Mjet që të rinjtë të kujtojnë Krijuesin e tyre
Mjet që të rinjtë të kujtojnë Krijuesin e tyre
‘KUJTOJE Krijuesin tënd të Madh në ditët e djalërisë sate’,—shkroi i mençuri Solomon rreth 3.000 vjet më parë. (Ekl. 12:1) Të rinjtë e krishterë tani kanë një mjet tjetër që do t’i ndihmojë për këtë. Libri Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, vëllimi 2, doli në kongreset krahinore të Dëshmitarëve të Jehovait me temë «Të drejtuar nga fryma e Perëndisë», që u mbajtën në mbarë botën nga maji i vitit 2008 deri në janar të 2009-s.
Brenda kapakut është shkruar një letër nga Trupi Udhëheqës drejtuar të rinjve. Në një fragment të saj thuhet: «Lutemi me zjarr që faqet e këtij libri të të ndihmojnë t’u bësh ballë presioneve dhe tundimeve që kanë të rinjtë e sotëm dhe të të tregojnë si të marrësh vendime që nuk bien ndesh me vullnetin e Perëndisë.»
Me të drejtë, prindërit duan t’i rritin fëmijët «në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait». (Efes. 6:4) Por, kur arrijnë adoleshencën, shumë të rinj ndihen të pasigurt dhe dëshirojnë me zjarr drejtim. Nëse ke një fëmijë adoleshent, si ta ndihmosh të përfitojë sa më shumë nga ky botim? Më poshtë jepen disa sugjerime.
▪ Merre librin tënd dhe familjarizohu mirë me të. Kjo nuk do të thotë vetëm ta lexosh. Përpiqu të kuptosh edhe mënyrën si janë shprehur idetë. Në vend që thjesht t’u thotë të rinjve çfarë është e drejtë e çfarë e gabuar, libri përpiqet t’u stërvitë «aftësitë perceptuese». (Hebr. 5:14) Gjithashtu, u jep sugjerime praktike se si të bëjë dhe të mbrojë atë që është e drejtë. Për shembull, kapitulli 15 («Si t’i rezistoj presionit të shoqërisë?») nuk mjaftohet duke u treguar të rinjve që të thonë jo. Ai shpjegon si të përdorin parimet biblike për zgjidhjen e problemeve dhe si të reagojnë në situata të jetës reale, që të rinjtë të mësojnë se si ‘t’i përgjigjen gjithsecilit’.—Kolos. 4:6.
* Për shembull, kur të shqyrtosh në faqen 16 pyetjet që përfshijnë lexuesin, se kur është e përshtatshme të lidhet një i ri me dikë, përpiqu të kujtosh si ndiheshe kur ishe në moshën e fëmijës. Ndoshta në hapësirën e caktuar mund të shkruash përgjigjet që do të kishe dhënë në atë kohë. Më pas pyet veten: «Si kanë ndryshuar mendimet e mia për këtë temë me kalimin e viteve? Ç’pjekuri kam fituar që nga adoleshenca dhe si t’ia përcjell sa më mirë fëmijës?»
▪ Përdor veçoritë e librit që e vënë në punë lexuesin. Megjithëse këto pjesë janë përgatitur për të rinjtë, pse të mos plotësosh ato pjesë ku mund të përgjigjesh edhe ti?▪ Mos i kontrollo librin, por lexoji zemrën. Pjesët e librit që kërkojnë përgjigje janë përgatitur ta nxitin fëmijën të shprehet dhe të shkruajë në libër ose të mendojë për atë temë. Synimi yt është të shohësh se ç’ka fëmija në zemër e jo në libër. Në faqen 3 të librit në pjesën me titull «Dy fjalë për prindërit», jepet ky sugjerim: «Që t’i inkurajoni të rinjtë të shkruajnë atë që mendojnë, lejojini të kenë kopjen e tyre personale e të shprehen si duan, pa ndërhyrjen tuaj. Më vonë, mund të hapen me ju për ato që kanë shkruar.»
Mjet ndihmës për studimin familjar të Biblës
Të rinjtë pyesin, vëllimi 2, është mjet i shkëlqyer për Adhurimin Familjar. Meqë libri nuk ka pyetje studimi për çdo paragraf, si ta përdorni? Pse të mos e organizoni vetë studimin duke përdorur një metodë që është më e efektshme për fëmijët tuaj?
Për shembull, disa familje mund të kënaqen duke bërë demonstrime ndërsa shqyrtojnë pjesën «Kur shokët të bëjnë presion», në faqet 132, 133. Pyetja e parë mund ta ndihmojë djalin ose vajzën të dallojë cili është tundimi më i vështirë për të. Pyetja e dytë tregon ku mund ta hasë këtë tundim. Pasi mendon për pasojat që vijnë nëse i dorëzohet ose i bën ballë presionit, fëmijës i kërkohet të planifikojë si t’i përgjigjet presionit duke e pranuar, duke e shmangur me lezet ose duke e kundërshtuar. Ndihmoje djalin ose vajzën të përdorë imagjinatën dhe të përgatitë përgjigje me të cilat të ndihet rehat e që t’i japë i sigurt e me bindje.—Psal. 119:46.
