«E drejta e fëmijës për t’u zhvilluar frymësisht»
«E drejta e fëmijës për t’u zhvilluar frymësisht»
MË 9 dhjetor 2008, Akademia Suedeze për të Drejtat e Fëmijës mbajti një seminar unik me temë: «E drejta e fëmijës për t’u zhvilluar frymësisht.» U paraqitën shumë opinione nga oratorë që përfaqësonin Kishën e Suedisë, grupe të tjera të të ashtuquajturit krishterim, fenë islame, si dhe lëvizjen humaniste.
Një nga oratorët, një klerik, tha: «Vështirë se mund të jepet një përshkrim . . . me vend i rëndësisë së madhe që kanë tregimet biblike për gjendjen frymore të fëmijëve.» Në ç’mënyrë fragmentet biblike plotësojnë nevojat frymore të fëmijëve?
Kleriku tha: «Shkrimet dhe tregimet u ofrojnë fëmijëve materiale për të reflektuar dhe medituar vetë.» Ai renditi «historinë e Adamit e të Evës, të Kainit e Abelit, të Davidit e Goliadit, të lindjes së Jezuit, të taksambledhësit Zake, shëmbëlltyrën e djalit plëngprishës dhe të samaritanit të mirë». Këto u quajtën si «disa nga tregimet model që shërbejnë për të drejtuar mendimet [e fëmijës] në lidhje me çështje thelbësore të jetës, si tradhtia, falja, shlyerja, urrejtja, degradimi moral, ndreqjet e gabimeve e dashuria vëllazërore dhe altruiste». Ai shtoi se këto shkrime ofrojnë modele që një njeri mund t’i bëjë të tijat në jetë e të përfitojë prej tyre në mënyra praktike.
Sigurisht, është një gjë e shkëlqyer të nxitësh leximin e Biblës. Por, a janë vërtet të aftë fëmijët «për të reflektuar dhe medituar vetë» rreth asaj që lexojnë nga Shkrimet dhe për të nxjerrë përfundimet e duhura?
Madje edhe të rriturit kanë nevojë t’u shpjegohen disa fragmente biblike. Për shembull, Bibla flet për një burrë që nuk arrinte t’i kuptonte shkrimet duke «reflektuar dhe medituar vetë». Ai burrë ishte një zyrtar etiopas. Po lexonte profecinë e Isaisë, por nuk e kapte dot kuptimin. Meqë donte të kuptonte mesazhin e profetit, mirëpriti shpjegimin që i dha dishepulli Filip. (Vep. 8:26-40) Ai etiopas nuk ishte i vetmi që kishte nevojë për ndihmë që të kuptonte Shkrimet. Të gjithë ne—e sidomos fëmijët—kemi nevojë të na shtjellohen fragmentet biblike.
Bibla paralajmëron: «Marrëzia është e lidhur me zemrën e një djali.» (Prov. 22:15) Fëmijët kanë nevojë për udhëheqje e drejtim dhe prindërit kanë përgjegjësinë t’i edukojnë moralisht dhe frymësisht, duke u bazuar te Bibla dhe tek ajo që mësohet në kongregacionin e krishterë. Fëmijët kanë të drejtën që t’u jepet kjo stërvitje. Qysh në moshë të njomë duhen ndihmuar të hedhin një themel të palëkundur të bazuar në Bibël që të zhvillohen frymësisht. Kështu mund të bëhen ‘njerëz të pjekur që nëpërmjet përdorimit i kanë aftësitë perceptuese të stërvitura për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën’.—Hebr. 5:14.