jemi të sigurt se të gjithë ata që e duan dhe i binden, në fund do të gëzojnë «lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë».—Rom. 8:21.

Gjithashtu, Ati ynë qiellor «e bën diellin e tij të ngrihet mbi» ne përditë. (Mat. 5:45) Vështirë që ta konsiderojmë të nevojshme të lutemi për ngritjen e diellit. E megjithatë, sa nevojë kemi për të dhe sa na kënaqin rrezet e tij të ngrohta! Për më tepër, Ati ynë është ai që na i siguron në mënyrë të pashoqe gjërat që na duhen dhe i njeh nevojat tona materiale para se t’ia kërkojmë. Prandaj, a nuk duhet të lëmë kohë që të vëzhgojmë dhe të meditojmë me mirënjohje për mënyrën se si Ati ynë qiellor kujdeset për krijimin e tij?—Mat. 6:8, 26.

Ati ynë—«Mbrojtësi i përzemërt»

Profecia e Isaisë i dha këtë siguri popullit të lashtë të Perëndisë: «Malet do të lëvizin dhe kodrat do të lëkunden, por miqësia ime nuk do të lëvizë kurrë nga ti dhe besëlidhja e paqes që kam bërë me ty, nuk do të lëkundet,—thotë Jehovai, mbrojtësi yt i përzemërt.» (Isa. 54:10, The Bible in Living English) Një gjë tjetër që e përforcon këtë pikë është lutja e Jezuit natën e fundit të jetës së tij tokësore e cila tregon se Jehovai është vërtet ‘një mbrojtës i përzemërt’. Jezui u lut për dishepujt: «Ata janë në botë, kurse unë po vij te ti. Atë i shenjtë, ruaji për hir të emrit tënd.» (Gjoni 17:11, 14) Jehovai i ka ruajtur dhe mbrojtur dishepujt e Jezuit.

Një mënyrë se si Perëndia na mbron nga dredhitë e Satanait sot, është duke na siguruar ushqim frymor në kohën e duhur nëpërmjet ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’. (Mat. 24:45) Marrja e këtij ushqimi që të forcon është thelbësore ‘për të veshur armaturën e plotë të Perëndisë’. Të shqyrtojmë për shembull, «mburojën e madhe të besimit», me të cilën ‘jemi në gjendje të shuajmë të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut’. (Efes. 6:11, 16) Besimi na mbron nga dëmet frymore dhe tregon se e pranojmë fuqinë mbrojtëse të Atit.

Mund të mësojmë më shumë për përzemërsinë e Atit tonë qiellor duke shqyrtuar me kujdes se si sillej Biri i Perëndisë kur ishte në tokë. Vër re tregimin e regjistruar te Marku 10:13-16. Aty tregohet se Jezui u tha dishepujve: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë.» Teksa të vegjlit mblidheshin përreth tij, Jezui i përqafoi me përzemërsi dhe i bekoi. Sa duhet t’u ketë rrezatuar fytyra nga gëzimi! Prandaj, meqë Jezui tha «ai që më ka parë mua, ka parë edhe Atin», e dimë se Perëndia i vërtetë do që t’i afrohemi.—Gjoni 14:9.

Perëndia Jehova është Burimi i pafund i dashurisë. Ai na siguron në mënyrë të pashoqe gjërat e nevojshme dhe është Mbrojtësi i pakrahasueshëm që dëshiron t’i afrohemi. (Jak. 4:8) Pra, s’ka dyshim se Jehovai është Ati më i mirë që mund të imagjinohet!

Nxjerrim shumë dobi

Sa shumë dobi nxjerrim duke pasur besim te Jehovai si Ati ynë i dashur dhe i përzemërt qiellor! (Prov. 3:5, 6) Jezui nxori dobi duke besuar te Jehovai me gjithë zemër. «Nuk jam vetëm,—u tha Krishti dishepujve,—por Ati që më dërgoi, është me mua.» (Gjoni 8:16) Jezui ishte gjithnjë i sigurt për mbështetjen e Jehovait. Për shembull, në pagëzimin e tij Ati e siguroi me dashuri duke deklaruar: «Ky është Biri im, i dashuri, që e kam miratuar.» (Mat. 3:15-17) Dhe, vetëm pak çaste para vdekjes Jezui thirri: «O Atë, në dorën tënde po e lë frymën time.» (Luka 23:46) Edhe në atë rast, besimi i Jezuit tek Ati ishte më i fortë se kurrë.

Njësoj mund të jetë edhe me ne. Me Jehovain në krahun tonë, s’kemi arsye për të pasur frikë. (Psal. 118:6) Acukoja e përmendur në fillim, e kishte zakon të mbështetej te forcat e veta kur haste probleme. Por, më pas filloi të studionte jetën dhe shërbimin e Jezuit, duke u përqendruar sidomos te marrëdhënia e tij e ngushtë me Atin qiellor. Cili qe rezultati? «Mësova se ç’do të thotë të kesh një Atë e të mbështetesh tek ai»,—thotë Acukoja. Ajo shton: «Provova paqe dhe lumturi të vërtetë. Po, nuk ka pse të shqetësohemi për asgjë.»

Si nxjerrim më tej dobi nëse e konsiderojmë Jehovain si Atin tonë? Zakonisht fëmijët i duan prindërit dhe dëshirojnë t’u pëlqejnë atyre. Nga dashuria, Biri i Perëndisë ‘bënte gjithmonë gjërat që i pëlqenin Atit’. (Gjoni 8:29) Po kështu, dashuria për Atin tonë qiellor mund të na nxitë të veprojmë me mençuri dhe ‘ta lëvdojmë publikisht’.—Mat. 11:25; Gjoni 5:19.

Ati ynë ‘na kap nga dora e djathtë’

Gjithashtu, Ati ynë na ka siguruar «një ndihmës»—frymën e tij të shenjtë. Jezui tha se ajo ‘do të na drejtojë që të kuptojmë gjithë të vërtetën’. (Gjoni 14:15-17; 16:12, 13) Fryma e shenjtë e Perëndisë mund të na drejtojë që ta kuptojmë më mirë Atin tonë. Ajo mund të na ndihmojë të përmbysim «gjëra të fortifikuara mirë», domethënë, paragjykimet, idetë e gabuara ose pikëpamjet e shtrembëruara, ‘duke e çuar në robëri çdo mendim, që ta bëjmë të bindur ndaj Krishtit’. (2 Kor. 10:4, 5) Prandaj, le t’i lutemi Jehovait për ‘ndihmësin’ që na ka premtuar, të sigurt se «Ati në qiell do t’u japë frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë». (Luka 11:13) Po ashtu, është e përshtatshme të lutemi që fryma e shenjtë të na ndihmojë t’i afrohemi edhe më shumë Jehovait.

Një fëmijë ndihet i mbrojtur, i sigurt dhe nuk ka frikë kur ecën dorë për dorë me babanë. Nëse vërtet e konsideron Jehovain si Atin tënd, mund të marrësh për zemër këto fjalë ngushëlluese: «Unë Jehovai, Perëndia yt, të kap nga dora e djathtë dhe të them: ‘Mos ki frikë, se unë do të të ndihmoj.’» (Isa. 41:13) Ti mund të kesh privilegjin e mrekullueshëm që ‘të ecësh’ me Perëndinë përgjithmonë. (Mik. 6:8) Vazhdo të bësh vullnetin e tij dhe do të përjetosh dashurinë, gëzimin dhe ndjenjën e sigurisë që vijnë kur e konsideron Jehovain si Atin tënd.

[Shënimi]

^ par. 3 Emri është ndryshuar.