Mjet komunikimi
Të rinjtë pyesin, vëllimi 2, i nxit të rinjtë të flasin lirshëm me prindërit. Për shembull, kutitë «Si të flas me mamin ose babin për (faqet 63, 64) dhe seksin?»«Fol me prindërit» (faqja 189) japin sugjerime praktike si të hapen për tema delikate. Një vajzë 13-vjeçare shkroi: «Ky libër më nxiti t’u tregoja prindërve çfarë kisha në mendje, madje edhe çfarë kisha bërë.»
Ky libër nxit komunikimin edhe në mënyra të tjera. Në fund të çdo kapitulli ka një kuti që titullohet «Çfarë mendon?» Ajo mund të përdoret jo thjesht si përsëritje, por si skemë për bashkëbisedim familjar. Nga fundi i çdo kapitulli ka edhe një kuti «Hapat që dua të bëj . . . » Kjo kuti u jep të rinjve mundësinë të shkruajnë si ta zbatojnë konkretisht çfarë mësuan në atë kapitull. Në fund të saj është pjesa «Pyetje që dua t’u bëj prindërve». Kjo do t’i ndihmojë të rinjtë t’u drejtohen prindërve për këshilla të vlefshme.
Depërto në zemër
Si prind, synimi yt është të depërtosh në zemrën e fëmijës. Të rinjtë pyesin, vëllimi 2, mund të të ndihmojë për këtë. Le të shikojmë si ia ka dalë një baba të nxiste komunikimin e çiltër me të bijën, duke përdorur këtë libër.
Ai thotë: «Unë dhe Rebeka kemi disa vende të lezetshme ku na pëlqen të shëtitim, të shkojmë me biçikletë ose me makinë. Shoh se këto shëtitje krijojnë atmosferën e duhur që ajo të hapet.
Pjesa e parë që pamë nga ky libër ishte letra nga Trupi Udhëheqës dhe ‘Dy fjalë për prindërit’. Doja që ime bijë të dinte se mund të ndihej e lirshme të shkruante pa ndrydhje në librin e saj, siç tregohej në faqen 3. Nuk do ta shihja çfarë kishte shkruar.
E lashë të zgjidhte kapitujt që donte të diskutonte sipas radhës që preferonte. Njëri nga kapitujt e parë ishte ‘A duhet të luaj me lojëra elektronike?’ S’ma merrte mendja kurrë se do të zgjidhte atë. Por kishte arsye. Disa nga shokët luanin një lojë shumë të tmerrshme. S’e kisha idenë sa e dhunshme ishte dhe sa gjuhë të ndyrë kishte. Por të gjitha këto i kuptova kur trajtuam kutinë ‘Hapat që duhet të bëj . . . ’ në faqen 251. Gjithashtu, kutia e ndihmoi Rebekën të përgatiste një përgjigje në rast se ndonjëri do ta tundonte për të luajtur atë lojë.
Tani Rebeka nuk më fsheh asgjë nga ato që shkruan në librin e saj. Studimi që bëjmë është një bashkëbisedim i vazhdueshëm. E bëjmë me radhë leximin dhe ajo do që të trajtojmë gjithçka, përfshirë figurat dhe kutitë. Kjo më jep mundësi t’i tregoj si ishte në kohën time dhe si ndihesha kur isha sa ajo, kurse Rebeka më tregon si janë gjërat sot. Ajo do që të flasë për gjithçka.»
Nëse je prind, me siguri u emocionove kur doli ky libër. Tani ke mundësi ta shfrytëzosh më së miri. Trupi Udhëheqës dëshiron që Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, vëllimi 2, të jetë një bekim për familjen tënde. Qoftë ky libër një ndihmë për të gjithë, sidomos për të rinjtë tanë të shtrenjtë, që ‘të vazhdojnë të ecin sipas frymës së shenjtë’!—Gal. 5:16.
[Shënimi]
^ par. 6 Disa nga tabelat e librit që kërkojnë t’u plotësohen përgjigjet, bëjnë për të gjitha moshat. Për shembull, tabela «Mbaj nën kontroll zemërimin» (faqja 221) mund të jetë e dobishme edhe për ty, edhe për djalin a vajzën tënde. E njëjta gjë vlen për tabelat «Kur shokët të bëjnë presion» (faqet 132, 133), «Buxheti im mujor» (faqja 163) dhe «Synimet e mia» (faqja 314).
[Kutia në faqen 30]
Çfarë thonë disa të rinj
«Ky është ai lloj libri që duhet ta lexosh me laps në dorë dhe duke medituar. Ngaqë është bërë si një ditar, të krijon mundësi të mendosh thellë me synimin që ta jetosh jetën në mënyrën më të mirë.»—Nikola.
«Has shumë presion për t’u lidhur me ndonjë djalë, edhe nga njerëz që nisen për mirë. Pjesa e parë e këtij libri më bindi se, pavarësisht nga ç’thonë të tjerët, nuk jam gati të nis një lidhje.»—Katrina.
«Kutia ‘A po mendon të pagëzohesh?’ më ka ndihmuar ta marr edhe më seriozisht pagëzimin. Më nxiti të shihja ku mund të përmirësoja me zakonet e studimit personal dhe të lutjes.»—Ashli.
«Ndonëse prindërit e krishterë më kanë mësuar që kur isha e vogël, ky libër më ka bërë të arsyetoj vetë për hapat që duhet të bëj në jetë. Gjithashtu më ka ndihmuar të jem më e hapur me prindërit.»—Zamira.
[Figura në faqen 31]
Prindër, familjarizohuni mirë me këtë libër
[Figura në faqen 32]
Vër si synim të depërtosh në zemrën e fëmijës